E enjte, 28.03.2024, 08:45 AM (GMT)

Kulturë

Daniel Gazulli: Ministri

E merkure, 20.07.2011, 06:59 PM


Daniel Gàzulli

 

MINISTRI

  

- tregim –

 

Si përshëndeti miqtë me lot në sy, Ministri doli nga dhoma ku kishte kalue pothuej njëzet vjet jetë, dhe me një strajcë të vjetër në dorë u ndal edhe një herë në korridor të burgut. Kishte pasë fat: polici që erdhi ta merrte në dorëzim e ta shoqnonte ishte Kurti, kështuqë nuk e nxitoj, e la t’i përshëndeste edhe një herë miqtë e tij, që ndoshta nuk do të dilnin kurrë nga ai vorr të gjallësh.

Nuk i besohej se nuk do të kthehej ma në atë dhomë. Kështu i kishte ndodhë edhe njëzet vjet ma parë kur shokët e tij i dënuen me vdekje, kurse atë, Ministër në periudhën e luftës, me vetëm njëzet vjet burg. Atëherë, më 1946, tek dilte i fundit nga salla e gjyqit, iu afrue një djalë i ri, i pashëm, i shëndetshëm, një shuplakë ma i naltë se ai, dhe i tha me za të lehtë:

- Nuk mund të baja ma shumë, zotni Ministër.

Ai shtangu. Kush ishte ai që e kishte shpëtue nga pushkatimi? Kush ishte ai që e quejti “Ministër”?!

Në darkë vonë, si kishte qa mirë e mirë për miqët që do të pushkatoheshin, u kujtue: ai djalë …

… Kishte shkue të vizitonte burgun. I kishin thanë se të burgosunit po trajtoheshin keq, për hiçgja. Dhe ashtu vërtetë, i pa me sytë e tij, gjithë plagë në fytyrë e në trup nga keqtrajtimi.

Në qoshe të birucës ishte ulë një djalë i ri, mbetë kockë e lëkurë, por buzëgaz, gati ironik, shikonte Ministrin shpërfillës.

            - Çfarë ka ba ai, që e keni degdisë kështu? – iu drejtue oficerit që e shoqnonte.

            - Asht nga këta të guerriljeve – i tha oficeri, sikur t’i thonte, ç’deshte të kishte ba ma shumë, zotni Ministër? Tepër mirë e kemi trajtue.

            Ministri iu afrue edhe ma shumë djalit, deri sa oficeri iu lut të mos afrohej ma shumë.

            - Ke vra njeri? – se si i erdhi ashtu pa pritë ta pyeste Minsitri djalin e degdisun në një grumbull kockash të mavijosun.

            - Jo - i tha ai. Mbas pak shtoi: - Nuk kam pasë rast, po mund edhe të kisha vra.

            Ministrit i ngeli në mend përgjegja e parë dhe e besoj.

            Në darkë vonë erdhi përsëri ai oficeri që rrinte mbas shpinës së Ministrit, jo ai që foli, hapi derën e qelisë, dhe i tha djaloshit të dilte e të ikte tue kapërcye murin. Nuk do ta shikonte njeri, se atë çast nuk kishte roje. Por shpejt, shpejt, i tha.

            Duen të më vrasin, mendoi djaloshi. E të thonë se u vra tek arratisej. Megjithate, ç’do të humbas? Le të provoj.

            Nuk kishte shkembye asnjë fjalë ma shumë me oficerin e burgut dhe ja ku gjendej mbas pesë minutash në shtëpinë e një plake të panjohun. Ajo u trondit, po nuk bani za. Pritën deri të nesërmen natën dhe djalin erdhën dhe e morën shokët e tij.

            Mbas rreth një muej, si e kishte marrë veten, u gjend papritë përballë oficerit të burgut që e kishte ndihmue të ikte. Ishte natë, pothuej errsinë, po ishte i sigurtë se nuk po e ngatrronte. Iu afrue me të shpejtë dhe i tha vetëm dy fjalë:

- Të lutëm, më thuej, kush të tha të më liroje?

- Ministri, - iu përgjegj i qetë oficeri – Ministri më tha të baja të pamundunen. E kemi mik shtëpie. Ashtu si ishe degdisë, “më ngjan me Jezusin në agoni”, tha Ministri, dhe unë ia mbajta fjalën. 

Tashti, ai “Jezusi në agoni”, kushedi çfarë ishte, me siguri ndonjë funksionar shumë i naltë, mendoi Ministri me vete, i sigurtë që kishte qenë ai djalë që kishte ndikue të mos pushkatohej.  

Mbas dhjetë vjetëve, kur erdhi fjala edhe në burg se diçka po ndodhte në Konferencën e Tranës, papritë, gjatë orës së ajrimit, Ministrit iu afrue një djalë tashma i pjekun, shtatnaltë, por i dobët, shumë i dobët, që i tha:

- Mirë se të gjeta, zotni Ministër.

Ai u drodh. Po, tha, ky asht ai që shpëtova nga burgu në dimën të vitit 1944. Ky asht ai funksionari i shëndetëshëm, i bukur, i fuqishëm, që i kishte thanë  “Nuk mund të baja ma shumë, zotni Ministër”. Por tashti ishte tejet i drobitun, ma keq se në dimnin e vitit 1944 kur e gjeta të masakruem në një birucë të Burgut të Tiranës.

Sa herë takoheshin, ai do t’i drejtohej gjithmonë “zotni Ministër”. Kurrë nuk folën me njëni tjetrin as për ikjen e djaloshit nga burgu më 1944, as për dënimin me vetëm 20 vjet burg të Ministrit dy vjet ma vonë.

Djaloshi shoqnohej shpesh gjatë orës së ajrimit me Bedri Spahiun. Edhe në dhomë bashkë me gjeneralin ishin. Ai nuk kishte pasë rast ta dëgjonte, po thuhej se djaloshi, ndërsa e shoqnonte “gjeneralin” në orën e ajrimit, këndonte nën zë:

 

Kush e njeh Bedri Spahinë,

I pakët, por vetëtimë.

 

Kur këndonte djali, gjenerali bahej edh ma sterrë në fytyrë.

Bedri Spahiu kishte qenë Prokuror në gjyqin kur ishte dënue Ministri. Kurrë nuk kishin këmbye dy fjalë bashkë që kur e kishin sjellë në Burrel edhe gjeneral Bedriun, “i vogël si floriri”, siç i kishin këndue dikur në kohë të luftës lebrit.

Po ja që kishte disa kohë që Bedri Spahiu e shikonte drejt në sy dhe më në fund një ditë, iu afrue dhe i tha:

- Mirëmëngjes, zoti Ministër.

- Mirëmëngjes …. Bedri, - iu përgjegj Ministri. Ia vonoi përgjegjen, sepse nuk desht t’i thonte “zotni prokuror”.

Kaluen vitet dhe ja, erdhi dita dhe Ministri e mbaroi dënimin.

Polic Kurti po e shoqnonte buzëgaz, pa e nxitue. Edhe polic Kurti i kishte thanë tre a katër herë “zotni Ministër”. Natyrisht, kur kishin ndodhë krejt vetëm. Nuk e mori vesht kurrë përse e thërriste edhe polic Kurti “zotni Ministër”.

Lanë edhe korridorin dhe dolën në oborr. Ministri u ndal përsëri. As Kurti nuk e trazoi.

Bedri Spahiu po shëtiste krejt vetëm. Kushedi pse e kishin nxjerrë në oborr në atë orë gjeneralin, si e thërrisnin shumë prej të burgosunve, dhe po shëtiste i përhumbun.

Jo, nuk i ikej pa u përshëndetë me Bedriun. Nuk duhej … të largohej pa e përshëndetë.

- Mirëmëngjes, Bedri – iu drejtue ai tejet i përqëndruem në sytë e vegjël të ish prokurorit të tmerrshëm.

- Mirëmëngjes, zoti Ministër. Po liroheni?

- Po, Bedri, e mbarova dënimin.

Dy burrat u shikuen gjatë në sy.

- U bënë ca vite që jemi bashkë këtu, zoti Ministër, kështu? – foli Bedriu ndërsa fërkonte me nervozizëm duert e mavijosuna nga të ftohtit. – Dhe …. nuk të kam kërkuar ndonjëherë të falur.

Ministri i zgjati dorën për t’i dhanë lamtumiren:

- Nuk asht e nevojshme, Bedri. Uroj të shihemi shpejt përjashta.

Bedri Spahiu qeshi hidhun.

Një natë përpara, atë, “të voglin si floriri”, e kishin dënue për herë të dytë edhe me dhjetë vjet burg të tjera, pse i kishte shkrue letër komandantit.

 

Në tirani, e çfarëdo lloji qoftë ajo, xhelatë e viktima, reciprokisht, kanë të njejtin fund.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora