Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Edit Mihali: Opera trishtimi dhe gëzimi im

| E premte, 08.02.2008, 11:21 PM |


Është pa dyshim një nga zërat më brilante të operës shqiptare, e cila numëron 33 vite karrierë artistike në këtë institucion. Sopranoja Edit Mihali është një nga të vetmet artiste që është nderuar me dy tituj “Artiste e Merituar” në vitin 1984 dhe “Mjeshtre e Madhe” në vitin 2000 gjatë karrierës artistike. Gjatë një interviste dhënë për gazetën “Sot” sopranoja e njohur tregoi për rrugën e vështirë dhe të bukur të artit operistik. Ndalet duke folur për momentet më të bukura dhe të vështira si artiste, por dhe tregon për jetën e saj jashtë skenës së operës.

-Jeni soprano e parë e skenës së TKOB ndërkohë që keni 33 vite që punoni në këtë institucion, por do doja të dija gjatë kësaj karriere të pasur artistike cilat kanë qenë momentet më të bukura dhe më të vështira?

Ju thatë soprano e parë, por unë kam mbajtur vërtetë Teatrin e Operës për një periudhë prej njëzet e ca vjetësh në skenë, më pëlqen dhe mburrem me këtë që kam qenë sopranoja e parë. Pastaj kam pasur edhe detyra të tjera si drejtore artistike dhe drejtore muzikore e teatrit, kështu që momente të bukura dhe të vështira gjithmonë lidhen me punën dhe me familjen, por sigurisht me punën më tepër, por kjo jo pa u ndarë nga familja. Momentet e bukura të artistit janë kur del në skenë, kur merr suksesin, kur ka realizuar diçka që nuk mend të them që e ka pasur ëndërr, por kur ka realizuar një punë të filluar, kur suksesin e ka marrë menjëherë, ai është gëzimi më i madh i një artisti, realizimi i një roli, realizimi i një figure, realizimi i një suksesi brenda apo jashtë kufijve, me këtë lidhet gëzimi i një artisti. Por vështirësitë më pas janë të pashmangshme, ndoshta në mënyrë të veçantë për mua, pa u zgjeruar lidhur me jetën time private dhe sigurisht që ato kanë influencuar në kuptimin jo vokal profesional, por kanë influencuar në atë që unë ndonjë gjë dhe mund ta kem arritur me shumë sforco në kuptimin e lodhjes jo vetëm fizike, por e sforcos lidhur me ambientin që më ka rrethuar, pra jo pa vështirësi i kam realizuar të gjitha ato që kam arritur. Mund të them pa u bërë e bezdisur për publikun, unë kam pasur probleme dhe vështirësi dhe ndoshta vështirësia e parë e imja ka qenë në moshën 17- vjeçare kur akoma nuk kisha filluar jetën artistike në teatër, por isha në prag të hyrjes në Akademinë e Arteve.

-Thatë që vështirësia e parë në karrierën tuaj ka qenë shumë herët që në moshën 17- vjeçare, për çfarë bëhet fjalë?

Në atë kohë ishte një grup i madh që do të shkonte në Kinë, dhe mua për herë të parë në moshën 17 vjeç kur nuk je në gjendje akoma të kuptosh se si do të jetë jeta për ty ose nuk je në gjendje që ti përballosh me të gjitha forcat vështirësitë, ndoshta ajo që hera e parë që unë duhet që të përgatitesha për një jetë të vështirë në kuptimin e përgjithshëm, pasi në atë periudhë në vitin ’67-‘68 të të hiqnin nga një grup artistik ishte një lloj sikur të merrje një damkë në kurriz dhe ajo mund të të ndiqte edhe tërë jetën. Për artistin kjo është shumë e vështirë, pasi në familje ato mund ti përballosh pa ndonjë problem, por jashtë mureve të shtëpisë në art duhet të kishe një pikëpyetje shumë të madhe që do të dalësh apo nuk do të dalësh në skenë sepse gjërat duhet të kontrolloheshin që të mos kishe asnjë problem.

-Pse u vendos që ju të mos merrni pjesë më grupin që do të shkonte në Kinë?

Në atë kohë më hoqën sepse kur dikush nuk është i pastë, i pastër,i pastër, pra kur ka një kleçkë të vogël nuk mund të dilte jashtë shtetit, sido që unë isha akoma fëmijë 17 vjeç dhe akoma nuk isha në moshë madhore, por kështu u pa e arsyeshme. Ishte vuajtja ime e parë, dhe kjo ka qenë që unë të përgatitesha për një jetë të vështirë, jo në përballimin profesional, por të përballimeve të tjera lidhur me artin.

-Pas kësaj periudhe si vazhdoi më pas udha juaj e artit?

Kam qenë një natyrë studioze, kam qenë shumë e përgatitur për këtë profesion sepse kam filluar violinën pa mbushur 7- vjeç, kam bërë shkollë të fortë për instrumente dhe për muzikologji, kështu që nuk pata vështirësi si përgatitje profesionale sepse kishte ardhur gradualisht që në moshë të vogël, por megjithatë unë në teatër e kam ndjerë veten mirë sepse harrohen të gjitha të këqijat kur ti merr suksesin në skenë. Lumturia ime ka qenë kur kam dalë në skenë dhe gëzimet më të mëdha kanë qenë të lidhura të gjitha me skenën, pasi familjet tona në përgjithësi kanë pasur atë jetën monotone, një familje burrë, grua, fëmijë, që mundohesh ta menaxhosh mirë atë familje me ato të ardhura që ke, pra si të gjithë familjet e tjera, qofshin këta punëtorë apo intelektualë pothuajse kemi qenë të gjithë njësoj dhe vazhdojmë që të jemi njësoj ne që jemi me rrogat e shtetit, por që gëzimet më të mëdha kanë qenë me punën, suksesin që sigurisht nuk ndahet nga ndihma që unë kam pasur nga familja.

-Sa role keni interpretuar në skenën e TKOB dhe cili është roli që ju ka lënë më shumë mbresa?

Në repertor unë kam 20 role në skenë dhe shumë të tjerë të përgatitur që nuk janë realizuar në skenë. Nëse sot do të kisha një moshë të re 30 vjeçare, ndoshta do të kisha bërë 50 role sepse sot kanë fat që në çdo muaj apo brenda një viti të kenë 8 ose 9 vepra, pra që ti boll të kesh talent dhe vullnet për ti realizuar këto vepra, unë i quaj me fat këta që janë sot në TKOB. Në atë kohë unë po ju bëj një krahasim, kam hyrë në vitin 1975 duke i lënë menjë anë veprat shqiptare që shin në repertor siç është “Mrika” apo “Lulja e Kujtimit”, më është dashur të pres katër vjet që të luaj “Berberin e Seviljes” pra nga viti ’75 në ’79 dhe për katër vjet të tjera deri në ’83 nuk u vu asnjë vepër e re, pra janë katër vjet të humbura që unë përsërisja veten me role që i kisha bërë dhe kjo është fatkeqësi për një artist sepse mosha e artistit është kufizuar, pra këngëtari si sportisti e ka një moshë më të kufizuar. Roli që më ka lënë më shumë  mbresa është ai i Rozinës tek “Berberi i Seviljes duke mos i ulur rolet e tjera të para tek veprat shqiptare që unë i kam dashur shumë, dhe pas Rozinës erdhi Violeta më pas Toska që janë role që kanë të veçantat e tyre.

-Keni pasur frikë që mos ju tradhtonte zëri në skenë?

Sigurisht që kam pasur dhe është e pamundur për një artist sado qoftë i përgatitur në teknikën vokale, është e pamundur që mos të ketë pasur frikë një herë në jetën e tij. Unë kam pasur dhe e kam vuajtur, por sigurisht je i detyruar të dalësh, je i detyruar ta përballosh, por nuk kanë lënë gjurmë dhe nuk janë kuptuar, ndoshta nga disa artistë, por ato janë kaluar sepse nëse e dominon jetën tënde artistike, kualiteti, përgatitja, realizimet e mira, këto harrohen shpejt.

-Në familje si është Edit Mihali?

Në familje jam njeriu më i butë që u bëj hyzmet jashtëzakonisht shumë dy burrave në shtëpi që janë burri dhe djali, që janë dy qenie që mbase ju duket sikur më ndihmojnë, por absolutisht nuk më ndihmojnë. Në familje unë jam si të gjithë gratë tjera që duhet të punoj shumë, që duhet të lodhem shumë dhe mendoni që me atë lodhjen të përballosh jetën profesionale. Them kështu, pavarësisht se unë nga drejtore artistike, muzikor apo këshilltar artistik, unë nuk e kam lënë për asnjë moment praktikumin apo përgatitjen time që të jem e gatshme në atë moment kur mua më vjen rasti për të dalë në skenë, siç ishte tek Top- Channel që unë duhet të këndoja dalvivo, kështu që është lodhshme. Por, ndoshta tek burri unë do të thosha një gjë tjetër, pavarësisht që ai fizikisht nuk është në gjendje të më ndihmojë, pasi nuk kanë aftësi ajo i mungon sepse kur ata mundohen mbase më shumë prishin, por ndoshta në jetën artistike ai e ka pasur një lloj influence tek mua që të më ndihmojë duke qenë edhe ai artist vetë. Pra, nga ana profesionale ai ka qenë nxitës, ka qenë mbështetës edhe në momentet që unë kam pasur vështirësi apo trishtim lidhur jo vetëm me profesionin, por edhe me ambientin jashtë, pasi ky zanat është i vështirë sepse dikush edhe të lufton. Pra janë edhe ambiciet, sepse duke qenë në teatër ndoshta në moshë të re kam pasur shumë përpjekje dhe luftë brenda në teatër, jo nga ata që e kanë drejtuar, por nëpërmjet artistëve duke ditur që unë kisha pasur probleme që do të bënin që unë të mos dilja në skenë janë munduar të më venë shkopinjtë nën rrota, kështu që bashkëshorti im ka qenë mbështetës dhe përkrahës për mua.

-Përveçse zërit të mrekullueshëm, po si amvisë si është sopranoja Edit Mihali?

Mund ta them me mburrje që jam një amvisë e mirë dhe kjo më bën të lodhem shumë. Por, edhe bashkëshortit i them se kërkon dashuri që çdo gjë të bëhet ashtu siç duhet, ti përkushtohesh dhe jo të fillosh që ta bësh më pas të shpërngulesh dhe të merresh me gjëra të tjera. E fillon diçka bëje bukur dhe mirë, nëse e bën çdo gjë bukur dhe mirë duhet pasion, dëshirë, vullnet dhe këtë e them vërtetë me mburrje, pasi ja di këto vlera vetes, mi vënë në dukje dhe ato të familjes sa më thonë që ti kalon në çmenduri me atë që realizon në shtëpi, lëre diçka mangët.

-Nëse nuk do të ishit bërë soprano cili do të kishte qenë profesioni tjetër i juaj?

Me siguri që do të isha bërë mjeke sepse kemi një lloj tradite në familje. Gjyshi, babai, nëna, daja, halla, pra një pjesë shumë madhe në familje janë marrë me mjekësi, kështu që do të isha bërë mjeke.

-Keni një djalë që nuk ka marrë rrugën e artit si prindërit e tij, ju do të kishit dashur që ai të ishte artist?

Nuk do të kisha dashur, sepse duke ditur se sa lodhje do, në art je gjithmonë një student, pra që të jesh një artist i vërtetë je gjithmonë student, je gjithmonë me libër në dorë përpara dhe gjithmonë ke nevojë për të studiuar dhe gjen gjëra të reja në këtë profesion. Ai nuk fitoi kur unë e futa në Liceun Artistik për të konkurruar dhe ndoshta kjo qe më mirë sepse artisti nuk është i vlerësuar në përgjithësi, kështu që jam e kënaqur që ai nuk është bërë artist

-Jeni shumë e zënë me punë, por kohën e lirë si e kaloni?

 Të them të drejtën kaq e lodhur ndjehem kur shkoj në darkë, pasi kuptohet se në kohën e lirë unë duhet që të shërbej në shtëpi, pasi ajo është e madhe dhe kërkon pastërti sepse nuk e duroj dot pisllëkun. Koha e lirë është vetëm një shfletim libri deri në dy- tre faqe ose një relaksim në televizion dhe stop deri këtu.

-Do të kemi ndonjë projekt muzikor gjatë këtij viti?

Projektet e mia janë të vogla, janë të lidhura me orkestra të ndryshme që unë të mund të bëj ndonjë koncert. Por propozimet më vijnë gjithmonë, sikur edhe një këngë të jetë siç ishte debutimi im i fundit në Top- Channel më bëri që në dritaren e tij unë të isha në kushedi se sa mijëra sy dhe veshë, pra një realizim i vogël të bën që ti të ndjesh mirë dhe ti thuash publikut që unë jam gjallë, jam në gjendje të mirë vokale.
 

G. Sot