E premte, 29.03.2024, 06:33 AM (GMT)

Kulturë

Hamza Malaj: Ja çfarë thuhen në korridoret e Ministrisë së Mbrojtjes për “grupin puçist”

E diele, 17.07.2011, 05:40 PM


Flet ish-Përgjegjësi i Shtypit në Drejtorinë Politike të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, Hamza Malaj

 

Ja çfarë thuhen në korridoret e Ministrisë së Mbrojtjes për “grupin puçist”

 

Nga Albert ZHOLI

 

Hamza Malaj një nga ish-kuadrot e larta të ushtrisë popullore, i cili ka punuar për një kohë të gjatë si Përgjegjësi i Shtypit në Drejtorinë Politike të Ministrisë së Mbrojtjes, rrëfen për “Telegraf” ditët e vështira të vitin 1974, ku u eliminua një pjesë e lidershipit të kësaj ministrie:

Duke qenë në Drejtorinë Politike për një kohë të gjatë, cilat kanë qenë mosmarrëveshjet midis kuadrove kryesore të Ushtrisë?

Duke qenë në Drejtorinë Politike për një kohë të gjatë, mund të mendohet se do kisha dëgjuar sado pak për mosmarrëveshjet midis kuadrove kryesore të Ushtrisë. Mirëpo në të vërtetë për marrëdhëniet midis tre kuadrove udhëheqëse të Ministrisë së Mbrojtjes, pra Beqir Ballukut, Petrit Dumes dhe Hito Çakos, unë nuk dija asgjë. Fillimisht kisha dëgjuar që Beqiri e Petriti kishin mosmarrëveshje për klubin "Partizani” e sidomos për skuadrën e futbollit. Por këtë e reduktonin në faktin që Petrit Dumja nuk ish dakord që të aktivizohej me këtë skuadër i biri i Beqir Ballukut dhe kaq.

Ndonjë çast kur filluan kritikat ndaj Beqir Ballukut dhe Petrit Dumes ju kujtohet?

Aty nga viti 1971, në mos gaboj, në Drejtorinë Politike vjen një dokument i sekretariatit të K.Q. ku kritikonte me emër Beqir Ballukun dhe Petrit Dumen, me sa më kujtohet, për metodën e punës në aparatin e Ministrisë. Letra, pothuajse ishte sekrete. Ajo duhej punuar vetëm me komitetet e Partisë të njësive e reparteve dhe të deleguar do të shkonin Drejtorët e Ministrisë së bashku me një shok të Drejtorisë Politike. Me konceptet që na ishin rrënjosur ne, kjo letër përbënte një tërmet. Si mund të gabonin Beqiri e Petriti dhe aq më tepër si mund të cilësohen e kritikohen ata me emër. Ku do shkonte vallë autoriteti i tyre? Të parin rast të kësaj natyre unë kisha dëgjuar vetëm më 1966 kur Enver Hoxha, para se, Sadik Bekteshi të shkonte me transferim në Korçë, i kishte thënë që ti je kuadër pa horizont dhe i pa aftë. Mirëpo kjo ishte vetëm një fjalë e dëgjuar.

Ju a ju caktuan në ndonjë repart për të punuar këtë letër?

Po! Së bashku me shokun Muharrem Kokomanin, një njeri i thjeshtë dhe i dashur, ne shkuam dhe e punuam letrën në repartet e Beratit. Edhe sot nuk e kam të qartë faktin nëse K.Q. kishte urdhëruar që letra të punohej vetëm në komitetet e Partisë të reparteve, apo këtë vendim e morën vetë udhëheqësit e Ministrisë. Megjithatë edhe nga kjo letër mësimi doli: S’ka njeri të pa kritikueshëm, madje edhe udhëheqësit e një rangu të tillë.

Kjo lloj frymë kritikuese çfarë po sillte në të vërtetë?

Viti 1966 ishte viti i reformave të mëdha. U rivendosën komitetet e Partisë, u hoqën gradat dhe iu dha një fushë më e lirë kritikës nga poshtë-lart, qoftë edhe nëpërmjet Fletë-Rrufeve. U vu theksi te vija e masave etj. E vërteta është që këto reforma, nuk u pritën me entuziazëm nga një pjesë e madhe e kuadrove, sidomos e kuadrove të larta. Shoku Hito, madje fliste hapur se “na hëngërt me këtë vijën e masave”. Imponimi i mendimit të shefave, qoftë në mbledhjet e organizatës, apo të Drejtorisë, ishte i dukshëm. Në një nga këto mbledhje, kur situata u acarua shumë, iu drejtova, jo pa druajtje Drejtorit Politik: “Ju po i bëni mbledhjet e Drejtorisë Politike si mbledhje shtabi”. Asnjë nuk më përkrahu, ndërsa Drejtori e kaloi me shaka: “Rri more rehati ti Abas Kupi i Drejtorisë Politike”. Kështu thoshte: “Dy njerëz kam njohur ideologë: Abaz Kupin e Legalitetit dhe Hamza Malajn e Drejtorisë Politike!” Por si zakonisht unë e mirëkuptoja për shakanë që bënte.

Mos vallë kjo nofkë ju ndoqi nga pas?

Një ditë, mbasi ishte kthyer nga një shërbim, Sherameti më thotë: Në reparte ta kanë ndërruar emrin. Më pyetën se si e kemi Abas Kupin, ndërsa një shok më tha: “Bëni të fala shumë Abas Kupit”. Punë e madhe iu përgjigja unë. - Jo, më thotë Sherameti, - përse duhet të të drejtohem kështu, prandaj gjej rastin dhe kundërshtoja Drejtorit këtë epitet, sa të lig aq edhe të pa kuptimtë”. Dhe unë një ditë në mbledhjen e organizatës, kur ma përmendi prapë një epitet të tillë, iu drejtova: -Unë nuk e kam njohur fare Abas Kupin, prandaj edhe nuk mund të jem si ai”. Bëri sikur u revoltua: “Mos do të thuash që meqenëse unë e kam njohur, jam unë si Abas Kupi?” –“Merre si të duash”, - i thashë. Por e vërteta është se ai më donte dhe inati i dilte pas disa minutash.

Kush veprim apo diskutim ju duket absurd për kohën e atëhershme?

Mund të mos jem i saktë, por ka qenë viti 1971, kur mbi tavolinën e Ilo Priftit, (atëherë zëvendësdrejtor Politik) gjej një libër të bërë gati për botim. Lexoj titullin “Lufta dhe ushtari”. Shikoj autorin: Norman Kouplend”, një psikolog anglez. E pyes Ilon dhe më tha se është përkthyer me urdhër të Drejtorit Politik dhe do ta botojmë. Fjalët “Do ta botojmë!” më bënë përshtypje. Që kur kishim filluar ne të edukonim ushtrinë nëpërmjet mendimeve të një psikologu anglez? –“Para se ta botoni, ta marr ta lexoj unë?”-“Mirë, lexoje” - më tha Ilua. Brenda 2-3 ditëve e lexova dhe u binda se ai libër ishte i pa botueshëm, sepse mbi të gjitha ai u hiqte argumentet bindëse punës tonë ideopolitike. Së pari, ndërsa ne thonim që armiqtë tanë të mundshëm, vënë në plan të parë teknikën, përkundrazi libri, tregonte me argumente bindëse se edhe ata vinin në plan të parë politikën. Bile përcaktonin tekstualisht se: “Puna politike ndaj asaj ushtarake qëndron në raport si 3 ndaj 1”. Së dyti: Ne thonim që në ushtritë borgjeze marrëdhëniet kuadër-masë, karakterizoheshin nga konflikte të ashpra klasore, se oficerët ishin bij të masave të pasura etj., etj.. Në fakt në libër përshkruheshin me shumë ngrohtësi këto marrëdhënie. Pa e zgjatur në atë libër kishte një kapitull që fliste për rolin e fesë në ushtri dhe një kapitull tjetër për rolin e shtëpive publike në ushtri. Pra botimi i këtij libri, në fakt i vinte kazmën edukimit në ushtri. Kapitujt mbi fenë dhe shtëpitë publike mund t’i hiqnim, por si t’ua bënim argumenteve të tjera që përshkonin gjithë librin? Kur ia çova Ilos, ia thashë këto argumente. Mirëpo Ai, duke u nisur nga mendimi se fajin dhe përgjegjësinë e kanë ata që urdhërojnë, m’u përgjigj se “Ti e di si është drejtori ynë. Ai nuk pranon asnjë vërejtje. Le ta botojë po deshi. Vetë do ta ketë përgjegjësinë!” Pra Ilua më la të kuptoja se nuk do shkonte te Drejtori. Vendosa të veja vetë. Dhe shkova. Më priti, si zakonisht mirë. Ia thashë ç’kisha për të thënë dhe m’u përgjigj: “Ti ke të drejtë, por unë sa kam dalë nga zyra e shokut Enver, dhe ai na porosit që ne duhet ta njohim armikun me imtësi në të gjitha drejtimet”. Ika i bindur se po bënim gabim, por i lehtësuar se të paktën Drejtorin Politik e informova. Kë duhet të informoja më? Edhe kur do botohej libri, kishin vendosur që të dilte botim i Drejtorisë Politike. I vajta prapë. I thashë se Drejtoria Politike është Drejtori i K.Q. të Partisë.  Ne nuk jemi shtëpi botuese. Le të merret shtëpia qendrore me këtë punë. Ajo ka edhe një sektor botimesh”. Mirëpo kësaj radhe gati më nxori me forcë nga zyra. –Unë jam Drejtor politik, më tha, s’kam nge të merrem me ty dhe me një libër. Ushtria rron me urdhra!” Ika përsëri. Por pas një ore kishte thirrur një shok tjetër të propagandës dhe i kishte thënë “bëjeni botim të Shtëpisë Qendrore”.

Çfarë ndodhi më vonë?

Ishin ditët e para të korrikut 1974. Pasdite. Në shtëpi isha vetëm me djalin e madh. Dëgjoj përjashta borinë e makinës. Ishte shoku Hito. Dola. Më bëri shenjë të hipja në makinë dhe u nisëm. Kur vajtëm te rruga e Durrësit, i them. –“More ku na shpie, se në shtëpi kam lënë djalin vetëm”.  –“S’ka gjë mu përgjigj, nuk vonohemi, do kthehemi shpejt. Do vemi te Dhimitra (e shoqja) do pimë një kafe, se janë në plazh dhe do kthehemi”. Vetë ishte ulur së bashku me mua në sediljen e pasme të makinës. Gjë e rrallë kjo për shefat. Ata hipnin zakonisht përpara. Kur iu afruam Vorës, me zë të ulët që të mos na dëgjonte shoferi më thotë: -“E more vesh ti, se në ushtri u zbulua një grup antiparti. – Jo, i them, i çuditur. – Po, më thotë, dhe këtë grup e zbuluam unë dhe Petrit Dumja. Armiku është Beqir Balluku dhe të shohim të tjerët”. U kthyem nga Durrësi, pasi kishim pirë kafenë, por e shikoja që shoku Hito në vend që të ishte i gëzuar e krenar për veprën që kishin kryer, rrinte i heshtur, i menduar dhe aspak entuziast. Mirëpo njeriu, ashtu si unë, mund të gjejë njëqind arsye për të justifikuar një qëndrim të tillë. Vonë u arrit në konkluzion, se ata e kishin bërë këtë veprim qëllimisht duke krijuar rreth vetes një imazh tjetër, për t’u shpëtuar kritikëve. Të paktën kështu u tha. Këto episode që përmenda, qysh atëherë mua si dhe shumë shokëve të Drejtorisë na  krijuan mendimin, se reformat e vitit 1966 nga një pjesë e konsiderueshme e kuadrove nuk u pritën me entuziazëm. Sidomos: heqja e gradave dhe rivendosja e komiteteve të Partisë, puna prodhuese, heqja e dënimit disiplinor nga rregullorja etj, krijuan një oponencë të caktuar përballë këtyre direktivave. Natyrisht jo e organizuar, por ama ekzistonte. Megjithatë kjo oponencë kurrë nuk mund që t’i çonte këta shokë deri në tradhti të popullit e atdheut.

 

Takimi i shkurtër

Beqir Balluku para arrestimit fliste me vetën nëpër shkallët e ministrisë

Nuk di të them nëse vetë drejtuesit kryesorë të ministrisë kishin ndjerë ndonjë gjë apo kishin marrë ndonjë paralajmërim, por unë vetë nisa të dyshoj vetëm pak ditë para festës së 10 korrikut të vitit 1974, sepse edhe ngjarjet u zhvilluan në mënyrë të tillë që kishin lidhje me njëra tjetrën. Siç e kam shpjeguar edhe më lartë disa kritika u ishin bërë kuadrove kryesore të ministrisë, por nuk mendoja kurrë se përpara kishim furtunën. Në një nga ditët e fundit të qershorit 1974, duke ngjitur shkallët për të vajtur në zyrë u takova ballë për ballë me shokun Beqir Balluku, i cili po zbriste. E përshëndeta dhe e pyeta: “Si jeni shoku ministër?” Ndaloi, më dha dorën dhe pasi shqiptoi me gjysmë zëri, “mirë faleminderit”, ndenji një çast, më shikoi me vëmendje dhe duke zbritur tha: “Ç’dreq ministër!” I dëgjova këto fjalë por nuk i vura rëndësi kujt iu drejtua, mua apo vetes. Nuk kuptova asgjë veç, pashë një Beqir Balluku tjetër nga ai që kisha njohur sidomos gjatë vizitës në Kinë, i cili në gjithë qenien e tij nuk reflektonte gjallërinë dhe humorin e zakonshëm. Manifestoi të paktën, siç m’u duk mua një buzëqeshje të sforcuar. Ku ta dija unë që atentatori i njësiteve guerile të Tiranës, njeriu popullor e babaxhan, i zbriste ato shkallë për të fundit herë. Këtë e mësova pak ditë më vonë.

 

Urdhri i Halim Ramohitos

Shtypi të mbrojë artin ushtarak popullor, na kanë dalë kundërshtarë

Nga data 3 ose 4 korrik 1974, më thërret në zyrë zv/drejtori politik, shoku Halim Ramohito. Sa hyra ma bëri me shenjë të ulesha. Si zakonisht kur na thërrisnin shefat, nxora bllokun dhe lapsin. “Dëgjo, -filloi fjalën Halimi – referatin për festën e 10 korrikut do ta përgatisësh vetë e do ta punosh nga e para. Mbyllu në zyrë dhe fillo menjëherë. Ki parasysh që theksi do të jetë kuptimi dhe zbërthimi artit ushtarak popullor, argumentimi dhe mbrojtja e tij. “Mbrojtja e tij”, -shqiptova unë. “Po”, - më tha. “Në ushtri kanë dalë njerëz që janë kundër Artit Ushtarak Popullor të partisë sonë”, dhe u mat të ngrihej. “Shoku Halim,  - e ndërpreva, por a mjafton kjo për të bërë një referat për festën? Se kush ka dalë kundra nuk më duhen, - vazhdova, - por drejtimi apo çështjet ku sulmohet arti mua më duhen. Më duhet po ashtu edhe ç’pikpamje mbrojnë kundërshtarët e tij”. “Kaq di edhe vetë”, -përfundoi bisedën Halimi. Të them të drejtën nuk e besova se aq dinte, por e mora këtë thënie si shprehje e karakterit të tij. Ai fliste pak dhe kur duhej, apo kur kishte për të thënë një ide të re. Asnjëherë nuk pranonte që diskutimet apo artikujt e tij të ja shkruanin të tjerët, asnjëherë nuk përsëriste vetveten. Ish i qartë e konçiz.

 

Një muaj me Beqir Ballukun në Kinë

Fatkeqësia: Ministrit në Pekin, i vdes nëna në Tiranë

Gjatë punës time 14-vjeçare në Drejtorinë Politike, me Ministrin e Mbrojtjes, isha takuar personalisht dy herë. Një herë kur më thirri në zyrën e tij dhe bëri disa sugjerime për ruajtjen e sekretit në shtypin ushtarak dhe herën tjetër kur na erdhi i deleguar në një mbledhje të organizatës së partisë. Nuk dija asgjë për mënyrën e tij të komunikimit me njerëzit dhe nuk i njihja asnjë tipar të karakterit dhe këtu e kam fjalën për përjetime e përceptime të drejtpërdrejta. Mirëpo, ky boshllëk, nëse mund ta quaj kështu, u mënjanua gjatë vizitës njëmujore në Kinë në nëntor të vitit 1972. Pikërisht gjatë kësaj vizite m’u krijua një afrimitet pothuajse shoqëror me shokun Beqir Balluku, ndaj edhe i fola i pari kur po ngjisja shkallët për në zyrë. Delegacionin e kryesonte vetë ministri, ndërsa drejtori politik Hito Çako, ishte nënkryetar. Delegacioni përbëhej nga rreth 30 vetë nga të gjithë specialitetet e ushtrisë. Mua më morën në delegacion para së gjithash për të përgatitur fjalimet, të cilat ishin e pakta dy në ditë dhe për të firmosur marrëveshjen për materialet e propagandës. Në ato ditë ndodhi që shokut Beqir i vdiq e ëma në Tiranë. Me këtë rast, në selinë e ambasadës u organizua një ceremoni ngushëlluese. Vinin shokët grupe-grupe dhe atje i priste vetë ministri. Ngushëllonin, pinin një kafe sipas zakonit tonë dhe largoheshin. Të njëjtën gjë bëmë dhe unë me dy tre shokë të rangut tim. Vajtëm, i dhamë dorën shokut Beqir, e ngushëlluam: “Të rroni vetë!” dhe mbasi u ulëm iu drejtova: -Ne e dimë që  ndjen një dhimbje të madhe. Erdhëm që ta ndani këtë dhimbje me ne, aq më tepër kur jemi larg atdheut. Dhimbje për nënën tuaj ndjejnë të gjithë ilegalët e dikurshëm të Tiranës,  të cilëve ajo u dha bukë me duart e saj... E veçova këtë fakt, jo për kuriozitet. E përmenda se për këtë m’u kërkua llogari kur u përjashtova nga partia. Bile një shoku ynë, i cili në atë kohë punonte si stazhier në K.Q. të partisë, kur e kish dëgjuar këtë “krim” timin ishte shprehur: “A’ .... edhe këtë e paska bërë Hamzai?” Njësoj sikur unë të kisha ngushëlluar Titon apo Hrushovin. Turp! Sot pas 35 vjetësh, kam të drejtë ta pyes atë shokun: -Po ju çdo të bënit po të ishit në vendin tim: do të ngushëllonit apo do të rrinit gojëmbyllur, deri sa tu zinte gjumi mbi kolltuk? Dhe mos harro, shtëpia e Beqir Ballukut, gjatë luftës ka qenë vërtet bazë e ilegalëve, e këtyre luftëtarëve të lirisë”.

 

_________

 

Flet Hamza Malaj, ish-përgjegjësi i Shtypit në Drejtorinë Politike të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore

Më implikuan me Beqir Ballukun e Hito Çakon dhe më përjashtuan nga partia

Nga Albert ZHOLI

Hamza Malaj një nga ish-kuadrot e larta të ushtrisë, rrëfen për “Telegraf” ditët e vështira të vitin 1974, ku u eliminua një pjesë e gjeneralëve shqiptarë:

Si u organizua përjashtimi juaj nga Partia?

Në dhjetor 1974 u transferova në Korpusin e Burrelit me një masë ndëshkimore partie dhe me mendimin e organizatës bazë që të qëndroja punëtor politik. Më çuan komisar në grupin e artilerisë 100 m/m në brigadën e Suçit, rreth 7 km larg Burrelit. Ai ishte grup me efektiv të plotë. Vendi, ku ishte vendosur brigada, ishte një pllajë e bukur poshtë një faqe kodre, e cila ishte e pyllëzuar me lisa. Vetëm atje kam dëgjuar, në natyrë, këngën e bilbilave. Në njërën anë rrethohej me lumin e Matit, ndërsa në anën tjetër nga përroi i Suçit, shtrati i të cilit ish si një humnerë 30-40 m. Aty bënim qitje me granata anti -tanke.

U ndjetë keq?

Megjithë hallet familjare që lashë mbrapa, në Burrel shkova pa qejfmbetje. E ndjeja dhe vetë që kisha nevojë të ndërroja natyrën e punës. Kur punon direkt me ushtarin njeriu ndjen kënaqësi të veçantë. Këtë e kisha provuar vite më parë. Ku i thua një fjalë të mirë, kur luan futboll me të, kur interesohesh për shëndetin e tij, apo kur i zgjidh një hall, gëzon dhe emocionohesh njëlloj si ai. Për vitin e ri ndenja e festova së bashku me ushtarët. Djem të rinj, të gjallë e plot shëndet, ata mund të përmbysnin edhe malet. Çfarë s’ishin ata. Këngëtarë, vallëtarë, recitues, tregues barcaletash, por edhe të ndërgjegjshëm e të pa përtuar në stërvitje. Ata të nderonin. Pena ime nuk është në gjendje të përshkruajë atë mirënjohje e dashuri që të rezervonin ata djem fisnikë. Mjafton të jap vetëm një shembull. Nga fundi i shkurtit e fillimi i marsit, në Suç ra dëborë. Më zuri gripi me temperaturë të lartë. Në zyrë kisha një krevat në të cilin, mbasi ndeza sobën, u shtriva dhe u mbulova të djersia. Djemtë ushtarë nuk dinin gjë. Aty nga ora 21:00 e darkës, duke mos më parë gjëkundi, vijnë disa prej tyre dhe pasi hapën derën më gjetën duke u dridhur në krevat. U shqetësuan. Më pyetën dhe u thashë që isha me temperaturë. Kaq u desh. Vajtën morën dru të tjera. I shkurtuan dhe ndezën sobën. Mbasi gjetën një filxhan raki dhe pak vaj, më fërkuan si të ishin masazhierë të vërtetë. Më prunë edhe çaj të nxehtë dhe aspirinë. Më mbuluan dhe ndenjën aty deri sa u bëra ujë në djersë. Më ndërruan. –Ikni tani u thashë, shkoni pushoni se nesër keni stërvitje. Ishte ora 24:00 e natës. –Jo më thanë, ne do të rrimë këtu me ty se kemi merak. I këshillova edhe një herë me një ndjenjë të thellë mirënjohje dhe dolën. Dolën, por nuk shkuan të gjithë të flinin. Vendosën të bëjnë roje me radhë përjashta, pranë dritares së zyrës time se mos keqësohej komisari. Të nesërmen në mëngjes më vjen oficeri i rojës dhe më thotë: “Komisar, tre djemtë sonte kanë bërë roje te dritarja jote. Kur i pyeta më thanë: Po rrimë se kemi komisarin sëmurë dhe m’u lutën të mos i largoja.

Por në ushtri ka pasur dhe shumë paradokse....?

Në muajin janar 1976, duke qenë në poligon për të bërë qitje me pistoletë, më thërret sekretari i komitetit të partisë të korpusit të Burrelit, një arsimtar që kishte ardhur të shpëtonte ushtrinë nga puçistët. Më ton të rreptë e agresiv, më jep një copë letër, si shpargallkë, të firmosur nga zv.sekretari i Komitetit të Partisë të Ministrisë së Mbrojtjes. Më vjen turp t’i përmend. Besoj se turp u vjen edhe atyre që i formuluan. Përgjigjja më kërkohej me shkrim. E kuptova që mungesa e argumenteve i kish detyruar të hidhnin në letër çështje që jo vetëm nuk qëndronin, por edhe ishin lehtësisht të sqarueshme. Megjithatë varianti i parë që më erdhi në mendje ishte ndonjë akuzë e bërë nga ata që u arrestuan. Kushedi, thashë me vete. Isha i bindur se nuk kisha asnjë rezervë ndaj partisë dhe vijës së saj dhe realisht nuk kisha arsye personale të isha i pakënaqur. Dhe punoja me entuziazëm. Mirëpo kur njeriu nuk ka rezerva shndërrohet edhe në njeri naiv. Nuk ruhet, se s’ka pse të ruhet, flet e propagandon lirisht sepse s’ka arsye të mbyllë gojën para ngjarjeve të ndryshme. Në këtë rast, ai harron se në ambientin, ku jeton ka edhe smirëzinj, shpifës e intrigantë që e kryejnë veprimtarinë pas shpine. E bëra përgjigjen me shkrim dhe ja çova sekretarit. As më foli fare. Ika në repart. Mbas ca ditësh u bë mbledhja e organizatës së partisë. Në mënyrë ilegale, pa më njoftuar fare që do të bëhej mbledhja për akuzat ndaj meje, pa më lënë kohë as të përgatitesha, në mëngjes më thanë; eja se kemi mbledhje. Ja kjo ishte demokracia e brendshme e Partisë. Kishin frikë se mos arratisesha apo më keq akoma, mos vdisja para se të më kërkonte llogari ish arsimtari, tashmë graduar sekretar i K.P.Korpusit. Në mbledhje ishin 7 anëtarë e kandidatë partie dhe 4 të deleguar. Në krye sekretari i korpusit, pas tij zv.sekretari i korpusit, pastaj sekretari i partisë të Brigadës e një tjetër. Në fakt, kjo mbledhje ishte një spektakël humori. Mesa duket, nisur nga simpatia që gëzoja në repart, te të gjithë komunistët, udhëheqësit e korpusit dyshonin nëse do të më përjashtonin nga partia. Argumente nuk kishin, kështu që ato duhet të zëvendësoheshin me autoritetin e të deleguarve.

Cili do të ishte thelbi i pyetjeve?

Filluan pyetjet nga më qesharaket. Pse të morën në Kinë me delegacionin ushtarak, sikur në delegacion të mos ishin rreth 40-30 vetë, por vetëm unë? Pse i keni vajtur Hito Çakos në shtëpi kur i vdiq e ëma, sikur e ëma e Drejtorit Politik do të ringjallej lugat dhe do hante sekretarin e partisë të korpusit të Burrelit? Pse vajtët për ngushëllim në Kinë te Beqir Balluku, kur atij i vdiq e ëma? Pse?... Pse?... Megjithatë më përjashtuan nga partia. Sekretari dhe zëvendësi u lehtësuan. Nuk ishte shaka. Kishin mundur në këtë rast të dy imperializmat, si atë amerikan edhe atë sovjetik. Kështu një ish -komunisti iu bë gjyqi më i paskrupullt, më shpifës, e më denigrues, ku dolën në skenë fundërrinat e karakterit dhe servilizmi model i të deleguarve. Ja kjo ishte udhëheqja jonë e “lavdishme” dhe sejmenët e saj. E theksoj: “udhëheqja” për të cilën, për fat të keq ka akoma adhurues të saj. Pas kësaj, si zakonisht problemi do të shtrohej në mbledhjen e komitetit të partisë të korpusit. Meqenëse argumentet që përdorën në organizatë, nuk kishin asnjë vlerë reale, atëherë e vonuan rreth një muaji mbledhjen e komitetit.

Ku do të bazoheshin akuzat?

Duhej plotësuar dosja, prandaj filluan provokimet, nga më të poshtrat dhe më banalet. Më vjen një ditë një ushtar dhe duke shëtitur, në bisedë e sipër më thotë: “Komisar, përjashtimin nga partia e ke dhuratë nga shoku yt më i ngushtë që ke këtu. Mos harro: të gjitha shigjetat e sigurimit janë drejtuar mbi ty. Po të jap një xhup dhe të këshilloj të mos e heqësh asnjëherë nga shpina„. Ju përgjigja se gabimet e mia nuk janë të këtushme. Këtu di vetëm që kam punuar me ndershmëri. Këtij djali unë i flisja me sinqeritet. Por ai kishte të drejtë. Gjithë grupin e kishin hedhur kundër meje. Mbaj mend se në pushim të mbledhjes, më afrohet një ushtar që ishte kandidat partie dhe më thotë: “Komisar, unë do diskutoj se ashtu më kanë thënë, por nuk dua të të rëndoj, prandaj për çfarë të të kritikoj? Ju përgjigja: Kritiko për atë që mendon dhe ashtu si mendon. Ato akuza nuk më përkasin mua”. Por mbasdite, duke ndenjur në zyrë, m’u kujtua një provokim akoma më i poshtër. Më thërret një mbrëmje në zyrën e tij komisari i brigadës. Aty gjeta edhe një komandant grupi. Në atë kohë kishte dalë një vendim i Byrosë Politike, që tamam si Lei Feni kinez, për të kursyer arnonte rrobat duke i bërë ato me njëqind arne, edhe këta ulnin gjoja rrogat e mëdha. Meqenëse rrogat nuk dilnin as për ushqimin e muajit, për t’u revolucianizuar, duhej t’i ulnin akoma. Si komisari dhe sekretari i partisë ma kishin hapur disa herë këtë çështje dhe unë kisha dhënë mendimin pro vendimit të Byrosë Politike. Por ata nuk e kishin hallin se ishin të pa qartë. Jo! Ata më provokonin mua. Merreni me mend komisari i brigadës dhe sekretari i organizatës bazë të partisë ishin shndërruar në provokatorë si të ishin agjentë të SIMI-t.

A ishte sanksionuar një gjë e tillë në platformën e Partisë?

Këtë veprim, parimisht, nuk e përmbante asnjë platformë e shkruar, mirëpo ku pyeste diktatura për parime, aq më tepër kur sejmenët e tipave që përmenda më lart ishin të gatshëm në çdo kohë. Ja kush ishte partia të cilës i dhamë jo vetëm besën por edhe shpirtin. Por le të kthehemi te provokimi. Atë mbrëmje, ndërsa komisari mbante gypin e telefonit në vesh, sikur fliste me njeri, komandanti i grupit lëshoi provokimin. “Kjo partia jonë, tha ja fut kot me këto ulje rrogash„. E pashë në sy dhe në çast prita t’i jepte përgjigje komisari, sepse në fakt atij i takonte më shumë se kujtdo. Por ai nuk u ndje. Ç’të bëja? Truri më punonte me shpejtësinë e rrufesë. Mendova: po sikur të më thonë: “Ik ore ti do mbrosh partinë nga ne, kur sapo je përjashtuar prej saj. Po të ishe i partisë ajo të mbante në gjirin e saj„. Këtë nuk e duroja dot. Pastaj mendova. Po sikur të më vërviteshin të dy dhe të më thonin: “Pse shpif ndaj një njeriu të ndershëm. Gënjeshtar”. Ata ishin dy dhe natyrisht më të besuar. I dhashë karar. Nuk fola fare. Kur komisari i brigadës dhe sekretari i organizatës së partisë aplikonin të tilla forma, kjo do të thoshte se vetë partia e sidomos udhëheqja e saj ishte shndërruar në një udhëheqje terroriste. Dhe koha këtë vërtetoi. Një ditë sekretari i organizatës së partisë më thoshte se gjoja ato ditë i kishin përjashtuar vëllain nga partia nga që ishte rrahur me kryetarin e kooperativës dhe me demek kishte frikë se mos e përjashtonin edhe atë. Ju përgjigja me ironi: “Mos u tremb. Nuk bën të tilla gabime partia jonë. Sidomos tani që kanë ardhur kuadro të afta nga terreni, këto gjëra nuk mund të ngjasin”. Ky sekretar më erdhi edhe kur u transferova në Klos. Gjoja për të më takuar, por në fakt për të më provokuar. Por atij ia dhashë përgjigjen: “Dëgjo i thashë, në Suç janë disa njerëz që kanë shpifur në mënyrë të poshtër për mua. Dëshiroj që ti të mos jesh ndonjë nga ata„. Iku dhe nuk erdhi më. Siç duket iu shua malli për mua. Në gjithë këtë bisedë nuk po përmend emra. Dhe kjo, jo se nuk i mbaj mend, por mendoj se ata janë anonimë. Ata janë pa emra. Ata mund të quhen intrigantë, servilë, shpifës e gënjeshtarë, sepse emri i tyre është sinonim i vesit. Mora disa ditë lejë dhe erdha në Tiranë. Erdha gjoja të ankohesha për këtë padrejtësi. Mirëpo harrova që kur të shan kadiu, s’ka kush të bën davanë. Bëra letra e telegrame, kërkova takime, por a dëgjohet zëri në shkretëtirë? Kot u lodha, kot shpresova. Udhëheqja e partisë po hante vetveten. Disa i burgosi, disa i internoi, ndërsa disa të tjerë i pushkatoi. E kush pyeste për mua e për dhjetëra të tjerë si unë? Më 20 mars 1976 edhe Komiteti i Partisë së Korpusit më përjashtoi nga partia. Tani prisja të më hidhnin hekurat.

Redaktor i faqes: Leonard VEIZI

Ndarja për së gjalli me njerëzit e familjes

Nuk m’i hodhën hekurat pas ndërhyrjes së Hysni Kapos

Shpëtova në sajë të ndërhyrjes së Dajës tim, Jonuz Mersinit, ish diplomat i afirmuar. Ai shkoi te shoku Hysni Kapo. Kur mori vesh arsyen, shoku Hysni ishte revoltuar. –Urdhëro, i kishte thënë Jonuzit merre dosjen dhe shikoje vetë. Por ky nuk e kishte pranuar dhe pa asnjë mëdyshje i ishte përgjigjur: “Unë shoku Hysni kam mbi njëzet nipa, po për Hamzain e vë dorën në zjarr, sepse e njoh nga afër”. Më transferuan në Vorë komandant toge në moshën 40- vjeçare. Aq sa të haja një copë bukë. Dhe përfytyro, babai im dhe tre vëllezërit ishin anëtarë partie, të tre vëllezërit e gruas, po ashtu ishin anëtarë të partisë. I njoftova që askush të mos vinte të më takonte. Nuk doja t’i fusja në ngatërresa. Po a duronte dot nëna pa ardhur? Si mund të rrinte ajo në fshat, ndërsa i përvëlonte zemrën malli për tre fëmijët e mi? Dhe erdhi. Nuk pyeti për asgjë. – Do shkoj te djali i tha babës, ti si anëtar Partie po deshe ndaju prej meje. Po kunati im i shtrenjti Rustem, i cili nuk rron më, a mund të rrinte dot pa më takuar? Më priste te i vëllai Hamdiu, që ishte pensionist dhe më jepte shpresa e besim. Kushdo e merrte me mend gjendjen e familjes time. Si gruaja dhe vajza, se djali i vogël nuk kuptonte gjë, ndërsa i madhi ishte në shkollën “Skënderbej”, u bënë me fiksime. Çdo makinë që kalonte para pallatit, e merrnin si makinë të internimit dhe bënin gati plaçkat, ndërsa unë i merrja në telefon përditë nga Burreli që ti qetësoja. Po kush më besonte? E quanin se po merrja nga ndonjë zyrë e hetuesisë dhe qanin me dënesë në telefon. I ra gurit dhe e plasi, i ra zemrës e duroi! Ja kjo ishte diktatura. Po të tjerët që bënë me dhjetëra vite burg? Po eprorët e mi që ishin burra shteti e komandantë legjendarë në luftë? Ku janë ata? Ku është Beqir Balluku, Petrit Dume e Hito Çako? Për çdo gjë mund ti akuzoje, por kurrë se kishin tradhtuar atdheun.

“Pushkatimi politik”

Nga zyrat e Ministrisë në hapjen e transheve për topat

Në përgjithësi kjo është historia e përjashtimit tim nga Partia. Por nuk dua ta mbyll bisedën në mënyrën kaq të pakëndshme. Po tregoj në fund një episod. Ishim me gjithë grupin në Verrvjak, mbi minierën e Thekrës, në punimet operative. Hapnim tunele për topat. Një natë të shtune, ndërsa shikonim televizor, të mbështjellë të gjithë me nga një batanije, se ishte shumë ftohtë, më vjen kujdestari dhe më thotë se te Liqeni i Zi ka ardhur një skodë me rimorkje e ngarkuar me çimento, e cila duhej shkarkuar menjëherë se makina duhej të kthehej në Burrel. Ç’të bëja? Urdhëroj djemtë të rreshtohen. Pastaj u fola për detyrën dhe bëra pyetjen: Kush del vullnetar? Kur ç’të shikoj: I gjithë grupi bëri pesë hapa para. –Ju faleminderit, u thashë. Atëherë më ngelet mua t’i caktoj dhe vazhdova: Të dalin para pesë shokët e Byrosë së Rinisë të Grupit dhe filani e filani. Caktova dy djem që kishin dhënë shenja të dembelizmit. U nisën. Vendi ishte 7 km larg. Vajtën, kryen detyrën dhe në mëngjesin e asaj të diele, sikur të kishin fjetur tërë natën, erdhën te çadra ime. –Ngreu komisar, se do luajmë futboll me bateri dhe na duhet arbitri. Kanë kaluar mbi 30 vjet që atëherë, por unë edhe sot e kësaj dite nuk e di arsyen e vërtetë të kësaj mase ekstreme që quhej “Pushkatim politik”. Sot nuk do ta kisha të vështirë të deklaroja se me ish- Partinë e Punës kam patur këtë e atë kontradiktë. Por kjo nuk është e vërtetë. Kjo nuk do të ishte burrëri. Asgjë personale nuk kam patur me atë Parti. Prandaj edhe nuk e di sepse më përjashtuan. Mbaj mend vetëm provokimet që më janë bërë dhe përgjigjet e mia, një pjesë të të cilave e përshkrova më lart. Megjithatë nuk më mbetet merak. Kam shumë shokë përkrah nga ata që kaluan këto situata drithëronjëse. Kam Halim Ramohiton e Xhemal Shehun, kam Zeqir Meron e Hetem Halilin, të cilët ishin realisht jo vetëm burra shteti, jo vetëm me një të kaluar të lavdishme, por edhe të aftë e plot autoritet. Kam ish zv.Drejtorin e Zbulimit të Ushtrisë, shokun Xhemil Çeli, poetin e talentuar, kryeredaktorin e revistës “10 Korriku” Lirim Deda, përgjegjësin e rinisë të ushtrisë Arshi Çela etj., të cilët i sfiliti diktatura, por nuk i përgjunji.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora