E premte, 19.04.2024, 08:22 AM (GMT+1)

Kulturë

Haredin Sela: Burrat e Zhapokikës, ja si e tronditën qeverinë e Enver Hoxhës

E diele, 17.07.2011, 07:52 PM


Flet 97- vjeçari Haredin Sela, për njëmijë e katërqind ditët në qelitë e kalasë së Gjirokastrës

 

Burrat e Zhapokikës, ja si e tronditën qeverinë e Enver Hoxhës

 

Nga Albert ZHOLI

Çano NORA

 

Zhapokika e Tepelenës hyri në histori me kryengritjen e organizuar në vitin 1948. Këngët fillesën nuk e kanë tek goja, por tek shpirti. Ishte ajo urrejtja e madhe e qindra e mijëra njerëzve të jugut të Shqipërisë që bëri të mblidheshin në Zhapokikë për të marrë pjesë në kryengritje. Ajo revoltë bashkoi zemrat dhe pushkët jo në një kuvend burrash, por në një kryengritje popullore kundër regjimit të asaj kohe. Për qeverinë po ndodhte një goditje, po binin kambanat për ndryshim, po binte një “tërmet” me epiqendër në Zhapokikë.

Sa u dha “kushtrimi” u mblodhën njerëzit që nuk duronin dot regjimin e asaj kohe e që kërkonin të “vulosnin” njëherë e përgjithnjë përmbysjen e atij sistemi ogurzi që vrau lirinë e njerëzve, u mori pronat nuk i la të shikonin përpara e të jetonin jetën. Dhe erdhën në Zhapokikë me vrapin e erës nga Fieri, Tepelena, nga Berati e deri nga Delvina.

Njëri pjesëtar i kësaj çete që bëri emër në gjithë vendin, ishte edhe burri që vulosi trimërinë dhe qëndresën, Haredin Sela nga Zhapokika e Tepelenës. Ai thotë:

Zoti Haredin, sa vjeç ishe kur iu bashkuat çetës që organizonte kryengritjen?

Nuk isha i vogël. Isha në moshë për të marrë vendime të rëndësishme për jetën. Kisha mbushur plot tridhjetë e tre vjeç në vjeshtën e 1948-ës. Në sytë e mi shikoja që shumë gjëra duheshin ndryshuar. Shikoja botën të mbyllur në përfytyrimin tim me atë regjim që ishte. Nuk kalohej jeta me duartrokitje nëpër mitingje e me “urra”-të e fuqishme për partinë dhe Enverin. Isha i martuar dhe kisha dhe dy fëmijë të vegjë që kërkonin diell e frymëmarrje, ata duheshin rritur. Unë si shumë të tjerë e shikoja që diçka duhej të lëviste e të ndryshonte jetën tonë, prandaj isha i vendosur plotësisht për t`ju bashkuar pjesëmarrësve të çetës së Zhapokikës. Nuk e doja atë qeveri, s’më bënte goja të flisja mirë për të, kur nuk ishte e tillë, nuk e doja. Qeveri e zezë si zifti. Nuk të ngrohte dielli i atij sistemi kurrën e kurrës. Mbaj mënd që njëherë nuk kisha paguar detyrimet në shtet. Erdhën më morën bereqetin nga hambari, më morën bukën e fëmijëve, më lanë pa ngrënë. Më ndihmuan ca të afërmit e mi. Prandaj u ngrita në këmbë dhe i thashë komandantit të çetës, Barjam Kamberit: “Më prisni edhe mua. Jam gati qysh tani, se s’kam dashuri për këtë qeveri, por kam një mal me urrejtje për të”

Kishe njohje me komisarin e çetës, Xhemal Brahimin, kishe lidhje gjaku apo miqësie?

Jo, nuk kisha gjak, as miqësi nuk kisha me të. Ai ishte nga Luftinja. Zhapokikën nga Luftinja e ndanë vetëm një kodër. E njihja edhe më parë Xhemalin. E kisha shokë të mirë edhe pastaj na bashkoi edhe ideali.

Si u zbulua çeta nga Sigurimi i Shtetit?

Donim të rrëzonim qeverinë. Komisari ishte me shkollë dhe shumë gjëra i kuptonte më mirë se ne të tjerët. Ishte edhe “Usta” i fjalës, por edhe trim dhe i dashur me njerëzit. Neve na fliste hapur s’na mbante asgjë të fshehtë. E kuptonim që rruga që kishim nisur ishte për të mirën tonë dhe të fëmijëve tanë. Të përmbysnim regjimin e Enver Hoxhës e të merrnim frymë lirisht. Çeta po rritej nga dita në dit ne e shikonim me sytë tanë po nuk ishte aq e lehtë. Sigurimi i shtetit punonte, të gjithë nuk i kishim të besuar. E kishim të keqen brenda. E ke dëgjuar shprehjen: “O balo të hëngërt tënja e kishe të keqen brenda”. Dikush na spiunoi dhe na zbuluan planin që kishim. Ne shtëpinë e Xhemalit në Luftinjë erdhën edhe njerëz të lokalitetit të Buzit. Nuk mund të prisnim më, se tashmë kishim rënë në sy të sigurimasve. S`prisnim dot më të lidheshim edhe me grupet e tjera. Rrezikun e kishim fare pranë.

Si arritët të grumbullonit njerëz rreth çetës?

E thashë edhe më parë, gjithçka ishte zbuluar. Nga Zhapokika duhej të iknim sa më parë, sepse e dinim që do ndiqeshim nga policia. Kishim ditë që kishim ikur nga shtëpitë. Ishim shpërndarë nëpër fshatra ku kishim gjak e miqësi të bënim sa më shumë me vete rreth çetës tonë. Sa isha kthyer nga Luftinja dhe tek vendi i quajtur qafa e Kapllanit. Gjeta rreth gjashtëdhjetë burra që bisedonin si në ikje e sipër, sepse koha nuk priste më. Në shpirtin e atyre burrave që nuk u trembej syri kishte urrejtje pa fund, të cilën nuk e mbanin dot brenda. Po përgatitej revolta që do të përshëndetej fuqishëm nga i gjithë jugu dhe do të mbështetej nga qindra e mijëra vetë. Atë natë u zgjodh edhe një shtab që do të udhëhiqte çetën për të kryer detyrën. Bajram Kamberi u zgjodh komandant, ishte djalë i lindur e rritur ne Zhapokikë. Zv/Komandant u zgjodh Memet Sela. U gjendëm në ç`do fshat në Kamçisht, në Izvor, në Luftinjë, në Osmanzezë e fshatra të tjerë të Beratit, në Dukaj të Tepelenës gjer më në jug në Delvinë. Me ne ishte lidhur edhe kryetari i degës së brendshme të Tepelenës, Xhezo Makashi. E mbështetën çetën sepse ishte kundër sistemit, prandaj shumë njerëz bashkoheshin me ne sepse nuk e duronin dot më atë regjim.

Ku u përleshët me forcat e ndjekjes dhe të policisë?

Ne u zbuluam nga forcat e ndjekjes dhe ato të Ministrisë së Mbrojtjes, në Gllavë të Tepelenës. Ishte vjeshtë e vitit 1948. U rrethuam dhe u bënë luftime. Me ta ishte dhe policia. Për tre orë me radhë u përleshëm me ta. Ne ishim rreth 60 vetë, 27 nga fshati Zhapokikë. Në përleshje e sipër u vra Zv/komandaniti i çetës Memet Sela, u vra dhe Velo Kaso nga Luftinja. Nga kundërshtari u vra një polic si dhe u plagos edhe një tjetër. Xhemal Brahimi, Bajram Kamberi dhe Sefer Sela e çanë rrethimin dhe nuk i kapën dot. Pas gjashtë muajsh komandant Bajrami u kap dhe mori dënimin me pushkatim. Anëtarët e çetës u kapën më vonë edhe ata u dënuan me burgime, internime apo burgime të përjetshme.

 Si do të vinte filli i jetës tuaj?

Mua, së bashku me disa të tjerë na kapën dhe na lidhën me litarë. Ankth e tmerr tek secili prej nesh për atë përleshje që ndodhi, por ishim edhe të vendosur për të vazhduar rrugën që kishim nisur, nuk na trembej syri fare. Na dhimbseshin vetëm shokët që na u vranë. Se si do të vente filli ynë nuk e dinim. Vetëm një gjë ishte e sigurt që ne ramë në duart e policisë dhe forcave të ndjekjes dhe fundin tonë e mendonim se si do të vinte. Na priste i njëjti fat si edhe i shokëve të tjerë. Të lidhur na çuan me këmbë në Berat. Atje na mbajtën vetëm një natë. Një natë për ne e mbushur me tmerr e dhimbje për ata që na ranë në përleshje e sipër. Por prapë nuk trembeshim sido që të veprohej me ne. Na dhanë edhe për të ngrënë, po si mund të hanim bukë të lidhur këmbë e duar siç ishim ne. Kishim dhimbje në zemër e dhimbje në shpirt brenda. Në mëndje na vinin ditët që do të vinin, me vuajtje, me burgime, me internime. Rrugës ashtu siç isha i lidhur, një polic më qëlloi me shkelm dhe mu drejtua: “Ti më plagose mua. Do ta paguash me kokë, tani nuk shpëton dot”.  “Unë nuk kam pushkë”- i thashë. Pastaj nuk më trembni dot sido që të bëni me mua, jam djalë Zhapokike dhe po të vdes, vdes për Zhapokikën e për Shqipërinë. Polici më shikonte barbarisht dhe derdhte mbi mua urrejtje, si të m`a bënte. Donte të më vriste, por nuk kishte urdhër nga eprorët e tij. Por unë edhe në atë situate, nuk e jepja veten para atyre që donin të më merrnin jetën dhe të përgjaknin atë rrugë që na çonte për në Berat. Polici më drejtoi automatikun për të më vrarë. Një breshëri me plumba u derdhën në ajër sepse polici tjetër ia ngriti grykën e automatikut me shpejtësi të rrufeshme. Shpëtova mirë por prapë në dorë të tyre isha. Rrugës për në degën e punëve të brendshme të Beratit, jetën e kishim në një fije peri.

Si i përjetuat të njëmijë e katërqind ditët e dënimit brenda qelive të burgut të Gjirokastrës?

Nga Berati më sollën në Gjirokastër, ku më bënë edhe gjyqin. Më dënuan me katër vjet burg. Dënimin e vuajta të gjithë kokërr më kokërr, nuk kishte falje për mua. Dhimbjet, torturat, kalvari i vuajtjeve nuk kishte të mbaruar. Për veten time nuk pyesja fare, s`më luante qerpiku e kisha mbledhur mendjen top. Po përse të luhej me fatin e fëmijëve dhe të gruas time, Eminenë. Vetë isha brenda në qelitë e ftohta e të errëta të komunizmit, por mendjen e kisha atje jashtë në Zhapokikën time, në shtëpinë e vjetër që i ranë hallet e dertet me okë. Fëmijët i kisha fare të vegjël, djali, Kasua ishte vetëm 4 vjeç dhe vajza vetëm dy vjeçe. Mua më dënuan se u ngrita me shokët në kryengritje, se donim sistemin ndryshe, donim regjim ndryshe, donim një jetë më të mirë. Unë vuaja brenda qelive, po vuanin edhe fëmijët brenda shtëpisë së vjetër.

A ndryshoi jeta juaj dhe e familjes pas daljes nga burgu?

Edhe kur dola nga burgu, përsëri më dukej vetja i dënuar. S’kishin të mbaruar kusuret për mua. Me vinin të afermit me droje se mos i shikonin të tjerët dhe u thoshin: Ç`bëni kështu, “Haredini është armik?” Më lanë pa trisk Fronti një vit të tërë. As më vinte njeri të më shikonte derën e shtëpisë, vuajta shumë edhe pas daljes nga burgu. Këto ishin rrisqet që të ofronte ai sistem, ajo ishte jeta që ne bënim. Pa liri fjale, pa buzëqeshje, pa shpresa, pa ëndrra…

Tani që jeni nëntëdhjetë e shtatë vjeç ç’ka ndryshuar tek Haredin Sela?

Tani jetojmë ndryshe unë dhe fëmijët e mi. Çdo gjë ka ndryshuar për mirë, kuptohet. Edhe pse jemi mirë dhe na vete buka në bark, përsëri kujtoj ato që kam hequr në burg, kujtoj vuajtjet, dënimet persekutimet e atij sistemi që lamë pas e mos ardhtë kurrë. Shpirti e zemra time e dinë sa kamë vuajtur. Të më shposh trupin s’më del gjak, por dhimbje. Mos e paste njeri fatin qe kishim ne. Tani jetojmë ndryshe. Tani ia vlen ta jetosh këtë jetë.

 

Hakmarrja makabre

Eminea, si i hoqi 5 plumbat me dorë nga trupi i saj

Edhe pse Hajredini e kishte marrë dënimin me burg përsëri shtëpia e tij, atje në Zhapokikë qëndronte e rrethuar nga policia. Çdo lëvizje në këtë shtëpi nuk shpëtonte dot nga sytë e atyre që përgjonin jashtë mureve. Ndërsa brenda shtëpisë kishte pllakosur varfëria, skamja, frika e pasiguria e jetës. Shpirti i bashkëshortes së Haredin Selës, Emineja ishte helmuar i tëri dhe zemra i qe bërë si limon i prerë. Fëmijët e vegjël prisnin t`ju dilte i ati nga burgu, prisnin që edhe në familjen e tyre të varfër të kishte liri e bukë për darkë. Të rriteshin shpresat dhe ëndrrat për jetën, të merrnin frymë lirisht. Atë natë kishte ardhur mike në shtëpinë e Eminesë, mbesa e Haredinit, Sherua. Shtëpia mbahej në ruajtje dhe kontrollohej se mos hynin e dilnin njerëz e miq të besuar e që kishin lidhje me të zotin e shtëpisë, Haredinin. Nxinte jashtë e brenda shtëpia. Buzëqeshjet e fëmijëve të vegjël mungonin në atë vatër zhapokikase. Mbasi hëngrën darkën Eminea së bashku me mbesën e ardhur mike në atë natë dolën për të siguruar bagëtitë në kasolle. Para portës së shtëpisë u ndeshën me breshërinë e plumbave që policët nuk i kursyen për të zonjën e shtëpisë, Eminenë. Ajo mori pesë plumba në këmbë. Mbesa shpëtoi paq, por ajo pa tmerr me sytë e saj. Eminenë e çuan në spitalin e Gjirokastrës. Asaj iu vu jeta në rrezik. Donin t`i prisnin edhe këmbën, por doktor Vasili i madh dhe Vasili i vogël i shpëtuan jetën. Ndërsa Haredini vuante dënimin në qeli, e shoqja e tij, Eminea hiqte plumbat me dorë nga trupi i saj ndërsa fëmijët katër e dy vjeçar e vinin kokën në jastëk pa patur bukë për darkë, për të cilët kujdeseshin të afërmit dhe bashkëfshatarët e tyre.

 

SHËNIM

Karriera, eliminimet dhe vetëvrasja e Mehmet Shehut

Nga dita e nesërme gazeta TELEGRAF do të nisi botimin e një cikli shkrimesh, ku në vëmendje do të jetë veprimtaria e Mehmet Shehut që nga Lufta e Spanjës dhe deri ditën u shpall zyrtarisht vetëvrasja e tij. Të thënat dhe të pathënat e karrierës së njeriut që drejtoi me “dorë të hekurt” ekzekutivin shqiptar për 27 vite me radhë. Puna vetëmohuese dhe përfshirja në krime dhe eliminimin e shokëve të armëve. Dëshmitë dhe materialet arkivore do të hedhin më shumë dritë rreth veprimtarisë së Mehmet Shehut si bashkëpunëtori më i ngushtë i Enver Hoxhës, në ndërtimin socialist të vendit dhe në centralizimin e ekonomisë sipas parimeve marksist-leniniste.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora