E enjte, 28.03.2024, 11:58 AM (GMT)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Qëndrimi rumun për Kosovën, investim për të përfituar nga Rusia, Moldavinë dhe një pjesë të Ukrainës

E premte, 08.02.2008, 06:19 PM


Qëndrimi rumun për Kosovën, investim për të përfituar nga Rusia, Moldavinë dhe një pjesë të Ukrainës       
 
Nga Kastriot Myftaraj

Politikanët dhe analistët në Tiranë, Prishtinë dhe në Perëndim, qëndrimin intransigjent të Rumanisë kundër pavarësisë të Kosovës kërkojnë ta shpjegojnë me frikën e Rumanisë, se mos shkëputja e Kosovës nga Serbia shërben si precedent për shkëputjen e një pjese të Transylvanisë, ku ka popullsi të madhe hungareze dhe bashkimin e saj me Hungarinë.Por, ky shpjegim nuk rezulton racional po të shikosh realitetin etnik në Transylvani. Sipas regjistrimit të popullsisë të bërë në Rumani në vitin 2002, në këtë vend 6.6% e popullsisë është e etnisë hungareze. Në Transylvania, nga 7.221.733. vetëm 19.60% e popullsisë është e etnisë hungareze. Nga 16 rajone që ka Transylvania, hungarezët përbëjnë shumicën e popullsisë vetëm në dy rajone. Këta janë Harghita, që ka 6.639 kilometra katrorë dhe 326.222 banorë, nga të cilët 84.6% janë hungarezë dhe Covasna, që ka 3.710 kilometra katrorë dhe 222.449 banorë, nga të cilët 73.79% janë hungarezë. Por, këta dy rajone gjenden në Transylvaninë Lindore dhe janë praktikisht enklava, që gjenden thellë në territorin me popullsi rumune, prandaj nuk mund të shkëputen nga Rumania për t’u bashkuar me Hungarinë. Mjaft që t’i hedhësh një sy hartës së Rumanisë për të parë se ku gjenden rajonet, ku shumësia e popullsisë është hungareze, për ta kuptuar se Rumania nuk i trembet irredentizmit hungarez. Atëherë, ku e ka hallin Bukureshti kur e kundërshton kaq fort pavarësinë e Kosovës. Qëndrimi rumun për Kosovën është një investim, që Rumania po bën në Moskë, për të siguruar përfitime kur të ketë ndryshime kufijsh, me ç’rast Rumania kërkon të marrë gjithë Moldovën (Moldavinë) dhe rajone kufitare të Ukrainës. Moldova e sotme përbëhet kryesisht nga territore rumune, të cilat ish-Bashkimi Sovjetik ia shkëputi Rumanisë në 1940 si rezultat i Paktit Molotov-Ribentrop. Në Moldova, sipas regjistrimit të vitit 2004, nga 3.383. 332, 75.8% janë të etnisë moldovane, pra rumunë. Por, në Moldova siç dihet pasi kjo ish-republikë sovjetike u bë e pavarur, filloi një lëvizje separatiste e mbështetur nga Rusia që krijoi një republikë të pavarur në pjesën e Moldovës në lindje të Lumit Dnjestër, dhe që quhet Transnistria (Transdniestria), ose me emrin formal: Republika Moldove Pridnestrovie. Kjo republikë separatiste me kryeqytet Tiraspol, ka 4163 kilometra katrorë dhe 537.000 banorë, së bashku me qytetin Tighina, ose Bender, në bregun perëndimor të Dnjestrit, me 97.000 banorë, që kontrollohet nga separatistët e mbështetur nga Rusia. Në Transdniestria, pa qytetin Bender, ka 450. 337 banorë nga të cilët rusë janë 30.4%, ukrainas 28.8%, dhe moldovan, ose më saktë rumunë, 31.9%. Moldova në bregun perëndimor të Dnjestrit ka 79% të popullsisë moldovo-rumunë. Për Rumaninë moldovianët janë rumunë, madje rumunët më të pastër. Rumania dhe Moldova (moldovo-rumunët) kërkojnë që të dy vendet të bashkohen, ashtu siç kanë qenë deri në vitin 1940, dhe nuk e pranojnë ndarjen e Moldovës, të imponuar nga Rusia, e cila mban në Moldovën transdnjestriane 1200 ushtarë të konsideruar prej saj si forca paqeruajtëse. Bukureshti e di se në rast të ndryshimit të kufijve do të marrë Moldovën në perëndim të Dnjestrit, që është pjesa më e madhe e territorit të vendit, por dëshiron të marrë dhe pjesën lindore, që sot është republika separatiste e Transdnjestrias. Por, Rumania e di se këtë gjë mund ta bëjë vetëm me miratimin e Rusisë. Në Bukuresht e dinë se, rusët nuk kanë ndonjë alternativë më të mirë për Transdnjestrian, kur rusët përbëjnë më pak se një të tretën e popullsisë, veç asaj që të bëjnë një marrëveshje me Rumaninë, që popullsia ruse të gëzojë të drejta speciale, gjë që Bukureshti është gati t’ia akordojë. Rusia nuk mund të krijojë një «Kaliningrad» në Moldovën Lindore. Duke mbështetur aleaten e Rusisë, Serbisë në çështjen e Kosovës, çështje të cilën edhe Rusia e ka bërë pikën fokale të politikës së saj të jashtme sot, Rumania kërkon të arrijë që Rusia të pranojë bashkimin e Moldovës, të cilën Rumania kërkon ta aneksojë nesër. Por, qëndrimin e saj për Kosovën Rumania e shikon dhe si një investim për të përfituar në ndarjen e Ukrainës. Ukraina është një shtet artificial-mozaik etnik dhe fetar, që nuk ka gjasa të mbijetojë e bashkuar siç është sot. Në Ukrainë, në lumin Dnjepër kalon e famshmja fault line e Huntington që ndan botën arealin kristian, perëndimor nga ai lindor. Pjesa lindore e Ukrainës, së sotme ka shumësinë e popullsisë ruse të Ukrainës, që përbën mbi 20% të popullsisë së këtij vendi. Gjithashtu në Ukrainën Lindore është e përqendruar popullsia e lidhur me Kishën Ortodokse, që shikon nga Patriarkana e Moskës, ndryshe nga ajo e Ukrainës Perëndimore që është kryesisht uniate, ose ajo ortodokse që kërkon një kishë ukrainase të pavarur nga Moska. Ukraina po mbijeton me vështirësi dhe duket se do të ndahet, duke marrë Rusia Ukrainën Lindore deri në Dnjepër së paku, ndërsa Ukraina Perëndimore do të formojë një shtet që do të shikojë nga Perëndimi, por që do të ketë probleme me Rusinë. Rumania kërkon të ketë mbështetjen e Rusisë për të përfituar në ndarjen e Ukrainës, duke rimarrë territoret që kanë qenë pjesë e Rumanisë deri në 1940, kur iu aneksuan Bashkimit Sovjetik, në sajë të Paktit Molotov-Ribentrop, dhe që sot janë pjesë e Ukrainës, përveçse e Moldovës. E tillë është ish-Bukovina Veriore, që korrespondon afërsisht me rajonin (oblast) ukrainas Chernivsti, prej 8.097 kilometra katrorë, ku ka 904.023 banorë. Nga Bukureshti vijnë kritika për faktin, që në regjistrimin zyrtar ukrainas shënohen dy etni rumunë dhe moldavë, që konsiderohen e njëjta gjë. Në regjistrim dolën 12.5% rumunë dhe 7.3% moldovë, por rumunët e konsiderojnë regjistrimin ukrainas të pasaktë dhe duket se pretendojnë se edhe sikur ai të jetë i vërtetë të rimarrin territorin, duke qenë popullsia jorumune e tij si minoritet në Rumani. Gjithashtu, Rumania kërkon të marrë nga Ukraina dhe rajoni Hertza (Tinutul Herta në rumanisht), me 308.7 kilometra katrorë dhe 32.000 banorë, 93% e të cilëve janë rumunë. Por, këto janë vetëm një pjesë e territoreve, që rivendikon Rumania. Rusia do t’ i kërkojë Rumanisë si çmim për ta mbështetur, që të rifitojë territoret e humbura, atë që Rumania të largohet nga NATO dhe të shfuqizojë marrëveshjen ushtarake me SHBA, sipas së cilës ushtria amerikane ka të drejtë të ketë baza ushtarake në territorin rumun. Nëse Rusia e arrin këtë gjë, atëherë siguron një sukses të madh strategjik në raport me SHBA, para të cilit nuk janë asgjë stepat, pyjet dhe kënetat moldove dhe Bukoviniane, që do t’ i marrë Rumania. Gjithashtu me këtë rast Rusia do të përfitojë nga Rumania të drejtën, që linja ruse të gazit me destinacion Evropën të kalojnë nëpër territorin rumun, nëpërmjet Ukrainës së sotme jugore, një pjesë e madhe e së cilës më pas do të jetë territor rus. Kur Rusia ta ketë arritur këtë, atëherë do t’i kërkojë dhe Bullgarisë, që gjithashtu i ka lejuar SHBA, të drejtën e bazave ushtarake në territorin e saj, që të ndjekë shembullin e Rumanisë, aq më tepër tash që Rusia po bëhet partneri kryesor i Bullgarisë për furnizimin me naftë dhe gaz. Loja e Rumanisë për Kosovën, pra është praktikisht pjesë e lojës së madhe gjeopolitike të Rusisë për t’ i larguar SHBA nga Ballkani. Në rast se Rusia do t’ ia arrijë që t’ i largojë SHBA nga Ballkani Lindor (Rumani dhe Bullgari), atëherë do t’ i sfidojë ato dhe më fort në Ballkanin Perëndimor, ku loja ruse e koordinuar me Serbinë dhe Greqinë do të përqendrohet në dëbimin e SHBA nga Shqipëria, deri edhe duke sponsorizuar një aksion antiamerikan në Shqipëri. Në rast se SHBA dëbohen nga Shqipëria, atëherë Kosova është e fituar për Serbinë dhe Rusinë. Rusia pastaj do të bëjë arbitrin për të ndarë Maqedoninë mes Bullgarisë dhe Serbisë, si dhe Shqipërinë mes Greqisë dhe Serbisë. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora