E premte, 19.04.2024, 08:18 PM (GMT+1)

Mendime

Esat Stavileci: Deri kur do "te flasim me vetveten"

E premte, 08.02.2008, 10:11 PM


Deri kur do "te flasim me vetveten"

Nga Esat Stavileci

Ditë më parë, në Prishtinë, u mbajt një seminar ndërkombëtar me temën "Sfidat e Paqes në Kosovën e Re". Temë shumë aktuale dhe shumë e qëlluar në momentin që po kalon Kosova. U dëgjuan fjalë shumë të mira dhe u dërguan shumë mesazhe "në emër" dhe "në adresë" të paqes. Edhe pse ky qe një rast shumë i përshtatshëm për të marrë fjalën dhe për të shprehur disa mendime që ndërlidheshin me temën bosht të seminarit, hoqa dorë, për disa arsye, që po përpiqem t‘i zbërthej si më poshtë.

E para, kisha përshtypjen se fjalët shumë të mira dhe mesazhet "në emër" dhe "në adresë" të paqes u dërgoheshin atyre që "mungonin brenda sallës", ku zhvilloheshin punimet e seminarit. U gjenda para dilemës: Ç‘kuptim ka "të flasësh me vetveten"? Në cilët "veshë të shurdhër" duhet të adresosh fjalë dhe mesazhe dhe deri kur, ne shqiptarët duhet të vazhdojmë të tregohemi tolerantë ndaj atyre që vazhdojnë të na mohojnë, injorojnë e shantazhojnë?

E dyta, kisha përshtypjen se, duke mos çmuar që "kur është mjaft", ne vazhdojmë të sillemi sikur asgjë të mos kishte ndodhur me ne dhe rreth nesh; t‘u zgjasim dorën atyre që nuk e duan dorën tonë, e lëre më që atë të na e zgjasin ne; atyre që, në vend që të na kërkojnë falje, presin ndjesën tonë, pa e vrarë mendjen se nuk mund t‘i ndërrojmë as vendet dhe as rolet, sepse këtë nuk na e lejojnë "gjurmët e dorës". Shumë ndrydhje e shkelje të të drejtave të një etnikumi janë bërë në këto hapësira nga një etnikum tjetër dhe, megjithatë, ne u zgjasim dorën atyre që janë përgjegjës, që në këto hapësira kanë zhvilluar proceset më antipode "kundruall humanizmit", "akte dehumanizuese", që kanë "atakuar ekzistencën e njerëzve", që kanë përligjur masa "atakuase për trashëgiminë kulturore etnike", që "kanë atakuar zhvillimin arsimor e shpirtëror"; që "kanë synuar shtypjen e vullnetit shoqëror dhe politik" të shumicës dominuese të një etnie.

E treta, kisha përshtypjen sikur ne vazhdojmë të bëjmë përpjekje për "t‘u dëshmuar besnikë" ndaj atyre që fare nuk besojnë te ne dhe në besën tonë, edhe pse e kanë provuar "fqinjësinë tonë", pa vrarë mendjen se ne, në fakt, po poshtërohemi, nënçmohemi dhe përulemi, pa llogaritur se me këtë mund të pësojë dhe do të pësojë dinjiteti ynë njerëzor e kombëtar. Edhe përkundër "përpjekjeve tona" për "t‘u ridëshmuar", gjërat nuk "lëvizin prej vendit", sepse këtë nuk e dëshiron "ana tjetër". Dy bindje për një të vërtetë nuk mund të ekzistojnë, as dy të vërteta për një bindje. Kriteri i së vërtetës nënkupton vlerësimin, d.m.th., gjykimin dhe mjetin për të kontrolluar vërtetësinë ose gënjeshtrën e një pohimi, hipoteze, teorie, pra edhe një parimi.

E katërta, kisha përshtypjen se, sa më shumë koncesione që u kemi bërë dhe që vazhdojmë t‘u bëjmë atyre që na torturuan fizikisht e psikikisht, që na poshtëruan, na dhunuan, na plaçkitën, na vranë, ata e rrisin dhe nuk e fshehin urrejtjen dhe armiqësinë ndaj nesh. Na sugjerohet "të harrojmë të kaluarën" dhe "t‘i kthehemi të ardhmes". Por si mund "të kërkohet të harrohen" vitet e keqtrajtimit që u kanë paraprirë veprimeve kundërnjerëzore, me premisa gjenocidale të një regjimi të egër serb ndaj shqiptarëve?

E pesta, kisha përshtypjen se sikur prej nesh po kërkohen "prova të reja", edhe pse përgjatë historisë kemi provuar, edhe si popull, edhe si komb, ndërkohë që e kemi pësuar me shumë se askush tjetër, duke u pozicionuar në anën e miqësorit, e jo armiqësorit, pa synuar gllabërime tokash të tjetrit, por "duke lejuar" që të tjerët, jo vetëm të na gllabërojnë tokat, por edhe të na sundojnë. Kështu që për afro 500 vjet nuk mësuam më shumë se vetëm "Lepe, pekej, Abej", për afro 100 vjet, më shumë se "Razumem druzhe" dhe tash, për afro 10 vjet, "Yes, sir", pa "pasur kohë" që përfundimisht, të kalojmë në "tonën", në "Po, zotëri".

Prandaj, duke mos kontestuar, në asnjë mënyrë fjalët shumë të mira dhe mesazhet që u dërguan "në emër" dhe "në adresë" të paqes, do të apeloja në vetëdijen tonë që të mësojmë "kur është mjaft", për t‘i parë dhe për t‘i shtruar çështjet dhe problemet ashtu si janë, ashtu siç është realiteti që na rrethon, ashtu siç është sjellja e njerëzve ndaj atij realiteti, sepse vetëm në atë mënyrë do të kontribuojmë që ai të kuptohet drejt, sepse "nuk ka padrejtësi më të madhe se kur drejtësia shtrembërohet". Asnjëherë më parë nuk ka pasur më shumë nevojë se sot "të takohen" e vërteta dhe paqja, veçanërisht në rastin e Kosovës.

Populli dhe kombi shqiptar, shumë i vuajtur dhe i përvuajtur, i ndjekur dhe i përndjekur, po kalon nëpër çastet më dramatike dhe më kritike të ndërtimit të një ardhmërie, në të cilën, pikërisht për shkak të ruajtjes dhe kultivimit të mëtejshëm të paqes, po bën shumë koncesione, me pasoja të dëmshme edhe për veten e tij, duke i zgjatur dorën edhe një "pavarësie të varur", edhe një "lirie të mbikëqyrur", me shpresë se "po i hap dyert" një të ardhmeje, ku do të trajtohet i njëjtë dhe i barabartë me të tjerët, e jo i poshtëruar, i nënçmuar dhe i përulur nga të tjerët, të cilëve, ja, sërish, po "ua zgjat dorën". Mirëpo, një këshillë duhet ta mbajmë përpara: Zgjati dorën, nëse ke kujt t‘ia zgjatësh! Ndryshe, do të vazhdojë të pësojë dhe do të pësojë dinjiteti ynë, edhe njerëzor, edhe ai kombëtar.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora