E enjte, 28.03.2024, 01:45 PM (GMT)

Speciale » Andrea

Fotaq Andrea: ''Gjergj Kastrioti Skënderbeu'' i Rembrandit

E premte, 15.07.2011, 07:05 PM


“GJERGJ KASTRIOTI SKËNDERBEU” I REMBRANDIT

 

NGA FOTAQ ANDREA

 

Po, “Skënderbeu” ynë i Rijn Rembrandit ekziston. Është atje, në fondet e pasura të Muzeut të Arteve të Bukura të Nansisë, kryeqendrës së dukëve të Lorrenës. Është atje, ende i freskët, me ravijëzimet e veta gravurore të ndjeshme, me gjurmët ende të dukshme të planshetës nga është nxjerrë. Dhe ne, e prekëm me dorë si për ta përshëndetur, e këqyrëm çaste të gjatë, e shijuam me sy të etur, e admiruam gjithë lëvizje pohuese e të heshtura të kryeve, në prani të konservatores së Muzeut, Zonjës Sophie Harent. Për më tepër, ky portret i Skënderbeut nuk është se është i panjohur për artdashësin shqiptar.

 

Mirëpo, çudia këtu është se historiografia shqiptare e ka cilësuar këtë portret të Heroit tonë thjesht si vepër anonime, fantaziste, ardhur nga thellësitë e kohërave e paidentifikuar, e padeshifruar nga misteret që ka mbartur, ndonëse e botuar lart e poshtë, dje dhe sot, madje edhe kartolinë e poster, dhe kohët e fundit edhe me ngjyra.

Në fakt, sinjalin e parë për identifikimin e kësaj gravure si vizatim nga Rembrandi e hasëm në Katalogun rajonal “Dei libri d’arte d’antichita posseduti dal conte Cicognara” (katalogu i veprave të artit antik, në zotërim të kontit Cicognara) të vitit 1821, ku në numrin rendor 2132, emri i portretit “Scanderbec” figuron i radhitur mes “tridhjetë e katër personazheve historikë e heroikë stampuar nga F.L.D. Ciartres.” Vërejmë në serinë e këtyre personazheve - që në fakt janë tridhjetë e gjashtë, në bazë të studimeve -, emra të njohur që kanë lënë gjurmë në historinë botërore, si Atila, Barbarosa, Timurlengu, Dionisi, Atabalipa mbreti i Perusë, Arkimedi, Pitagora, Diogjeni, Platoni, Sokrati, Sulejmani, Tomas Mori, Gaston dë Fua, Scanderbec, Kadamosti, Aristoteli, Nogai i madh i Persisë, Nangasaki, mbreti i Japonisë, Empedokli, Fausti, Saladini, etj. etj. Është e vërtetë që pjesa dërrmuese e këtyre personazheve (21 portrete) janë vizatime të Klod Vinjonit (Claude Vignon, 1593-1670), një nga piktorët francezë, të sitilit barok, më të famshëm të epokës së Luigjit XIII. Por nga tërë kjo seri veprash, emërtuar “Buste Filozofësh e Mbretërish”, 11 portrete, ndër të cilat bën pjesë edhe “Skënderbeu” ynë, janë vizatime drejtpërdrejt të Rembrantit dhe 4 janë punime të piktorit italian Alessandro Varotari i mbiquajturi Padovanino. Fakti është se e gjithë seria e këtyre portreteve ka pasur për gravurist të vetëm Jerome Davidin, mjeshtrin interpretues të piktorëve të mëdhenj, që zinte një vend nderi ndër gravuristët e shquar të shekullit XVII. Dhe janë pikërisht këto 36 gravurime të Davidit që botuesi francez François Langlois i mbiquajtur Ciartres do të stamponte, me sa duket, për herë të parë e të dytë rreth viteve 1634-1637, gjë që do të bënte më pas edhe Pierre II Mariette në një stampim të tretë të tyre, duke i vulosur madje edhe me emrin e librarisë të famshme koleksionuese të Parisit ”Kolonat e Herkulit”, themelues i së cilës ishte vetë Ciartres.

Studjuesit e sotëm francezë të kësaj serie të veçantë gravurash me “Portrete njerëzish të mëdhenj”, Paola Pacht Bassani, Stephane Loire, R.A.Weigert e Herman Sandrine, duke bërë klasifikimin e tyre në tre grupet e sipërpërmendura, janë të njëzëshëm në identifikimin dhe autorësinë e këtyre punimeve, duke u mbështetur në dëshmitë e Mariettit dhe sidomos në dorëshkrimet e Madeleine de Collemont, gruas së tij, e cila, në inventarin e saj të 12 majit 1664, i kishte tashmë të regjistruara të 36 portretet e serisë, gravuruar nga një dorë e vetme, por me vizatime të tre mjeshtrave piktorë.

Autorë më të hershëm austriakë, Dr. Rudolf Payer von Thurn (1917, 1919), dhe më vonë Ludwig Münz (1950), në studimet e tyre për këtë seri portretesh nxjerrin në pah, në mënyrë të veçantë punimet e Rembrandit. I pari, në studimin e tij “Faustimbilde” (Mbi historinë e Faustit) është i interesuar nga afër për portretin e Doktor Faustit, “nxjerrë nga origjinali i Rembradit” siç shkruan ai, dhe në listën e këtyre gravurave të prejardhura nga origjinalet e mjeshtrit të madh holandez, ai rendit edhe portretin e titulluar “Scandrebeg”. I dyti po ashtu, Ludwig Münz, ish Drejtor i Akademisë së Arteve të Vienës, që ka botuar më 1954 veprën “Akuafortet e Rembrandit” e përfshin, edhe ai, Heroin tonë në të njëjtën kategori portretesh të Rembrandit (“Rembrandt’s Synagogue and some problems of Nomenclatura” - Sinagoga e Rembrandit dhe disa probleme të Nomenklaturës”).

Më në fund, “Skënderbeu” i Rembrandit shfaqet plotësisht i dallueshëm edhe në bazën virtuale “Joconde” të Ministrisë së Kulturës franceze, e cila jep të dhëna të plota identifikuese të këtij portreti, me shënimet përkatëse, si dhe me vendndodhjen e tij në fondet e Muzeut të Arteve të Bukura të Nansisë.

Le ta shohim nga afër “Skënderbeun” tonë made in Rembrand. Jemi në çastin kur Zonja Harent, me buzëqeshjen e saj të këndshme, çel “kutinë e stolisë”, dosjen “Vignon – Buste Filozofësh e Mbretërish”. Është një dhuratë tepër e çmuar që iu fal Muzeut më 1999, së bashku me 15 000 gravura e stampime të vjetra që ka mbledhur gjatë jetës së tij personaliteti i shquar i historisë, artit e kulturës, Profesor Jacques Thuillier. Na parakalojnë para syve stampime antike mbi treqind e pesëdhjetë vjeçare, me cilësi mahnitëse realizimi, portrete historikë, gjithë psikologji e ekzotizëm njëkohësisht, që sikur duan të ndërtojnë një dialog mes nesh për një lidhje komunikuese të së shkuarës me të tashmen dhe për zbardhjen e mjaft enigmave.

Ja dhe “Heroi” ynë i shumëpritur, stampuar në letër velini, stërpikur me njollëza verdhane lashtësie tek-tuk, si shenja fisnikërie të vetë kohës. Është i përmasave 209 X 178 mm dhe ka të shënuar nr. rendor 29/F.L.D Ciartres excudit. Pësipër portretit, skribi i kohës, me të njëjtin shkrim të krejt serisë së gravurave, ka shënuar titullin e veprës : Scandrebec Roy d’albanie. Është i paraqitur në bust, me profil të kthyer nga ana e majtë. Poshtë gravurimit, një shkrim i hollë i shekullit XVIII tërheq vëmendjen se nga stampa origjinale duhet të jenë nxjerrë edhe kopje me ngjyra dhe se veladoni që vesh trupin e personazhit duhet të ketë qenë i kuq. Gravuristi Jerome David ka përdorur për realizimin e veprës teknikën e quajtur burin, duke gdhendur drejtpërdrejt mbi fletën e bakërtë dhe duke krijuar kështu planshetën intaglio ku është realizuar më pas stampimi apo shtypja e veprës.

E këqyrim për minuta të tëra dhe në kujtesë na parakalojnë dhjetra portrete të njohura të Heroit. Mirëpo, kurrfarë përngjase me portretet e tij të zakonshme! Kurrfarë përafrie! E megjithatë, vepra që kemi para syve shfaqet fort psikologjike, fort e veçantë, tepër shprehëse! Në fakt, studjuesit nuk kanë munguar ta vënë në dukje këtë tipar karakterizues të krejt serisë së këtyre portreteve. Vetë Marieti do të shkruante se ato nuk kanë asnjë “bazë historike”.  Dhe duke komentuar Marietin, studjuesja Paola Pacht Bassani, në veprën e saj voluminoze “Klod Vinjoni 1593-1670” botuar më 1993, vë në dukje: “Shija për tebdilim e stolitje, shoqëruar nga interesi për psikologjinë e personazheve çon në kompozime nga të Rembrandit, të gravuruara prej vetë mjeshtrit holandez. Pikërisht, rreth mesit të viteve 1630, qarkullonin në Paris “koka shprehëse” nga më të ndryshmet duke synuar nxjerrjen në pah të gjendjes shpirtërore të personazhit, si dhe shumë figura orientalësh, ku theksi vihej më shumë në pamjen e jashtme, ekzotike dhe marramendase”.

Me këtë rast, theksojmë se interpretime nga më të habitshmet i janë bërë edhe portretit “Skënderbeu” të Rembrandit, gjatë kohës që vepra ka qenë e paidentifikuar. Shumëkush ka dashur të shohë në të një vepër “kapriçoze”, “të çuditshme”, “fantaziste”, një “Skënderbe” pa mjekrën e vet legjendare, pa kërrutjen e hundës, por me mustak spitullak, pra, pse jo, një “Skënderbe në moshë të rinisë”. Dhe me të drejtë, një numër piktorësh e gravuristësh të huaj, në pjesën më të madhe të tyre ende anonimë – por që ne po përpiqemi t’i nxjerrim nga anonimati –, e kanë shfaqur tashmë figurën e Heroit tonë në tërë moshat, duke ilustruar mjaft nga bëmat e tij historike të njohura, qoftë si gladiator në ndeshje me tartarin trupmadh (Jorg Breu i ri), qoftë me kaskë spartane a romake (“Skënderbeu i panjohur i arkivit të Sienës”), qoftë me veshjen e rëndë kalorësiake të Mesjetës (“Skënderbeu” i të famshmit Gjorgjione 1477-1510), qoftë edhe më në fund thjesht me fustanellën shqiptare (“Skënderbeu” në veprën e abatit francez Nikolas Guenot). Po japim edhe dy portrete të tjerë të Heroit, që botohen për herë të parë në mediat shqiptare.

Veçse, krahasuar me tërë portretet e njohura e të panjohura, “Skënderbeu” i Rembrandit dëshmon krejtësisht për tjetër gjë. Këtu, ekzotizmi dhe psikologjia shpalosen lirshëm, që nga kapelja e çuditshme me panashë hedhur prapa, që nga flokët tepër të gjatë derdhur dendurazi pas qafës e kurrizit, gjer tek ajo fytyrë e mprehtë dhe e thatë, ata sy seriozë me vështrim ngulitës, ajo hundë mëse e dukshme, pa kurrfarë kurrizi, që bie fort mbi buzë hollake të mbërthyera, përshkuar nga ai mustak po i hollë, për të përfunduar i gjithë portreti në një mjekër disi të stërzgjatë e të prerë. Veladoni mesjetar që mbështjell bustin përshkohet për së gjëri nga një zinxhir, me hallka të dukshme dhe me një simbol enigmatik mes tij, zinxhir që shkon paralel jakës së hedhur supeve. Pra, një “Skënderbe” tejet i tipizuar, i denjë për forcën shprehëse të Rembrandit, sikurse tërë personazhet e tjerë që përbëjnë serinë prej 11 punimesh. Por ajo që bie dukshëm në sy është veshja e Heroit, që të kujton njëfarësoj autoportretin e piktorit me beretë, qafore e zinxhir, në moshën 28 vjeçare, tablonë e tij të famshme të viti 1634 që ndodhet në Galerinë Uffizi të Firencës, Itali. Sepse dihet që mjeshtri i madh holandez blinte shumë veshje, të cilat i përdorte pikërisht për punimet e tij. Pra, nuk është çudi që portreti “Skënderbeu” të jetë gravuruar fillimisht drejtpërdrejt nga vetë Rembrandi në vitin 1634, shi në kohën kur ai hedh në vaj autoportretin e tij. Fakti është se vitet 1630-1640 shënojnë periudhën e maturitetit të piktorit, “me një ekuilibër të ri, një ton më klasik, siç thekson Bert W. Meijer, ndonëse në asnjë çast ai (Rembrandi) nuk ka qenë në të vërtetë përkrahës i klasiçizmit”.

Është e njohur nga ana tjetër që Rembrandi ka mbi 1000 fletë vizatime, duke përjashtuar këtu etydet, dhe të tëra pa firmën e tij. Ai jo vetëm që e kishte zakon të mos i firmoste kurrë punimet e veta, por këtë ua këshillonte edhe nxënësve të tij për të punuar edhe ata sipas këtij stili. Sepse, përgjithësisht, vizatimet apo etydet konsideroheshin nga ana e tij për përdorim vetjak, domethënë nuk bënin gjë tjetër veçse përgatisnin veprën e ardhshme apo i shërbenin asaj tërthorazi.

E megjithatë, është me vend të theksohet këtu se për Rembrandin, vizatimi dhe gravura me akuafort ishin po aq të rëndësishme sa dhe piktura. Shumë herë, ai Mjeshtër i madh i lojës së dritë-hijes, i tonaliteteve të errta e i penelatave të befta, ai Mjeshtër i dekoreve ekzotike dhe i detajit të përkryer, i futej drejtpërdrejt edhe vetë, me llërë përveshur, gravurimit, si në dru, si në fletën e bakërtë apo në fletën e hollë metalike. “Planshetat, vë në dukje studjuesja Laneyrie-Dagen në veprën e saj “Si të lexojmë pikturën e Rembrandit”, i korrespondojnë herë-herë porosive, qoftë në rastin e portreteve (nënvizimi ynë), qoftë në rastin e simbolizimeve alegorike (seria Piedra gloriosa).” Rrjedhimisht, ka shumë të ngjarë që Rembrandi “t’i ketë bërë me porosi” të 11 portretet e tij me personazhe të shquar historikë. Dhe Zonja Harent, duke parashtruar këtë hamendësim gjithë delikatesë zëri e finesë mendimi, do shtonte gjithashtu, jo pa njëfarë ndjenje besimi: “Qui sait, un jour, on peut trouver aussi l’original!” (S’dihet, mbase një ditë mund të gjendet edhe origjinali). 

Në vijim, përfitojmë nga rasti për t’i treguar Zonjës Harent një tjetër “Skënderbe” të hamendësuar të Rembrandit, prezantuar nga Alessandro e Guido Castriota (stërnipërit e Heroit), në librin e Gennaro Franciones “Skënderbeu, një hero modern”. E po ashtu edhe një portret krejt anonim, të një stili sa flamand, aq edhe venecian, ku na e ka ënda të shohim një portret tepër të veçantë të Heroit tonë. Por komentet për të po i lëmë për një shkrim tjetër, së bashku me mjaft gjetje e gjurmime të reja, fryte të bashkëpunimit tonë me Dritan Mukën, qëmtuesin e vlerave të rralla historike shqiptare.

Le t’i rikthehemi edhe një herë portretit tonë të Rembrandit, të njohur më parë si vepër anonime. Në periudhë të hershme, ai na shfaqet dy herë i botuar, ndoshta gjatë shekujve XVII-XVIII, për aq sa mund të gjykohet nga teksti latin që e shoqëron në rastin e parë, apo nga katër vargjet në italishte të vjetër që e shoqërojnë në rastin e dytë. Njëri portret mban titullin “Georgius Castriotus Scanderbeg, Princ i Epirit”, pasuar nga një tekst i shkurtër në katër rreshta që bën fjalë për luftën e tij kundër turqve dhe mbrojtjen e Krishtërimit, dhe portreti tjetër mban titullin “Scanderbeg Re d’Albania”, si dhe këto vargje të bukura në italisht: I hovshëm në krah, e në guxim, / I përzgjedhur kështu nga vetë Fati, / Sulm i tij i shpejtë, vetë Hënës Osmane, / Eklips të përgjakur i krijonte.”

 Kohët e fundit, ndërmarrja amerikane Allen & Ginter e prodhimit të duhanit, me tradita të hershme edhe në tregtimin e letrës së cigareve (1875), ka nxjerrë në qarkullim një seri kartash  reklamuese me ngjyra, me tematikë “Heronjtë Kombëtarë”. Në këtë seri, karta “Albania”, Allen & Ginter’s Topps 2009, veç stemës zyrtare të Shqipërisë, përmban në krahun e djathtë portretin e “Skënderbeut” të Rembrandit: kapë të praruar, flokë të kuqërremtë, mantel të përhimtë, me zinxhir po të praruar, kurse fytyra në të trëndafiltë të zbehtë. I gjithë portreti përfshihet brenda një kuadri eliptik, me dy flamuj të vegjël kombëtarë, dhe poshtë portretit është shkruar: “Skanderbeg”, në mënyrë të stilizuar harmonishëm. Një orvatje e arrirë në mënyrën e vet, për të dhënë më në fund edhe me ngjyra “Skënderbeun” Rembrant Van Rijn.

Në përfundim, do thonim, se ky portret i “Skënderbeut”, nën emrin e madhështorit Rembrand, e larton edhe më shumë figurën e Heroit shqiptar në rrafsh europian e botëror, të Atij që “përjetësoi Shqipërinë me bëmat e tij” (A. Savete), të “Kampionit të pamposhtur të Kryqit” (E. Charrière), “I vetmi monument i lirisë” (Konti Segur), që së bashku me Jan Huniadin shpëtoi “Europën mbarë me forcën e gjenisë së tij dhe burrërinë e karakterit” (Saint-Allais Nicolas).



(Vota: 15 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora