E enjte, 28.03.2024, 07:05 PM (GMT)

Editorial

Lis Bukuroca: Tallava politika

E premte, 15.07.2011, 07:04 PM


Tallava politika

 

Nga Lis Bukuroca

 

Kosova po bisedon me Serbinë! Ky lajm do të tingëllonte bukur, sikur të ishte i sinqertë dhe sikur t’ ishin vërtetë negociata në mes dy vendeve sovrane. Kudo në botë negociatat janë më të mira, se sa përplasjet, mëritë dhe armiqësitë. E vërteta mirëpo  është krejt ndryshe. Nuk po bisedon Kosova me Serbinë, por Serbia po bisedon me Kosovën. Ajo zgjodhi çastin kur duhet dhe pse duhet biseduar. Ajo po negocion me Kosovën pa ngadalësuar apo pezulluar propagandën kundër Kosovës. Pa kërkuar ndjesë. Pa pezulluar dhe anuluar strukturat paralele serbe në Kosovë. Pa kthyer mbi tre mijë të varrosur nëpër Serbi. Serbia po bisedon me Kosovën, furnizon Dick Martin me gënjeshtra mbi Kryeministrin e Kosovës, mbështet ndjekjen penale kundër Kryeministrit të Kosovës dhe jo vetëm që e detyron t’ i pranojë negociatat, edhe atë pas asnjë kusht elementar- si kërkimi i ndjesës për shembull- por edhe e detyron të pranojë edhe dëmtimin e sovranitetit të shtetit. Në cilin vend të botës ngrihet një padi ndaj Kryeministri fqinj dhe në anën tjetër, negociohet për “çështje teknike”?

 

Nga këto negociata po reflektohet edhe pozita e Thaçit. Dinjiteti i tij. Pesha e kryqit! Është ai vërtetë Kryeministër apo gjendet aty për t’ i zbatuar urdhrat që i jepen. Si Salehu, që realizon dëshirat greke. (Grekët nuk duhet të jenë shumicë në Kuvendin shqiptar për t’ i kaluar ligjet, që ju nevojiten.) Se qëllimi i Thaçit është vetëm mbijetesa politike, e tregoi edhe ankesa e tij tek ambasadori amerikan. Ai qenka ankuar kundër Salehut që flet shqip, duke kërkuar ndihmë: “Kosova nuk është krahinë e Shqipërisë”, i paska thënë patrioti jonë.

Është pranuar Kosova si shtet më vete apo është krahinë e kujtdo, por vetëm e vetes jo. A kanë mundur të ndiqen penalisht hebrenjtë nga gjermanët dhe nëse jo, pse mund të ndiqen penalisht shqiptarët? Cili komb në botë është ndjekur penalisht nga pushtuesi dhe nëse nuk gjendet në planetin tonë, pse shqiptarët mund të ndiqen me dëshirën e pushtuesit? Nëse Serbia konsideron Kosovën të veten dhe nuk njeh atë, pse ajo nuk paguan pensionet shqiptarëve dhe pse nuk ndjek penalisht ata që vranë dhe dogjën shtëpitë e popullit të saj? Pse ajo nuk dëmshpërblen qytetarët e vet?

Akuza ndaj Thaçit një ditë do të harrohet, krejt kjo propagandë po bëhet për të ushtruar trysni mbi të dhe nëpërmjet tij, të stigmatizohet Kosova, shqiptarët, sepse po të kishim një Kryeministër tjetër, atëherë, akuza nuk do të ngrihej kurrë. Nuk do t’ i interesonte as Carla del Ponte-s, as Martit e as Tadiçit. Sikur Thaçi të mos ishte Kryeministër, atëherë kjo akuzë nuk do ta dëmtonte shtetin e Kosovës, por vetëm Hashimin. Në Kosovë duhet hetuar ata që kanë vrarë shqiptarë pas lufte, po jo për të tjerët, që kanë qenë bashkëpunëtorë apo mbështetës të atij regjimi, që bombardoi NATO.

 

Serbia përpiqet të përmirësojë imazhin e vet në opinion botëror dhe të përligj veprat e Millosheviçit. Ajo nuk e bënë krejt këtë vetëm kundër nesh, por për t’ i treguar botës se Amerika gaboi dhe në rastin më të keq për të, synon ta barazojë krimin serb me atë shqiptar. Kjo është arsyeja pse Serbia nuk kërkon ndjesë. Kur ta arrijë këtë barazim, atëherë vetvetiu do të shtrohet pyetja: a nuk paska gabuar Perëndimi?! Por, Serbia nuk mjaftohet vetëm me kaq. Ky është vetëm fillimi. Ajo synon më tepër. Millosheviçi ishte kriminel, këtë e pranojnë vetëm jashtë, jo brenda. Njerëzit e Millosheviçit gjenden në të gjitha strukturat shtetërore, por, ata, tani duan ta dëshmojnë se kriminel  është edhe Thaçi, me të cilin negociojnë.  Në rastin më ideal, nëse kanë sukses si deri tani, për çka edhe angazhohen me pasion, Serbia do mundohet ta paraqesë veten si viktimë e Amerikanëve dhe anglezëve. Kur të arrihet kjo, atëherë ndarja e Kosovës do të jetë e paevitueshme. Atë që nuk arriti Millosheviçi me luftë, do ta realizojnë nacionalistët serb: Tadiçi dhe Jeremiçi me propagandë. Politika jonë në krahasim me të tyren duket diletante, infantile dhe e pa orientim të qartë. Me krijimin e vëllazërive të reja nga Thaçi drejt Lindjes, me dezertimin e tij politik, me durimin dhe motivimin e depërtimit të islamit politik, radikal në vend, vetëm sa ndihmohet politika serbe dhe ngadhënjimi i saj përfundimtar, rrjedhimisht anëtarësimi i saj në BEE. Kur të bindet edhe SHBA se Clinton gaboi - Serbia ka preferuar plan pesë vjeçar për bisedime, me shpresë se largohen Clintonët nga skena politike - atëherë si dëmshpërblim, Serbia do të bëhet anëtare e NATO-s dhe do të ndihmohet edhe ekonomikisht, edhe atë, me ndihmën e HashimThaçit, ish drejtorit politik të UÇK-së.

 

Përsëri më bekimin e Europës pranuam diskriminim. Kjo Europë, e cila mori pjesë në bombardimin e një regjimi fashist, pajtohen t’ i kthehen kopjet e arkivave të Kosovës. Serbia e Tadiçit demokrat, e konsideron të drejtë vjedhjen e arkivave nga fashisti Millosheviç dhe Europa pajtohet me sekuestrimin e origjinaleve. Kjo Europë, e cila mori pjesë në bombardimet e Serbisë, tani duket se pendohet dhe pajtohet me mosnjohjen e pasaportave të Kosovës. E pasaportave, që i njeh Europa vet. Kjo ishte ajo Europën, e cila i shkroi ligje Kosovës, ku gjuhë zyrtare shpallen edhe ato, që nuk fliten as nga për 2 qind e popullit, në anën tjetër, po me bekimin e kësaj Europe, në Maqedoni, vendosi që gjuha shqipe të mos jetë zyrtare, aty ku jetojnë më pak se 20% shqiptarë. Kjo Europë, e cila gjoja brengoset për të drejtat e romëve nëpër Ballkan dhe Europë, toleron asimilimin tërësor të shqiptarëve në Greqi. Gjermania për ruajtjen e kulturës së minoritet sllav me emrin sorb, paguan miliona euro në vit. Pse po ndodhin diskriminime të tilla? Pse jemi të varfër? Pse kemi politikanë delikuent e diletantë? Pse kemi politikanë maskarenj, që bëjnë tallava politikë?

Duke u bazuar në marrëveshjet e deritanishme, mund të mendohet se Ali Ahmeti, Hashim Thaçi dhe Sali Berisha mund të shantazhohen shumë lehtë, janë politikisht fragjil, kanë frikë dhe prandaj janë në duart e atyre që u japin urdhra, sepse në të kundërtën, do të përballeshin me drejtësinë. Ndryshe kjo nuk mund të shpjegohet. Aty mund të gjendet motivi pse përkrahet Salehu i Shqipërisë, Ahmeti i Maqedonisë dhe Hashimi i Kosovës. Edhe këta, pas përdorimit, do të hidhen si patate të nxehta nga duart, siç u hodhën Mubaraku, Gadafi dhe Saleh. Nëse mundësia e shantazhimit ndaj tyre nuk qëndron dhe ata janë vërtetë me integritet vetjak të pastër, atëherë këta njerëz, e duanë pushtetin më shumë se çdo gjë në botë. Atëherë mund të thuhen se janë karrieristë kronik, patologjik dhe nuk u intereson interesi kombëtar, por dobia vetjake.

 

Salehu jonë po përgatit Putinin e vet. Ai do të largohet nga skena politike vetëm pasi ta ketë ngritur një strukturë të sigurt, që nuk do ta ndiqte atë penalisht. Ai e din mirë se për vrasjen e katër vetave jashtë oborrit të Kryeministrisë, në demokraci të vërtetë, ndiqen penalisht edhe qeveritarët. Ai e din se në një demokraci të vërtetë, ndiqen penalisht edhe qeveritarë për Gërdecin, si dhe mijëra të vrarë si pasojë e piramidave. Mirëpo, një çerek miliardi euro të  vjedhur nga autostrada, ndihmon atë të mbetet në pushtet dhe t’ i blejë të gjitha vendimet e gjykatave. Opozita duke iu kërcënuar Salehut me hetime, e trishton atë dhe pengon largimin e tij pa siguruar pasardhësin besnik. Pasardhësi, që do t’ i garantonte pensionim të qetë dhe harxhimin e milionave në qetësi dhe harmoni familjare. Duket se ai ka nisur largimin dhe po përgatit Lulëzimin si Putin të vetin. Sa më i fuqishëm të bëhet Lulëzimi, aq më shpejt do të largohet Salehu...

Thaçi me këto koncesione Serbisë, përpiqet të tregohet konstruktiv, duke dëmtuar  shtetësinë e Kosovës dhe duke përforcuar pozitën e Tadiçit në Serbi. Me këtë qëndrim ndihmon integrimin e saj në BEE. Marrëveshja e tanishme tregon se presioni i Dick Martit dhe Tadiçit po tregojnë rezultatet e para. Thaçi dhe diletantja politike Edita Tahiri, do të bëjnë koncesione të reja dhe më të dhimbshme. Marrëveshja e parë ishte vetëm test për popullin e Kosovës. Jo vetëm kjo marrëveshje tani, por edhe tjerat do të spikasin fragjilitetin e Qeverisë së Kosovës, të cilin Thaçi e bën duke u përpjekur t’ i imponohet botës si i vetmi, që  mund të sjellë një pajtim me Serbinë edhe atë, pa pasur frikë nga dëmi i shkaktuar, nga revolta, sepse sipas tij, meqë ka luftuar, posedon legjitimitetin dhe licencën për ta dëmtuar shtetin e Kosovës në paqe. Dashuria e djeshme, nuk justifikon qëndrimin e sotshëm. Gatishmëria për vetësakrifikim nevojitet në kohë lufte, por në kohë paqe, nevojitet vetësakrifikim dhe dija. Idealist në kohë lufte dhe paqe, jo idealist në luftë dhe materialist në paqe.

Greqia vjedh si askush në Europë dhe bën politikë nacionale dhe ofensive drejt jugut të Shqipërisë. Maqedonia me një milion maqedon, bën politikë nacionale dhe diskriminon shqiptarët. Serbia me tridhjetë për qind pakica, bën politike nacionale serbe. Kosova me pesë për qind pakica, bën politikë multietnike, internacionale. Shqipëria, gati e pa pakica, bën politikë internacionale. Skenës tonë politike i mungon sedra vetjake dhe kombëtare (amour-propre). Politikanët shqiptarë, politikanët kosovarë dhe ata shqiptarë në Maqedoni, bëjnë tallava politikë. Kjo është arsyeja pse ne nuk e kuptojmë dhe e vështrojmë në heshtje pa kundërshtime të mëdha...

 

14.07.11



(Vota: 18 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora