E premte, 19.04.2024, 02:18 AM (GMT+1)

Kulturë

Zyba Hysa: Cimja

E enjte, 14.07.2011, 07:59 PM


Tregim

 

Nga Zyba Hysa

 

Cimja

 

Ndodh, që mes njerëzve të fisit, dikë ta kesh të veçantë, pa llogaritur afërsinë fisnore, apo barazinë dhe diferencën në moshë. Kështu më kishte ndodhur edhe mua , edhe pse para tij isha ende fëmijë. Ai ishte djali i hallës së babait, i cili ishte rritur bashkë me të ëmën në shtëpinë e gjyshit, ngaqë kishte mbetur jetim e s’mund të përballonin jetën. Kur u rrit, gjyshi e martoi me gjithë të drejtat pasurore, ashtu si të qe vëlla me babanë tim. Lindi shumë fëmijë. Njëri nga djemtë e tij u martua me tezen time, ndaj unë më shumë rrija tek shtëpia e tij(se u ndanë), se sa tek imja. Selim e quanin, por duke qenë shumë i moshuar, të gjithë i thërritnin Dajë. Gjithë jetën kishte qenë bari dhe kurrë nuk kam për t’i harruar rrëfimet e tij. Qysh kur isha e vogël, më merrte në prehër dhe më tregonte për ujqërit që sulmonin tufën dhe përleshjet e qenve me ta, për lepujt dhe fishnjarët që zinte me leqe e çarqe, për dhelprat që shtireshin si të ngordhura dhe sapo i lironte, ato iknin me shpejtësi.

Unë rritesha dhe Daja plakej. Kam lexuar shumë, kam parë filma, kam njohur shumë njerëz, por portret si të Dajës nuk kam lexuar e parë gjëkund. Shpesh i thosha me dashamirësi: “Ti Dajë ngjan me Papën e Romës!” Ai qeshte dhe veç atëherë dalloja ndonjë rrudhë në fytyrën e tij bardhoshe. Sytë si ngjyra e detit veror, ruanin e shpërndanin veç dashuri njerëzore. Bardhësia e flokëve i jepte fytyrës së Dajës, hijeshi dhe fisnikëri të prekshme nga cilido që e shikonte dhe bisedonte me të.

Sa herë vija nga shkolla, kthehesha tek Daja në fillim e më pas ikja tek shtëpia ime. Ai më puthte në ballë, më merrte duart mes pëllëmbëve dhe m’i ngrohte me frymën e tij, sikur të isha foshnjë. Pasi fillova punë, vija më rrallë në shtëpi e për pasojë edhe Dajën e shihja rrallë, por gjithmonë mendoja për të dhe mezi prisja ta shihja.

Një ditë, sapo dola në Bregun, pranë shtëpisë së tij, gjeta Dajën duke më pritur. Nuk bëri zakonin e përhershëm, por më kapi për dore dhe më tërhoqi drejt shtëpisë, sikur donte të më bënte ndonjë surprizë. U përshëndeta me tezen dhe u futëm tek dhoma me oxhak. Zjarri i vatrës kishte mbetur si një dashuri e harruar nga largësia dhe ashtu siç do merrte flakë nga një takim i papritur, dhe zjarri u ndez dhe mori flakë nga shpupuritja që i bëri Daja me mashë. Erdhi tezja dhe na solli nga një gotë qumësht. Ai nuk e piu, por e vendosi pranë vatrës dhe mu drejtua:

-           Shyqyr që erdhe, moj bijë, se më mbetën sytë nga

rruga.

-           Po, ja, Dajë, erdha... – thashë duke e parë në sy.

Edhe të gëzuar, edhe të trishtuar, ata sy edhe të mekur, edhe të fundosur në zgavër, e më në fund dallova përlotje.

-           Çfarë ke Dajë? – pyeta e shqetësuar dhe ju hodha në

qafë.

-           Do të them një sekret... nuk i kam thonë asnjërit... ty

të kam si të kam, moj bijë... Dajën e ke të sëmurë dhe do të vdesë! – foli dhe ndjeva ngashërimin të më gurgullonte ndër shpirt.

-           Ti je për bukuri të Zotit, - i thashë duke e larguar

dhe vështruar ngultas në sy.  – Çfarë flet ashtu?!

I mora duart, ashtu siç m’i merrte ai dhe ia putha me dashuri. Ato duar vërtet ishin transformuar. Ia putha me dhembje dhe mora forcë:

-           Sa i bukur duhet të kesh qenë Dajë! Kushedi sa

Cuca ke marrë në qafë... – thashë me humor për t’i larguar trishtimin.

-           - Eh, moj bijë, ti nuk do më lësh, as të vdes... Di të

gjesh bravat e shpirtit e nuk ka perëndi të pengojë ty ti çelësh ato, - tha duke fshirë lotët dhe qeshi si një fëmijë i ngazëllyer. – Mbase mund të më kenë dashur shumë, por unë veç një kam dashur. Kurrë nuk ia kam hedhur sytë ndonjë cuce tjetër, bile, edhe gruan e kam dashur si një burrë që kryen detyrën për të lindur dhe rritur fëmijë...

-           Cila ka qenë ajo, Dajë? – e pyeta për ta larguar më

shumë nga realiteti, se sa për të ditur për të.

-           Atëherë jetoja në shtëpinë e gjyshit tënd. Isha bari

me tufën e dhive. Të gjithë i dërgonin nga Bokat e bardha, Gryka e Lisavës, Tumja e Shën Kollës, ndërsa unë kisha gjetur një vend sa të fshehtë, aq të rrezikshëm, por me mjaft kullotë. I dërgoja nga Vërtopi.

-           Kam qenë andej. Shkonim me fëmijët e tjerë për të

ngrënë arra, se veç atje nuk na gjenin rojat e kooperativës. Zbrisnim poshtë tek pylli me bush e deri tek Përroi i Shesë. Qëndronim mbi shkëmbinj dhe këndonim, apo thërritnim me zë të lartë e gëzonim kur na kthehej jehona e zërit tonë. Mbase prandaj na trembnin nënat se andej ka xhinde...

-           Eh, moj bijë, flutur je dhe flutur i ke fjalët, - tha dhe

mori mashën, shpupuriti zjarrin, u mbështet me jastëk pas murit dhe tregoi...

 

***

-           Selim, - i foli me tu lutur e ëma tek po e ndihmonte për të nxjerrë tufën nga ahuri, - mos i dërgo për kullotë dhitë nga Vërtopi, se është vend i rrezikshëm e më rrëzohesh! Të keqen nëna! Thonë se andej ka xhinde...

-           Po, hë, moj nënë, mos u merakos më për mua, se tani jam i

rritur dhe di se çfarë të bëj. Shih sa jam bërë! Ta kaloj ty dy herë, - tha ai duke i shkuar pranë e duke u matur.

-           Bir, o Selim, ty të kam, ndaj merakosem shumë. Për mua je

biri im dhe çdo nënë ka merak për birin e vet, sikur edhe thinja të ketë ai në kokë.

-           Mirë, mirë, nënë, - i tha pasi mori përqafimin e përditshëm

të saj edhe iku me vrap për të arritur tufën.

-           Dhitë, të vëna si me komandë për një, ishin radhitur njëra

pas tjetrës në vragën, e vetmja rrugë që të çonte mes për mes Faqes, drejt Vërtopit.

-           Hej...hej...hej...kiçi...kiçi, - i ndolli Selimi, por ato as që e

prishën terezinë, veç vazhduan udhën. Ecën sa ecën dhe u shpërndanë Faqes për të kullotur.

-           “E po, s’ka gjë, le të kullotin!” - mendoi Selimi dhe u

shkoi pranë dalëngadalë. U ul mbi një gur përballë tufës dhe ia nisi një kënge me iso.

Qaje moj lule beharë,

Siç qan motra të vëllamë,

......................................,

Lule, lule në t’u ndafsha,

Si lisi në mal t’u thafsha!

eeeeeeeeeeeeeeeeeeeee...

 

Këndoi sa këndoi dhe pushtoi me sy Faqen matanë përroit e cila ishe plot gëmusha, dëllinja dhe aty – këtu ndonjë lis të moçëm. Dalloi një tufë me dhi që ishte shpërndarë dhe kishte arritur deri buzë përroit e pinin ujë. “Të kujt të jenë këto dhi? Do më ketë dëgjuar bariu!” – tha me vete dhe u ndje si me siklet. Sytë i mbetën matanë. “Si ka mundësi?! Pa bari qenka tufa?! Mbase do të jetë buzë përroit...” – mendoi sërish dhe mori vrapin për nga përroi. Me ardhjen e pranverës, borën e maleve e kishte zënë trishtimi qaraman dhe përroi, veç burimeve të zakonshme, mblidhte rrëke të shumta që zbrisnin nga shpatet e malit të  Shebenikut. Pjerrtësia dhe uji i shumtë, bënin që vende – vende, përroi të vinte male – male dhe ngjasonte si një përbindësh flokëbardhë. Selimi vraponte me vështrim matanë dhe kur shkeli mbi një gurë, as vetë se kuptoi se si guri u shkul dhe ra. U rrokullis disa herë dhe ndaloi pranë një guri në afërsi të përroit. Kishte humbur ndjenjat. Kaluan disa orë dhe Selimin e përmendi një gjë e ftohtë mbi fytyrë dhe dëgjoi gurgullimën e përroit. Hapi sytë, por i mbylli vetëtimthi, se para syve iu shfaq një vajzë dhe mendoi se nëna pati të drejtë. “ Mos vallë është xhind?! Pse kaq të bukur janë xhindet?!” mendoi dhe hapi sërish sytë i ndjellë nga kjo bukuri. Para tij dalloi mirë vajzën që buzëqeshte.  Nga shamia e kuqe si gjaku, me lule të shumëllojshme, thua se pranvera ishte ulur aty të pushojë, dilnin dy tufa flokësh si trëndelina mali. Mbi ballë dallohej vija ndarëse në mes, kapur me dy karfica bashkë me shaminë,  që siç tregohej në këto anë, gruaja duhet t’i mbajë flokët të ndara në mes, si shenjë e sakrificës për burrin e vet. Tregojnë se do të vrisnin burrin dhe pyesin gruan në do të vdiste ajo për të. Ajo nuk përgjigjet, por vendos dorën si thikë mbi ballë, për të thonë se për burrin i ndaj vitet e jetës në mes, pra donte të jetonte e të vdiste njëherësh me burrin, jo të vdiste dhe të jetonte burri. Ballin ia përshkonte në formë harku një zinxhir sermaje , varur tej e tej me florinj të vegjël, që nga zona i quanin grosharë. Sytë ishin pushtuar nga një diell gëzimi. Faqet si dy topa djathi të bardhë, që nga refleksi i jelekut kadife qëndisur me fije ari, kishin marrë një përskuqje vashërore... “Jam në ëndërr!” mendoi ai sërish i mrekulluar nga hijeshia e vashë, - xhind.

-           Mirë je tani? – foli ajo më në fund.

-           Cila je ti? – pyeti ai në vend që të përgjigjej.

-           Po kullosja dhitë matanë... të pashë që re dhe erdha

me vrap këtu...

-           Unë nuk pashë njeri me tufën...

-           Isha futur mes shkurreve dhe po qëndisja. Mezi e

kalova përroin... – tha dhe u mënjanua për të mos e parë ai, se qe lagur e bërë ujë.

-           Si e kalove përroin? – pyeti ai i shqetësuar.

-           Di një vend që deri në mes të përroit nuk është i

thellë, më pas hipën mbi një gurë dhe hidhesh këtej. Kur erdha e të pashë pa mend, u tremba. Mendova se kishe vdekur... Mora ujë me grushte dhe ta hodha mbi fytyrë... S’dija se çfarë të bëja... tani më duhet të shkoj, se po më pa njeri, do më vrasë babai.

-           Dale, - të përcjell unë... - tha dhe u mundua të

ngrihej, por nuk mundi.

-           Më jep dorën, - tha ajo kur e dalloi që s’mund të

ngrihej.

Duart e tyre u mbërthyen, thua se ishin dy pole të kundërta të një magneti e harruan... Ajo, as e tërhiqte, as ai nuk lëvizi. Sytë e tyre lëshuan urët dhe depërtuan nëpër udhët e shpirtrave, nëpër ato udhë që shkohet në mënyrë mistike...

-           Hë, çohu, - tha ajo më në fund duke mbledhur veten.

-           Ja, - tha ai dhe duke vendosur dorën tjetër në tokë, u

ngrit pa rënduar shumë mbi dorën e vajzës.

-           Ec, tani, - tha ajo duke tërhequr dorën që po i merrte

flakë në pëllëmbën e djalit.

-           Jo, jo, nuk iki, do të përcjell ty...

Vajza u nis drejt vendit kalimtar i këtij përroi të tërbuar, por shkëmbi nga ajo kaloi për të ardhur këtej, ishte andej më lart dhe nuk kalohej dot.

-           Po tani? – tha ajo e përlotur.

-           Hip mbi kurrizin tim! – tha ai i vendosur.

Ajo uli kokën e turpëruar dhe në fytyrë u bë lulëkuqe.

-           Mos ki turp...ti më shpëtove jetën...

Duke mos pasur zgjidhje tjetër, vajza që nga shkëmbi u derdh mbi kurrizin e djalit, qarkoi duart e i mbërtheu nën gushë.

-           Mbahu fort! – tha Selimi, por kjo qe një këshillë më

shumë për veten, se për vajzën.

Sa do dëshironte të ishim engjëj dhe të fluturoni n andej, ku dëshirat njerëzore respektoheshin mbi pasurinë, ku miqësi mund të kesh me kë të dojë zemra...

rrëmbeu një copë dru si hu për të matur thellësinë dhe u fut në ujë. Tashmë u përqendrua tek uji që sa vinte dhe shtohej thellësia. Me forcën e dëshirës, u hodh matanë.

-           E kujt je? – pyeti ai për ta mbajtur edhe pak.

-           - Jam e Hamza Roçit, - u përgjigj ajo shpejt.

-           Po emrin si e ke?

-           Mislime, por nëna më thërret Cime. Po ty si të

quajnë? – pyeti ajo pa e menduar.

-           Selim, por shkurt më thërresin Lim.

-           Ika... Lim, - tha ajo dhe iu ngjit faqes më shumë

këmba - dorazi se sa në këmbë.

Selimi u fut sërish në ujë dhe me shumë vështirësi doli. Trupi ishte mpirë nga të ftohtit. Mori rrugën për shtëpi, por nuk mundi as 100 metra dhe ra pa ndjenja.

-           Selim! Selim! Seliiiiiiiim! - thërriste vajza që e

dalloi kur ra dhe nxitonte për në shtëpi.

U dëgjua jehona e zërit të saj si një klithmë mortore dhe më pas buçima e përroit mbretëroi. Tufa e Selimit, pasi u ngop nga ushqimi i bollshëm, të udhëhequra nga instinkti mëmësor, u vendosën sërish në kolonë për një dhe përgjatë vragës që kalonte përmes Faqes dolën në breg e shkuan drejt e në shtëpi. Kur panë se Selimi nuk ishte me tufën, u shqetësuan dhe burrat shkuan ta kërkonin, sigurisht nga Vërtopi, si i vetmi vend i rrezikshëm. E gjetën në agoni. E vendosën mbi barela dhe e dërguan në shtëpi, as gjallë, as vdekur.

-           Bir, o Selim i nënës! – ulëriu fort nëna e tij kur e pa

në atë gjendje dhe ra mbi trupin e tij, aty në oborrin e shtëpisë.

-           Minushe, Minushe, moj motër, - i fliste i vëllai duke

e qëlluar në fytyrë për ta përmendur.

E ngriti nga trupi i të birit e mori para krahëve dhe urdhëroi ta dërgonin Limin në konak e të motrën e dërgoi tek kuzhina. Kërkoi shishen e rakisë dhe pasi ia vendosi tek hunda, Miushja u përmend.

-           Ku ma dërguat djalin?! – thërriti fort.

-           Eja, motër! E kemi vendosur në konakun e burrave,

pranë vatrës. Mos u merakos motër! Do e bëjë Zoti mirë...

-           Maliq, o vëlla! Atë kam! – tha ajo dhe ju hodh në

qafë.

Ai nuk e përballoi dhembjen e saj, ndaj me lot në sy e shtrëngoi në kraharor si për ti dhënë forcë e besim.

-           Eja Minushe, shkojmë tek Selimi, por më parë më

jep fjalën që nuk do të qash, - tha ai.

-           Nuk do të qaj, vëlla,por do të rri pranë tij. Do Zoti

ma kthen djalin! – tha dhe u mbështet në krahun e tij duke fshirë lotët.

Ishte e vetmja shtëpi me dy kate në fshat. Dhomën e burrave e emërtonin, konak, e kishin në katin e dytë. Ajo ishte shtruar me qilima ngjyrë vishnje me ornamente të thjeshta popullore. Mbi ta kishte shilte të mbushura me lesh deleje dhe mbi to kishte thekore të leshta ngjyrë të bardhë. Sa futeshe në derë, të dilte përballë oxhaku i madh mbushur plot me dru lisi që turfullonin dhe prushëronin në vatër. Aty, në njërën anë të oxhakut, ishte shtrirë Selimi mbi një dyshek të trashë, mbuluar me një velenxë të punuar me dy ngjyra, kuq e zi. Ai dukej sikur flinte. E ëma i shkoi pranë dhe tjerët u larguan. I ledhatoi kaçurrelat dhe një vështrim i të vëllait ia ktheu prapë klithmën. “ Pse ti ketë flokët e lagur?!  Mos e kanë marrë xhindet?! E zeza unë! Sikur ma ndolli zemra që e porosit mëngjes të mos shkonte andej! O mu thaftë goja!” - mendoi dhe nuk mundi të vejë fre lotëve. E puthte dhe e lau me lot.

-           Minushe, moj motër, më bëre një betim... – tha i

vëllai që rrinte në anën tjetër të oxhakut.

-           Nuk ka nënë në botë të mbajë asnjë lloj betimi, kur

sheh djalin e vetëm në këtë gjendje... tha dhe lëvizja e Selimit ia preu fjalët.

-           Ëëëëëëh, - u dëgjua një rënkim i tij.

-           Selim, Selim, Limi i nënës! – i foli duke u bërë njësh

me të.

-           Eja motër, - i tha duke e ngritur nga trupi i të birit, -

lere të marrë veten... ai po kthehet... ja e dha shenjën...

-           Fjalët tua në vesh të perëndisë, - ia ktheu ajo gjithë

shqetësim dhe vështroi lart.

Të gjithë shkuan të flenë nëpër dhomat e tyre pasi kishte kaluar mesnata. Nëna rrinte tek koka dhe në qoshen tjetër Maliqi. Heshtje. Vetëm gërhimat e flakëve të fundit ndiheshin në oxhak. Kjo heshtje ishte heshtja më zhurmëmadhe që kishte provuar ndonjëherë në jetë ajo. Kjo ia kalonte heshtjes mortore të vdekjes së të shoqit. Nëse atëherë e tërbonte ankthi i së ardhmes, tani me këtë bashkohej një dhembja tronditëse që ia lëkundte shpirtin si nga një tërmet me ballë të pa matura.

-           Cime! Ciiiiiime! – filloi të thërriste Selimi me sy të

mbyllur.

-           Selim, Limi i nënës! Jam nëna jote, që mos qofsha!

– por djali heshti. - O Zot, do ma kenë marrë xhindet djalin, - mendoi dhe i thirri të vëllait.

-           Maliq, duhet të shkosh tek hoxha se djalin e kanë

përplasur të bekumet... ato qofshin...  xhindet.

-           Po dale, moj motër sa të gdhijë dita një herë, - foli ai

duke larguar përgjumjen.

-           Ëëëëëëh, Ëëëëëëh.... Ciiiiiiimeeee... Ciiii...meeee,

Ciiii... meee...

-           Maliq, po flet përçart djali.

Maliqi u ngrit vërtik dhe shkoi pranë nipit të tij. I largoi flokët dhe i foli ngadalë.

-           Lim... o Lim! Jam daja... hapi sytë! – i thërriste, por

ai filloi të thërriste përsëri emrin e Cimes.

-           Ku është Cimja? – pyeti sapo hapi sytë.

-           Bir, jam nënë jote! Je në shtëpi... në konak... ja,

daja...

-           Hë, mor dajë, si je? – i foli Maliqi duke u afruar më

shumë.

-           Mirë, dajë, mirë – foli ai më në fund se u bind se

ishte në shtëpi.

Mbylli sytë sërish dhe po rikujtonte ndodhinë tek përroi. Fytyra e vajzës i dilte para sysh si hënë pesëmbëdhjetë dhe u ngazëllye. Filloi të mendojë për ditën që do ta takonte sërish dhe kështu e zuri gjumi.

Të nesërmen, e pse ishte i dërmuar dhe ndjente dhembje gjithandej, donte të shkonte me tufën, por as nëna, as daja nuk e lanë, kështu, deshi, nuk deshi, ndenji shtrirë edhe dy javë tjera.

Shpesh jeta na detyron të bëjmë luftë me dëshirat tona. Po çfarë është jeta? Jam unë, je ti, jemi ne, që në kohë të ndryshme formojmë disa ligje të pa shkruara, më ligje se ligjet e shkruara, se ato kanë të përcaktuar edhe kohën e dënimit, ndërsa këto janë me dënim të përjetshëm. Kështu, sapo vajzat mbushnin nënë – dhjetë vjeç nuk kishin të drejtë të shikonin njeri, por të rrinin pranë nënave për tu përgatitur për tu bërë gra dhe nëna me burrin që do tu jepte babai. Vetëm Cimja, si vajzë e vetme dhe pa vëllezër, ngaqë nuk kishin kush të ruajë bagëtitë, se prindërit punonin në arë, shkonte dhe rrinte fshehur nëpër gëmusha që mos ta shihnin. Jeta evoluon dhe sigurisht këto ligje duhen evoluar, por kush do ti ndryshonte këto ligje, Cimja?! Kjo vajzë fshati e pa dalë e pa shkolluar s’kishte forcë, ndaj la shpirtin tek Limi dhe rendi për shtëpi, ku gjeti të atin duke e kërkuar gjithandej. Ajo e ndjeu tërbimin e tij, por nuk kishte nga të shkonte.

-           Na vure vulën e turpit, moj të hëngrët mortja! Ku

ishe deri tani? E mori vesh gjithë fisi, moj t’u humbtë nami dhe nishani!

-           Nuk kam bërë gjë babë për të turpëruar... – tha ajo

me një fije zëri.

-           Nuk ka ç’më duhet mua bëre, apo nuk bëre gjë,

fjalët e botës s’i mbyll njeri, moj...moj...moj, - dhe e qëlloi fort me shuplakë duke e plasur për tokë.

-           S’kam bërë gjë , baba që të më rrahësh..., - tha dhe u

mbyt në lot.

Ai kurrë nuk kishte vënë dorë mbi të dhe nuk mund ta shihte aty shtrirë, ndaj urdhëroi të shoqen ta merrte.

-           Ti, moj, mos mu çarravi, por merre dhe mbylle

brenda .

E mori për krahu, e ngriti dhe më e tronditur se e bija shkuan në dhomë. Cimja u plas në shtratin e drunjtë . Nëna mbylli derën nga brenda dhe i solli rrobat për tu ndërruar, por ajo veç qante dhe nuk lëvizte. Ajo filloi t’i hiqte rrobat, ashtu sikur ishte e vogël dhe e ndërroi. Sa ishte gëzuar ajo, kur pas shumë vitesh martesë, i kishte lindur Mislimja, po aq ishte e shqetësuar ishte sot nga frika se nuk do ta shihte më. “Mos vallë ka shkuar nga shpella? Do ta kenë marrë xhindet dhe kushedi se nga e kanë përplasur”, mendonte ajo duke i ndërruar rrobat e lagura. E mbuloi me një velenxë me thekë dhe doli duke tërhequr derën ngadalë.

Atë natë shtëpia  kishte marrë flakë nga ankthi i nënë, tërbimi i babait dhe nga dëshpërimi dhe flladitmi xixëllonjës i zemrës së Cimes. Përhumbja në këtë flladi e bëri Cimen të harronte shuplakën e babait dhe të pushtohet nga ngjarja e pazakontë e asaj dite. I dilte parasysh Limi. Ashtu, i shtrirë siç e kishte gjetur ajo, ngjasonte si një div që nga çasti në çast do të zgjohej dhe do ta rrëmbente në krahët e tij dhe bashkë me të do të shihte botën, ashtu si në përrallat që i tregonte e ëma, me dragonj, diva, shqiponja... “Limi! A do të ketë shpëtuar vallë?! Do ta ketë gjetur njeri, apo ... Jo, jo, mos e thëntë Zoti që të ketë mbetur atje!” mendonte ajo gjithë ankth dhe as vetë nuk po e kuptonte se pse lotët nuk i pushonin. Ngandonjëherë, lotët janë si ninullat, të venë në gjumë. Dhe Cimja ra në një gjumë ëndërrimtar. Dhe ëndrra e dërgoi tek përroi.

“- Seliiiiiim! Seliiim! – thërriste nga matanë përroit dhe papritur u bë me krahë dhe u nis drejt faqes tjetër të përroit nga ku dëgjonte Zërin e Limit.

-           Cime! Ciiiiiimeeeeeee!, -  thërriste Limi nga ana

tjetër.

Të dy fluturuan drejt njëri - tjetrit dhe mbi rrjedhën e ujit u kapën për dore dhe fluturonin të pasuar nga qindra zogj, flutura dhe herë pas herë uji i përroit ngrinte shkul të bardhë në ajër , siç bëjnë valltarët në çastin kur vallja merr zjarr. Kur po afroheshin shpellës së frikshme, një dorë me kthetra të gjata e shkëputi nga Limi duke e tërhequr zvarrë brenda dhe grykës së shpellës i vuri një gur të madh.

-           Cimeeeeeeeeee!

-           Seliiiiiiiim! Seliiiiiim! Liiiiiiiim!”

Me emrin e Selimit në gojë u zgjua. U ngrit nga shtrati e mbytur në djersë. Shkoi të hapte derën, por ishte mbyllur nga jashtë. “ O Zot! Mos më kanë mbyllur si vajzën e Seitit që i dolën fjalë me një djalë? E mjera unë! Po Limi?! Do ta kenë gjetur vallë?! Pse kjo qetësi e madhe?! Ku të jetë nëna?” Fshiu sytë se nuk po kuptonte në ishte akoma në ëndërr, apo në realitet. U afrua dritares dhe pa diellin që kishte kaluar mbi kokën e Shebenikut dhe ishte bërë zot i gjithësisë. Për një çast u duk vetja si në shpellën që pa në ëndërr dhe u drodh. “Po tufën kush do ta ketë lëshuar për kullotë?” mendoi dhe thirri:

-           Nënë! O nënë!

-           .........................

“ Do të ketë çelur tufën për kullotë...!” mendoi sërish dhe trupin ia përshkoi  prapë një drithërimë ankthi dhe u mblodh në zemër një lëmsh duke e detyruar të rrahë me forcë dhe u duk sikur po mbytej nga gjaku që kishte marrë vrullin e përroit. “Po baba?! O Zot!” Si për t’i lehtësuar punën zemrës filloi të ecte përqark dyshemesë dhe më në fund u shtri në shtratin e saj të drunjtë. “Limi! mendoi dhe i shfaqej herë i shtrirë pa ndjenja, herë në çastin që u përmend dhe ndjeu vështrimin e syve të tij qiellorë dhe ngrohtësinë e dorës së tij. Më pas i dukej sikur fluturonte, ashtu siç e pa në ëndërr dhe nuk po kuptonte se çfarë ishte realitet dhe çfarë ëndërr, u ngrit sërish ndenji, por prapë i dilnin sytë e Limit. Ndjeu rrëqethje dhe ngurtësim të trupit, por ajo që fluturonte ishte zemra. Ajo nuk donte të dinte në ishte në realitet, apo në ëndërr, veç shqelmonte kraharorin për të fluturuar. Dhe doli. Iku. Fluturoi. Cimja, tashmë mbeti vetëm si një statujë e gurtë. S’kishte as frikë, as ankth, as lot... Gjithë ditën mbeti me vështrim tek një pikë pa ditur se çfarë priste. Heshtjen mortore të ditës e thyen më në fund zilet e dhive dhe e shkundën nga ngurtësimi dhe mendoi se tani do t’i vinte nëna. Dera u hap dhe nëna u duk në derë me një tas me qumësht dhe pak bukë.

-           Cime, bija ime, merr e ha një çikë bukë! Në mëngjes

nuk më la yt atë... më dërgoi me dhi dhe vetë nuk di se nga ka shkuar... – tha ajo, por zëri i tij e ngriti vërtik duke i nënë bukën pranë krevatit.

-           Dëgjove moj,?! Ku je futur? Eja shpejt në konak!-

thirri ai me të egër.

-           Erdha! – tha ajo dhe rendi.

Të shoqin e gjeti pranë vatrës me dy duart në kokë, sikur të kishte ndodhur gjëma.

-           Dëgjove, moj... e dhashë vajzën!

-           - Si e dhe?!

-           E fejova në Qarrishtë me një burrë të ve.... – tha dhe

ngriti sytë e bërë flakë nga dëshpërimi.

-           E mjera unë! – tha gruaja dhe i ra në gjunjë të

shoqit: – Vramë mua, veç këtë mos e bëj! Vetëm atë kemi! Mos m’i thaj sytë, o burrë!

-           Mori fund! – tha dhe ngriti kokën për t’i treguar se

vërtet kishte marrë fund. – për një muaj do ta marrin...

Atëherë gruaja ra si një pemë e prerë për tokë. Qau pa fjalë, rrihte tokën me grushte, shkulte flokët me thonj... Më pas heshti, thua se kishte dhënë shpirt.

-           Ngriu, moj grua, - e përmendi i shoqi duke i folur si

nga fundi i dheut.

-           Çfarë më bëre, more burrë... Më vrave e më le mbi

dhe! Si do të rri unë pa Cimen?!

-           Nuk kemi rrugë tjetër... kanuni kështu thotë! Nuk do

të bëjmë përveç tjerëve, apo do që të mos na shkelë njeri në derë.

-           Ç’t’i dua njerëzit, kur nuk kam zemrën time?!

Harrove, more burrë sa e ke dashur...

-           Kujton se nuk e dua, – tha dhe u shkreh edhe ai në

vaj, - por nuk na mbetet rrugë tjetër... të paktën do jetë gjallë dhe ne do shkojmë ta shohim fshehur fshatit.

-           I raft një flakë fshatit dhe atyre që e bëjnë fshatin! –

tha ajo me lot në sy.

U ngrit dhe shkoi tek Cimja me vrap, thua se po vinin krushqit për ta marrë.

-           Hë, nënë, çfarë të tha babai?

-           Do të martojë, bijë...! – tha dhe u hodh përsipër e u

mbërthyen me njëra - tjetrën dhe plasën në shesh, si Dhoqina me të ëmën. Sa do të dëshironin ato të ndodhte ashtu, por kur nëna u ngrit, pas një ngashërimi të gjatë, vuri re Cimen e shpërfytyruar. Ishte kthyer në një statujë të bronztë. Sytë e mbetur hapur përqendruar në një pikë pa shkëlqim, thua se kishin humbur funksionin e të parit, buza e qershinjtë, ishte bërë blu, thua se aty nuk ishte Cimja, por një fantazmë që nga çasti në çast do të sulej të përpinte nënën.

-           Cime! Cime! Ciiiiimeeee! – thirri fort dhe e lëkundi

për supesh, por ajo nuk reagoi. Ajo as fliste, as kundërshtonte, as aprovonte...

Që nga ajo ditë vetëm rrinte shtrirë pa ngrënë, pa pirë, pa folur...

Ditë pas dite, Selimi bëhej më mirë dhe më në fund vendosi të shkonte me tufën.

-           Kujdes, bir! – i tha e ëma, pa ia përmendur Vërtopin.

-           Mirë, nënë, mirë, - tha ai.

Ajo e puthi në ballë me ngazëllim dhe frikë njëkohësisht, ndërsa ai e puthi në dy faqe nxitimthi dhe u bë erë. “A do e shoh Cimen?!” mendoi.

Tufa mori rrugën e zakonshme. Limi mbërtheu sytë në faqen matanë për të dalluar  tufën e vajzës. E pa, por për çudinë e tij ulur mbi një gurë dalloi një grua me shami të bardhë në kokë. “Ku mund të jetë?!” mendoi prapë dhe nxitoi hapat. Kaloi përruan, tashmë më lehtë, se uji kishte rënë dhe u ngjit faqes matanë këmba – dorëz, ashtu si Cimja ditën që shpëtoi atë nga vdekja. U afrua gruas. Ajo kishte kryqëzuar duart në gjoks dhe sa vuri re djalin, u ngrit në këmbë. Shallvaret e zeza, jeleku i zi dhe shamia e bardhë, tregonin se ishte një grua rreth të pesëdhjetave. Kjo lloj veshje ishte e zakonshme për mosha të tilla. Edhe nëna e tij kështu vishej.

-           Si u gdhive? – përshëndeti ai si vendasit.

-           Mirë, o bir, - u përgjigj ajo pak e trembur.

-           Hë, po i kullot... – tha ai duke mos ditur se si të

pyeste për vajzën.

-           Po, more bir, po ti pse dole këtej nëpër ujë?

-           Më kanë humbur disa dhi dhe mendova se mos janë

bashkuar me tufën tënde...

-           Jo, or bir, jo, me tufën time nuk ka dhi të huaja.

-           Po dje ti ishe me tufën?

-           Kam dy jave që më ka zënë e keqja ta ruaj unë...

-           Pse, kush e ruante më parë? – foli ai pa u menduar

gjatë.

-           Vinte vajza ime, por i ati e fejoi dhe që nga ajo ditë

Pse e fejuat?! – pyeti sërish pa menduar.

-           Vajzat, po erdhën në moshë, duhen fejuar, ore bir,

por mua më ka zënë një hall i madh.

-           Çfarë të ka gjetur?! - tha ai dhe u afrua fare pranë

sikur ta kishte nënën e vet.

-           Që ditën që e fejoi i ati, - foli ajo lirshëm, - ajo as ha,

as pi, as flet... – tha dhe ia dha të qarit me ngashërim.

-           Pse nuk flet me të? Pyete se çfarë ka që rri ashtu...

-           I flas, i lutem, qaj, ajo veç më ngul sytë si një kec i

vogël që do të kërkojë diçka, por nuk ka gojë të flasë. Oh, Cimja ime! Të paktën këtej nuk e shoh. Kur nisem për shtëpi me vete them “ A do e gjej gjallë?!”

-           Ik, ik e ndihmoje, se ti ruaj unë dhitë! – tha djali

duke mbajtur me vështirësi lotët.

-           Rrofsh, more bir! – uroi ajo dhe fluturoi.

Selimi ndjeu se ajo drithërimë tronditëse, ashtu siç dëgjojmë oshtimë para se të ndjejmë tërmetin, po i zinte frymën. “ Cime! Cime! Cime! Ciiiiiimeeeeeee!” ulëriti fort dhe zëri pushtoi grykën e përroit dhe nuk kaloi shumë u kthye prapë si një oshtimë therëse. “ Të kisha parë edhe një herë! O Zot! Çfarë është kjo që po më mbyt?! ?! Pse nuk shkova edhe unë?! Po si?! Pse nuk jam engjëll e të shkoj fshehurazi e ta shikoj?! Pse jam njeri?! Ç’më duhet ky emër, kur nuk jam në gjendje të bëj ashtu siç dua?! Pse?! Pse?! Pse?! mendonte dhe lotët e mbytën. “Ciiiiiiiiiiimeeeeeeee! – thirri fort, por veç jehonës së zërit tij nga gryka e përroit, askush nuk iu përgjigj. Pse jam njeri! Pse jam njeri! Më mirë engjëll! Më mirë Engjëll! Ai nuk duket, shkon kudo dhe bën çfarë do! Pse u shërova?! Më mirë të vdisja e të kthehesha engjëll...! Pse jam njeri?! A jam njeri?! pyeste veten dhe këto pyetje që s’dinte të jepte asnjë përgjigje ia grinë shpirtin dhe duke mos ditur se çfarë të bënte për të nxjerrë helmin thërriste Cimes dhe dënonte veten që ishte kaq i pa fuqishëm për ta ndihmuar. “Si s’mund të bëj dot gjë?! Kush m’i lidh këmbë e duar?! Kuuuuuuuuush?! thirri fort dhe jehona iu kthye “Kuuuuuuush?!” Qëlloi tokën me grusht e nga dora filloi të rridhte gjak.

-           Ciiiiiiiimeeeeeee! – thërriste.

-           Ciiiiiimeeeeeee! – përgjigjej jehona.

Ra përmbys e qau si fëmijë.

-           O djalë, – i foli gruaja që tashmë kishte ardhur, - të

ka nënë gjumi?

-           Erdhe?! Si ishte Cimja?

-           Eh, more bir... Cimja ime, Hëna ime, S’kthehet më !

As që më njohu fare! Sikur ka nënë në gjumin e vdekjes e si nga një humnerë del një zë që thërret nga dita që nuk foli më me ne.  Nuk e di se çfarë do të thotë, o bir, fjala Lim. Mos ma rrëmbyen të bekumet xhinde! Veç ta shihje, o bir! Edhe e dobësuar, edhe me sy të mbyllur, ngjan me e bukur se asnjëherë. Ah, bukuroshja e nënë! hana e nënë! Thëllëza e nënë! Po si do të ikë nga kjo botë pa e marrë vesh se çfarë ka e mira ime?! O Zot! – filloi ajo të lutej me duar të ngritur lart nga qielli, - si të jetoj unë pa të, pa vajzën time të vetme?!

Kur ajo lutej Zotit, Limi iku duke mos guxuar t’i thotë dhe një fjalë. Fluturoi rrëpirës së faqes dhe kaloi deri në mes të përroit dhe u ul mbi shkëmbin që ajo kaloi ditën që e shpëtoi nga vdekja. Ndenji pak çaste dhe lotët i ftohte uji i borës së Shebenikut...

 

Selim kaloi natën më të gjatë të jetës së tij. “Le të më dhembte trupi, por këtë dhembje, që nuk di se çfarë të dhemb, nuk e përballoj dot!” - mendonte dhe përpëlitej në dyshek, aty pranë vatrës. Përpëlitjet e asaj nate qenë të pa sosura. Në të aguar ndjeu se diçka iu shemb brenda vetes. U ngrit me vërtik, hapi derën ngadalë dhe doli tek shkallët e larta dhe u ul. Kudo errësirë. Jashtë dhe brenda shpirtit tij, vetëm errësirë... Si për të kërkuar pak dritë ngriti kokën dhe pa qiellin. Kërkoi me sy gjatë... dhe ja, pa një yll që shndrinte nga drejtimi i lindjes. Ai ia nguli sytë dhe magjia e tij e tërhoqi, apo më mirë të them, e shkëputi nga realiteti dhe u bë njësh me të, por drita e agut pak nga pak pushtoi qiellin dhe ylli diku humbi..., por ai nuk i hiqte sytë nga drejtimi i tij.

-           Lim! Lim! – dëgjoi ai zërin e nënë dhe ndjeu

prekjen e saj mbi sup.

-           Hë, nënë?! – foli ai i trembur.

-           Pse je ngritur kaq herët, bir?

-           Ja, po rri pak nënë..., por ti futu brenda. Mos u merakos, jam mirë, - tha ai kur e pa të shqetësuar.

Ajo hyri për të bërë punët e mëngjesit me mend tha: “Nuk e kam mirë djalin, ato të bekumet xhinde, ma ngrenë nga gjumi...!”

Limi nxori tufën më shpejt se ditët tjera dhe kur doli në Faqen, pa shkuar në Vërtop, gozhdoi sytë në Faqen matanë, por nuk dalloi asnjë tufë. Herë pas here fshinte sytë se i dukej se ata po e humbnin funksionin e të parit gjer më në fund u duk tufa e dhive. Mori vrapin për andej, pa dalluar se cili qe me to. U hodh në ujë dhe arriti. Aty nuk ishte nëna e Cimes, por një djalë rreth pesëmbëdhjetë vjeç.

-           Pse ti me tufën? – pyeti ai në vend që ta

përshëndeste.

-           Ka ndodhur një fatkeqësi...

-           Vdiq Cimja!

-           Po, po, sot në të aguar...

Limi nuk e zgjati më bisedën, u kthye tatëpjetë Faqes, hodhi përroin e qëndroi mbi shkëmbin e Cimes. Qante?! Jo, jo, ulërinte! Ulërinte dhe jehona e grykës së përroit të Shesë, qanë dhe shkëmbinjtë e u duk se gjithçka u shemb dhe përfundoi në humnerat e shpirtit e nga thellësia ndihej një rënkim që e bëri Limin të shndërrohej në një qenie që nuk ngjasonte as me engjëllin, as me njeriun...

Mbase aty do të kishte mbetur, por papandehur, ashtu në mënyrë mistike, ndjeu krahët e Cimes që i kaluan për qafe dhe u lidhën në gushë. Ngriti duart dhe i ledhatoi. U drithërua. E ndjeu. Ajo ishte aty. Tashmë ajo ishte engjëll dhe askush nuk e pengonte të vinte tek ai të strehohej në shtratin e shpirtit që ishte shtruar për të dhe të mbetej aty përjetësisht. Një zë i brendshëm i tha: “Ngrihu, merrmë me vete! Kurrë nuk do të ndahemi, do të jem me ty!” U ngrit dhe mori rrugën për shtëpi. ..

Nga ajo ditë, ai ngrihej herët dhe dilte tek shkallët e shtëpisë, kërkonte yllin e mëngjesit dhe me vështrim të ngujuar aty, rrinte derisa drita pushtonte gjithësinë. Më pas lëshonte tufën për kullotë, vraponte tek Guri i Cimes, ulej dhe përherë ndjente duart e saj rreth qafës e më pas të lidhura nën gushë, ashtu si ditën që ai e nxori nëpër ujin e përroit...

 

***

Vitet pasuan njëri tjetrin dhe Selimi e pse po kalonte moshën për t’u martuar, nuk kishte pranuar asnjë vajzë që daja dhe farefisi i kishin rekomanduar për nuse. Lutjet e vazhdueshme  dhe  shqetësimet e saj për djalin që nuk vendoste të martohej, bënë që nëna e Limit të sëmurej rëndë.

-           Bir,-  i tha ajo një ditë, - teksa Limi i shërbente, - siç

e sheh, unë nuk po përmirësohem, ndaj më plotëso dëshirën time për të parë me nuse, bir.

Vetëm ty të kam në këtë botë, dua të gëzoj edhe unë si çdo nënë... – tha dhe ngashëreu aq shumë, sa Limi mendoi se po vdiste.

-           Nënë, nënë, - thërriste ai i helmuar deri në palcë. –

Përmendu, nënë! Të lutem mos më ik! Edhe unë vetëm ty të kam! Të dua shumë nëna ime... shumë...!  – fliste dhe ju hodh përsipër duke qarë.

-           Bir, o Lim, - foli ajo si nga dheu, - mos qaj, se jam

mirë... jam mirë....

Ajo hapi sytë e mekur dhe loti nuk kishte fuqi t’i rrëshqite, por mbushën gropëzën e syrit, që Limit i dukej si një det i pafund lotësh. U mallëngjye aq shumë, sa u ngrit dhe shkoi të kërkonte dajën.

-           Dajë Maliq... më gjej një nuse...  se do të martohem.

Dua ta gëzoj nënën...

-           Të keqen, daja ty, për hajër na qoftë, se nusen e gjej

deri nesër. Kush nuk ta jep vajzën ty, more dajë! Ti je me i bukuri i fshatit...

Kështu për tri ditë filluan të dëgjohen këngët e para në shtëpinë e tyre të madhe. Këndohej dhe qahej... Nëna rrinte e mbështetur pas murit dhe harroi dhembjet. Ishe e lumtur. Vërtet njeriu dhe i sëmurë ndjehet i lumtur. Gëzimi i shpirtit shëron dhembjet e trupit, bile thonë shpesh edhe kur vdes,  njeriu është i lumtur, kur ikën nga kjo botë me dëshira të realizuara. Dasma qe e madhe dhe për çudi nëna u ngrit dhe në valle. Pasi mbaroi dasma, sipas zakonit dhe mbyllej dhëndri me nusen. Ata shiheshin për herë të parë në dhomën e tyre. Nën tingujt e lodrës dhe pizgës, duke e qëlluar me shuplaka dasmorët, Limi u fut tek dhoma e dhëndërisë. Nusja rrinte sipas zakonit e mbuluar me duvak dhe priste dhëndrin që ta zbulonte. Limi në vend ta zbulonte u ul dhe përnjëherë kujtoi Cimen. Ndjeu duart përreth qafës dhe harroi ku ishte. Nusja nuk lëvizte, thua se ishte një statujë e mbuluar dhe priste çastin e përurimit dhe zbulimin e saj. Ai harroi ku ishte dhe çfarë duhet të bënte, thua se të dy ishin statuja, por ai nuk kishte fatin e saj, se  askush nuk mund të zbulonte shpirtin e tij. U ngrit. Me dy duart i ngriti duvakun me ngazëllimin e dëshirës për Cimen. Ku Cimja, ku ajo. Megjithatë, ai e mblodhi veten dhe i tha që të flinte dhe vetë shkoi mbi arkëzën e rrobave, mbi të cilën ishin vendosur dyshekë dhe jorganë nga paja e nuses dhe u shtri mbi ta dhe me përqafimin e përnatshëm të Cimes, e zuri gjumi.

Kështu kaloi mbi një muaj dhe nusja flinte në krevat e Limi mbi arkëzën e rrobave. Nëna vazhdonte të ishte e sëmurë, por e lumtur, tek shikonte nusen nëpër shtëpi, që veç punonte e nuk i dëgjohej zëri i gojës.

-           Hë, moj bijë, - foli me dashuri një ditë tek po e

ushqente, - ke ndonjë prishje mideje?

-           Jo, nënë, mirë jam...

-           Po të them në se je shtatzënë. Dua të marr vesh që

do më bësh gjyshe dhe të vdes...

-           Nënë... po unë..., - foli ajo dhe ndërpreu fjalën, uli

kokën dhe i shkuan lot.

-           Çfarë ke bijë?!

-           Asgjë... asgjë, por Ai nuk fle me mua.

-           Pse?! – u habit ajo.

-           Që natën e martesës, Ai nuk fjeti me mua.... mbase

nuk më do...

-           E mjera unë për djalin! - thërriti fort dhe ra pa

ndjenja.

-           Nënë! Nënë! – thirri fort, por ajo për herë të parë

nuk u përgjigj.

Nusja e Limit doli nga dhoma duke kërkuar ndihmë. U mblodhën rreth saj dhe pas një ore, ajo u përmend.

-           Ku është Limi? – pyeti ajo dhe kërkonte me sy

përqark.

-           Me tufën... – sqaroi i vëllai, - por ti mos u mërzit se

për një orë vjen.

Megjithëse pak kohë dhe vinte, Maliqi i dërgon djalin e tij për ta lajmëruar, se e ëma ishte keq.

-           Nënë, - thirri ai sapo pa se përreth saj ishte mbledhur

gjithë familja.

-           Lim... bir... dua të flas... me ty... - tha dhe vështroi

ata që kishte përreth për të lënë të kuptonin se duhet të largoheshin, se do të fliste vetëm për vetëm me djalin.

-           Bir, - foli ajo, pasi mbetën vetëm, - nëna të do me

fëmijë... mos më lër të vdes me peng në zemër. Nuk do më tretë dheu... bir... – foli me vështirësi dhe mbylli sytë, thua se dha shpirt.

-           Nënë, nënë! – thërriste Limi me sa kishte në shpirt.

-           Selim... Limi i nënës... nuk ka faj nusja... më premto

se do të më gëzosh me nipër e mbesa... – tha dhe ra përsëri në agoni.

Ai doli me vrap, gjeti nusen e tij dhe shkoi përsëri tek nëna.

-           Foli nënës, - i tha ai nuses.

-           Nënë, nënë... jam nusja e Limit...

-           Nusja... e nënës... gëzoma djalin me fëmijë!

-           Po nënë, do bëjmë shumë fëmijë, djem dhe vajza, do

ta mbushim plot shtëpinë, por ti bëhu mirë... - tha Limi duke i shtrënguar dorën me dashuri e dhembje njëkohësisht.

-           Lim! Li... – dhe fjala u pre si me thikë dhe dora u

derdh mbi të tijën.

I thirrën, qanë mbi të, u mblodhe dhe gjithë familja, por ajo nuk u kthye më, veç mbi buzë i kishte mbetur një buzëqeshje...

 

- Fund -



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora