E marte, 16.04.2024, 06:48 PM (GMT+1)

Mendime

Alessandro Leogrande: Kosova si shtet i së drejtës e jo si vend i monumenteve

E premte, 08.02.2008, 07:48 PM


KOSOVA SI “SHTET I SË DREJTËS” E JO SI VEND I MONUMENTEVE, VARREZAVE E TELAVE ME XHEMBA

Nga Alessandro Leogrande

Andrra e pavarësisë së popujve, në lirinë e tyne dhe në vetëvendosjen ka agjitue vetëdijet europiane në dy shekujt e fundit. Realizimi i vlerave t’iluminizmit, të demokracisë, t’antitotalitarizmit ka kalue përmes “pranverës së popujve”. Gjithsesi ka gjithmonë nji zonë grihe ku patriotizmi demokratik (dhe në disa raste revolucionar) rrezikon me u ba nacionalizëm, racizëm, maskilizëm dhe – në raste të skajshme – autoritarizëm antidemokratik. Italia – që ka kalue nga Risorgimento e Mazzini’t dhe Garibaldi’t te fashizmi i Mussolini’t – asht nji shembull vettitës.

Kosova asht sot e thirrun me e marrë nji rrugë të përshkrueme prej vendeve të tjera europiane. Me u çlirue nga rode që i zhysin rrajtë e veta shum herët në kohë. Por këtë nuk duhet ta bajë në Tetëqindën, por në nji kontekst regjional dhe ndërkombëtar, ku globalizimi i ekonomisë dhe politikës e ka ndryshue thellësisht mënyrën tonë të t’kuptuemit të relatave shtetnore dhe sociale.

Me këtë nuk due me thanë që kosovarët nuk kanë të drejtë me ba Shtetin e vet. Përkundrazi, në shum kuptime kanë edhe të drejtë me i ba po ato gabime që i kanë ba shoqnitë e tjera, kombet e tjera. Prapëseprapë, pika mbi të cilën duhet reflektue asht nji tjetër: shum e shum herë i kemi pa të shtypunit tue marrë sifatet e shtypësit. Tue formue sisteme të reja pushteti të ngjashme me ato prej të cilave e kanë pësue. Tue nderue dhunën e hakmarrjes dhe autoritetit të të mbramëve që ia behin, në vend të lirisë.

Dëshira për vetëvendosje e komunitetit kosovar asht nji përgjigje e qartë ndaj shtypjes serbe, ndaj dhunës së serbëve, ndaj delireve të Milosevic’it dhe imituesve të tij, ndaj nji forme të egër fashizmi që e ka la në gjak Ballkanin në vitet nandëdhetë. E kaluemja, e shkueme dhe e tejshkueme, ka shum randësi. Por nëse Kosova don sakt me e mbërri pavarësinë e saj (pavarësinë e të gjithë banorëve të saj, dhe jo vetëm të elitave në qeveri), dhe don me e ngjyrosë këtë pavarësi me demokraci e liri, nuk ka tjetër alternativë pos asaj me hedhë themelet e nji shteti modern të së drejtës. Komunitetet nacionale të bazueme mbi gjakun,  mbi kultin e të vdekunve dhe të armëve, mbi nostalgjinë e luftës, mbi lemerinë për anmiqtë (edhe kur plagët e hapuna duken të legjitimueme nga kjo lemeri) e humbin shpejt rrugën e demokracisë. Huazojnë sifatet e shtypësve të tyne të maparshëm.

Shkrimtari i madh italian Carlo Levi, që ka marrë pjesë te Rezistenca në grupin Giustizia e Libertà, nji herë ka shkrue: “Shtetet-idhuj nuk mund të lindin veçse nga gjaku, nga gjaku i derdhun i bijve dhe anmiqve, nga sakrifica e mistershme njerzore, gjenerator i kuq perëndish, nga lufta”. Ky ishte shteti fashist; shoqnia e re post-fashiste duhet të themelohej mbi gradën maksimale të autonomisë të të gjithë individëve. Mbi autonominë e komunave, të fabrikave, të universiteteve, të pakicave religjioze... Në nji mënyrë konceptimi të institucioneve diametralisht të kundërt ndaj atij të Hitlerit dhe Mussolini’t.

Antifashistët italianë ma të matun e kishin kuptue se mënyra ma e mirë për ta mposhtë fashizmin, për me qenë deri në fund antifashistë, ishte ajo për me e përjashtue fashizmin, çdo formë edhe minimale fashizmi, nga mënyra e vet e të menduemit dhe e të qenit. Me e zbue përgjithmonë idhujtarinë e Shtetit, kultin e Shtetit të fortë dhe të duçeve, mitin e një komuniteti të pastër ku ai pasqyrohet.

Pajtohem plotësisht me betejën e Predrag Matvejevic’it kundër “talebanëve ballkanikë”. Intelektualët e këqij e kanë përgjakë Ballkanin poaq sa edhe milicitë ushtarake dhe paraushtarake: qofshin talebanë nacionalistë, qofshin të natyrës fetare (katolike, ortodokse dhe, anipse në mënyrë ma vogël, myslimane). Për t’ia mbyllë derën horroreve të së shkuemes, nuk ka mënyrë ma të mirë – edhe në Kosovë – sesa me zbue çdo formë nacionalizmi dhe obskurantizmi religjioz. Po e përsëris: të pasit qenë i shtypun, nuk e përligj kurrë adoptimin për kontrast të forma mentis të shtypësit.

Kjo asht nji betejë shum e madhe kulturore për t’u luftue. Por edhe nji betejë institucionale. Nëse, ashtu siç e uroj, Kosova do e mbërrijë pavarësinë e plotë brenda nji kornize europiane, institucionet që do i japë vetes nuk duhet të kompozojnë jo nji “Shtet të gjakut”,  por nji “Shtet të së drejtës”.

Miku im Yitzhak Laor, poet dhe gazetar izraelian, bir hebrejsh të kyçun në nji kamp përqendrimi, prej vietsh mëton – tue i skandalizue të gjithë, edhe të majtat europiane – se Izraeli nuk ka me qenë kurrë nji demokraci e vërtetë derisa do jetë nji Shtet hebraik, dhe jo nji shtet qytetarësh, i të gjithë qytetarëve që e banojnë. Sionizmi, mëton ai tue ngjallë nji grethnajë polemikash, çprej frymës së vetëvendosjes asht transformue në ideologji raciste.

Janë fjalë të forta, e kam parasysh. Por do dojshem me sugjerue – tue i ruejtë ndryshesat – po këtë mënyrë arsyetimi edhe për shtetin e ri kosovar. Demokracia e vërtetë matet me gradën e lirisë dhe autonomisë që i jepen minorancave (pikërisht ajo çka pushteti i Beogradit nuk ka arritë kurrë me garantue). Nuk mjafton me folë për demokraci oksidentale, për Europë për vlera t’iluminizmit. Për polici efikase dhe luftë ndaj kriminalitetit. Për qeveri të fortë dhe kufij të sigurtë. Duhet t’i hiqet ndezësi nacionalizmit, mitet etnike, tue u nisë prej vetvetes. Me krijue bazat e nji Shteti që mund të banohet prej të gjithëve, jo vetëm prej shqiptarëve.

E di mirë se shumkush ka me i konsiderue këto fjalë utopike, të shkrueme nga nji italian pak i njoftuem me faktet. Por nuk ka rrugë tjetër për me e ba Kosovën nji vend të lirisë, të banuem nga burra e gra të lirë. Jo nji vend i luftës permanente, i varrezave, i monumenteve dhe i telave me gjemba.

Nji Kosovë e themelueme mbi “Shtetin e së drejtës” asht përgjigja ma e mirë për t’iu dhanë Putinit, nuk asht utopi.       

Përktheu n’Gegnisht nga Italishtja Astrit Cani       



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora