E shtune, 20.04.2024, 03:47 AM (GMT+1)

Kulturë

Daniel Gazulli: E përditëshmja

E marte, 12.07.2011, 08:04 PM


E PËRDITËSHMJA

 

NGA DANIEL GÀZULLI 

 

Mbi të përditëshmen kanë thurë vargje poetët, kanë ba studime filozofët. Konsiderohet si ma e randësishmja për jetën e njeriut, edhe pse e marrë pothuej përherë në thjeshtësinë e saj ma prozaike.

Që të mund t’i japim përmasa ma të efektëshme të së përditëshmes, asht e nevojshme të lodhim trunin edhe me abstraktimin (vetëdijësimin) e saj.

Kam përshtypjen se, në emën të së zëkonshmes, kalojmë në thjeshtësime që nuk na ndihmojnë të kuptojmë thelbin e problemeve, qoftë edhe atyne të quejtuna “të përditëshme”.

Bergson thotë: “Në vetëdije ka pafundësisht ma shumë mundësi trajtimi se sa vetë truni korrispondues”.

Reflektimi mbi përmasa të tilla ban të rrihen rrugë e orientime të pafund dhe vetëdija jonë ndjen frymëmarrje përherë e ma të thellë. Vetëm një kandvështrim i tillë ban të mundun të vendoset edhe e përditëshmja në raporte nga ma të skajshmet hapsinë-kohë.

Nuk asht fjala për konceptet fizike e matematike, që shkenca ka ma shumë se një shekull që përpiqet të na i bajë sa ma racionale. As për përfitimet e mëdha teknike e progresin teknologjik në saje të kësaj teoria.

Asht e domosdoshme që të vendosim pikërisht të përditëshmen në këto raporte tashma filozofike, jo matematike, që të abstraktojmë mbi te e të kërkojmë që të rritet edhe ajo cilësisht; nëse e lamë në nivelet e një trajtimi të randomtë, ajo na  rrëmben, ose ma mirë me thanë, na përgjumë.

E përditëshmja e pame në nivel njëpërmasor humbë edhe vlerat ma minimale. Ajo njëtrajtësohet në hapsinë e kohë dhe pengon zhvillimin.

Në imagjinaten tonë një ngjarje e ndodhun në një hapsinë të përcaktueme saktë e në një kohë të matëshme me instrumenta, mund të abstraktohet në hapsinë virtuale e kohë gati të pakapëshme prej vetëm disa sekondash, nga një herë disa të dhjetat e sekondës. Ky, pra, asht kapaciteti i vetëdijes sonë, që duhet “ta zgjojmë” gjithmonë, që të mos lejojë që e përditëshmja të na zvarrisë mbas vetes në formën ma të damëshme rutinore.

Për të realizue këte nuk kemi nevojë t’u drejtohemi teorive ajnshtajnjane, pak të kapëshme prej të gjithëve, por thjeshtë vullnetit tonë për abstraktim, si instrumenti ma i randësishëm për shtytje cilësore të së përditëshmes.

Secili prej nesh ka një nivel të dallueshëm përmasash individuale të të jetuemit të një përvoje të caktueme, në rastin në fjalë, të së përditëshmes.

Pra, po të thërrasim në ndihmë edhe një herë Bergsonin, nuk do të ishte e vështirë të kuptonim se rutina na ban ta jetojmë të përditëshmen në mënyrë shumë sipërfaqësore, shumë të cektë, kurse po ta vendosim ate në shtratin e vetëdijes, atëherë edhe ngjarja ma e thjeshtë merr të tjera përmasa, tjetër thellësi, për rrjedhojë, tjetër cilësi. Sepse, sado e randomtë të duket ajo, asht gjithmonë një hallkë që lidh të djeshmen me të nesërmen. Një qasje shpërfillëse do të çvlerëvsonte jo vetëm të sotmen, por rrezikon, të paktën cilësisht, edhe të ardhmen. 

Që këtu mund të arrijmë në përfundimin se përmasat e vërteta të së përditëshmes nuk janë ato sipërfaqësoret, por ato që gjenden mbrenda nesh, pra në vetëdijen tonë.

Tue qenë se pikërisht tek e përditëshmja kemi kaq paragjykime në komunikimin me të tjerët, edhe pse përmasat vetëdijësore janë ende edhe ma të personalizueme, kjo na ndihmon në komunikimin në bashkësi, pse paragjykimi në vetvehte lind dhe vdes pikërisht në përceptimet sipërfaqësore të së përditëshmes, kurrë në abstraktimin e tyne.

Përmasat vetëdijësore janë përçuesi i vetëm dhe ma i fuqishem në komunikim.

Ja ku arrijmë në përfundimin e dyfishtë: abstraktimi si instrument rritjeje cilësore dhe njëherësh instrument i randësishëm dhe ndoshta i vetëm i komunikimit pa paragjykime ndaj të tjerëve.

Pra, le t’i themi jo të së përditëshmes rutinore.



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora