E marte, 23.07.2019, 08:43 AM (GMT+1)

Kulturë » Kozeta

Keze Kozeta Zylo: Si lëndina me luleshqerre

E marte, 12.07.2011, 07:59 PM


Si lëndina me luleshqerre

 

(Një dhuratë e vyer nga një mik shkrimtar, qeparotas i nderuar, z.Janaq Pani)

 

Nga Keze Kozeta Zylo

Dhuratat gjithmonë janë të bukura, ato i mban si gjë të çmuar në vende tepër të veçanta.  Eshtë e çuditshme se si disa dhurata të vinë si prej qielli, edhe pse ata që t'i kanë dhuruar si ke takuar kurrë.

Unë se ç'kam një ndjesi që këto lloj dhuratash i pëlqej, i vlerësoj dhe publikoj më shumë, ngase ato flasin me vargun e gjuhës sonë hyjnore, vetëm SHQIP!

Libri me titull aq ngacmues "Xhepat e Gjyshit", më çoi në një kohë të largët, por shumë ëndërrimtare, në kohën e fëmijërisë, ngase vargjet kanë një lirizëm të përkryer të rrëfyeri, ashtu siç e meriton bota e bukur e fëmijëve, bota me xixëllonja...

Rrëmbimthi i lexova të tre librat sjellë nga ky autor në postën time private, dhe në vesh akoma kishja zërin prej një shkrimtari xhentëllmen, kishja zërin e ngrohtë në bisedë telefonike të një shkrimtari fisnik për fëmijët.

Këto libra marrin dhe më shumë kuptim, ngase dhurohen për nxënësit e shkollës shqipe, për mësuesit e mrekullueshëm, të cilët po bëjnë një punë nga më fisniket këtu në New York.

Unë mezi po pres shtatorin e cicërimave shqip, fillimin tradicional të vitit shkollor dhe t’ju mbush fëmijëve dërrasën me vjersha nga xhepat e gjyshit, shkrimtarit Janaq Pani ku një prej tyre është vjersha si më poshtë:  Koshat na i mbushi vjeshta/ Plot me fruta lloje-lloje/ Gjyshi xhepat zbraz me vjershta/ T’ëmbla si mjalti me hoje/ Dhe të bukura si t’i doje…/”

Mjaft poezi nga librat” Vjershta e Gjyshit” dhe “Xhepat e gjyshit me vjersha”, duken sikur bisedojnë me dallandyshet në ballkon të cilat i ke gostitur me thërrmia, dhe prej aty lind poezia, do të shkruajë autori.

Në çdo vend të botës shkrimtarët u shkruajnë nga thelbi i shpirtit botës së fëmijëve, kështu duke lexuar vargje nga libri në fjalë si: “Syçkat mbyllin vogëlushet/ çfarë fshehin atje brenda/ Si brof lepuri nga gëmusha/ vrapin nis ashtu dhe ëndrra/, papritur të kujton autorin hollandez Dick Bruna me “Mifin në parkun e lodrave”, ku lepurushes  veshllapushes i është vënë emri Mifi dhe që shumë prej fëmijëve lexues e duan shumë këtë emër… Miffy (Nijntje in the original Dutch).

Me majën e hollë të penës në këto vjersha nuk mungon dhe metafora e kritikës, si tek “Lagjja jonë mbet hutaqe”, autori fshikullon moskujdesjen e njerëzve për parqet që i lënë djerrinë, ndaj ai shkruan: Edhe bari hiqet zvarrë/ si zvarritet një i vrarë/ As për lulet s’ka më emra/ lulishtarit i dhëmb zemra/.

Fëmijët në këto libra do të hyjnë qetësisht dhe vrullshëm me gjithë sinqeritetin e tyre, ngase aty gjejnë çelësin e dritës poetike, rregullin metrik, muzikalitetin e vargut, që na e mëkon aq mjeshtërisht autori.

Ka mjaft vargje që kanë rimën e puthur dhe ato i bëjnë më tërheqëse kur i lexon si: “Per çka ndodh s’do besoje/ Lulet thotë s’kanë gojë/ Me durim pret lulishtari/ si dallandyshja beharin/ Ka një shpresë dita do vijë/ prapë t’I rritë si fëmijë/.”

Janaq Pani është një autor i dashuruar pas natyrës, çka e bën dhe më interesante vargun e tij për fëmijët.  Elementet e natyrës janë të pranishme në shumë poezi të librave të tij, ngase vetë fëmijët nuk mund të kuptohen pa pemët, zogjtë, lulet, dallandyshet, qoftë dhe për nostalgjinë e vendit të tij të bukur Qeparo prej të cilit ai ka mote që është larguar.  ndaj autori shtrydh lotët e mallit nga sytë dhe rrugës së kurbetit i vë pritë...

Shkrimtari Pani duke pasur statusin e gjyshit vetë, duket sikur hyn dhe më imtësisht në zemrat e fëmijëve, ai plot pasion i këndon gjyshërve dhe fëmijëve dhe ja si shkruan për nënat gjyshe: “Kur shkel mbi qilim/ si thëllëzë nëna/ edhe kur s’e shoh/ ma ndien vetë zemra/ Kjo puthja e nënës/ në faqe në ballë/ si të ngre në këmbë/ e të bën me krahë!”

Dashuria që ndjen vetë autori për nipërit dhe mbesat e tij merr një vlerë përgjithësuese për gjithë gjyshërit e tjerë që i duan dhe iu thonë fëmijeve sipas thënies popullore: mjaltë i mjaltit.  Vargjet e poetit jane si hoje zemre për gjithë lexuesit janë të ëmbla për t’i mësuar përmendsh ngase ke se ç’të përfitosh në shumë drejtime si në anën pedagogjike po ashtu dhe psikologjike të botës së tyre pafund.  Të qenit gjysh vetë, ai ndjen se si përtërihet, flak tutje vitet e moshës duke ju drejtuar miqve të tij lexues plot humor e miresi: “Dhe ta dini, miq një fjalë/ kur qesh mbesa/ kur qesh nipi/ gjyshi hop na bëhet djalë/ lart në pemë mund të hipi!”

Mbesa dhe nipi të jep forcën e rinisë, të jep forcën e shpresës, saqë dhe pemët duket sikur harlisen nga dashuria dhe prehëri i gjyshes që ka mjaltë plot sa një koshere.

Duke lexuar librin u ndjeva fëmijë, harrova gjithçka rutinë të ditës, ngase vjershat ishin një fllad që të përkëdhelnin, të çonin në shtigje e gëmusha, të sillnin pranë një lule trëndeline, një nanurisje gjysheje që iu këndon zemra dhe shpirti dhe që si zana zbresin gjumin mbi qepallë.  Shumë prej tyre të jepnin ndjesinë sikur ishje në muaj qershori, në muajin e fëmijëve dhe të qershive, dhe ti si lexuese qershitë dy nga dy i varje si vath të bukur në vesh...

E duke përfunduar të gjitha vjershëzat m’u duk sikur u shtruan lëndina të tëra me luleshqerra që nxirrnin syçkat në një ditë të bukur pranverore…

11 Korrik, 2011

Staten Island, New York



(Vota: 15 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT