E premte, 19.04.2024, 07:14 PM (GMT+1)

Mendime

Besi Bekteshi: Jo të fërguara, më mirë të zjera!

E enjte, 07.02.2008, 05:57 PM


Jo të fërguara, më mirë të zjera!       

Nga Besi Bekteshi

Ka ditë që mediatikisht qeveria shqiptare sulmohet jo vetëm majtas, por tashmë edhe djathtas, për mos kontrollin që ka mbi elementë të shumtë të përditshëm, ku çmimet e tyre kanë filluar një lartësim galopant dhe ku maskaralleku dhe abuzivizmi krijon pakënaqësi të pa masë dhe tepër acarues.Natyrisht që kisha kohë pa dalë në pazar apo treg e thënë në mënyrë më “moderne” dhe ditën që e provova, kuptova se në fund të fundit edhe pse përdoret politikisht nga opozita kjo histeri çmimesh, e drejta qëndron aspak shumë në krah të qeverisë. Ajo që kishte rëndësi në “shoping-un” e përditshëm qëndronte në faktin, se kuota e harxhimit ditor e para një viti, tashmë pothuaj ishte dyfishuar. Për këtë gjë së paku në Shkodër edhe pse të acaruar për këtë gradë të rëndesës ekonomike, arrijnë të marrin veten me gajret dhe të qeshin. Në fakt patatja nuk ka lëvizur shumë si çmim në Shkodër dhe pikërisht kjo e “mirë” e bën që të blihet kollaj. Por problemi është i vajit. Pikërisht një vit më parë ka qenë çmimi i një litre vaj rreth 125 lekë dhe sot është mesatarisht 235 lekë, pra më shumë se 110 lekë për litër më tepër. Atëherë në tregun shkodran parulla ishte: Patate, patate të mira dhe mos i fërgoni, por i zieni, se ju bjen shumë ma lirë. Normalisht me një çmenduri të tillë, patatet është e mira që të valojnë në ujë dhe në asnjë mënyrë të përdoret vaji për ti fërguar. Buka po ashtu, zarzavatet, nafta, gazi, benzina, makaronat, djathi, qumështi, mielli, orizi etj , janë një barrë e rëndë, sidomos për familjet në nevojë, pa punë të sigurta, në asistencë, me shumë fëmijë, me pleq të sëmurë, pensionistë dhe lista vazhdon gjatë. Gati gati, po shkon puna edhe pse jo në atë soj mizerje, te historia e krapit të cilin peshkatari shkodran e zuri në liqen dhe i tha të shoqes ta fërgonte, por ajo nuk kishte as vaj dhe as vajguri, biles nuk kishte as margarinë dhe qytetari peshkatar me që krapi ishte akoma gjallë, e hedh prap në liqen. Në këtë rast krapi çohet në bisht dhe në ato vite bërtet fort “Parti-Enver”, sepse jeta e tij ishte shpëtuar nga veprimtaria e pikërisht Partisë dhe Enverit. Barcaletat e asaj kohe në Shkodër, me të vërtetë janë quajtur “reaksionare” në mbledhjet e organizatave bazë, por edhe pse janë quajtur të tilla kanë bërë për të qeshur edhe vetë atë që në fakt kishte krijuar këtë gjendje. Sot nuk arrin kërkush të bëjë për të qeshur, se litri i vajit apo benzinës apo qumështit “luan mëndësh”. Sot kur kjo histori zgjat, të gjithë nuk kanë kohë të nxjerrin barcaleta, por akuzojnë të parin Sali Berishën dhe pastaj qeverinë e tij. Po ti shtosh kësaj edhe “pushkën për faqe” të opozitës, e cila e ka për detyrë atëherë kjo punë nuk do shumë “gaz”, por përgjigje imediate dhe energjike. Politikat e Berishës me të vërtetë mund të quhen të “djathta” sepse kështu i ka rënë për hise PD-së e cila ka shumë pak bazament të tillë, por në fakt PD-ja e doktor Berishës është (proklamohet) mirëfillti, një parti e konceptit të taksave të vogla dhe të lirive në treg. Kjo, patjetër nuk do të thotë që kjo barrë ti shkojë qytetarëve të këtij vendi. Me çfarë do ti mbushi barkun katër fëmijëve, një familje që praktikisht është në asistencë? Me lekët që i jep qeveria apo me “tolerancën” po të qeverisë, se kjo familje ka ndonjë punë në të zezë!!? Ky lloj koncepti është një “bolshevizëm” i praktikuar në mënyrë të dëmshme në ekonominë e tregut. Kjo mospërfillje ndaj një trysnie të tillë në buxhetin e familjeve shqiptare, nuk mund të kalojë me indiferentizëm në mbledhjet e qeverisë shqiptare. Të varfrit nuk e mbushin barkun as me rrugën Durrës-Morinë dhe as me pavarësinë e Kosovës e këto janë disa dhjetëra mijë familje shqiptare që realisht janë në nivele të jashtëzakonshme të varfërisë. Si rruga në fjalë dhe pavarësia e Kosovës apo NATO, janë shumë të rëndësishme për të gjithë ne, por për një familje e cila nuk arrin të përballojë shpenzimet e fundit të muajit dhe që në vend të dy litrave qumësht blen një, dhe në vend të dy bukëve blen një, absolutisht që qeveria do të bëhet fajtore dhe këto arritje as ju bien në sy. Ne nuk kemi një shtet që kontrollon evazionin fiskal, nuk kemi shtet që kontrollon ekonomikisht monopolet e poshtra dhe varfëri-përhapës në shtresat e popullsisë. Po, ndoshta kemi tendenca të kontrolleve politike të monopoleve, por kjo përsëri nuk mbush barkun e fukarenjve. Kjo mbush xhepat e politikës dhe maskarenjve lart, që i janë futur “seriozisht” këtij sistemi. Në formën e sotme qeverisëse dhe atë të djeshmen, nuk ka dhe nuk interesohet askush të krijojë një mbrojtje sociale në të tilla “pikiata” ekonomiko-financiare që përhapin destabilitet financiar, sidomos në buxhetet e familjeve. Nuk ka “sanatorie” dhe nuk ka ligje “antitrust” apo edhe sisteme mbrojtëse të të varfërve realë dhe jo të atyre që qeveria për të justifikuar veten, i lejon të jenë evazorë. Sillemi për faqe të zezë si një shtet “asocial” dhe me të meta të mëdha demokratike në konceptin e mbrojtjes së konsumatorit dhe të buxheteve familjare. Çfarë do të thotë që duke qënë e “djathtë” patjetër duhet të jesh i pa shpirt? Akoma më keq kur merr trajtat e “shpirtmadhit” sepse je i majtë. Më turp dhe faqe e zezë për një shtet normal demokratik nuk mund të ketë, kur çmimet rriten me 30-100 përqind dhe qeveria fshihet mbas ekonomisë së tregut. Po për çfarë e kanë shpikur shtetin dhe administrimin shtetëror të lashtët? Që të dalë një ditë ministri komsomolas i financave dhe ti “stabilizojë” tregjet e bukës me taksa dhe tatime. Cila furrë buke deri tani ka falimentuar? Cila? Asnjë...Mirë se po i lejojnë të përdorin miellin e keq. Mirë se po i lejojnë të vjedhin në gramaturë, por tani edhe i lejojnë vetes të tallen me barkun e fukarenjve, duke bërë politika të larta të një finance “wallstret-iane” me njerzit, që janë të uritur. Aq më shumë se shqiptarët akoma fjalën bukë, e kanë të barabartë me jetën. Nuk ka nevojë të shesë mend asnjë lloj ministri i tillë që raporton suksese në realizime me 104 përqind në plane, sepse këtë financë të lartë nuk do, dhe as që është punë e tij për ta kuptuar, një kryefamiljar që ka fëmijët të uritur. Kjo e fundit e thënë kështu ashpër, nuk është politikë e majtë dhe e të majtëve komunistë. Pra, përkujdesja për shtresat e vogla dhe në nevojë. Kjo lloj politike duhet të jetë e “medemek të djathtëve” të Berishës dhe ato duhet të dinë se në Europë dhe botë, ekziston modeli i të djathtës me fytyrë humane. Në këtë rast “fytyra” duhet të ishte te çmimi i bukës dhe pazarit të të vegjëlve dhe kundër goditjeve në mënyrë të ashpër të buxhetit familjar të tyre. Por, për këtë krizë nuk janë mbledhur, nuk kanë diskutuar realisht dhe politikisht, nuk kanë propozuar asgjë ligjërisht dhe nuk kanë marrë asnjë iniciativë qoftë të veçme dhe të përbashkët parlamentare, si maxhoranca dhe të “prekurit thellë” të minorancës. Deri sa humanizmin, politika jonë ta vendosë sëpaku vetëm në fytyrë, të gjithë fukarenjtë duhet ti hanë patatet të ziera, sepse të fërguara “ju bëjnë dëm”. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Adnan Abrashi: Edhe me këtë pavarësi, vazhdon kënaqësia jonë me gjysmakësi Bajram Kabashi fale token e vet ne Kosove per themelimin e Qendres Kulturore Arbrore “Papa Kelmendi XI”! Sarë Gjergji: Laramani (në Karadak)- dhëmbje, vetëdije, ndërgjegje Milaim Zeka: Nuk është mirë të abuzosh në emrin e AKSH-së Tomorr Tolpica: Pavarësia pa Ramush Haradinajn!!! Sarë Gjergji: Olsi Jazexhi, ky djali plangprishës Shukrije Bunjaku-Mani: Katastrofat tona nga luftërat me fqinjët tanë pushtues Ekskluzive - Selim Hasanaj: A asht vetem perandoria osmane fajtore pse neve u bamë mishmash me religjionin Ardian Ndreca: Prejardhja e largët shqiptare e filozofit Benedetto Croce! Ramiz Lushaj: Për 9 muaj lind një fëmijë, pas 9 vjetëve Kosova Pavarësi Gëzim Tushi: Martesë apo “çift fasadë”? Ekskluzive - Selim Hasanaj: Faji asht në mesin tonë, faj nuk na kanë të tjerët Baki Ymeri: Masakra serbe kundër Kosovës shqiptare Paul Tedeschini: Replike shkrimit “Holokausti dhe persekutimi komunist” te Fatos Lubonjes!” Besnik Prishtina: Feja dhe Kombi (3) Besnik Boletini: E ardhmja europiane e Kosovës Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, në emisionin “Përballë” të gazetarit Lutfi Dervishi Ekskluzive: Ilir Dardani - Adem Kastrioti, Shqiptaret, Nazistet e EuroSllavise dhe turko-arabet! Kastriot Myftaraj: Çmenduria incestuoze, mallkimi historik i elitës politike shqiptare Kongresisti amerikan: “Bisedat personale me Hillari Klinton për shqiptarët”

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora