E premte, 29.03.2024, 02:35 PM (GMT)

Kulturë

Rrëfimet e "yjeve" për "Oskarin"

E enjte, 07.02.2008, 10:58 PM


Emocionet dhe kontradiktat e aktorëve në prag të natës së madhe të çmimit, që ëndërrohet nga të gjithë

Kandidatët flasin për filmat, skenat dhe prapaskenat e kinemasë

George Clooney, Daniel Day Lewis, Marion Cotillard, Ellen Page. Kandidatë të statujës së artë si aktorë e aktore protagonistë/e. Më pas vijnë Angelina Jolie dhe James McAvoy, heroi i "Vuajta", nominuar si filmi më i mirë. Gjashtë yje të Hollivudit rrëfejnë copëza nga eksperiencat e tyre

Daniel Day Lewis, kandidat për çmimin "Oskar" si aktori protagonist në filmin "Naftëmbajtësja", shfaqet paksa me vonesë në këtë takim. Ka veshur një këmishë bardhezi të stilit western, të cilën duket sikur e ka marrë fshehurazi në gardërobën e Bob Dylan, ndërsa në kokë ka vënë një kapele kauboj. Pamja e tij nuk ngjan aspak me atë të një ylli hollivudian, aq sa George Clooney, "rivali" i tij me filmin "Michael Clayton", nuk pushon duke e vënë në lojë. James McAvoy, protagonisti i filmit "Vuajtja" (nominim për filmin më të mirë), ndërsa pret mbledhjen e kësaj tavoline të rrumbullakët të përvitshme për vigjiljen e "Oskar"-ve, e kalon kohën duke treguar për tentativën se si dëshironte të "vidhte" dy shishe verë në një mbrëmje hollivudiane, por që fatkeqësisht nuk arriti, pasi u zbulua nga kamerieri. Para se të fillojë biseda, Clooney i drejtohet Angelina Jolie: "Ju lutem, mund të largohemi nga këtu"? Por nuk u desh shumë për të krijuar në sintoni mes neofitëve dhe superyjeve. Jolie dhe Marion Cotillard (në garë për statujën e aktores protagoniste me filmin "La vie en Rose") bisedojnë për të ardhurat. Ylli i filmit "Juno", Ellen Page, rivale e fortë e Cotillard, u tregon mikeshave të saj se sapo ka blerë një apartament. Në të kaluarën ky apartament paska qenë një ish-bordello. "Gjërat e mia vazhdojnë të zhduken. Janë gjëra të çuditshme, ashtu si truku", thotë ajo.

Por ja se çfarë kanë thënë divat së bashku në këtë mbledhje.

A ka ndonjë film që kur e keni parë në fëmijëri ju ka bërë të thoni: "Këtë dua të bëj në jetë"? Daniel Day Lewis ju keni përmendur filmin "If…" me Malcon McDowell për rebelimin në një kolegj anglez…

Daniel Day Lewis: Më ka goditur, sepse edhe unë atë kohë isha në një kolegj, e nëse do të kisha mundur të arratisesha, do t‘i kisha vënë flakën atij vendi. Ai film krijoi një zvarritje pas të cilit të gjithë fajtorët mund të manifestonin. Pikërisht për këtë arsye pati një influencë të madhe mbi mua.

Marion Cotillard: Unë e kam adhuruar gjithmonë Greta Garbo-n, që kur isha fëmijë. Një nga ndjesitë më të forta që kam provuar ndonjëherë ka qenë kur e pashë në filmin "Camille".

James McAvoy: Për mua ka qenë filmi "I Goonies" (në vitin 1985, nën regjinë e Steven Spielberg dhe drejtimin e Richard Donner. Protagonistë janë katër djem dhe filmi u bë kult për brezin e viteve ‘80). Që kur isha i vogël, ai film më ka bërë për të qarë, sepse tregon ngjarjet reale dhe vështirësitë që kishte një fëmijë njëmbëdhjetë ose dymbëdhjetë vjeç. Nuk kam qenë një fëmijë problematik, por më pëlqenin aventurat dhe ai film ka ndihmuar imagjinatën time.

Ellen Page: Në familjen time recitohej, kështu që mua filmat nuk më bënin shumë përshtypje.

Keni pasur probleme me fotografët?

Clooney: Një natë u ktheva në shtëpi rreth orës dhjetë të mbrëmjes dhe vura re se shumë helikopterë po fluturonin mbi shtëpinë time. Unë kam një garsoniere (shtëpi të vogël), ku ndonjë herë ndalon asistentja ime dhe pata frikë. Mendova se mos ndokush ishte arratisur nga burgu dhe kishte hyrë në shtëpi. Ishte një skenë njësoj si te filmi "Die Hard". Atëherë mora shkopin tim të bejsbollit dhe i telefonova asistentes, sepse mendova se ishte në garsoniere. "Je mirë?" i thashë dhe ajo m‘u përgjigj: "Po". Për t‘u siguruar vërtet i thashë: "Nëse në shtëpi është vërtet dikush dhe t‘i nuk mund të flasësh, thuaj fjalën ‘Stonehenge‘". Ndërsa ajo m‘u përgjigj: "Për çfarë po flet? Jam në shtëpinë time vetëm". Unë e pyeta sërish: "Nuk je në shtëpinë time"? "Jo", m‘u përgjigj ajo. Atëherë dola menjëherë nga shtëpia me shkopin e bejsbollit në dorë dhe pashë që ishin fotografët që kërkonin Britney Spears. Mesa duket qenkemi fqinj.

Angelina, ju keni përdorur strategjinë për ta çuar shtypin në vende të ndryshme të Afrikës. Si të thuash: "Nëse duhet të më ndjekin, ia vlen të shkoj ku të dua unë dhe me këtë rast njerëzit shohin se çfarë ndodh vërtet nëpër botë"…

Clooney: Ka bërë zgjedhjen e duhur dhe ka qenë shumë e zonja në këtë mision. Kur u shfaqët në Pakistan pas tërmetit, në një moment ku nëse do të kishte ndërhyrë qeveria jonë gjërat do të kishin qenë ndryshe për atë zonë, ti dhe Brad Pitt ishit të vetmit që shkuat. Ndërsa ju shihja në ekran, mendoja: "Ja një e mirë për të përdorur njerëzit që të ndjekin me aparat fotografik".

Jolie: Në fillim mediat nuk e dinin që ndodheshim atje. Kur u kthyem në shtëpi, ndezëm televizorin. Po shfaqej një kronikë e jona, ku po tërhiqnim valixhet dhe një frazë ironizuese thoshte: "Erdhën ndihmat".

Clooney, në vitin 2004, demokrati John Kerry ju kërkoi ta ndihmonit në fushatën elektorale dhe përgjigjja juaj ishte: "Nuk do t‘ju ndihmoj, sepse s‘do mund t‘ju bëja veçse keq"…

Clooney: Është e vërtetë. Kam qenë një përkrahës i Barack Obama-s që kur ka filluar gara për Senatin dhe jemi miq, por tani i kam thënë: "Nuk do të qëndroj indiferent". Mendoj se vëmendja që mund t‘i sjell unë nuk është ajo për të cilën ka nevojë. Është një çështje që më shqetëson. Po kujdesem që të mos bëj ndonjë gabim i cili mund ta dëmtojë.

Day Lewis: Ellen dëshiroj të të pyes për diçka. Ironia, ajo ironi kaq e veçantë e "Juno", është e vështirë që të mos përputhet me ironinë tënde? Ka të ngjarë që të varet thjesht nga puna e mrekullueshme që ke bërë? Po ndërsa lexoje skenarin dhe recitoje, ndieje një afrimitet mes sensit tënd të humorit dhe atij të personazhit?

Page: Mendoj se është më shumë se kaq. Herën e parë që lexova skenarin më goditi jashtëzakonisht. Isha një lloj guide për femrat adoleshente.

Marion, sa e përfshirë jeni në një rol dhe si ka qenë për ju eksperienca e Edith Piaf? Është e vështirë të hidhni çdo gjë pas krahëve pasi ka përfunduar filmi?

Cotillard: Para filmit "La vie en Rose" mendoja se bëhej fjalë për një punë si gjithë të tjerat dhe kur përfundonte i kthehesha jetës normale. Por kuptova se kjo gjë nuk është e vërtetë. Në fillim kisha atë fytyrë të tmerrshme, nuk kisha më as vetulla e as flokë. Periudha më e vështirë është kur fillojnë të rriten, sepse nuk kanë asnjë lloj forme. Në fund shkova te një psikolog, pasi shihja kudo Piaf.

James, do të bëni prova për filmin "Vuajtja"?

McAvoy: Po, për tri javë. Jam i terrorizuar nga provat e një filmi: kush nuk punon në kinema, nuk e di kurrë se çfarë do të thotë të qëndrosh ulur në një dhomë dhe të përsërisësh qindra herë batutat. Regjisori Joe Wright na elektrizon të gjithëve.

Daniel, po ju do të bëni prova?

Day Lewis: Jo. Preferoj të jem i qetë.

Clooney: Hedhin skoç në tokë dhe më pas të thonë: "Ok, tani je drejt hyrjes, ndërsa tri vampirë po dalin nga kjo pjesë". Në moment ti duhet të shtiresh sikur përballë teje janë vampirët, ndërkohë që të gjithë qeshin me ty.

Day Lawis: Është e rëndësishme të punosh në mënyrën që ti e ndjen vërtet. Ajo që duhej të bënte Angelina në filmin "Një zemër e madhe", është diçka shumë-shumë e veçantë. Duhet të kesh përgjegjësinë për të interpretuar rolin e një gruaje që e ke njohur mirë.

Jolie: Gjendesha ballë për ballë me personin që interpretoja dhe vazhdoj ta shoh. Fëmijët tanë luajnë së bashku dhe i dua shumë. Megjithatë, për këtë rol isha shumë nervoze. Ka qenë hera e parë në jetën time që nuk kam fjetur para xhirimeve. Atë natë ajo erdhi në shtëpinë time bashkë me të birin, për të më uruar gjithë të mirat para se të largohej. Adam fliste për të atin (gazetari Daniel Pearl, i vrarë nga terroristët në Pakistan) dhe kuptova se kur të rritej, ky film do të ishte lidhja e tij me dashurinë e madhe të prindërve dhe vuajtjen e nënës.

Daniel, në filmin "Naftëmbajtësja" ka shumë politikë. Ju mendoni për këto gjëra?

Day Lewis: Jo, nuk më interesojnë aspak këto gjëra.

Jolie: Je vërtet i mrekullueshëm. Të shohim të gjithë ty dhe mendojmë: "Duhet të jetë vërtet e rëndë për të, duke parë atë që transmeton kur reciton".

Clooney: Ok, në rregull, le t‘i themi gjërat hapur. Të gjithë aktorët nënshtrohen para kësaj sforcoje, pasi kërkojnë medoemos që gjithçka të jetë perfekte.

A ka ndonjë aspekt fizik që ju ndihmon të gjeni personazhet tuaja?

Page: Pyetja e njëjtë dhe më e bezdisshme që të gjithë i bëjmë vetes është pikërisht se si arrijmë të përshtatemi e të lidhemi me personazhin. Sa i ngjan Juno-s? Nëse interpreton një personazh që është i ndershëm, i qartë, është mjaft e lehtë të përshtatesh me të, sepse ngjajmë shumë me njëri-tjetrin.

Një pyetje teknike. Marion, ju kur keni interpretuar Piaf, kaluat shumë orë duke u trukuar. Sa kohë ju merrte kjo pjesë?

Cotillard: Po varej nga dita, regjistrimet. Zakonisht më duheshin tre ose katër orë për t‘u trukuar.

Çfarë bënit gjatë kësaj periudhe?

Cotillard: Gjatë gjithë kësaj kohe unë flija.

Të gjithë aktorët thonë gjithmonë se kanë frikë kur ju ofrohet një punë, sepse mendojnë se kjo mund të jetë e fundit...

Clooney: Unë vazhdoj ta kem këtë ndjesi. Në mendjen tënde ti vazhdon të mendosh se ke për të dhënë ende një provim. Nëse nuk mendon më kështu, përgatitu sepse të ka ardhur fundi.

George, ju nuk keni pasur një eksperiencë të mirë në televizion. Në fillim ju thanë se filmi shkonte shumë mirë, ndërsa pas një jave pajtuan një tjetër drejtues...

Clooney: Po, ishte një pjesë western e përshtatur në një bordello. M‘u duk një ide mjaft interesante. Shumë njerëz vinin gjatë xhirimeve duke më thënë: "Është fantastike. Do të jetë një sukses. Është gjëja më dëfryese që kemi parë ndonjëherë". Ndërsa pas pak ditësh gjërat filluan të shkonin keq. Skenari kishte probleme dhe unë po ndihesha shumë në siklet. Atëherë skenografia e filmit dhe disa persona të tjerë m‘u afruan dhe më thanë: "Duam të sjellim një profesor recitimi për ty". Ishte njëlloj sikur të më thoshin: "Nuk je ti më i miri" dhe kjo është vërtet shumë poshtëruese.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora