Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Zeqir Lushaj: Udha e bjeshkës

| E hene, 11.07.2011, 06:44 PM |


UDHA E BJESHKES

 

Nga: Zeqir Lushaj

 

-Udhëtoj shpesh,(me mend),me karvanin e  vrritarëve, për në bjeshkë…,në Shtyllë të Grisë-

 

!

Ta duam këtë emër:-Shtylla e Grisë!

Dije mirë,kallxoja gjithëkujt,o djalë:

-Tja dijmë kimetin…,është hyjnore,

Aty jetohet…,bash,si në  përrallë!

 

1.

Kalojmë,vijën e Dubravçit,mbi Kishë,

Marrim hijen,gështenjave përpjetë,

Flladitem njëherë,në Gurrën e Grisë,

E besoj:-Jemi nisur për në bjeshkë!

 

2.

Ku dahen rrugët,pushimi i parë,

Aty mblidhet karvaji i katundit,

Kokrrohet,avash,brijës Muzi Kurtit,

Nusja ma e re,gjithmonë,e fundit !

 

3.

Kah e Rrzuemja e Çutës,(kujdes!),

Aty asht terr,edhe në mesditë,

Në Shtek,tu bojlia e Baram Zmajlit,

Mbarojnë gështenjat,hapen sytë!

 

4.

Në Fushë-Llozhën,dalim prej hijes,

Mrizi,i thotë:-lamtumirë vrrinit,

Prroni i Territ,Lejthia gurbardhë,

Një test i fortë,starti i fillimit.

 

5.

Të jeshë,sa të duash,djalë i zoti,

Me korin e gjinkallave përpjetës,

Te Kroni i Morajës,del i djersitur,

Kah Molla e Idhët,e Ara e Çeles.

 

Aaah,Ai-Krue,don shumë kujdes!

Rinia,këtë punë,mirë,nuk e di (!),

Edhe kali i shkumuem-buzëtharë,

Aty,(menjëheri),rrezikohet kur pi !      1)

 

Si plajm bore,reshë rreth majës,

Dhamtë,ti pinë kroni i Morajës…”

(Këto dy vargje,diku i kam shkrue,

Për Kronin e bjeshkës-ujëbekue !)

 

6.

Mbi Kodër të Morajës,leqe-leqe,

Në Tella të Poshtme,duhet pushimi,

Lugut Dikçorit,Rogave të Gabëlve,

Hap-mbas-hapi,vjen rritet freskimi.

 

7.

Rrasa mbi Dikçur,len sherbelen pas,

Aty,nis e fry,flladi i bjeshkës Epër,

Muret e Gashit, pushimi i fundit,

Nën Qafë-Shtyllë,thik të përpjetës.

 

Gurrcin e Epër,lamë në të djathtë,

Në të majtë,Rrasën e Sukbukurit,

Lugut të Qafës,mbi ortiqet e borës,

Teferig i hollë,frynë,i bjen përçukut!     2)

 

8.

Të rinjëve griçorë, dua tua kujtoj,

-Kujdes,nën Qafë,tu Shkalla e Keqe!

Aty,kuajt ndihmohen,që të ngjitën,

Patkonjtë-gaca e flakë nëpër leqe !

 

9.

Aaah,dhe,vetëm 100 metra ma nalt,

Ndihesh Mbret,sapo shkelë në Qafë,

-Hallall,-ju thue ortigjeve ku u ngjite,

Sheh përpara,një botë të pahesapë!

 

!

Nga këtu,syri gjënë hapsirën e vet,

Shpirti,fort gufon,don me fluturue,

Një pushkë-haber,kërcet nga gëzimi,

Orët e bjeshkës,në pritje i ka ftue…!

 

10.

Për gjysëm ore,në Rudinë të Liqenit,

Ndalojmë-ulim kryet kuajve,uji me pi,

Shtrihemi,rudinës së butë,jeshil-llek,

Ndjehemi të lumtur,dehur,(pa raki!).

 

11.

Kijet byraten,në stomije të rudinës,

Plisatë,me brina,i gjuejnë përpjetë,

Kumona e dhenve,përcillet shpatit,

Trokaça e dhive,ushton nëpër çetë.

 

12.

Tani bjeshka,merr një fytyrë tjetër,

Mbushur,bar e lule,si nuse na pret,

Ndër breza,griçorët,krushqit e saj,

Krenarë…,mbi shtratshpirtin e vet.

 

...!

Ta duam këtë emër:-Shtylla e Grisë!

Dije mirë,kallxoja gjithëkujt,o-djalë!

Tja dijmë kimetin…,është hyjnore,

Aty jetohet…,bash,si në  përrallë !

 

                  ./.

  1)Në kronin e Morajës,gjithmonë duhet me pushue pak,përpara se të pish uji.

   2)Perçuku=bar i gjatë dhe i fortë,që del nëpër shkembinj,grumbuj-grumbuj.

Maja e Hekurave,pika më e lartë e bllokut të Jezercës,në Alpet e Veriut, (ku autori i kësaj vjershe,i ka kaluar të 20 verat e para të rinisë së Tij).
Maja e Hekurave,pika më e lartë e bllokut të Jezercës,në Alpet e Veriut, (ku autori i kësaj vjershe,i ka kaluar të 20 verat e para të rinisë së Tij).

 

Shënim: Vjersha është shkëputur nga libri “Duhama e Valbonës”,që autori po përgatitë për botim.