E marte, 23.04.2024, 07:27 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Ushtari i UÇK-së “spiunon” UÇK-në

E hene, 11.07.2011, 07:13 PM


Fahredin Gashi, ish-ushtar i UÇK-së, në paraburgim
Fahredin Gashi, ish-ushtar i UÇK-së, në paraburgim
Prishtinë, 9 korrik – Dick Marty mund ta ketë shfrytëzuar edhe dëshminë e Fahredin Gashit për ta hartuar raportin e tij me të cilin implikon Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në kidnapimin dhe dërgimin e civilëve në Shqipëri.

Ish-pjesëtari i UÇK-së që ndodhet në paraburgim dhe po gjykohet për vrasjen e një fshatari të moshuar nga një fshat i Lipjanit ka dëshmuar për krime të supozuara të kryera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës kundër popullatës civile në Kosovë. Në një video dëshmi që ua ka dhënë hetuesve të Gjykatës së Hagës për ish-Jugosllavi në vitin 2004 në kampin finlandez në Lipjan në cilësinë e të dyshuarit tri pjesë të së cilës i ka publikuar portali Lajmeshqip.com, Gashi thotë se mund të ketë pasur kidnapime të shumta të civilëve të cilat nuk mund të jenë bërë pa dijeninë e komandantëve të zonave.

Gashi që është akuzuar nga Nazim Bllaca për përfshirje në krime nën komandën e Azem Sylës është pjesëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës ka thënë se asnjë plumb nuk ka mundur të shkrepej pa dijeninë e komandantëve. Sipas tij, për fatin e këtyre të zhdukurve dinë më së miri komandantët e zonave përkatëse Fatmir Limaj, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Sylejman Selimi…

“Pa dijen e tyre nuk ka guxuar të shkrepej asnjë fishek”, ka thënë ai, duke u shprehur se “në Shqipëri dhe në vende të ndryshme mund të ketë kampe të përqendrimit, ku janë mbajtur dhe mbahen ende pengjet e UÇK-së”, ashtu sikurse, gjithnjë sipas tij, “edhe në Serbi mund të ketë kampe ku mbahen pengje dhe të zhdukur nga Kosova”, shkruan gjerësisht sot “Koha Ditore”.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka pasur komandë e disiplinë. Pa dijen e komandantit nuk është bërë asgjë… UÇK-ja më ka çarmatosur dy herë dhe së fundmi, në ditën kur delegacioni kosovar është nisur për në Konferencën e Rambujesë, ma kanë marrë pushkën përgjithmonë Fatmir Shurdha dhe Skënder Hoti, i njohur me emrin “Tigri”. Ata më kanë çarmatosur… Ku ka tym ka edhe zjarr, dhe UÇK-ja ka bërë kidnapime të civilëve…”, ka deklaruar Fahrudin Gashi, i njohur si Faruku.

Gashi që është akuzuar nga ish-bashkëluftëtari i tij, Nazim Bllaca, se kanë kryer krime bashkë në kuadër të SHIK-ut e ka pranuar para hetuesve të Hagës se ka pasur raporte të mira me Policinë Serbe para lufte dhe se kishte pasur frikë se mos po vritej nga UÇK-ja. Për t’i rregulluar raportet edhe me UÇK-në ai ka thënë se kishte dërguar një kontingjent mëlmesa vegetë në zonat e luftës të kontrolluara nga ish-guerilja. 

“Në vitin 1996 kam filluar një shoqëri me zv.komandantin e Policisë serbe në Shtime, më pas me vetë komandantin, Dragan Gjorgjeviq”, ka thënë ai për të shtuar se për shkak të këtyre relacioneve ka pasur probleme të vazhdueshme me UÇK-në.  Ai ka treguar se si para luftës ka qenë një biznesmen i suksesshëm dhe se si nuk ka pasur asnjë problem ndonjëherë me regjimin serb në Kosovë, por përkundrazi, sipas tij, ka qenë bashkëpunëtor i mirë i tij. Gashi ka thënë se ka pasur edhe revole me leje të cilën e ka bartur pa problem. Ai ka treguar se me UÇK-në është lidhur në vitin 1998, në Krojmir, si furnizues i tyre me ‘vegetë’, me qëllim që të “ndërtojë” raporte të mira edhe me ta dhe të jetë më i qetë në punën e tij. Gashi e ka pranuar edhe në të kaluarën se ka dhënë dëshmi për hetuesit e Hagës dhe se një CD e posedon Nazim Bllaca me anë të së cilës, sipas tij, e ka shantazhuar për ta zhvatur.

Mirëpo, Nazim Bllaca mohon një gjë të tillë. Në një prononcim për “Kohën Ditore” nëpërmjet telefonit të premten, Bllaca ka thënë se po ta kishte këtë CD qysh ditën e parë të lindjes së problemeve me SHIK-un do ta publikonte atë. Sipas Bllacës, kjo video ka prejardhjen nga Azem Syla.

“Së pari, këtë video sot e kam dëgjuar për herë të parë. Mirëpo, kjo video do të thotë e ka prejardhjen prej Azem Sylës i cili haptas thotë se unë i di të gjitha dëshmitë e dëshmitarëve të Hagës. Këtë e ka thënë më 23 mars 2007 në ‘Epokën e Re’. Ai thotë se unë i di të gjithë dëshmitarët kush janë dhe këta vetëm në Hënë nëse shkojnë, por edhe atje do t’i gjejmë”, ka cituar Bllaca, Sylën.

Nazim Bllaca që pretendon se ka qenë në SHIK, ka treguar se më ta lexuar këtë intervistë i është drejtuar me anë të një letre ish-kryeprokurores së Hagës, Carla del Ponte, për ta informuar për gjendjen në të cilën ndodhen dëshmitarët në Kosovë.

 “Unë i kam thënë kryeprokurores se deklarata e një zyrtari numër një të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër dëshmitarëve të Hagës është rrezik për të ardhmen për çdo dëshmitar i cili dëshiron të bashkëpunojë me ndërkombëtarët. I kam thanë që a po e shihni që këta kanë pasur qasje prej vitit 2000 te dëshmitarët e Hagës dhe Azem Syla është personi numër një i cili e ka ngulfatur procesin”, ka thënë Bllaca.

Avokati i Azem Sylës, nga ana tjetër, Tomë Gashi, i autorizuar nga klienti i tij për të komunikuar me media, ka thënë se nuk është i njoftuar për këtë videoxhirim të publikuar dhe as me përmbajtjen e tyre.

“Duket që dikush është i interesuar që kohë pas kohë të publikojë nga një CD që opinioni kosovar të merret me to sepse janë shumë popullore që të dihet se kush ka qenë spiun i Serbisë e kush patriot dhe të mos merremi me tema jetike të Kosovës e që janë veriu dhe me epilogun se çka kemi fituar dhe çka do të humbim të ardhmen me bisedat me Serbinë”, ka thënë shkurt ai pa dashur të fliste më shumë me arsyetimin se as ai as klienti i tij nuk dinë gjë për këtë punë.

 

Edhe avokati i Fahredin Gashit, Kolë Krasniqi, është shprehur të mos ketë njohuri për këtë dëshmi të publikuar. Ai këtë e ka quajtur tejet befasuese, por e ka pohuar se klienti i tij e ka pranuar se ka dhënë dëshmi për hetuesit e Hagës.

“Gjatë shqyrtimit gjyqësor ai (Fahredin Gashi v.j.) ka deklaruar se ka dhënë intervistë për hetuesit e Hagës. Nuk e mohon këtë dhe sipas shpjegimeve të tij asgjë nuk ka pasur negative as për UÇK-në as për vendin por shpjegon një rrethanë e cila është në interes publik”, ka thënë Krasniqi.

Nazim Bllaca ndërkaq ka thënë se kjo CD është diskutuar në mes të tij, Shpresim Ukës, Qazim Shabanit e Hysri Ramës më 13 tetor 2009. Sipas tij, Shpresim Uka ka thënë se këto incizime, materialin e dëshmitarëve, deklaratat dhe CD-të të gjitha i ka dhe i ka dëgjuar Azem Syla. “Për këtë që po them kam edhe dëshmi të incizuar të cilën ia kam dorëzuar edhe prokurorit”. Sipas Bllacës, Gashi në këtë dëshmi e ka fajësuar Ramush Haradinajn.

“Faruk Gashi ka thënë te Baton Haxhiu se ‘kam operuar në Dukagjin’. Kjo nuk është e vërtetë, sepse këtë ai e ka bërë vetëm për ta inkriminuar Ramush Haradinajn”, ka thënë Bllaca.

 



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora