Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sejdi Berisha: Dallëndyshja në kuti këpucësh dhe zhgënjimi i artistit...!

| E hene, 11.07.2011, 07:02 PM |


E S E

 

Sejdi BERISHA:

 

DALLËNDYSHJA NË KUTI KËPUCËSH DHE ZHGËNJIMI I ARTISTIT...!

 

Nganjëherë, njeriu sikur betohet se guximin e shpirtit dëshiron ta shndërrojë në fjalë memece, sepse, ajo shpeshherë thotë më shumë se një shekull fjalimesh. Por, sërish diçka më ngacmon për ta thënë e për ta shtruar tërë mllefin, por, me kusht që ai mos të shndërrohet në tryezë zemërimi dhe pikëllimi. Mirëpo, tërë këtë është vështirë për ta menaxhuar, ngase, nga të gjitha anët ngacmon ai rrugëtimi i vrugët, i cili të mundon për ta bërë jetën të lumtur dhe për ta shndërruar atë në bardhësi.

Edhe tjetra. Është shumë vështirë të udhëtosh me lumin, e, pa e rrëfyer tërë atë histori të ujit,... tërë atë durim të shtratit të lumit të shkaktuar nga përplasja e ujit, i cili, edhe nëse nuk flet, atëherë, së paku dëshmon me atë gurgullimën, atë zërin e përplasjeve. Po, të cilave valë, se...?!

 

1.

Dallëndyshet janë një prej shpezëve shtegtare, që njeriun e kanë detyruar të thurë këngë e të këndojë për gjithçka. Por, kur kemi të bëjmë me këtë shpend skofiar, i cili e ka historinë më të pashkruar dhe më të pazbardhur për shtegtimin, për rrugëtimin, për pranverën dhe verën, por edhe për lamtumirën e vjeshtës, kur ajo ikën dikah. E, ku e kah, askush nuk e di, por, si sermie lë vetëm çerdhen, me shpresë për t’u kthyer sërish.

Ndërkaq,... po, po. Dallëndyshja, gjithmonë e ka provokuar poetin për të thurë vargje me peshën e mallit dhe të dhembjes, me peshën e etjes,... hajt të themi, për atdhe, për vendlindje e për dashuri, që thënë troç, gjithmonë loti është ngushëllimi më i madh për guximin e përjetimit. Unë, për dallëndyshen kam shkruar, e ndoshta do të shkruaj e tutje. Por, më kujtohet kur isha i vogël, gjithnjë kisha dëshirë të qëndroj në atë terrin e ahurit të lopëve, të cilat babai i kultivonte si është më së miri. Po, pse kisha dëshirë  të qëndroj aty?! Sepse, në trarët e ahurit, dallëndyshet kishin varguar çerdhet e tyre të bukura, dhe, nganjëherë arrija ta kapë ndonjë prej tyre vetëm sa për t’ua përkëdhelur kokën me pupla prej mëndafshi, dhe sërish i ktheja në ato çerdhet e tyre ku kishin “vendosur” vezët për t’i çelur, dhe pastaj, zogjtë e vegjël me sqepa njomak kërkonin ushqimin si fëmija gjirin e nënës.

Besoni. Edhe pse në ahur kundërmonte erë baglash, lagështi e myk errësire, dallëndyshet ma rritnin zemrën, ma bënin mal! Bile, edhe sot e kësaj dite ma ka ënda atë duhmën e ahurit, sepse, më duket se frymon jetë, edhe pse ahuri, dihet, ka plotë terr. E, terri për njeriun,... o, sa i tmerrshëm është. E them kështu, sepse, nganjëherë edhe historia i ngjanë territ. Në terr duke ecur, mund ta sakatosh kokën, t’i verbosh sytë, ose edhe ta dëmtosh bukurinë e fytyrës, të trupit...!

Ndoshta e zgjata, por kam dëshirë dhe etje t’u them se dallëndyshet janë simbol i vargut dhe i poezisë që përcëllon, janë kopsht ëndrrash për dashuri, janë simbol i dhembjes për mallin e kurbetin. Por, nëse Ju dëshironi, kur i shihni dallëndyshet, shkruani diçka tjetër nëse mundeni, ose,... shkruani për historinë e tyre.

Për këtë arsye, dua t’ua tregoj një ngjarje që këto ditë përjetova me dallëndyshen. Besoni,... dallëndyshja në pakon e këpucëve?! Si ndodhi kjo. Në një mëngjes, para derës së shtëpisë hasi një dallëndyshe, e cila dot nuk merrte krahë për të fluturuar. E mora dhe kujdesshëm e përkëdhela me shpresë se do të fluturojë,... por kot. Nuk kisha se ku ta vendosja. E gjeta një kuti këpucësh dhe e futa në te, këtë shpend kaq të shenjtë. Sipër ia vura edhe kapakun, por një vrimë  e hapa për dritë dhe ajër. Këtë e bëra, sepse, e di se çfarë ka hequr njeriu në dhomat e territ dhe të vetmisë.

Ia afrova disa grimca buke dhe pak ujë. Duke e shikuar kutinë e këpucëve, më iku mendja se këpucët janë simbol i ecjes, kurse, kafazi që më mungonte, atë nuk e kam në qejf, sepse është simbol i robërisë, i ngujimit! E lash një kohë dallëndyshen në kutinë e këpucëve, me shpresë se do ta merr veten. Dikur, vendosa ta liroj, por me ndrojtjen se nuk do të mund të fluturojë.

E hapa kutinë, dhe shih. Dallëndyshja menjëherë mori krahë. U ngrit lartë në qiell. Në fillim, fluturonte mbi shtëpinë time të vogël, mu sikur dëshironte të më falënderohej dhe të përshëndetej me mua. U ngrit edhe më lartë në kaltërsitë e qiellit. Tash, forcova shpresën se do të takohet me dallëndyshet tjera.

Një kohë të gjatë, kutinë e këpucëve e ruajta mu si dikur në ahur çerdhen e dallëndyshes. Nuk di pse?!... Dikur, i kam ditur shumë poezi për dallëndyshen, por tash... Si fillonin ato: “...Eja dallëndyshe,...”, apo: “... Shko dallëndyshe...”?! Nuk e di, nuk e di. Qëllojani Ju...!

 

2.

Shpesh më ka rënë të dëgjoj komente e fjalë nga më të ndryshmet për lodhjen e popullit! Por, interesant, ky fenomen sikur ngacmon për të shfletuar libra e faqe historish e të filozofisë për lodhjen. Çfarë është kjo lodhje,... nga kush shkaktohet,... a janë të ndryshme lodhjet, apo janë njësoj. Jo, jo! Nuk janë njësoj. E po, si pra...?!

Kjo çështje të nxjerr telashe për të arritur tek e vërteta, deri tek mendimi i saktë. Por, kur mendon njeriu për këtë lodhje, nganjëherë edhe zemërohet. Zemërohet, sepse, kjo lodhja e popullit po na ardhka nga vet populli,... Shih! Nga vet populli?!

E, nëse është kështu edhe sot, atëherë, hajde ta analizojmë lodhjen dhe shkakun e lodhjes, sepse, lodhja e popullit i ngjanë peshës së gurit në mezhde, ose peshës së gurit rreth qafe. Po, nëse kjo është e saktë,... atëherë pse është e saktë?!! A, nuk është lodhur ky milet përtej bilahi me rrethet dhe rrotullat e historisë,... të robërisë, e besa edhe të tradhtisë.

Po, dikush do të thoshte, ndoshta populli është gjithnjë i parehatshëm,... Po, kush mund të thotë ashtu?! Askush! Atëherë, ta lëmë në vend të vetin lodhjen e popullit, por edhe peshën e gurit. Aman, mos e pedanti këtë punë, nëse kështu u duket e arsyeshme...!

 

3.

Pasi e kisha shoshitur në mendje jetën e artistit, i cili profesion e ka dizajnin dhe grafikën, tej mase isha i zemëruar, dhe për t’u shkarkuar pakëz, ia shtrova një pyetje shokut me të cilin pija kafe:

-Cili mund të jetë zhgënjimi i artistit?!

Ai, pasi mendoj pakëz, e që sigurisht se nuk e priste një pyetje të tillë, ngrit supet në shenjë hutie.

-Nuk e di! -më tha.

-Eh, por të tregoj unë. -ia ktheva, dhe nisa rrëfimin, për mua trishtues, për artistin.

Artisti për të cilin e kam fjalën, ka arritur të fitojë shpërblime e shpërblime për punën profesionale dhe artistike që ka bërë e që gjithnjë bën. I ka realizuar edhe disa ballina për veprat e mia. Dhe, kur bisedonim për ballinat dhe artin, llafosnim gjatë e gjatë edhe për jetën, për kulturën dhe për problemet në këtë sferë, bisedonim pra për vlerat shpirtërore dhe kulturore. Por, bisedonim me krenari edhe për shpërblimet, mirënjohjet dhe çmimet, me të cilat ishte stolisur ky artist me karakter të veçantë për punën brilante dhe të shkëlqyer. Kuvendonim edhe për pozitën e krijuesit, e për çfarë nuk bisedonim.

Por, çfarë ndodhë. Një ditë, ky artist me zemër të madhe, befas sëmuret, besa edhe zemrën duhej ta nxirrte në tavolinë. Ky rrëfim është edhe i gjatë edhe i dhembshëm. Por, fati kur do, artisti mori veten,... por, duhet jetuar!

Ai, zhgënjehet rëndë në shoqëri. Shërimi i tij vazhdon. Sërish bisedojmë për kulturën dhe për të arriturat në këtë fushë,... Bisedojmë edhe për ballinat e librave tjerë që do t’i shkruaj,... që do t’i botoj më vonë. Por, artisti, me një dozë neverie më afrohet dhe më thotë:

-Ka ardhur koha të iki!

U frikësova se për çfarë ikje po mendonte!...

-Do ta braktisi atdheun dhe vendlindjen,... Jam i zhgënjyer,... shumë i zhgënjyer dhe i mërzitur!

S’dija se ç’të bëja përveç se e ngushëlloja dhe e lusja për mirëkuptim, sepse, atdheun dhe vendlindjen artisti nuk duhet braktisur. Por, nuk bindet. Sërish më afrohet dhe më tregon si fshehurazi apo i druante turpit:

-A e di se çfarë... ti e di se kohë pas kohe më duhet bërë analizat mjekësore?!

-Po! -i thash.

-Eh,... beso! Për analiza e kam shitur unazën e dorës. E kam pasur edhe kujtim edhe për merak!...

U stepa dhe m’u mbushen sytë me lot. Nuk kisha fjalë të nxjerr nga goja. Atë ditë u ndamë plotë nervozizëm,... plotë nebulozë. Ishte ndarje e rëndë, sepse, zhgënjimi i artistit edhe tokën e shponte me dhembjen e shpirtit. Të nesërmen jo, por pas katër ditësh, atdheu dhe vendlindja mbetën pa artistin,... Dhe, tash kur e bën një paralele të mendimit për artistin e zhgënjimin bashkë,... për atdheun e vendlindjen e hidhëruar mbase edhe të pikëlluar, çfarë na del nga kjo?! Le të mbetët temë e hapur, si dera e pambyllur.

Ky është rrëfimi për zhgënjimin e artistit dhe për unazën e tij të dorës...!

 

4.

Në tarracën e restorantit “Nositi”, pi vetëm ujë dhe meditoj për etjen e cila mund ta kaplojë botën, për etjen e tokës,... për shkrumbin e njeriut! Janë këto gjërat më të pakuptimta që njeriu i sjellë pa pasur kurrfarë mëshire. Këtë mendim “qyqar” ma prenë si me teh thike vaji i djaloshit, i cili çdo ditë shet shkrepsa-“çakmak” për ta djegur cigaren, për ta kallur duhanin!

Kamerieri i pakujdesshëm, karshi në restorantin tjetër, djaloshit ia kishte hedhur shkrepsat që i mbante në dorë me qëllim që ta largonte nga lokali shitësin e “çakmakëve”. Shkrepsat i ishin shkapërderdhur mbi dyshemenë me pllaka të lëmuara, ndërsa, disa sosh, sikur pritnin për shpërthyer nga inati me gazin e trazuar. I mblodhi shkrepsat djaloshi dhe iku duke qarë me zë. S’mu zu vendi vend dhe vrapova pas tij:

-Pse po qanë?! -i thashë.

-Po,... m’i hodhi shkrepsat,... Unë, nuk bëra gjë!

-Mirëpo, ti tash je i rritur për të qarë. Shih, sa të është bërë trupi. -ia ktheva duke menduar se  së shpejti rrita e tij do të arrijë dymetërshin, edhe pse me moshë është njomak, krejt shtalb.

-Kurrë mos qajë më, se tash e ke shtatin burrë,... je si bajrak!

Pas këtyre fjalëve, djaloshi mori guximin dhe plotë zemërim i fshiri lotët nga faqet e skuqura, të bëra all nga inati.

-Kurrë më nuk do të qajë! -ma ktheu njomaku, i cili tash krenohet duke shitur “shkrepsat” e shpirtit të trazuar...!

Një ditë tjetër, pasi i kishte kaluar ai zemërim, m’u afrua dhe më përshëndeti:

-Je i madh! -më tha dhe ngeli me shikim kah unë se çfarë do t’i them.

U dridha. Shih, si ai di të flasë edhe fjalë të tilla.

-Pse po thua?...

-Mbrëmë, në ëndërr tërë natën kam biseduar me ty. Edhe në ëndërr më ke dhënë kurajë,... më ke trimëruar për jetë. Tash, jetën e kuptoj ndryshe...

Prej atëherë, kudo që më sheh ky djalosh, më afrohet dhe ngrohtë më përshëndet, ndërsa, mua më bëhet se karakteri i njomakut po piqet bashkë me barrën e kohës.

Një ditë, ai do të arrijë dy-metërshin, dhe, ndoshta ato shkrepsat që ia kishte shkapërderdhur nëpër tokë kamerieri, do t’ia sjellë dhe do t’i rrëfejë e do t’ia kujtojë zjarrin dhe flakën e asaj kohe fëmijërore.

-Xhaxhi,... të dua shumë,... Je i madh!

Këto fjalë më përftojnë për çdo ditë të mbushura plotë shpresë të djaloshit të “çakmakëve”. Po, pra. Kështu piqet njeriu,... e mua kështu më harxhohet koha!

Edhe një ditë tjetër, ma dhuroi një shkrepsë duke më uruar ditë të mbarë. E zgjati dorën me atë “çakmak” me ngjyrë të bardhë:

-Urdhëro,... Ndoshta të shërben!

-Jo! -ia ktheva. Të faleminderit. Unë nuk pi duhan.

-Mbaje, se ndoshta ndonjëherë do të shërbejë për të të bërë dritë!

Shprehja e tillë më provokoi: ndoshta ndonjëherë do të shërbejë për të të bërë dritë...?! Nuk u hamenda dhe ia drodha:

-Po, si nuk më nevojitet. Për dritë kemi shumë nevojë, more. Edhe në këtë moment m’u kujtua lodhja e popullit dhe pesha e gurit. Ka kuptim kjo, apo jo...?!

 

5.

Me rastin e shënimit të ditës së çlirimit të qytetit, vizitova shtandet në sheshin e qytetit ku shiteshin artikuj të ndryshëm, e ndër ta edhe libra. Në pjesën ku shiteshin librat, takoj njërin prej krijuesve, i cili për zemër e ka humorin e sidomos satirën. Pasi u përshëndetëm, nga tavolina ku i kishte ekspozuar librat, mori një nga veprat e veta dhe ma dhuroi. Padyshim se iu falënderova për këtë dhe pastaj ika në punën time. Por, gjatë rrugës, nga kërshëria e lexova titullin: “Pse shqiptarët nuk kanë mend”! Më bëri përshtypje titulli, edhe pse këtë libër e kisha lexuar më përpara. Sërish diçka më provokoi dhe më detyroi ta “shprush” mendjen për gjithçka,... edhe për këtë titull! Në atë tollovi mendimesh, një ansambël i këngëve dhe i valleve burimore zbriste në sheshin e stolisur të qytetit. Jehonte muzika, e më së shumti bënte “zhurmë” tupani! E, seç m’u përzije libri me tupan! Nisa të qesh dyfish, kur aty për aty m’u kujtua edhe thënia e Çaplinit: “E qeshura lind nga kontradikta”. Për besë, edhe kësaj është për t’i besuar...!