Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vullnet Mato: Shpulla e ëmbël

| E diele, 10.07.2011, 06:20 PM |


Vullnet Mato

 

SHPULLA E ËMBËL

 

Tregim

 

Sapo dola në korridor nga dera e klasës së katërt A, ku kisha mbaruar orën e mësimdhënies, më shkuan sytë befas te vendpushimi para kabinetit të biologjisë. Aty në gjysmerrësirë, Ermali i së katërtës B tentoi atë çast të puthte me zor, Luljetën dhe ajo e goditi me një shpullë rrëmbimthi. Kjo sjellje e pazakonshme e tij, më la pak sekonda të menduar, madje edhe të tronditur. Sepse ai nxënës ishte krijesa ime model, me të cilën kisha punuar veçmas katër vjet radhazi, për ta formuar si njeri dinjitoz, nga i cili mund të merrnin shembull të gjithë të tjerët.  

     E thirra Ermalin te shkallët, ku u nis të vraponte dhe i thashë që në fund të orëve të vinte patjetër të më takonte te kabineti im i letërsisë. Ai e kuptoi plotësisht që e kisha parë veprimin e tij të mbrapsht me shoqen e klasës dhe u skuq, aq sa nuk e deshi veten që kishte rënë padashur në lakun e syve të mi.

      Qysh në ditët e para të ardhjes së tij nga fshati i largët malor, unë e kisha zgjedhur atë djalë të zgjuar, trupvogël, si një brumë njerëzor të pastër, për t’i dhënë formën e një njeriu me intelekt të zhvilluar, me kulturë të bollshme letrare dhe me edukatë të spikatur qytetare. Duke i ushqyer dijet e tij sistematikisht, me libra nga biblioteka ime, duke e mbajtur pranë më këshilla, deri edhe duke i dhuruar këpucët e mia të tepërta për këmbët e veshura keq. Më pas e kisha bërë koleg për matematikën, ku ai shkëlqente, t’u shpjegonte problemat e vështira nxënësve të klasës sime në kujdestari gjatë orëve të studimit. Në fund të fundit, të gjitha këto i bëja, edhe për të matur veten time, se deri ku mund të arrinin aftësitë dhe mundësitë e mia njeri - formuese, si  mësues me përvojë njëzetvjeçare. Por gjesti i tij i sotëm më la paksa të zhgënjyer për këtë segment të karakterit të tij të panjohur prej meje. Sepse në drejtime të tjera, ai shquhej për mirë dhe ishte bërë nxënës i dhjetës absolute në të gjitha lëndët.

    U ndjeva mjaft i befasuar prej tij, jo se unë isha aq strikt e pedant, sa të mos merrja parasysh, se ai djalë, që tashmë kishte marrë pamje burrërore, me pushin e zi në mjekër dhe me shtatin e hedhur djaloshar, nuk do të lakmonte vajzat, madje edhe t’i puthte ato. Por kurrsesi të bëhej një dhunues femrash, si ai që më kishin zënë sytë pak më parë.

    Në fund të orës së gjashtë Ermali më priste kokulur te banka e parë, përballë katedrës dhe u ngrit në këmbë, sapo hyra në klasë. I thashë të ulej dhe mora karrigen time u ula përballë tij. Dukej paksa i turpëruar, por pa ndryshuar ngjyrën në atë fytyrën e njohur mirë prej meje, ku si në një ekran lexoja sesi ravijëzoheshin në ngjyra dhe shprehje të mimikës, gjithë ndjenjat e tij. Më erdhi ndërmend ajo fytyra e skuqur shumë nga turpi dhe pendimi, kur e kisha qëlluar me shpullë, si të parin dhe të fundit rast në jetën time prej mësuesi. Për shkak se kishte thyer xhamin e dritares së kabinetit të letërsisë, të kompletuar me paratë e rrogës sime, për mungesë fondesh nga drejtoria e shkollës. Mjedis, ku kisha krijuar të gjitha kushtet për të studiuar pasditeve klasa ime në kujdestari me konviktorë të ardhur nga fshatrat. Ai jo vetëm më kërkoi falje të sinqertë për atë dëmtim pa dashje, por edhe me pendim të thellë, më qëndroi më afër se kurrë, me një dashuri, sikur të  isha prindi i tij i vërtetë.

    Në rastin e pazakontë të sotëm, si fillim i hodha vetëm një vështrim serioz të pjerrtë. Por ende pa arritur të hap gojën i pari, për ta akuzuar për sjelljen e tij të padenjë, ai me nuhatjen e mprehtë se ku rrihte çekani i bisedës, nxitoi të më thotë:

    -Më keni thënë prej kohësh, profesor, se sinqeriteti është e vetmja dhuratë që mund t’i falim njëri-tjetrit dhe unë e kam pasur këtë, si të vetmin postulat në të gjitha komunikimet e mia me ju...

    -Këtë e kam konstatuar me kohë, - e ndërpreva kënaqësish që ma kujtoi atë kërkesë, - Prandaj dhe duhet të më flasësh sa më sinqerisht sot, pse ke filluar të bësh akte të tilla rrugaçërie me vajzat e klasës? Aq më keq, me Luljetën, me atë vajzë të urtë e të ndershme që nuk i pranon nga askush këto lloj sjelljesh?

    Kur dëgjoi fjalën ”E ndershme” ai formoi në fytyrë një nënqeshje të lehtë paksa ironike.

    - Më keni kapur mat, profesor, dhe ju lutem të më falni, por jam i detyruar të flas fare hapur, se nuk kam si të shpjegohem ndryshe. Unë Luljetën e kam dashur dhe kam shkuar me të...

    Shqeva sytë mbi fytyrën e tij aq të qetë, sikur të kishte thënë thjeshtë, kam pirë një kafe me atë vajzë.

    -Si the, more, ma thuaj edhe një herë?

    -Kam pasur marrëdhënie intime me dëshirën e saj...

    Deri në ato çaste, dija se Luljeta ishte vetëm shembulli më i qartë, që na jep natyra me përsosjen e bukurisë femërore në moshën e adoleshencës, kur ajo piqet si e tillë. Madje me një pamje aq ekspresive, sa ajo vajzë fshatare, edhe me një fustan të thjeshtë, tregonte hire vajzërore, me të cilat mund t’i prishte mendjen çdo djali. Dhe padashur m’u kujtua, viti i parë, kur me një mikun tim që i binte organos, organizoja mbrëmje argëtimi me klasën time në kujdestari, për t’i qytetëruar fëmijët fshatarë, Luljeta e turpëruar, i hiqte duart nga supi i djalit, me të cilin kërkoja të mësonte vallëzimin në çift. Si ishte munduar tani, ajo vajzë me këtë djalë që kisha para syve, kishin shkuar deri në ekstremin fundor të formimit qytetar?!...

    -Shkova me Luljetën, pas një mbrëmjeje që bëmë deri vonë në konvikt, dhe ajo ma kërkoi vetë. Duke më treguar edhe mendimin e shoqeve të saj, se ajo ndershmëri për të cilën flitej shumë, ishte vetëm një xham akulli që duhej thyer, për të mos penguar të dukej ana femërore e një vajze. Dhe unë, që e kisha vuajtur shumë shpirtërisht thyerjen e xhamit të kabinetit, u stepa në fillim. Por duke kuptuar dëshirën dhe vendosmërinë e saj, nuk mund të mos i përgjigjesha me dashurinë time. Pastaj kur mbaruam, ajo më tha papritur duke u përkulur për të veshur të mbathurat: 

    - Nuk të vij më. Kjo që bëra me ty sonte do të jetë e para dhe e fundit herë...

    - Pse? - e pyeta i çuditur në kulm.

    - Nuk më pëlqen ta bëj më këtë gjë.

    - Po pse më erdhe, kur s’të pëlqente?

    - Meqë e kishin bërë shoqet e ngushta, u bëra kurioze...

   U mendova pak, si mund ta bindja që të mos hiqte dorë nga unë.

    - Do vish se s’bën, se ti më do mua!- i thashë duke qenë i sigurt për këtë.

    - Nuk të dua kushedi se çfarë, kisha vetëm simpati për ty dhe kaq.

    Më erdhi shumë inat nga ato fjalë që nuk i prisja kurrsesi prej saj dhe u tregova egoist:

    - Do më vish, se po nuk më erdhe, këtë që bëra sonte me ty, do ua tregoj të gjithë shokëve të klasës...

    Ajo ngriu pak sekonda, duke më vështruar me habi, pastaj tha me një zemërim tepër të madh:

    -Po më hape namin, do u them edhe unë të tëra shoqeve, që t’u thonë pastaj edhe djemve të tyre, se ti e kishe sa çunat e kopshtit të kalamajve...

    U tërbova nga ato fjalë të tmerrshme të dala nga goja e saj dhe menjëherë ia futa me shpullë turinjve. Ajo më vështroi me sy të shqyer dhe pasi u bë spec e kuqe në fytyrë, iku me vrap. Tani jo vetëm nuk më flet fare me gojë, po edhe ikën sa më larg nga unë. Po me thënë të drejtën, profesor, tani sepse kam filluar ta dua më shumë dhe i penduar për shpullën e asaj nate, që ishte një aksident i imi, desha ta afroj me puthjen që pikasët ju. Por mesa duket, ajo sot mori hakën. Dhe qoftë ashtu siç e kuptova unë, një shpullë e ëmbël, vetëm sa për hakmarrje...

    E dëgjova Ermalin duke mbajtur frymën pezull nga habia dhe nuk gjeta frymë tjetër për të ndërhyrë me këshilla të panevojshme në intimitetet e moshës së tyre. Duke menduar se me ndryshimet e reja, që po u bënte koncepteve rinore faktori i jashtëm formues, me gjithë mjetet e fuqishme të kohës, unë kisha dalë jashtë lojës. Aq më tepër, atë çast ndjeva tamam, se tashmë, pak para mbarimit të shkollës së mesme dhe marrjes së dëftesës së pjekurisë, ata ishin bërë vetëveprues, sipas botëkuptimit të tyre për jetën dhe unë gjendesha veçse në pozicionin e një spektatori. Megjithatë, edhe disa kohë më pas, një pikëçuditje e madhe më qëndroi në mes të trurit, si huri i vetëm një gardhi të rrëzuar, ku qengjat e dikurshëm kishin fluturuar.