Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ndue Ukaj: Rreziku nga tjetërsimi i trashëgimisë kulturore

| E diele, 10.07.2011, 07:05 PM |


Rreziku nga tjetërsimi i trashëgimisë kulturore

 

Nga Ndue Ukaj

 

Mënyra sesi shteti ynë i është qasur trashëgimisë kulturore dhe kulturës në përgjithësi, rrezikon që vendin tonë për një kohë të shkurtër ta shndërrojë në një vend konglomerat identitetesh e kulturash, pa rrënjë të qëndrueshëm dhe pa substancë. Kësisoj, shqiptarët në Kosovë po rrezikojnë të mbetën pa trashëgiminë e tyre kulturore, trashëgimi kjo që padrejtësisht po zëvendësohet nga një shtresë ortodokso-otomane, për hesape të politikës së ditës.

 

Kosova gëzon tanimë më tepër se një dekadë lirie, ndërkaq institucionet e këtij vendi s’kanë bë asgjë për promovimin, ruajtjen, konservimin dhe gjurmimin e trashëgimisë kulturore me proveniencë shqiptare dhe oksidentale.

 

Në Kosovën tonë, Dardaninë e lashtë, ekzistojnë dëshmi të shumta  historiografike dhe arkeologjike, se ka ekzistuar një qytetërim i zhvilluar që ka lënë gjurmë. Këto janë të dhëna të mirënjohura dhe të dokumentuara, e të cilat qeverisë sonë fare nuk i hyjnë në punë.  Madje, të dhënat e mjaftueshme tregojnë se investimet e Institucioneve tona për të ruajtur, gjurmuar dhe promovuar këtë trashëgimi kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë skandaloze. Kjo është dëshmi se kjo elitë politikë nuk ka shije për kulturën, nuk e di rolin e kulturës në një shoqëri, shtet dhe komb dhe kësisoj rezulton të jetë e pakulturuar.

 

Kultura është shpirti i një kombi.

 

Për me kuptuar gjendjen reale të trashëgimisë kulturore, qoftë të lashtë apo të mëvonshme, mjafton një dashamiri të kulturës, brenda një muaji t’i ndërmerr pak udhëtimi në disa rajone me rëndësi në Kosovë. Aty ku ndodhen bazat e kulturës, identitetit dhe historisë sonë, sot defilojnë qenët, lopët, bujqit lëvrojnë tokat e gërmadhat vetëm sa mbushen me dhe, duke tretur gjurmët e thesareve tona kulturore.

 

Sa për ilustrim, njeriu që ka një grimë shije për kulturë, e kupton se Janjeva është një nga vendbanimet më të rëndësishme të Kosovës. Përveç tjerash, aty ndodhet shtëpi e lindjes së të madhit At Shtejfen Gjeçovit. Mirëpo, aty të zë makthi. Në Shtëpinë e lindjes së këtij kolosi të dijës dhe kulturë shqiptare, pshurrin qentë endacak dhe duhma e nevojave fiziologjike të njerëzve e kafshëve, s’të le të qëndrosh aty.

 

Ndërsa varri i tij, bashkë me një pllakë përkujtimore në Zym, është pranë rrënimit.

 

Një destinacion tjetër me rëndësi në hartën kulturore të Kosovës, është Ulpiana. Një vizitë në Ulpianën e antike, të trishton. Gjurmët  e qytetit të lashtë, janë përdhosur nga bujq, ndërkaq ca gërmime që janë bë, nuk kanë arritur të shpalosin as minimin e asaj që fshihet nën dheun e asaj toke që ruan thesare të kulturës së përbotshme. Aty ndodhen edhe varrezat e dy martirëve ilir, Shën Florit dhe Laurit.

 

Më tutje, një udhëtim më i largët deri në Stubllën e Epërme, të çon te objekti ku u legalizua Shkolla e Parë Shqipe në Kosovë. Aty është edhe muzeu. Dhe një pllakë përkujtimore për Martirët e Karadakut të viteve 1846-848. Ai  objekti ku u legalizua shkolla, është duke u rrënua për çdo ditë. Përkujdesja e shtetit për të është zero. Rruga deri atje është nga ato më të këqijat në Kosovë.

 

Një mik i imi, studiues i letërsisë dhe admirues i shkrimtarit Anton Pashkut, teksa diskutonim për këto probleme, më tha se gjithashtu se varri i shkrimtarit më të madh në Kosovë, Anton Pashkut, është krejt i rëndomtë, pa asnjë përkujdesje institucionale. Pa asnjë sinjalizim.

 

Në Prishtinën e Pjetër Bogdanit, nuk u bë asgjë për këtë korife të kulturës dhe letërsisë shqipe. Për këtë njeri që u bë udhërrëfim për filozofinë politike të Ibrahim Rugovës dhe lëvizjes së tij për rikthimin e shqiptarëve në shtratin e natyrshëm perëndimor.

 

Në Zymin e lavdishëm, prej ku dolën figura brilante të kombit shqiptar, nuk u investua thuajse asgjë. Edhe ato pak investime që duken, shumica janë bë nga komuniteti.

 

Ndërsa qyteti antik i Novobërdës, me bazilikat dhe kishat e vjetra të traditës ilire, nuk përmendët asnjëherë nga politikanët tanë miop në fushën e kulturës.  Në gërmadhat e famshme të kalasë së Novobërdës nuk është bë asgjë, as në konservim, as në gjurmim.

 

 Nga e gjithë kjo hartë e vogël kulturore, del se armiqtë më të mëdhenj të trashëgimisë kulturore në Kosovë,  të jenë vetë  institucionet e këtij vendi, së bashku me inteligjencën e heshtur. Me apo pa dije, kjo është një gjë që është vërejtur qysh moti.

 

Një komb pa kulturë, nuk mund të mbahet gjallë. Këtë gjë e kanë të njohur gjithë kombet e mëdha. E, këtë e dinin edhe njerëzit e ditur të kombit tonë, që nga koha e Gjon Buzukut e këndej. Autori i parë shqiptar, e shkroi librin për dashuri ndaj gjuhës dhe vendit të vetë. Meqë gjuha është tipari më i fuqishëm dhe ajo forca më sublime që lidh një komb, kjo dashuni për gjuhën, që nënkuptueshëm domethënë edhe për etnin, u përcoll nëpër breza me sakrifica dhe peripeci të gjithfarshme. Librat e parë të kulturës shqipe, u shkruan nënë rrethana tmerrësisht të rënda, në kohën kur otomanët donin të fshinin nga faqja e dheut çdo gjë shqipe. Falë njerëzve të ditur e idealistëve të mëdhenj, siç ishin Buzuku, pastaj Pjetër Budi, Frang Bardhi dhe sidomos Pjetër Bogdani, kultura shqiptare shpëtoi nga tendencat asimiluese.

 

Këta themelues të kulturës shqipe dhe rrjedhimisht të identitetit shqiptar, u pasuan nga një brez i ndritur rilindësit, që nuk kursyen asgjë për kulturën shqipe. Shembujt e shumtë i gjejmë që nga arbëreshët e Italisë, e gjerë tek kolonit shqiptare nëpër botë, që mbajtën gjallë gjuhem, arsimin shqip dhe librin, duke u bë kësisoj edhe promotor për çlirimin e kombit nga hordhitë otomane.

 

Faik Konica një dijetar i pashembullt, altruist në shkrime dhe jetë, e ndihmoi Fishtën në botimin e blenit të parë të Lahutës së Malcis. Ai për më tepër, shkriu tërë energjinë për të mbajtur gjallë frymën shqipe, nëpërmjet Albanica-s së tij që trokiste nëpër gjitha institucionet e dijës Europiane.

 

Pra, në kushte të rënda, pushtimi dhe ndalesash, kultura shqiptare gjente forma të mbijetesës. Madje, në këso kushtesh u krijuan kryevepra arti. Sot, në kohë lirie, Kosova nuk ka shënuar asnjë progres në planin e përbotshëm. Madje, pa një revistë reprezentative dhe pa asnjë botim serioz për trashëgiminë kulturore dhe kulturën në përgjithësi.

 

 Andaj, të themi se kultura është në krizë, është një konstatim banal. Kultura është në gjendje agonie, shpëtimi i së cilës varet nga mendjet e shëndosha dhe vullnetmire. Me një ndërhyrje urgjente. Duke e shpëtuar atë, shpëtojmë shumëçka, duke humbur atë, humbim çdo gjë.