E enjte, 25.04.2024, 10:18 PM (GMT+1)

Kulturë

Cikël poetik nga Baki Krasniqi

E diele, 10.07.2011, 07:55 PM


BAKI KRASNIQI (1954)

 

U lind më 27 gusht 1954  në fshatin Priboc,komuna e Bajanocit. Ka kryer fakultetin filozofik,dega e Gjuhës  dhe letërsisë shqipe. Shkruan poezi,prozë e dramë. Ka botuar dy përmbledhje me vjersha Në krah të shqipes dhe Zogu i qyqes. Është anëtarë i kryesisë së klubit letrar Nositi me seli në Dardanë dhe njëri nga themeluesit e tij. Gjithashtu është anëtar i redaksisë së revistës letrare me të njëjtin emër. Jeton në fshatin Petrit të Dardanës. Punon  në shkollën e mesme të ulët Xhela Sopi në Petrit.

 

 

FLAMURI QEFIN

 

biri im

jeta dhe varri im

buzëqeshja po ta shton madhështinë

flamuri – qefin

këngë e lot

dasmë në mort

 

ne qajmë ti qesh

dikur ishte ndryshe

më kujtohet si sot kur ti erdhe në jetë

ne këndonim qeshnim ti qaje

nuk e dija pse

ndoshta pse erdhe në këtë botë mëkatare

apo ishin lot gëzimi

se përherë të parë u ndeshe me diellin

sot i kemi ndërruar rolet

ne qajmë ti qesh

 

 

KULLA IME

 

eh kulla ime

sa herë u dogje

dhe u ndërtove sërish

u godite me top

u rrënove gjer në themel

oxhaku mbeti pip përpjetë

jetën vazhdova

atje ku miza bren hekur

dhe mësova këngën e re

 

 

ZOGU I QYQES

 

erdhe në jetë

me dashuri të madhe

pesë minuta zgjati romanca

lindja jote qe kob

 

tash jeton në ankth

pret të ndalet rrebeshi

lakmon diellin

me lot pikturon ylberin

 

flokët më çohen përpjetë

kur shoh qyqen e mjerë

pjellën e vet e lë n`udhëkryq

e ik e ik nga vetja

 

 

SI TA MPOSHT TERRIN

 

si ta mposht terrin

këtë natë pa hënë

si ta largoj vrerin

medikamentet fals

si ta shuaj etjen

Kroin e Ftoftë e zuri Kulçedra

si ta vras Shpendkeqen

ndjell kob mbi pullaz

 

është natë

kandili nuk ka vaj

llambën e vajgurit e kam hedhur n`tavan

si ta zbres poshtë këtë natë

kam frikë nga Shekulli i Ri

do të bëhem gaz

 

është terr

shpirti vuan e gjumi nuk më merr

e thirra time mbesë

të sjellë ujë me kënatë nga Kroi i Ftoftë

Zana u zhduk në errësirën e natës

medet u bëra vrasës

 

i thirra zjarrfikësit e qytetit tim

të shuajnë zjarrin në damarët e mi

erdhën me ters e sinjale

u kthyen fluturim duke sharë

thanë : ne fikim zjarr e jo tym

thirr astrologë psikologë hoxhallarë

të shkruajnë hajmali të qesin fall

 

është natë

sytë m`u kanë verbuar

shpirti është trazuar

nuk kam Gjenerator me flakë

të mposht errësirën këtë natë

nuk kam kënatë

të sjell ujë nga Kroi i Ftoftë

Poçarin e vranë katilët

Zjarrfikësit nuk po e kuptojnë gjuhën e zemrës

Kroi i Ushtarit është larg

gurët e tij ende pikojnë gjak

 

 

RIKUJTIM MOTESH

 

e nënshkroi paqen

me gjakun e tehut të shpatës

rrugën për në fund të detit ia ndriçoi flaka

froni e djepi i arit mbetën të zbrazët

Teuta

 

ku gjendet Tamara

n`Hot a n`Kelmend

e kërkova n`libra

e gjeta n`legjendë

Nora

 

dy emra kishte

dy kobure ngjiste

me dy gërsheta nën plis

lidhi librin e historisë

Shota

 

eca vijës gjakut grykës nëpër Drenicë

të gjej Altarin ku flijoheshin Hyjnitë

një rrasë e kuqe ende nxirrte avull

aty u flijua Nusja bashkë me Dhëndrrin

Xheva

 

 

LEGJENDA

 

një ditë prilli kur çelin lulet

u nisa drejt bjeshkës

të pi ujë t`Currit

të dëgjoj këngën e bilbilit

 

eca nëpër prush

nga shkrumbi e mësova legjendën

dikur një piroman i përzuri shpendët

ia dha zjarrin Zabelit

 

shqiponja me një zog nuk e lëshoi çerdhen

e pashë një varr në qiell

një skelet bënte dritë ngrohte si diell

 

i mora syrin ia vura në maje Ante-nës

puplën e kuqe ia vura kapelës

me dy krerët zbukurova xhaketën

 

 

VARKA E NOES

 

re të zeza shtëllunga-shtëllunga

mynxyra të nxira si futa terri i zi çerep

në pikë të ditës ka rënë muzgu

është shkrirë bora e kuqe nga bjeshka

 

lumenjtë kanë dalë nga shtrati

oqeanit deti po i tepron

po vjen drejt nesh stuhia

dua t` iki po s`di nga t`ia mbaj

 

si të eci me një të vdekur-barrë

ku të bëj varrin tim në qiell a oqean

ku të marr një grusht dhe ta hedh mbi të

si nëpër ëndërr u nisa zhagas drejt bjeshkës

 

kam një parandjenjë të keqe

por po më mbanë shpresa

se do të dalë Ylberi

a do të lindë  nga perëndimi Dielli

 

shqipja mike t`më çojë mbi re

medet Ylberin e ka marrë Zana

Hëna e ka eklipsuar Diellin

Shqipes iu kishin tharë krahët

 

kur e pashë me sy kiametin

mendova se do të bëhem ushqim për peshq

Varka e Noes doli në breg

-Eja baba dëgjova një zë si n`ankth

 

eja tha : merri edhe 60 vetë

eja mos lyp shpjegim

jam biri yt që vjet më mbështolle

me flamur qefin

 

 

NËNA

 

nëna ime e dashur

t`kanë lodhur dertet

t`u kanë lënduar gishtat

duke arnuar shekujt

 

po t`i shoh duart e bardha

që lanë këmisha me gjak

po t`i shoh edhe sytë e shqetësuar

hapur në drejtim të portës

 

rrudhat e pleqërisë

po ta shtojnë madhështinë

kurrë nuk  m`gjykove e name

ndonëse ta hëngra mushkërinë

 

ma bën hallall

se t`kam bezdisur

s`kishe bukë për t`më dhënë

unë të lypja tambël zogu

 

 

FENIKSI

 

n` Unter Grupenbah tërmet

Janarin e mbuloi ploja

akull e zjarr në zemrat tona

 

borën e bardhë e shkriu  flaka

në zjarr iu dogj kënga Bilbilit

qyqja këndon n`mjedis t`dimrit

 

edhe Allamani ra në kurthë

çka lëshoi plumbi dogji zjarri

mantilbardhë vetë satani

 

furrë krematoriumi

hiri u bë urë

Feniksi fluturoi mbi lumë

 

kthjelloi qiellin e mërrolur

çliroi Diellin e lodhur

luleve ua ktheu aromën

 

Feniksin që solli dritë e diell

shpata e Demokleut e ndau n`dysh

gjysma n`tokë e gjysma n`qiell

 

 

NDARJA

 

jetonim në ishullin e lumturisë

unë si pëllumb  Eva si flutur

nuk hanim as pinim

s`është zakon për engjëj

si mallkim në ishull erdhe ti Satana

me dekret fals

surratin e kishe të njeriut

në shpirt tradhtinë mashtrimin

shportën e kishe plot

me mollë e lëng trëndafili

Evën e pushtoi lakmia

Mollën e Kuqe e hëngri me apetit

mua më mbeti në fyt

i pashmangshëm qe ndëshkimi

hëngrëm Mollën e sherrit

njëri tek lind  dielli

tjetri tek perëndon



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora