E enjte, 25.04.2024, 08:16 PM (GMT+1)

Faleminderit

Xhevat Ukshini: Një luftëtar që luftoi për të bërë realitet porositë e Shtjefën Gjeçovit

E diele, 10.07.2011, 07:58 PM


Një luftëtar që luftoi për të bërë realitet porositë e Shtjefën Gjeçovit

 

Kolë Ndrecë Mirdita ra dëshmor në kufirin shqiptaro-shqiptar më 9 korrik 1998

 

Nga Xhevat Ukshini

 

Më 9 korrik të vitit 1998 në kufirin që ndante tokën shqiptare mes për mes, te Rrasa e Zogut, ra në altarin e lirisë dëshmori i kombit Kolë Ndrecë Mirdita. Mbi rrasën e ftohtë ai la trupin, kurse shpirti i tij fluturoi si zog drejt lartësive qiellore të amshimit.

Kufijtë e shtetit shqiptar u vendosën arbitrarisht në tryezën diplomatike ku shqiptarët mungonin. Nuk u përfillen realitetet etnike dhe historia e lashtë e këtyre viseve ilire-dardane, por interesat e shteteve ballkanike që me ndihmën e fuqive të mëdha, sidomos të Rusisë, e futën trupin e kombit shqiptar në shtratin e Prokrustit. Shqipëria doli si humbësja më e madhe në fund të luftërave ballkanike, sepse ishte i vetmi shtet në gjithë Evropën që në gjithë vijën e kufirit të saj shtetëror tokësor fqinj të parë kishte shqiptarët, të cilët vullneti politik imperial i kishte lënë jashtë shtëpisë së tyre të natyrshme, jashtë shtetit kombëtar shqiptar. Kufiri që ndante Kosovën nga Shqipëria për pothuajse një shekull ishte kthyer në burim të fatkeqësisë dhe të stërkeqjes së tyre si faktor në arenën e ashpër ballkanike që më tepër se mirëkuptim dhe marrëveshjen mes popujve për tipar kryesor kishte përçarjen, luftën dhe shfarosjen etnike. Asnjë komb tjetër i Evropës nuk u gjymtua në këtë mënyrë kaq të pamëshirshme si kombi ynë. Prandaj çdo fëmijë shqiptar që ka lindur pas kësaj zezone të kufijve nuk ka dashur gjë tjetër në jetë veçse shembjen e këtij muri që na ndante. Kolë Mirdita jo vetëm e dëshiroi këtë shembje, por edhe mori pjesë në të, edhe pse fati nuk deshi që ai të ishte dëshmitar i shembjes përfundimtare të këtij muri që ishte shumë herë më i rrezikshëm se ai i Berlinit, rënia e të cilit e paralajmëroi rënien edhe të murit ndërshqiptar.

Kolë Mirdita ishte luftëtar i orëve të para. Kishte kaluar nëpër shumë beteja kur në qershor të vitit 1998 u nis me një grup prej 30-40 vetash për në Drenicë dhe më pas me rreth 1500 vetë kaloi në Shqipëri. Pas furnizimit me armë një grup prej mëc shumë se 400 veta nisen për Kosovë. Kufiri nuk kishte lëvizur, por ushtria serbe po, ajo kishte zënë pozicionet dhe priste me tytën e pushkës shqiptarët që po ktheheshin. U bë një luftë e ashpër me serbët, të cilët për tri orë luftuan. Por në fund shqiptarët e çanë rrethimin, por lanë edhe të vrarë. Kolë Mirdita nuk mbërriti në Jasiq ose në Junik, ku u vendosën shokët e tij ushtarë.

Kolë Mirdita rrjedh nga një familje atdhetare që ishte dalluar me përkushtim dhe me besnikëri ndaj atdheut. Vendlindja e tij Ranoci, fshat i Lugut të Drinit të Bardhë, ka dhënë edhe në të kaluarën trima të pushkës, qysh nga koha osmane dhe më pas gjatë pushtimeve serbo-malazeze. Duke qenë në rrethinën e afërt të Zllakuqanit, në kishën e të cilit më 1887 e filloi shërbimin frati atdhetar Atë Shtjefën Gjeçovi, Ranoci ishte pjesë e shpirtësisë gjeçoviane. Fjala e Gjeçovit i kishte ngrohur zemrat e këtyre njerëzve, sepse kërkonte hapje shkollash në gjuhën shqipe, me fjalën e tij të ëmbël plot dashuri për gjuhën tonë që filloi të mësohet në shkollë. „Po deshe me ja falë orës s` ligë e ditës s` zezë fmiin t’an, o shqyptar, e mos t’ja shofish nneren as ti a komi, dërgoje nner msojtore të hujëja sa t’ jetë m’kamë t’ vogla,e ke me mrri me pan t’ zezën t’ane: maa t’parit tyy ka me t’pasë gjak nner sy manej nanën e vet, vllazent e motrat, atdheun e komin e gjuhën e vet” kështu iu fliste shqiptarëve të kësaj ane Gjeçovi i madh. Por mes këtyre fjalëve të shenjta dhe luftës, pjesë e së cilës ishte Kola, kishin kaluar jo më pak se njëqind vjet dhe kufiri si perde hekuri po i kthente shqiptarët në kohët e liga të mohimit të gjuhës së tyre. Vetë Kolës iu desh të bëjë një pjesë të shkollimit të tij në rrethana që i ngjanin kohërave kur shqipja përbënte krim shtetëror.

Gjeçovi vritet pas shpine nga xhandarmëria serbe, por gjuha shqipe dhe idealet e fratit patriot mbijetuan të gjitha katrahurat. Kola ishte njëri nga ata që eci palëkundur në këto gjurmë të ndritshme. Ai u kthye në dritën e martirit që nuk pushon kurrë së bëri dritë.

 



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora