Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Janaq Pani: Sprovë për paraqitjen e Biblës në vargje

| E diele, 10.07.2011, 07:54 PM |


Janaq Pani

 

SPROVË PËR PARAQITJEN E BIBLËS NË VARGJE

 

 

Z A N A F I L L A

          ----------------------

Sipas: BIBLA - Dhjata e vjetër dhe Dhjata e re

       DIODATI I RI - përkthimi 1991-94

          Botim i LAJMI I MIRË

               TIRANË

           ___________

 

1 /1-5  KRIJIMI I QIELLIT, I TOKËS, I UJIT

                   DHE I DRITËS

 

Perëndia krijoi qiejt dhe tokën në fillim

pa trajtë, e zbrazët, terri mbulonte gjithçka,

FRYMA E ZOTIT mbi ujëra endej fluturim

pastaj:"U BËFTË DRITA!" - Perëndia tha.

 

Vërejti Perëndia se drita ishte e mirë

dhe emrin ia vuri "Ditë", për ta ndarë

me "Natën", se kështu e quajti errësirën

e me kaq e mbaroi të bëmen e ditës së parë.

 

1 /6-8   FORMIMI I ATMOSFERËS DHE I

                      HIDROSFERËS

               NË KUPËN QIELLORE

 

Tha Perëndia pastaj:

"Një kupë qiellore mes ujërave të jetë

dhe ujërat nga ujërat në mes t'i kenë kufijtë,

e ndau faqen e ujërave poshtë nga ata sipër saj,

kështu zbriti mbrëmja, pastaj mëngjesi, dita e dytë.

 

1 /9-13    FORMIMI I LITOSFERËS DHE I

                     HIDROSFERËS

                NËN KUPËN QIELLORE

 

"Ujërat që nderen nën qiell, sot e përhera

të mblidhen bashkë në një vend më vete,-

tha Perëndia,- e të shfaqet Terra!",

që e quajti "Tokë",

dhe grumbullin e ujërave "Dete".

 

Dhe shtoi pastaj:"Toka gjelbërimin mbarë

në çdo bar e dru në llojin e vet të mbijë

dhe të rritet seicili e të nxjerrë farë

që veten mbi tokë më pas të përtërijë."

 

Drurë që japin fruta, me farën brenda kanë mbirë,

u mbush toka gjelbërim simbas llojit të vet

dhe Perëndia e pa se kjo ishte gjë e mirë,

kështu mbërriti mbrëmja e ditës së tretë.

 

1 /14-19    KRIJIMI I YJEVE NË

                     ATMOSFERË

 

Tha Perëndia:"Të ketë ndriçues në kupën qiellore

të shërbejnë si shenja ditën nga nata për të veçuar,

për të ndarë stinët, ditët dhe vitet kësodore

e tokën mbarë nga lart për ta ndriçuar."

 

Dy ndriçues të mëdhenj Zoti krijoi pastaj,

të madhin për të qeverisur ditën e vendosi,

e më e vogla natën do qëndisë me dritën e saj

dhe kjo ishte punë e mirë kur dita e katërt sosi.

 

1 /20-23   KRIJIMI I JETËS SHTAZORE NË

                 ATMOSFERË DHE NË

                       HIDROSFERË

 

Më pas Perëndia tha:"Me qenie që marrin frymë

të mbushen ujërat e në qiell zogj gjithfarë

të fluturojnë, e jeta mos ndalet asnjë grimë."

E Zoti pastaj i bekoi të gjitha qeniet mbarë.

 

"Shumëzohuni e mbushni ujërat e deteve

dhe zogjtë të shumohen mbi tokën e bekuar,

të frutshëm të jeni sot e në jetë të jetëve!"

E kur pa që ishte mirë e pesta ditë kish mbaruar.

 

1 /26-31   KRIJIMI I NJERIUT

 

Në fund Perëndia tha:"Simbas shembëlltyrës

tonë të bëjmë  njeriun, e në ngjasim me ne

të ushtrojë sundimin mbi gjithë qeniet e natyrës,

mbi peshqit në det, zogjtë në qiell

e gjithçka zvarritet mbi dhe.

 

Mashkullin e femrën simbas shembëlltyrës së vet

krijoi Zoti dhe i bekoi:"Të jini sundimtarë

mbi çka lëviz në tokë,

zogjtë fluturim e peshqit në det,

të frytshëm të jini, shumëzohuni e mbusheni tokën mbarë.

 

Çdo bar që lëshon farë e çdo pemë që fryte ngjiz

mbi sipërfaqe të tokës t'iu shërbejë si ushqim

juve e çdo qenie tjetër që mbi tokë lëviz."

Pastaj e pa se dita e gjashtë ishte në përfundim.

 

Ndërkaq Perëndia të shtatën ditë që lindi

e sigurtë që ish e plotë vepra e krijuar,

"Sot do të shlodhem!"- Zoti veten e bindi

dhe bëri bekimin:"Qoftë kjo ditë e shenjtëruar!"

 

2 /4-25   KRIJIMI I BURRIT DHE

                   I GRUAS

 

Vendosi Zoti Perëndi e formoi njeriun

nga pluhuri i tokës atëherë,

në vrimat e hundës frymë jete i fryu

dhe njeriu u bë i gjallë menjëherë.

 

Mbolli një kopësht në Eden Zoti Perëndi

dhe vendosi aty njeriun që pat sendërtuar,

bëri të lartësohen plot pemë me hijeshi

me gjethe fruta plot degët ngarkuar.

 

Në mes të kopshtit Pema e jetës lulëzonte,

por dhe Pema e Njohjes të së mirës e të keqes,

për ujitjen e kopshtit një lumë në Eden buronte

e katër rrjedha uji ndante prej vetes.

 

Emri i rrjedhës së parë na është Pishon,

qerthullon tërë vendin ku del flori,

i rrjedhës së dytë emri i është Gihon

e vendin e Kushit rrethojnë ujërat e tij.

 

Tigri është emri i rrjedhës së tretë

është ai që rrjedh në lindje të Asirisë,

rrjedha e katërt është Eufrati vetë

burim i gjithë mbarësisë.

 

E urdhëroi njeriun Zoti Perëndi:

"Në tërë Kopshtin e Edenit lirisht i provo

frztet e çdo peme e merak mos ki,

veç te Pema e Njohjes asnjëherë mos guxo."

 

Pastaj njeriu me vullnetin e Zotit Perëndi

u dergj e në gjumë të thellë kur u gjend,

pa dhimbje Zoti i hoqi një nga brinjët e tij

dhe e mbylli mishin sërish në atë vend.

 

Me brinjën e hequr sendërtoi me durim

një grua të pashme dhe te njeriu e pruri.

Tha njeriu:"Kjo është mishi i mishit tim

e do të quhet "grua" se është nxjerrë nga burri."

 

Do të bashkohet njeriu me gruan e tij

e do të bëhen të dy si  një trup,

edhe pse cullakë ishin të dy

asnjeri prej kësaj nuk kishte turp.

 

3 /1-7   MËKATI I ADAMIT DHE

              PREMTIMI I PARË

 

Ndër të gjitha bishat që Zoti Perëndi

i krijoi të gjalla prej mishi e gjaku,

nga tërë rrëshqanorët që ishin mizëri

gjarpëri na ishte më dinaku.

 

Me dredhi gruas ai iu qas pranë

e pyeti:"Ka thënë Perëndia vërtet

nga frytet e pemëve në Kopësht mos të hamë?!

Dhe gruaja në çast përgjigje i jep:

 

"Provoni të gjitha frutat e kopshtit mbarë,

por te pema në mes mos prekni e mos prisni,

njohjen e të mirës e të keqes ka farë,-

ka porositë Zoti,- ndryshe do të vdisni."

 

"Asgjë nuk ka për të ndodhur atë ditë,-

ia ktheu gjarpëri,- ndaj frika mos iu trembë,

ashtu si Zotit dhe juve do iu çelen sytë

të mirën e të keqen do ta njihni me rrënjë."

 

Dhe provoi gruaja të hajë pa e bërë zë,

i këndshëm ishte e sytë t'i hapte ky frut,

i dëshërueshëm ishte e të mençur e bënte dikë,

ndaj ia ofroi dhe burrit ta kafshojë me ngut.

 

3 /8-24     GJYKIMI I NJERIUT

 

Sa ia dëgjuan zërin Zotit Perëndi

tek shëtiste mes kopshtit në agun e ditës

burri e gruaja u fshehën me ngut prej Tij

mes degëve të pemëve të kopshtit nanuritës.

 

Kuptoi Zoti e njeriut i thirri:

"Ku je i fshehur? M'u përgjigj!"

"T'i ndjeva hapat, o Zot, e frika më hyri

dhe u fsheha kur vërejta se isha lakuriq."

 

"Kush të kallëzoi? - e pyet Perëndia.-

Mos vallë te ajo pema ke ngrënë

fruta e i harrove porositë e mia,

o njeri që unë t'i pata thënë?...

 

"Gruaja që pranë më vure,- njeriu i flet

më dha të kafshoj frutin se i ngelej hatri."

E pohon dhe gruaja:"Perëndi, vërtet

e shijova dhe unë se më mashtroi gjarpëri."

 

Zoti Perëndi i zemëruar me hakë

i kthehet gjarpërit:"Ti që guximin pate,

i mallkuar qofsh ndër të gjitha kafshët,

mbi bark zvarritu gjithë ditë-netët e jetës sate!"

 

Gruas i tha:"Me vuajtje do të lindësh fëmijë

e të mëdha do të jenë dhimbjet e tua,

do komandohet nga burri e jotja çdo dëshirë

dhe sundimtari yt do jetë për ty grua."

 

I tha Adamit Perëndia pastaj:

"Ti që iu binde dëshirës e gruas sate,

kur unë të urdhërova "Mos ha prej saj!",

pse në fjalën time besimin nuk e pate?

 

Ndaj toka për shkakun tënd njeri

do të mbetet përjetë e mallëkuar,

me djersë balli do ta shkosh jetën ti

e pluhur do të bëhesh se nga ai je gatuar.

 

Tani që njeriu u bë si një prej nesh

do ta pengoj të zgjatë dorën sa të dojë,

n'e lënça të hajë nga Pema e jetës

si Zoti përgjithmonë do jetojë."

 

Ndaj e dëboi njeriun Zoti Perëndi

nga Kopshti i Edenit pa e bërë dy fjalën,

e degdisi të rropatet gjithë jetën e tij

e të rrëmihë tokën nga e cila ka dalë.

 

4 /1-15   KAINI DHE ABELI

 

U ngjiz Eva me Adamin e shtatzanë ngeli

dhe lindi Kainin që ushtroi bujqësinë,

pastaj erdh' në jetë biri i dytë Abeli

që më për zemër kishte bagëtinë.

 

Si rrodhi kohë ia bëri Kaini

një ofertë frutash Zotit Perëndi,

por Abeli i ofroi të Parëlindurit

të gjithë yndyrën e kopesë së tij.

 

Ia vlerësoi Zoti dhuratën Abelit

më shumë se dhuratat e Kainit,

i pezmatuar këtij qejfi i ngeli

e në sy i lëçitet zemërimi.

 

Ndaj kundër të vëllait dorën e ngriti

dhe Abelin e shtriu përdhe të vrarë.

"Çfarë bëre?! - Zoti nga lart i thërriti,

që me sytë e tij gjithçka e kish parë.

 

"Gjaku i tët vëllai vëngon nga toka Kain

ndaj endacak të bëhesh, i mallkuar je,

rropatu mbi tokë, por s'ke për të marrë prodhim

e tërë jetën këmba mos të shkeltë mbi dhe!"

 

6 /1-8     SHTHURJA E GJINISË

                 NJERËZORE

 

Zoti nga lart e pa që ligësia

e njerëzve mbi tokë nuk kishte fund e anë:

"Mendja u punon veç për të këqia,-

tha,- dhe zemra në fre dot s'i mban."

 

Përsa kish krijuar u pendua Zoti

e thellë zemrën brenga ia ka pllakosur:

"Më mirë ta humb për fare këtë botë koti,

njerëz e kafshë, tani jam i vendosur."

 

I vetëm Noeu, i Lamekeut bir

kur erdh' në jetë i ati i tha me gëzim:

"Vetëm te ty Sytë e Zotit do të gjejnë hir

e për mundin e jetës tonë do jesh ngushëllim..."

 

Vijon