E premte, 19.04.2024, 05:24 AM (GMT+1)

Speciale » Andrea

Fotaq Andrea: Engjëllorët në Francë dhe figura emblematike e Pal Engjëllit - Gjaku shqiptar në Evropë

E shtune, 09.07.2011, 08:05 PM


ENGJËLLORËT NË FRANCË DHE FIGURA EMBLEMATIKE E PAL ENGJELLIT –

 

Gjaku shqiptar në Evropë

 

Nga Fotaq Andrea

 

I

 

19 shkurt 1715. Mbreti francez Luigji XIV gatitet të presë në audiencë, me luks të paparë, ambasadorin persian Mehmet Riza Beg. Tërë oborrtarët mbushin plot galerinë e madhe të pallatit të Versajës, ku mes tyre do kalojë mbreti Luigj, i cilësuar Mbreti-Diell, me një veshje në ngjyrë të zezë dhe krejt prarime e vezullime, me butona e butoniera plot diamante, perla e gurë të vyer, me Kryqin e madh të Rendit në qafë dhe kurorën mbretërore mbi krye, të tëra stoli llamburitëse që kapnin shifrën marramandase të vlerësimit, plot 12.500.000 livra argjendi. Dhe ndërkohë që përshëndet e u buzëqesh zonjave fisnike në rresht të parë, duke çapitur rëndë-rëndë drejt fronit, i kënaqur nga vetja, një rruzull perle nga më të bukurit e kurorës mbretërore shkëputet prej folesë së artë dhe vete e humbet nëpër këmbët e të pranishmëve të shumtë,  të ngucur pas njëri-

 

tjetrit e në lëvizje të lehtë të trupave e kryeve, për të parë kush e kush më mirë atë Luigj absolutist, të njohur që në moshë të re për shprehjen: “Shteti jam unë!”

E veç një rastësi mrekullore do bënte që perla e humbur, pas një vallëzimi hallakatës, të përfundonte nën këmbët e markezit De Lange. Ky u ul e e mori, pa ditur që po shtinte në dorë një thesar. Disa ditë më pas, markezi ia kthen mbretit perlën e vet, jo pa e shoqëruar me një kërkesë me shkrim për një privilegj. I lumtur sa s’ka që iu kthye ajo perlë të cilën e kishte fort për zemër, Luigji XIV ia plotësoi në vend kërkesën markezit De Lange...

Dhe tani, pas kësaj historie me dava mbreti, le të paraqesim shënimin shpjegues për këtë markez në veprën “Një ambasadë persiane gjatë mbretërimit të Luigjit XIV” të Maurice Herbette, Paris 1907:

“Guillaume, Markezi De Lange, ishte me origjinë nga Niverneja. Rridhte nga Andre De Lange, gjeneral i ushtrisë së Skanderbegut, mbretit të Shqipërisë, që u vra... duke luftuar kundër turqve, si dhe nga Jean (Gjon) De Lange, baili i madh (gjykatës) i Maltës, i pajisur me autorizim të posaçëm nga papa për martesë fisnikërore. I ati i Guillaume De Lange-s u vra në betejën e Ramillies (1706), kurse e ëma, Marie de la Grange, ishte motra e kardinalit të Arkijës (Arquies), ky vetë i ati i mbretëreshës vejane të Polonisë. Heroi i tërë kësaj aventure [Markezi De Lange] ishte kapur rob në betejën e Steinkerkës (1692), i ishte këputur krahu nga një gjyle topi në Nerwinden (1693) dhe kishte marrë një goditje me shpatë në mes të gjoksit gjatë betejës së Leusës.”

Ja pra, në mënyrë të përmbledhur, paraqitja e markezit frëng De Lange, ku bie dukshëm në sy se ai qenka me prejardhje të lashtë shqiptare. Në fakt, hollë-hollë, vetë emri i francizuar Lange nuk është gjë tjetër veçse rezultat i trupëzimit të nyjes L’në emrin Ange, që shqip do të thotë Engjëll, dukuri kjo e zakontë gjuhësore për do emra të përveçëm në frëngjisht, spanjisht, italisht etj. Pra, siç do ta shohim më poshtë dhe më nga afër, ndoshta kemi të bëjmë këtu me familjen e lashtë shqiptare të Engjëllorëve nga Drishti, të kohës së Skënderbeut, madje dhe më parë.

Në fakt, që më 1680, Dufresne Dom. Ducange (apo Du Cange), historiani dhe filologu i shquar francez, në veprën e tij të mirënjohur Historia Byzantina dallon qartë tre familje të shquara fisnike evropiane që mbajnë emrin Engjëllorët:

Së pari, nga dinastia perandorake bizantine e Engjëll-Dukas-Komnenëve, historiani frëng veçon Familjen e Engjëllorëve, 1131-1318 (Familia Angelorum), që prej perandorit Isak Engjëlli rreth viteve 1180 e deri te Mishel Engjëll Dukas Komneni dhe Gjon Engjëll Dukas Komneni, të cilët zotëronin pronat e tyre në Epir. Sakaq, historiani ynë Pëllumb Xhufi, në Veprën e tij madhore Dilemat e Arbërit (f.299), na tërheq vëmendjen se pinjollë të familjes perandorake bizantine të Engjëllorëve do të sundojnë në Epir edhe më vonë, gjer në vitin 1467, veçanërisht në Vageneti (Tesprotia e lashtë apo Çamëria e sotme). Po ashtu, ai nxjerr në pah krushqitë e perandorëve bizantinë me bujarët shqiptarë. Kështu perandori Aleksi III Engjëll marton vajzën e tij  me një princ shqiptar nga familja e Skurrajve në gjysmën e dytë të shek. XIII.

Së dyti, duke iu referuar gjithnjë historianit Ducange, shohim të na shfaqet edhe Familia Angelorum Drivastensis (Familja e Engjëllorëve të Drishtit), Drivastenti in Albania, siç thotë autori, i cili i referohet këtu autorëve italianë të historisë së Skënderbeut të Madh (Magni Scanderbegi) për të vënë në dukje se shokët e armëve të tij shkuan për të marrë pjesë në ekspeditat ushtarake të Venedikut dhe që këtej u përhapën nëpër Evropë. Veçon si anëtarë të shquar të kësaj familjeje shqiptare: Mikel Engjëlli, Andrea Engjëlli, Pjetër Engjëlli, Pal Engjëlli, Jeronim Engjëlli, Gjon Engjëlli, Aleks Engjëlli, e kështu me radhë gjer te Joannes Andreas Angelius Falavius Comnenus (Gjon Andrea Engjell Flavius Komneni – v.1543), njëkohësisht Dukë i Drishtit dhe i Durrahut, Princ i Maqedonisë dhe i Moldavisë.

Së treti, pas Engjëllorëve të Drishtit, Ducange rreshton Familjen e Engjëllorëve të Nivernesë - Francë (Familia Angelorum Nivernensis), duke theksuar se, në bazë të një opinioni të përgjithshëm, pinjollë të familjes së Engjëllorëve të Dalmacisë erdhën në Francë pas vdekjes së Skënderbeut dhe u vendosën në rrethinat e Lionit. I referohet këtu një dorëshkrimi (papyrius Massonus) ku i thuren ndere e lavde njëfarë Nicolaus Angelus Lucdunensis (Nikollë Engjëll Lionezit).

Nëse u ndalëm disi gjatë në këto tre familje të Engjëllorëve, kjo për dy arsye: nga njëra anë, sepse vepra Historia e Bizanitit e Du Cange është një pikë referimi për mjaft studiues (është historiani më i cituar për Gibonin, i cili e quan “udhërrëfyes të sigurt e të palodhshëm të Mesjetës dhe të Historisë bizantine”) dhe nga ana tjetër sepse vetë Du Cange sheh një lidhje logjike të brendshme midis këtyre tre familjeve të Engjëllorëve, gjë që nuk ndodh sot tek disa studiues bashkëkohorë, që i shohin këto familje krejt të shkëputura në kohë e hapësirë, pa kurrfarë lidhjeje. Konkretisht, Du Cange, duke i renditur njëra pas tjetrës të tria familjet Engjëllore, nuk mungon të bëjë lidhjen organike midis tyre, nga Engjëllorët “grekë” siç i quan ai për të përcaktuar kohën e Bizantit, te fisnikët Anzoli të Italisë dhe te fisnikët Lange të Francës. Nga ana tjetër në FESH, studiuesi P.Thëngjlli, tek zëri Engjëllorët vë në dukje se kjo familje bujarësh shqiptarë rrjedh nga familja Duzi a Dushi dhe se pas një lidhje martese me bijën e perandorit bizantin përvetësuan mbiemrin e familjes perandorake Engëlli. Pra del që na paska një lidhje të drejtpërdrejtë gjaku nga Engjëllorët bizantinë tek Engjëllorët drishtianë.

Eruditi francez Louis Moreri, që është autori i Fjalorit të Madh Historik të vitit 1795, në zërin Anges (Engjëllorët) vë në dukje, nga ana e tij, se “Ka në Itali një familje të quajtur përgjithësisht De Anzoli, që pretendon se zbret nga Engjëllorët bizantinë, gjë që nuk mund ta mohojmë kategorikisht (nënvizimi im F.A.),  por të paktën kemi të drejtë të dyshojmë sepse pasues nga kjo familje nuk kanë paraqitur asnjë provë vërtetësie për çka pretendojnë...” Po ashtu, Moreri e sheh familjen fisnikërore De Anzoli si të vendosur në Drisht që më 1460, në shërbim të Venecianëve. Dhe këtu ai  bën lidhjen e familjes De Anzoli të Italisë me Engjëllorët e Drishtit të kohës së Skënderbeut, lidhje kjo që paraqet interes. Kurse vetë Du Cange bën lidhjen e Egjëllorëve të Drishtit me familjen Lange të Nivernesë së Francës.

Siç do shohim më poshtë, edhe në Lion ndodhet një degë e familjes De Lange(s) dhe shumë kohë më pas, konkretisht më 1870, na shfaqet për më tepër një qytetare me emrin Marthe Anzoli e cila nxori në jetë shtatë fëmijë (Histoire d’Alby, Mémoires et Documents, 1928). Kurse orientalisti i mirënjohur Emil Legrand, në Dossier Rhodocanakis, Paris 1895, tërheq vëmendjen se “Po t’i zëmë besë Du Cange, ka pasur një familje Anzoli, që pretendonte se identifikohej me familjen Angeli dhe se kishte trashëguar si titull familjar Urdhrin e Konstandinit”.

Sidoqoftë, ajo çka na intereson në studimin tonë është njëfarë pohimi, qoftë edhe me gjysmë zëri, se Engjëllorët shqiptarë të Drishtit duhet të kenë lidhje të drejtpërdrejtë me Engjëllorët e Francës, dhe kjo që pas vdekjes së Skënderbeut, kur vendi u pushtua nga hordhitë osmane dhe ushtria e garda kombëtare shqiptare u shpërbënë, tek morën rrugët e Evropës. Dhe prapë, një shënim në Nobilarin e Nivernuazës (Almanaku i familjeve fisnikërore të Nivernës nga A. De Villenaut, Nevers, 1900) citon një Memorie të vitit 1824 me autor një pinjoll De Lange, ku ky parashtron kërkesat e familjes së tij për të fituar të drejtat ndaj Shqipërisë së asaj kohe. Ky De Lange e sheh familjen e tij të prejardhur nga një oficer i Eakidit, mbretit të Epirit në shekullin III, dhe që andej familja e tij ka kaluar në Akarnani, më pas në Shqipëri, duke u shkrirë me Engjëll-Komnenët, perandorët e Konstandinopojës. Autori i Memorjes vë po ashtu në dukje se më 1466, Gjon Engjëll Komneni (Jean L’Ange Comnène) gjen strehë në Itali, dhe se prej andej kalon në Burgonjë të Francës e më pas në Nivernois (Nievrë). Edhe pse mund të konsiderohet si fantazi e tërë kjo histori, shënimi, megjithatë, vë në dukje se njëfarë Jean de Lange nga Chateau-Renaut ka qenë në fakt baili i madh në Maltë më 1532 dhe se bijtë e nipërit e tij ndoqën edhe ata karrierën e të parit të tyre.

Historia e gjenealogjisë së familjes franceze De Lange bëhet edhe më interesante po të bëjmë një përqasje të stemës së kësaj familjeje me atë të Engjëllorëve shqiptarë. Por, para se të bëjmë përqasjen, le të vëmë në dukje se Armoriali Nivernez i kontit Georges de Soultrait, botim i vitit 1879, pasi parashtron historikun e Memories së lartpërmendur, ndalet te personazhi i markezit L’Ange (sic) Comnène i mbiquajturi Philadelphe (Filadelfi), guvernator i Dalmacisë e i Shqipërisë, martuar më 1109 me Teodora Komnenën, vajza e vogël e perandorit Aleksi I-rë Komnen. Edhe pse një pretendim i tillë, siç thuhet në Armorial, mund të jetë i rremë, përsëri ai jepet nga shumë botime. Sidoqoftë, vetë përshkrimi që i bëhet këtu emblemës së familje franceze Lange nuk ka si të mos na çuditë: “Shihet në kështjellën e Villemenant-it, në rrethinat e Guérigny, një emblemë e De Lange e vitit 1646: emblemë me kryq e yll mbajtur nga engjëj që mbajnë në dorë palma (nënvizimi ynë), përsipër një kaskë dhe mbisunduar nga një kryq e dy kurora...” Studiuesi shqiptar Gjin Varfi, në veprën e tij të shquar Heraldika shqiptare, Tiranë, 2000, duke iu referuar G. Grimaldit shfaq të ndërtuar stemën e Pal Engjëllit dhe konkretisht shohim në të : kryq i kuq mbi sfond të bardhë (argjendi) që është vetë kryqi i Shën Gjergjit; dhe sipër nga e majta, një engjëll i argjendë me petka të kaltra që mban në dorë një degë palme të blertë (nënvizimi po i yni).

 

Pra, elementët kryesorë përbërës të stemës së Engjëllorëve të Drishtit dhe të Engjëllorëve (De Lange) të Nievrës në Francë çuditërisht përputhen: kryqi i Shën Gjergjit dhe simboli i engjëllit me palmë në dorë. Nga ana e tij, studiuesi Musa Ahmeti, duke përshkruar një stemë të Engjëllorëve drishtianë të vitit 1551, vë po ashtu në dukje se në mes të gjoksit të shqiponjës së Engjëllorëve me dy kurorat mbi krye, na shfaqet figura e një engjëlli që mban në dorë një shigjetë dhe një degë palme në dorë Po kjo stemë, na siguron ai, përsëritet edhe në një botim të vitit 1555.

Megjithatë, duhet të theksojmë se emblema e paraqitur për familjen e Engjëllorëve De Lange jepet e përshkruar vetëm me fjalë, sepse ne vetë ende nuk e kemi parë të riprodhuar në figurë, ndërkohë që në Armorialin Nivernez të kontit Soultrait emblema e familjes De Lange na shfaq thjesht një gjysmëhënë argjendi kryesuar nga një yll me pesë cepa. Në fakt, gjysmëhëna me yll, si simbol fisnikërie, pasurie, nderimi të kujton kryqëzatat, por edhe vetë simbolin e krishterë të Kostandinopojës (mbi bazën e të cilit  u miratua më 1844 flamuri kombëtar i Turqisë); po ashtu, e njëjta emblemë të kujton “Urdhrin e Gjysmëhënës” krijuar në Francë më 1448 nga mbreti i Siçilisë Rëne d’Anzhu për nder të Shën Mauricit.

 

 

Duke vijuar me degën e dytë të familjes De Lange(s), tashmë në Lion të Francës, konti Soultrait tërheq vëmendjen se në kështjellën e kësaj familjeje, e cila do të shkrihej me kohë me të parën, emblema e saj na shfaq një prerje të artë trekëndësh, në mes një guaskë, e shoqëruar kjo nga tre gjysmëhënëza. Kjo emblemë është e skalitur mbi njërin prej oxhaqeve të kështjellës De Lange. Në mënyrë figurative, kjo emblemë paraqitet tek Armoriali Historik i Edmond Reverend du Mesnil (Lion, 1872). Veç emblemës, citohet këtu abat Pernetti, i cili në veprën e tij Lionezët, të denjë për t’u kujtuar, nënvizon: “...kjo familje është me origjinë nga Shqipëria dhe pasardhëse nga Skanderbergu.” Përmend Nicolas de Langes (Nikollë Engjëllin) si gjykatës konservator i panaireve të Lionit dhe doktor në drejtësi, që u emërua nga Luiza, e ëma e mbretit dhe regjente e mbretërisë, më 6 nëntor 1524 si këshilltar pranë Dhomës së Dombeve ngritur në Lion.

 

Por, para se të shkëputemi nga fusha e heraldikës, le të themi kalimthi se tre gjysmëhënëzat e stemës së familjes De Lange, së bashku me kryqin, na shfaqen njëra pas tjetrës edhe në stemën e fisnikëve shqiptarë Maruli (vendosur në Republikën e Raguzës). Po ashtu, nuk ka si të mos na bjerë në sy se pinjollë të familjes De Lange  kanë bërë aleanca (martesa) me Le Frankët e Kuerejit dhe të Langdokut (Armoriali i Përgjithshëm i fisnikërisë franceze të Edouard de Bathélémy, Paris, 1867).

 

Dhe pikërisht, tek zëri Le Franc i këtij Armoriali (f.184), jepet, citoj, ky shënim: “Jean-Jacques Le Franc, kalorës, markez i Pompinjanit, që përligj prejardhjen e tij nga fisniku Demetrie Le Franc (Dhimitër Frangu), thesarmbajtësi  i Skanderbergut të Madh, mbretit të Shqipërisë, i biri i të cilit [i Dhimitër Frangut] Simon Le Franc ishte shambellan i Karlit VIII.” Bukur, ja do gjëra të reja për t’u vërtetuar nga ana e studiuesve!

Sidoqoftë, nuk mund të mos na tërheqë këtu vëmendjen personazhi i Markezit të Pompinjanit (1709-1784), poet lirik dhe anëtar i Akademisë Franceze më 1759 si dhe anëtar  i Akademisë Kortone (Itali). Njihet ky personazh në histori jo vetëm si një nga bibliofilët më të mëdhenj të kohës së tij (biblioteka e tij numëronte 26000 libra dhe 1500 partitura muzikore), por edhe si një mburravec i madh, aq sa do të ishte për këtë viktimë e sarkazmave therëse të Volterit. A kemi të bëjmë te tërë kjo histori e Lë Frangut të Pompinjanit me një gjenealogji të rreme, stisur kokë e këmbë? Ndoshta, por e trilluar a jo, një gjë është e sigurt: Dhimitër Frangu, humanisti i shquar shqiptar, shok i ngushtë i armëve të Heroit tonë Kombëtar dhe autor i Komentarit të luftërave të Turqve kundër Skënderbeut  (Venedik 1539) ishte një “Bujar nga parësia e Drishtit, kushëri i Pal Engjëllit”, sikurse na siguron Fan Noli. Dhe nëse Markezi i Pompinjanit mburret - me të drejtë a jo, është punë e tij! - për origjinën e vet fisnike të lashtë nga dera e Frangajve të mëdhenj shqiptarë, kjo thjesht flet për madhështinë historike të fisnikërisë shqiptare, e në radhë të parë të figurës së Skanderbergut, siç e shkruanin emrin e Heroit tonë bibliografët evropianë për ta fisnikëruar në mënyrën perëndimore dhe siç e vë me të drejtë në dukje këtë dukuri eruditi  Faik Konica.

 

II

 

Për të plotësuar më mirë kuadrin historik të Engjëllorëve bizantinë e shqiptarë jemi mbështetur kryesisht në veprën monumentale të historianit tonë Pëllumb Xhufi Dilemat e Arbërit (Pegi 2006), duke iu referuar njëkohësisht Barletit, Du Cange, At Valentinit, Nolit, K. Frashërit, I. Koçollarit, P. Petta, O. Schmitt, M. Ahmeti, A. Papleka e të tjerëve.

Vërejmë kështu se në shekujt XI-XII, Shqipëria na shfaqet pjellore (loghi fertili) në sytë e Kryqëtarëve të parë evropianë që zbarkuan në brigjet e vendit. Por shpejt, imazhi idilik i kohës së paqes do ndryshohej, për t’ia lënë vendin imazhit të luftës e të rrënimit. Fillon kësisoj rrënimi ekonomik e demografik i Shqipërisë, siç thotë Gjon Muzaka, në çastin kur vendi po hynte në errësirën pesë shekullore osmane. Dhe ja ku ky vend, molt nobile et rich (tepër fisnik e i pasur), do njohë tashmë, në mënyrë të egër, veprimin e faktorëve shpërbërës, pushtimet dhe pasojat e tyre. Për rrjedhojë, do fillojë të dalë përherë e më shumë në pah “faktori i qëndresës proverbiale të shqiptarit, faktor vendimtar i konservimit të tij etno-kulturor”, siç e cilëson Fan Noli. Shqiptari na shfaqet tanimë me shpirt kryengritës (spiritus rebellionis), autonom dhe i panënshtruar. Sakaq, lartohen edhe vetitë e tij morale: ndjenja e identitetit etno-kulturor, ndjenja e besnikërisë, miqësisë, respektit, simpatisë ndaj sovranit, ndjenja e detyrës, paepurisë, krenarisë (si idealistë të mëdhenj), e të tjera veti morale e luftarake aq sa, shumë kohë më vonë, vetë filogreku frëng Pukëvil do të shprehej : “Ky popull, me numrin dhe guximin, me zellin dhe veprimtarinë e tij, ia ndryshoi krejt faqen Greqisë”.

Në këto kushte, vëren studiuesi Xhufi, në shekujt XI-XV, fillon një “hemorragji e vërtetë njerëzore” për Shqipërinë, “nomadizim i detyruar”, dhe figura e shqiptarit shpejt do të identifikohej me atë të stradiotit. Kemi kështu nga njëra anë krijimin e diasporës shqiptare mesjetare, kur fillojnë të mërgojnë princër e të vobektë, dhe nga ana tjetër terje të plotë të popullsisë së vendit, që njohu një palë malin si strehë të sigurt të lirisë e autonomisë, dhe një palë fushën, ku popullsia do të detyrohej të ndryshonte fe përpara asgjësimit të plotë, por me sigurinë e mbijetesës dhe duke ruajtur shpirtin e vet përherë kryengritës. Pra, kemi në këtë periudhë katër-pesë shekullore vërshim të gjakut shqiptar nëpër damarët e Evropës, si në Perëndim, ashtu dhe në Lindje. Krahas lartësimit të figurës së stradiotit shqiptar në Perëndimin evropian, që do vepronte anembanë Evropës, nga Spanja e Portugalia gjer në Belgjikë e Holandë dhe do përbënte gardën e oborreve kryesore të kontinentit të lashtë, fillon e lartësohet edhe figura e prijësit ushtarak, si dhe ajo e intelektualit shqiptar, që shpejt do rekrutohej nga Venediku, Bizanti, Raguza, Napoli dhe Evropa. Në antipod, në Lindjen evropiane, shpejt do lartohej figura e jeniçerit shqiptar, me prijësit e tij të shkëlqyer, që arritën gradat më të larta të Perandorisë osmane, deri edhe gradën e Vezirit të Madh. Me dhjetëra familje të shquara fisnike shqiptare do lëvronin kështu Evropës dhe do njihnin jo vetëm karrierë të ndritur ushtarake (ku do shkëlqenin ndër të tjerë Merkur Bua e Gjergj Basta si themelues të artit të kalorësisë së lehtë evropiane), por do arrinin edhe majat e fushës së artit e të fesë (Albanët – me protagonistët e mirënjôhur: piktorin Albani, kardinal Albanin e papa Klementin XI; po ashtu, Gazullët, Matrëngat, Bokalët, Buzukët, Beçikemët, etj. që lëvruan në fushën e humanizmit evropian, për të vijuar më tej me Nikollë Leonik Tomeun, me Marko Bazaitin, me Viktor Karpaçon me shokë). Studjuesi Koçollari, duke u ndalur në shekullin XIV, përmend nga ana e tij magjistër Gjonin si piktor i shquar nga Durrësi, Gjon Matin, mjek i njohur, Andrea Sumën, episkop e prokuror, Jan Kukuzelin, një nga reformatorët e muzikës bizantine, etj. etj. Antologjia “Arbëreshët e Italisë nën penën e autorëve francezë” që ne kemi përgatitur nën drejtimin e prof. Francesko Altimarit dhe që pret ditën e botimit pasqyron më së miri tërë këtë kontribut të vyer shqiptar jo vetëm në mbarë Italinë, por edhe më tej në Evropë, ku fisnikëria shqiptare u përhap gjerësisht dhe me aleanca të shumta martesore.

Duke e tejkaluar kuadrin historik se si u përhapën familjet fisnike shqiptare nëpër Evropë, nëpërmjet Greqisë, Korfuzit, Italisë së Jugut e Venedikut, dhe duke iu kthyer historianit frëng Du Cange, konkretisht zërit të tij “Engjëllorët e Drishtit” (Familia Angelorum Drivastensis), po japim - jo thjesht për autoritetin e historianit të madh, por edhe për të plotësuar disi kuadrin historiografik shqiptar -  emrat e njohur të kësaj familjeje të përndritur të bujarisë shqiptare mesjetare.

Si të parë të familjes, Ducange rendit Mikel Engjëllin, fisnik drishtian vdekur rreth vitit 1460, i ati i Andrea Engjëllit, vojvod dhe kapedan i Drishtit. Pas këtij rendit si bijtë e tij Pjetër Engjëllin, Pal Engjëllin (arkipeshkop i Durrahut, që i ra kudo pas Skënderbeut) dhe Dhimitër Engjëllin.

Pjetër Engjëlli, ndoqi edhe ai nga pas fushatat e Skënderbeut. Më 1478, e shohim të shpërngulur familjarisht në Venedik (martuar më parë me vajzën e bujarit shqiptar Aleks Shpani). Pjetri pati për djem: a) Aleks Engjëllin, rënë në luftë; b) Pal Engjëllin (Junior), princ i Kaonisë, arkidhjak i kanonizuar i Drishtit, protonoter apostolik, rektor i Kishës në Brianza të Venetisë; c) Andrea Engjëllin, edhe ky i kanonizuar në Drisht, rektor i kishës San Angelo di Sala, regjistruar edhe si princ i Durrahut (ky i fundit pati për djem Jeronim Engjëllin dhe Gjon Engjëllin, rënë në luftë); Jeronim Engjëlli, princ i Thesalisë ardhur nga Drishti, prijës apostolik në vitet 1570 pati 4 djem.

Si të fundit nga Engjëllorët, Du Cange rendit Gjon Dhimitër Engjëllin, Pjetër Engjëllin Flavin dhe Gjon-Andrea-Engjëll-Flavi-Komnenin (vitet 1670), i cili do kërkonte njohjen e origjinës së Engjëllorëve nga perandorët bizantinë.

Në bazë të kësaj tabloje të Du Cange për Engjëllorët e Drishtit (që ne detyrohemi t’i bëjmë një përmbledhje të ngjeshur), shohim se i ati i kryepeshkopit të Durrësit Pal Engjëlli është Andrea, ashtu siç e jep edhe Barleti. Vërejmë po ashtu se kemi dy personazhe historikë me emrin Pal Engjëlli : i pari pra, Pal Andrea Engjëlli (1408-1469), kryepeshkopi dhe bashkëluftëtari i armëve të Skënderbeut dhe i dyti (Juniori) që është nipi i tij nga i vëllai, Pal Pjetër Engjëlli, rektori i kishës së Brianzës (1498-1568) dhe botuesi i veprës së Dhimitër Frangut Shkurtore e Historisë së Skënderbeut në italisht (sipas FESH – Dh. Shuteriqi).

Është e njohur tashmë se figura emblematike e Engjëllorëve drishtianë është Pal Engjëlli, “shoku dhe pjesëmarrësi i të gjitha mundimeve, rreziqeve e këshillave të Skënderbeut”, siç thotë Barleti, i cili e krahason kryepeshkopin e Durrësit me Ahatin (mikun besnik të Eneut), duke theksuar se ai “gëzonte besim të madh te Skënderbeu dhe te skënderbegasit”. Te Barleti,  humanisti ynë i shquar, Pal Engjëlli paraqitet si “burrë i pajisur me mendje shumë të lartë e zotësi të rrallë për të folur, me dituri si askush, i vaditur me letërsinë e shenjtë e humane, i shquar për rreptësi në jetë e në zakone, i flaktë për fenë e krishterë, burrë që Skënderbeu e mbante mbi krye për maturinë, kulturën dhe pastërtinë e jetës, që e dëgjonin dhe e respektonin si orakull tërë epirotët dhe arbrit”. Duke lexuar “Historinë e Skënderbeut” të Barletit ndjen  nga afër se çdo betejë e Heroit të Madh shqiptar është e bekuar dhe uruar më parë e para së gjithash nga vetë Pal Engjelli, si një engjëll mbrojtës i Shqiptarëve, i cili me fjalimet e tij të nxehta ndizte zjarr zemrat e ushtarëve e të popullit, thërriste në ndihmë tërë engjëjt mbrojtës e perënditë për të mbështetur e dhënë forcë të pazakontë krahut të hekurt të prijësit të madh,  luftëtarëve bashkarmës të tij, një populli të tërë të vogël përpara një superfuqie të hekurt të kohës siç ishte Perandoria osmane. Ishte ai, Pal Engjëlli që ndërhyri pranë Skënderbeut dhe Dukagjinësve për t’i pajtuar e bashkuar në qëndresën e shqiptarëve, cilësuar “qëndresa e shekullit”; ishte ai Pal Engjëlli që shkroi formulën e parë të shenjtë në gjuhën e lashtë shqipe “Un të paghesonit pr’emnit Atit e t’birit e t’spirtit seint”; ishte ai Pal Engjëlli anëtar i Këshillit të Beslidhjes dhe diplomati më i shquar i Skënderbeut - i pari diplomat shqiptar, që kryente njëkohësisht funksionet e kancelarit të Skënderbeut -, ministri i tij i jashtëm që shkroi edhe Kodeksin e vet prej 37 fletë, e që papa Piu II synonte ta bënte kardinal sapo të shpallte Skënderbeun Komandant të përgjithshëm të forcave të krishtera; por ja që vdekja e papës do shuante krejt shpresat e shqiptarëve, ballkanasve e më tej. Jo më kot studiuesi i shquar kroat Milan Shuflaj – i cili sheh te Historia shqiptare thelbin e vërtetë të historisë së Ballkanit (ia kemi prej kohësh borxh një monument të lartë këtij therori të albanologjisë, të cilin e kujtojmë me nderim këtë vit me rastin e 80 vjetorit të martirizimit të tij!) -, e cilëson Pal Engjëllin “prelat i nivelit evropian”.

 

Më në fund, a nuk e kemi Pal Engjëllin figurën dhe shtyllën kryesore të “Statuteve të Drishtit”, statute cilësuar me të drejtë nga studiuesi Koçollari si “thesar juridik shqiptar”, dhe që njohën një botim fort të vyer nga Ombra GVG pasi u përgatitën me seriozitetin e lartë shkencor nga Musa Ahmeti dhe Etleva Lala?

Po ashtu, studiuesi zviceran Olivier Schmitt në veprën e tij Arbëria Venedike, duke nxjerrë në pah rolin e familjes fisnike shqiptare Angelus, “fort e angazhuar, siç thotë ai, në përpunimin letrar të historisë së Arbërisë” e sheh Pal Engjëllin të ngjitet në ofiqin e lartë të arkipeshkëvit (1460), dhe të shndërrohet në udhëheqës shpirtëror të katolicizmit arbëror në luftë kundër Turqve osmanë. Ai e cilëson Pal Engjëllin “Princ të madh kishtar të Arbërisë në Mesjetën e vonë”, që “mori takime të shumta në kuvendet malësore dhe ndezi shpirtin e malësorëve për qëndresë”. Po ashtu, i njeh Pal Engjëllit një “ndikim vendimtar në vetëdijen historike të princit Kastrioti” dhe mbështet studiuesin frëng Mario Roques për të pohuar së bashku me të se “Pal Engjëlli regjistroi më 1462 një formulë pagëzimi në arbërisht”. Duke e konsideruar figurën e tij si “një zot të vërtetë të maleve” në vitet 60 të shekullit XV, e sheh akripeshkëvin e Durrësit dhe kapedanin e madh të krishterimit shqiptar drejtpërdrejt të angazhuar në ndërtimin e kështjellë-ishullit të Durrësit tek mobilizon 8000 punëtorë dhe tek mbikëqyr punimet e fortifikimit të qytetit të Durrësit, konsideruar si porta e shtetit të Arbërit. Konkluzioni i tij është se “Angelët luajtën një rol të rëndësishëm si gjatë ashtu dhe pas sundimit venedik në krijimin e një tabloje të historisë arbëre”.

Veçse për studiuesin O. Schmitt, nuk ka kurrfarë lidhjeje të Engjëllorëve të Drishtit me dinastinë perandorake bizantine të Angeloive dhe se për të, ishte Pal Engjëlli ai që përhapi “mitin apo legjendën” me të cilën “pasardhësit e akipeshkëpivit në mërgim do të stoliseshin” (f. 583). Çuditërisht, Schmitt harron atë çka ka pohuar ai vetë më parë në po të njëjtën vepër (f.88) : “Dera princërore e Arbanonëve, pohon ai, kishte arritur të thurej përmes martesave me Nemanjidët serbë dhe me familjen perandorake bizantine e princërore epirote të Angeloit, e kësisoj të hynte edhe në botën politike të Ballkanit”. Pra, nuk ka si të mohohet lidhja e Arbërve, qoftë në Arbërinë e Veriut, qoftë në Arbërinë e Mesme e të Jugut me Engjëllorët (Angeloit) të dinastisë perandorake bizantine. Edhe studiuesi Gjin Varfi vë më së miri në dukje se “degë të tjera të kësaj familjeje [të Engjëllorëve] shkuan deri në fronin perandorak të Bizantit”.

Ndërsa shfaqet si më e faktuar historikisht teza se Engjëllorët drishtianë të Shqipërisë kanë pasur lidhje martesore e gjaku me Angeloit bizantinë, mbetet megjithatë, përherë e hapur për vërtetim hipoteza e austriakut Th. Ippen etj. sipas së cilës Engjëllorët e Shqipërisë janë drejtpërdrejt me gjak perandorak dhe jo nga linjë martesore. Në bazë të kësaj hipoteze, Angeloit duhet të kenë ardhur që herët për të themeluar Drivastumin (Drishtin) e për të sunduar atje.

Vëmë nga ana tjetër në dukje se në të njëjtën linjë me Schmitt është edhe studiuesi arbëresh P.Petta, kur pohon se nuk figurojnë dokumente që të vërtetojnë lidhjen e drejtpërdrejtë të Engjëllorëve bizantinë me Engjëllorët e Drishtit. Sakaq, ne u përpoqëm të parashtrojmë (duke iu referuar studiuesve të njohur) se janë pikërisht lidhjet e gjakut midis këtyre familjeve të Engjëllorëve, lidhjet nëpërmjet martesash, aleancash e shpërnguljesh ato që kanë çuar në mori degëzime breznish e pasardhësish të së njëjtit fis, farë apo gjak përhapur Ballkanit e Evropës, në kohë e në hapësira të ndryshme. Për më tepër që këto lidhje gjaku, të pleksura historikisht, tejkalojnë ku e ku çdo lloj gjenealogjie “të shtyllëzuar a ngrirë vertikalisht” apo çdo lloj konturi e caku të ndonjë dokumenti, qoftë edhe të pashfaqur a të pazbuluar ende, apo më keq akoma të humbur a të asgjësuar nga koha.

“Çdo qenie e krijuar ka qiellin, tokën dhe horizontin e vet... dhe engjëjt (angeloi) janë të dërguarit e qiellit”, thotë Dr. Enkaus (Papusi - 1918). Në rrjedhë të Historisë së Shqipërisë, Engjëllorët tanë përherë kanë qenë fort aktivë e të pranishëm, duke u shfaqur si vetë engjëjt mbrojtës të kombit tonë të lashtë, gjaku i pastër i të cilëve rrjedh në damarët tanë dhe në damarët e Europës.



(Vota: 22 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora