E shtune, 20.04.2024, 05:55 AM (GMT+1)

Faleminderit

Prof. Imzot Frano Illia, një personalitet fisnik i kulturës sonë

E enjte, 07.02.2008, 09:09 PM


Nga Kolec Çefa
 
Panteoni ynë kombëtar njef figura të shqueme që lulëzuen në fusha të ndryshme të kulturës shqiptare. Një personalitet i tillë, për frutin e pjekur plot shije të veprimtarisë së tij e përpjekjet fisnike me vepra për edukimin e rinisë me virtytet etnike e njohjen e identitetit kombëtar asht edhe Prof. Imzot Frano Illia

Panteoni ynë kombëtar njef figura të shqueme që lulëzuen në fusha të ndryshme të kulturës shqiptare. Një personalitet i tillë, për frutin e pjekur plot shije të veprimtarisë së tij e përpjekjet fisnike me vepra për edukimin e rinisë me virtytet etnike e njohjen e identitetit kombëtar asht edhe Prof. Imzot Frano Illia.
U lind e u rrit, kur popujt e Europës po provojshin shijën e idhët që trashigoi Lufta e Parë Botnore, me gjakderdhje, gërmadha, vorfnim ekonomik, por ndoqi zanin e fortë të thirrjes së mbrendshme meshtarake. Studioi në shkolla të ndryshme fetare, tue kapërcye pengesa, sëmundje, vështirësi e u ba meshtar. Sherbeu me devocion ndaj Zotit, me dashuní ndaj njerëzve e me veprimtarí në dobí të kulturës sonë.
Sidomos fesë i sherbeu me shpirt flijimi!
Një jetë e perkushtueme mbrenda një trinomi të kandshëm: Fe, Atdhe, Kulturë! Gjithmonë i gatshëm për edukim fetar, moral e kulturor të rinisë sonë, gjithmonë në themele kombëtare, gjithmonë në hullinë e një tradite fisnike, ndonëse jetoi në kohën e një zvetënimi të organizuem moral të një ideologjie antizot, antikomb, antikulturë; të një ideologjie deshtake, por me pasoja të damshme, sidomos në erozionin e moralit kombëtar. Por nuk u lodh, as nuk iu veshkën dëshirat: shpresat i dhanë forcë, e forca i dha jetë. Vazhdoi kështu një disidencë të heshtun, të fshehtë, të vendosun. Në zonën e Kurbinit përpunoi mendimet për veprat e tij të ardhshme.
Mandej erdhi ajo kohë me furi mllefi, e errtë, e zymtë e plot dhimbje, viti i acaruem e i egër 1967 me persekucionin e famshëm fetar e kultural e Monsinjori ynë shpirtmadh filloi udhëtimin në kalvarin e vet; provoi ferrin e kuq komunist, me përbuzje, nëpërkambje, keqtrajtime, fyerje, poshtnime, rrahje, tortura, sjellje çinike që mohonin egërsisht çdo të drejtë njerëzore. Nuk kishte asnjë faj e perjetoi një fat tragjik. Për afro njëzet vjet jetoi në ato qelí ku vuejtja e dhimbja e të persekutuemvet ishte gëzimi e dëfrimi i persekutuesve. Një ditë, në qelitë e errëta të burgut iu kujtuen fjalët e Profetit: “Ujku do të banojë me qengjin, përbri kecit do të shtrihet leopardi, viçi e klyshi i luanit bashkë do të kullosin. S’do të bahet dam, as nuk do të vritet kush në mbarë malin tim të shejtë”, kur, befas, ndjeu një shtjelm të fortë, shoqnue me një za të vrazhdë, të pagëdhenun: “Ti prift, je spiun i Papës”.—“Mirë, gjanem, se shtjelmin jam i detyruem me e durue, por a din me më thanë, spijujtë çka i duhen Papës?, iu pergjigj Monsinjori. Kolec, më thonte sa herë binte biseda: “Persekutuesve tanë e komunistave duhet me u thanë: "T’ lumtë ju, që s’ jemi na si ju"!
Veprimtarinë krijuese e filloi heret ndër revistat fetare të kohës, me përkthime hagjiografike, si: “Maria Goreti”, “Jeta e Sh’Françeskut”, Jeta e Dedë Savios” etj. Botoi veprën “Jezus” për të dhanë mesazhin e Zotit në qiell e për të edukue ligjin e tij të dashunisë mes njerëzve në tokë. Kur doli nga burgu e internimi, ndonëse i moshuem, i lodhun, i sëmurë, si gjeti dhe një pjesë të dorëshkrimeve të tij, punoi e botoi disa vepra. Më 1996 botoi romanin “Dava”, që ka lidhje me veprën “Kanuni i Skanderbegut”, ngjarjet e romanit zhvillohen në krahinën luftare e atdhetare të Kurbinit. Në flakën e luftës kundër pushtuesit turk, ndër dy të rij, edukue që në djepin familjar me virtytet etnike, lind një idil dashunie që synon të krijojë një familje me tradita shqiptare, ku të drejtojë dashunia, virtyti, marrëveshja. Por në atë kohë lufte dashunia mes të rijve e kishte të vështirë të ndërtonte lumtuninë familjare. Dava fisnike e luftari i Skanderbeut ndeshin pengesa e vështirësi që sillnin vesi ushqye me dëshirat egoiste e turku dhunues që donte të nënshtronte shqiptarin shpirtlirë. Por dashunia e paster e plot shpresë e realizoi andrrën e dëshirën e vet. Autori ndriçon pasuninë e virtyteve të familjeve të thjeshta shqiptare, tue lavdue virtytet etnike, kanunore të votrës familjare; na jep skena nga jeta e paster intime të personazheve në marrëdhaniet e të cilëve ruhen doke e zakone të mira, tue himnizue moralin fetar e patriotizmin popullor; dënon egoizmin shpirtvogël e zemrën e çoroditun që të çojnë në trathti në shpifje e në ngatrresa; na pershkruen deri në hollësí mikroambiente fshatare e punët ditore të tyne i paraqet si një fshatar i regjun e si dashamirës i frymës së shëndetshme të kanunit; na jep pamje mbledhjesh a kuvendesh popullore, me burra bese e fjale, ku mendimi i drejtë e fjala e lirë e të gjithëve gjykohet e miratohet prej të gjithëve.
Në këtë vepër, gojëdhanë e histori, traditë e risí, na zbulohen me një gjuhë të qartë, të kuptueshme e të pasun me frazeologji popullore e fjalë të rralla që lypin efiçiencë e aktivizim.
Veprimtarinë e tij hulumtuese e krijuese e pasunojnë edhe dy monografí me vlerë e interesë per dijën e gjanë albanologjike. Gjatë viteve 1962-1967 punoi në mënyrë sistematike e plot pasion për historikun e fshatrave Milot, Gallatë e Skuraj, në perspektivë për një monografi të plotë për krahinën e Kurbinit, me synim për historinë e arkidioqezës së Durrësit. Vepra mbetë në dorëshkrim gjindet në AQSH, u botue më 2006, përgatitë e redaktue nga dora dashamirëse e e kujdesshme e studiuesit Kastriot Marku. Monografia “Famullia e Milotit” u mbështet në materiale historike, etnografike, zakonore etj. të botueme e të pabotueme (mbledhë nga goja e gjallë e popullit), në arkiva të Kishës Katolike, në regjistra famullitarësh, në letërkëmbime, në relacionet e shekujve XVII-XVIII të prelatëve katolikë dergue Vatikanit, në raportet e konsujve të huej dërgue qeverive të veta, si edhe në veprën madhore “Illyricum Sacrum” etj.
Në vepër jepet historiku i fshatrave (famullive) Milot, Gallatë, Skuraj, ballafaque me dokumentat historikë që shkruejnë për këtë zonë, për pozicionin gjeografik, popullsinë, kishat e vjetra, meshtarët gjatë rrjedhës së historisë. Aty gjenë lëvizje popullsishë, me kallëzime popullore, me njoftime historike, anekdota, etj., tregon gojëdhana të historisë fisnore, kishtare, shkollore etj.; ka të dhana për personazhe historike e popullore ( Imzot Bianku, D. Nikollë Kaçorri, E. Toptani, H.Qamili, Ali Kosturi etj., Kokë Malqi…; jep cilësitë morale të popullsisë së zonës në fjalë; tregon për gjetje ndër rrenoja kishash të vjetra, shtëpishë, vorresh, mbishkrime; jep toponime me ubikacion të saktë, moshën e tyne, historikun e gjeografinë e toponimeve, shpesh mendimin e autorit për zberthimin e shpjegimin e tyne; herë-herë pershkruen gojëdhana rreth toponimeve; gjenë aty toponime historike, si: Trodhen, Glerë, Marmsheq, Logopaq, Gernac, Mamli, Skunjel etj.). Autori ka mbledhë edhe toponiminë e zonës për një botim në vete, por: ku gjindet? Në vepër ka plot edhe antroponime të vjetra a relativisht të vjetra që presin shpjegim e fjalë të rralla që presin qytetarí.
Më 1997 botoi monografinë “Jubani”, ku na pershkruen fshatin Juban në zonën e vet etnografike, mbrenda entitetit zakonor, sidomos per fiset e vëllaznitë, për prejardhjen e tyne, per figurat e dallueme të fshatit, per cilësitë morale të popullsisë. Më plotë jep toponominë plot interesë të fshatit. Monografia asht e thjeshtë, e shkurtë, sherben si bazë per një monografi ma të plotë, të cilën u len detyrë mbasardhësve. Monografinë e zbukurojnë foto konkretizuese paraqitë me shije. Në Arkiv ruheshin materiale etnografike per të pasunue monografinë (na i tregoi me gatishmëní dashamirëse Dr. Nevila Nika, kur shkuem me Monsinjorin në Arkiv, të cilën e falënderuem), por mosha e thyeme, sëmundja e detyra e tij misionare, nuk i dhanë mundësi autorit ta pasunojë atë.
Tue vlerësue veprën “Illyricum Sacrum” për të dhanat e shumanshme që jep, Monsinjori përktheu pjesën: Shkodra me sufraganet e saj dhe Durrësin me sufraganet e tij.
“Unë dhe kolegët e mi, shkruen Imzot Frano Illija, jemi gati dhe të kënaqun të vazhdojmë përkthimin në gjuhën shqipe të kësaj vepre së gjithanshme, tanësisht ase pjesërisht, si ta gjykojnë kompetentat në këtë landë, me qellim e shpresë se ky mund i randë e i gjatë do të jetë një kontribut i mirë për njohjen e historisë së të dashunit vendit tonë nga brezat e rinj të popullit tonë” Por diktatura jo vetëm nuk e përkrahu, madje e pengoi!
Por vepra monumentale, e paharrueshme dhe e vlerësueshme mbetet “Kanuni i Skanderbegut”. Shumë e shumë vite me radhë punoi në fshatet e Shqipnisë Qëndrore, Mat - Shkumbin, tue mbledhë, rreshtue e kodifikue njohunitë juridike të popullit tonë, doket e zakonet kanunore për t’ia zbulue, (para se të zhdukej) breznive shqiptare këtë visar të panjohun juridik, jo thjeshtë si monument kulture, por si një detyrë e gjallë e njohjes së identitetit tonë, kulturës sonë; jo si relike me vlera muzeale, por si përpjekje fisnike për edukimin e rinisë me virtytet tona etnike; jo vetëm si traditë e vjetër kanunore, por si trashigimí vepruese, fryma e së cilës duhet t’i japë shpirt, jetë e gjallëri ligjeve tona moderne, të hartueme sipas psikës së popullit (jo ad litteram të përkthyeme). Në mbledhjen e studimin e krijimtarisë gojore të popullit tonë në përgjithësi e të kanunit në veçanti, kleri katolik kishte krijue një traditë të mirë. Imzot Franoja eci në këtë traditë: Fishta, frymëzuesi e komentuesi i parë i Kanunit; Gjeçovi, i Kanunit të Lekë Dukagjinit, deshmori; P. Bernardin Palaj, i Kanunit të Mark Sadikut, martiri; At Donat Kurti, i “Doke e kanu në Dukagjin”, i persekutuemi; Imzot Frano Illia, i Kanunit të Skanderbegut”, i persekutuemi. Po shtojmë edhe Ernest Koliqin, vlerësuesi e popullarizuesi i kanunit, mergimtari.
Një popull që ka krijue norma të tilla kanunore e tregon veten se asht popull i vjetër, i meçëm, shpirtlirë, i drejtë, i paanshëm e demokrat, i ndershëm e fisnik, bujar e mikpritës. Vërtetë, rrethanat ia detyrojnë të ndeshkojnë rreptë fajin, por dijti edhe të falë e të tolerojë. Vërtetë, lisit të gjinisë ia mohoi do të drejta, por dijti të vlerësojë e të nderojë gruen. Në kanune do të ballafaqohemi me kandarin (peshoren) e trunit të popullit tonë dhe me pajën e virtyteve shpirtnore. Aty mendime të thella, arsyetime të holla, gjykime të drejta, ligje të barabarta e demokratike (pa dallue bajraktarin nga ma i vorfni a ma i humbuni i fshatit, pse prej lules del ferra e prej ferrës lulja). Për t’u studiue asht edhe gjuha e kanunit e cila shtjellohet me fjalë të thjeshta, të kuptueshme, të pasura në shembëlltyra, gjuhë preçize e lakonike si e lypin sentencat kanunore, me një ndertim sintaksor krejt shqip. Një studim të mirë e të dobishëm për pajën gjuhësore të kanunit ka ba profesor Fran Luli në veprën “Fjalor dhe shprehje të “Kanunit të Skanderbegut”, tue i vu në pah vlerat gjuhësore, ka vlerësue e rritë vlerën e vetë Kanunit.
Por arti “i ri” socialist mobilizoi tërë arsenalin artistik për ta vrarë kanunin, tërë forcën propaganduese për ta mallkuar atë, tërë energjinë krijuese të letërsisë revolucionare për ta çoroditur kanunin. Një shembull nga letërsia: “Kam dëgjuar se kanuni është botuar si libër…Libër më të tmerrshëm nuk besoi të kenë radhitur tipografët. Ai s’është libër. Ai është përbindësh në trajtën e një libri… Ndoshta kanë gisht priftërinjtë? Me siguri. Në mesjetë ligjet, qoftë në lindje, qoftë në perëndim i ka bërë feja. Po këtu, përveç fesë kanë marrë pjesë të gjitha forcat e tjera të errëta shoqërore e politike”.
Monsinjori kishte një natyrë të mirë, zemërbardhë dhe një sens të theksuem drejtësie, por ndjenjen e faljes e kishte ma të madhe se forcën e drejtësisë. Falte lehtë, shpejt dhe pa kushte. Një ditë prej ditësh, më hyni portjeri në zyre e më thotë: “Kolec, u ngjit nalt një njeri, nuk m’u duk i rregullt, i kuqun në fytyrë e si i nervozuem. Shko edhe ti te Monsinjori”. U ngjita nalt, ai ishte ulë në kolltuk e perballë tij Monsinjori plak. Burri i panjohun po fliste: - A po më njef mue, Monsinjor Frano? - Jam plakë, i pergjegjë Monsinjori, e kam fillue me harrue. - Po më shikjo mirë, bre, se më njef, ngulte kambë i panjoftuni. - Nuk më kujtohesh, por më thuej per çka ke ardhë? - Po si more, nuk të kujtohem unë, po më shikjo mirë, se jemi njoftë mirë bashkë diku. - Mos më mundo, i pergjegjë Monsinjori, por fol ç’hall ke? Ç’nevojë ke? - Po, a e di kush jam unë. Unë kam ardhë me të kerkue të falun, se ty të kanë dënue me burgim të randë, pse të kam paditë edhe vetë. Kam ardhë me të kerkue të falun. - Po, unë, pergjegjë Monnsinjori, të kam falë qyshë në atë çast, more, por ç’hall ke? - Unë nuk kam hall, por ti ma ban hallall, se të kam dalë dëshmitar. A ta tregoj emnin, se ndoshta të kujtohem, se kush jam. - Po unë, me të pasë mbajtë mend emnin, kishe mbajtë mend edhe inatin. Po ne s’na len Krishti me mbajtë inat
Burri i panjohun, sikur u lirue nga një barrë e randë, mandej vazhduen bisedën miqësisht njeni me tjetrin. I penduemi provoi lehtësimin shpirtnor të faljes zemërbardhë, e Monsinjori plak shijonte gëzimin e faljes.
Ndersa unë zbrita shkallësh tue mendue forcën me falë e forcën e faljes.  



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora