Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Xheladin Mjeku: Poezi në frymën e edukimit dhe mesazhit

| E shtune, 09.07.2011, 07:39 PM |


POEZI NË FRYMËN E EDUKIMIT  DHE MESAZHIT

 

Shefqet Rexhepi: “PRINCESHA BËHET FLUTUR”, vjersha për fëmijë, botoi “ANDENA”, - Prishtinë, 2010

 

Nga XHELADIN MJEKU

 

Shefqet Rexhepi (1951), prej vitesh është i pranishëm në letrat shqipe me krijimet e tij të nduarnduarshme, si kritikë teatri, informacione nga kultura, e sidomos shquhet në krijimtarinë për fëmijë. Poezitë e tij tashmë janë pjesë e pandashme e faqeve të revistave për fëmijë. Është autor i disa librave, si: “Si e mëson Luli historinë”, “Trekëndëshi artistik”, etj. Libri në shqyrtim “Princesha bëhet flutur”, që karakterizohet me simbolikën e shprehur në frymën e figurave të ndryshme, të luleve dhe shpezëve, etj. që në masë të konsiderueshme rrisin vlerën artistike dhe interesimet e lexuesit për zbërthimin e kësaj materie të ndërtuar brenda kopertinave të kësaj përmbledhjeje na imponohet si art i të shprehurit bukur  dhe si mesazh i prekjeve të ndjeshmërisë tematike nga bota fëmijërore, njëkohësisht.

 

Loja e fjalëve në kontest të krijimit të figurave dhe simboleve

 

Shprehia e të lexuarit dhe  edukimi i gjeneratave ka vazhduar prej fillimit të hapjes së shkollës së parë. Kontributi i veçantë i takon edhe nxënjes së dijes përmes lëçitjes së poezive të rilindasëve, që kujdesshëm, por me sinqeritet vunë themelet e letërsisë për fëmijë, përballë temave të nxehta të kohës që po jetonin. Ky aktivitet vazhdon të zhvillohet gjithnjë deri në kohën që po jetojmë, duke nxjerrur emra të shumtë krijuesish, që lënë gjurmë të thella me krijimet e tyre, duke ndërtuar unin krijues me prurjet letrare dhe artistike  të dëshmuara. Krijohet përshtypja se edhe Shefqet Rexhepi ecën rrugës së pafund të gjeneratave, që me ngulm kërkojnë margaritarët e fjalës së tyre poetike, për të ndërtuar këtë botë letrare dhe artistike të nisur që moti.

Përmbledhja e poezive për fëmijë “Princesha bëhet flutur”, si titull simbolik  krijon një fushë të gjërë të mendimit filozofik me shprehje të kuptimeve të gjëra në rrafshin metaforik, si materje e ndërtuar mbi veçantinë e krijimtarisë pretendente të vlerave bashkëkohore dhe shtjellimeve interesante nëpër cikle e poezi të saj. Kjo nuk mund të anashkalohet pa u hetuar si  pasuri kulturore që lakmohet nga adhuruesi i botës imagjinative-letrare të krijimtarisë për fëmijë, këtyre viteve të fundit. Intuita krijuese e autorit sikur ka arritur të hap një galeri të pashterrshme  temash që mund të sjellin vlera të vargëzimit poetik, me sigurinë dhe guximin prej hulumtuesi të temave dhe motivacioneve preokupuese të botës fëmijërore. Ndërtimi dhe strukturimi i librit mbi një organizim ciklesh si: “Andena kapërcen Alpet”, “Shqipja fle në djep flamuri”, “Muret i vesh me dritare”, “Sykaltra Arbri”, Fjala dhemb më shumë se plaga” dhe “Thikën na e shesin për flori”, lidh një periudhë të gjatë kohore historike, duke portretizuar emra e figura të së kaluarës, gjithnjë në funksion të kuptimit të drejtë të zhvillimeve të lavdishme të popullit tonë, si në aspektin politik ashtu edhe në atë kulturor. Poashtu aty takojmë edhe veti e fenomene të  shumta nga përditshëria, ku fal përkujdesjes artistike rrezatojnë vlera edukativo-arsimore për lexuesin. E gjithë kjo që lexojmë këtu ka një petk që i shkon mirë një krijimtarie për fëmijë dhe të rinjë, duke i dhënë ngjyrën  bashkëkohore me elemente letrare dhe artistike të qëndrueshme.

Prekja e situatave dhe vetive karakteristike të fëmijës, paraqitja e panoramike e ambienteve të lojës, këngës, vrapimeve, shoqërimi me flutura, me zogj e gjallesa të ndryshme, që të shumtën e herave zbukurojnë botën fëmijërore, të ndërlidhura ngusht me imagjinatën dhe shkathtësitë e tyre, vazhdojnë gjatë gjithë cikleve të këtij libri të bukur poetik. Fenomenet natyrore, ninullat, kurbeti, dhe motive e tema të tjera e zgjerojnë fushën e krijimeve të Shefqet Rexhepit, që të ndërtoj kështu një botë sa interesante aq edhe të vlerave të qëndrueshme deri në imponim të mbamendjes për kohë të gjatë nga receptori  i vëmendshëm dhe kurreshtar. Edhe figurat historike, ngjarjet dhe epokat e lavdishme paraqesin pjesën tjetër të bukurive poetike që pasurojnë kujtesën e lexuesit me njohuri të shumta, për të ndërtuar kështu një pasqyrë të gjërë njohurish nga zhvillimet e shumë ngjarjeve historike, betejave, fitoreve dhe përpjekjeve të panumërta në rritjen e kultivimin e traditave dhe kulturës kombëtare nëpër shekuj:

 

“Shkëlqen Korça nismëtare

Lum fëmijësh me abetare.

Një porosi e lë Sotiri

Shkronjat s’i peshon floriri.

 

(“Shkronjat nuk i peshon floriri”- fq.51)

 

Në përgjithësi, poezitë e përmbledhjes “Princesha bëhet flutur” paraqesin botën fëmijërore me të gjitha karakteristikat e lojës,  jetës në familje, shoqërisë, peripetitë sociale, etj. Veçanërisht veprimet e të mëdhenjëve në raport me fëmijët,  duke iu imponuar nganjëherë edhe ndonjë ves a sjellje  të tyre krijojnë situata të ndryshme tek të vegjlit, por këtu autori tregon kujdes të veçantë  deri në nivelin e të kuptuarit të drejtë dhe me mirësjellje, që këto mendime filozofike t’i zbërthej në mesazh, që nënkupton veprimet e ndërlidhura mes të rriturve dhe fëmijëve në frymën edukative. Në poezinë e tij Shefqet Rexhepi nuk ka lënë pa prekur edhe veset e këqia duke i satirizuar ato fenomene në shkallën e mbarështrimit të kujdesshëm të  problematikës së fiksuar në temë, (“Secila fjalë plasaritje e re”, “Kësaj nuk i thonë mirë”), etj.

Loja e fjalëve në kontest të krijimit të poezisë e ndërtuar mbi bazën e figurave dhe simboleve që u folën këtu e bëjnë këtë përmbledhje një gurrë vlerash të qëndrueshme, duke i dhënë vend në radhët e krijuesve të këtij zhanri letrar.

 

Pasioni i të ndërtuarit të modelit të poezisë për fëmijë

 

Gjithnjë në funksion të gjetjes së temës dhe ndërtimit të opusit të tij krijues, me qëllim të krijimit të një rrethi të gjërë adhuruesish të mendimit të tij poetik, Shefqet Rexhepi edhe në këtë përmbledhje poezish ka krijuar një galeri personazhesh nga bota fëmijërore, për t’i shoqëruar me sende e gjallesa të tjera, që simbolikisht identifikojnë sjelljet dhe karakteret e tyre deri në krijimin e ambienteve ilustrative me imagjinatën e tyre. Figurat, metaforat, emërtimet e sendeve, hapsirave të lojës, fjalë e shprehje nga thesari popullor në funksion të ndërtimit artistiko-letrar të vargut poetik i japin formën poezisë. Gjatë gjithë leximit të kësaj përmbledhje takojmë angazhimet e autorit që në krijimet e tij të ndërtoj model të veçantë që bashkëvepron në harmoni me lojën e fëmijëve, me dëshirat që i synojnë ata, me ëndrrat dhe këngët e tyre, duke komponuar fjalë e shprehje të reja që portretizojnë pëllumbin, fluturën, shqiponjat, etj. që artistikisht krijojnë pikturën e dëshiruar në fantazinë e imagjinuar të fëmiut, në zbërthimin e ëndrrës dhe në sajimin e lojës së mrekullueshme të tij.

Me pasionin e krijuesit, ai nuk pushon në kërkim të ndërtimit të modelit të poezisë së tij, gjithnjë duke ruajtur vlerën artistike dhe mesazhin edukativ  dhe didaktik.  Pastaj autori shfrytëzon thesarin e pasur popullor për të ndërtuar poezinë e tij me mjeshtri duke e shprehur në funksion të këshillëdhënjes për brezat, si një model që duhet kultivuar edhe më tutje, duke vjelur të mirat e kulturës dhe traditës shekullore me synim të prezantimit brezave që po vijnë.

Në mbyllje të këtyre mbresave do të shtoja  dëshirën që edhe në të ardhmen të takojmë krijime të këtilla me vlera gjithnjë në rritje dhe ndërtim të vargut që premton. Vargjet e tij gjasojnë në princesha të fjalës së bukur poetike që përshkojnë hapsirën krijuese në çdo kënd të  botës fëmijërore.