E enjte, 28.03.2024, 03:33 PM (GMT)

Faleminderit

Më 8 korrik kujtojmë vdekjen e kryeipeshkvit të Shkodrës imzot Lazër Mjedjes

E premte, 08.07.2011, 07:59 PM


Duke shfletuar kalendarin historik, sot më 8 korrik shënojmë përvjetorin e vdekjes së kryeipeshkvit shqiptar të Shkodrës imzot Lazër Mjedjes.

 

Lazër Mjeda, lindi në Shkodër në një familje shumë të varfër, me 6 mars të vitit 1869, ndërsa vdiq më 8 korrik të vitit 1935.

 

Imzot Lazër Mjedja kryeipeshkëv metropolit i Shkodrës, ka qenë ipeshkëv edhe në dioqezën e Sapës, kryeipeshkëv i dioqezës së Shkupit. Luftëtar i pathyeshëm për të drejtat e fesë, atdhetar i flakët e veprues i panjollë, punëtor i vlefshëm i gjuhës e këshilltar dhe mbrojtës i shndritur, ndihmëtar zemërgjerë i letërsisë kombëtare, themelues e kryetar i shoqnisë letrare “Agimi” dhe i shoqnìs botuese Jeronyme.

 

Me 6 gusht të vitit 1891 u shugurua meshtar në kapelën e Seminarit Papnor të Shkodrës;shërbeu si famullitar në Plan, Pog e Mëgullë në Pult. Bortoi vjersha që këndohen ende sot nga fshtararët vendas. Me 20 janar të vitit 1901 u shugurua ipeshkëv i Sapës dhe qe ndër ma të rinjtë nga mosha.

 

Si ipeshkëv ndërtoi shumë struktura kishtare si dhe krijoi e ndërtoi shkolla, si:në Dajç, ku mësoi për do kohë vëllai i tij Dom Ndre Mjeda, i cili administronte atë famulli kishtare;pastaj shkollën e Hajmelit të Iballës. Së bashku me të vëllain dom Ndreun krijoi Shoqninë Letrare “Agimi”e cila botoi tekstet shkollore të asaj kohe. Më 1905 qe emëruar si ndihmës i ipeshkvit Imzot Guerinit dhe si i tillë rrethoi me mure e parmakë hekurit oborrin e Katedrales dhe ndërtoi rreshtin e dyqaneve në pjesën jugperëndimore të oborrit, si dhe plotësoi kullën e kishës.

 

Gjatë kësaj periudhe shoqnitë letrare janë në lulëzim të plotë. Më 1909 qe emërua Arqipeshkëv i Shkupit ku hapi shumë shkolla nëpër fshatra dhe punoi për lulëzimin e fesë e të kulturës në atë krahinë;ngriti struktura kishtare e i pasuroi, si dhe zbukuroi Kishën Katedrale të Prizrenit të Zojës Ndihmëtare. Në Shkup ndërtoi selinë arqipeshkvnore dhe shtëpinë e Kishës famullitare.

 

Më 1922 erdhi Arqipeshkëv i Shkodrës ku u vu menjëherë në punë për të përmirësuar dhe pasuruar Kishën e shtëpitë famullitare dhe nisi ndërtimin e kishës së Rusit. Stolisi kapelën e Arqipeshkvisë, në formë artistike, nën drejtimin e artistit Kolë Idromeno, i cili me duart e veta goditi Elterin.

 

Themeloi Fletoren e Klerit Katolik dhe Fletoren e së dielës, botoi librin “Rruga e Shelbimit”dhe me 19 mars1923 bekoi kambanat e reja të Kishës Katedrale. Me 4 gusht 1929 shuguroi ipeshkëv Imzot Pjetër Gjurën Arqipeshkëv të Durrësit dhe Imzot Frano Gjinin ipeshkëv Abat të Mirditës në shtator të vitit 1930.

 

Të dielën më 7 korrik kur nëpër Kishat e maleve e të katundeve të Shqipërisë jehonte kënga monotone për nga melodia, por plot dalldi e burrëri për nga shprehja e fjalëve:“Un prej Zotit jam i kështenë”, hartuesi i saj, imzot Lazer Mjedja, metropolit i Shkodrës, kryeipeshkëv i drejtë dhe i parimeve të ngurta, njeri i çmuar dhe i dashur –i kundërshtuar dhe i respektuar, fillonte fazën e mbrame të jetës tokësore, hynte në agoni e të nesërmen më 8 korrik të vitit 1935 në ora 17.20 të, shpirti i tij i bardhë shkëputej ëmbël e fluturonte ndër krahë të Krijuesit të vet. e funerali i imzot Lazër Mjedjes qe ndër ma madhështorët që iu banë arqipeshkvijve katolikë në Shkodër e Shqipëri. Me 1926 pati kremtuar 25- vjetorin e ipeshkvisë.

 

Don Lazër Shantoja shkruante në revistën ‘Leka’ të vitit 1935 se nga imzot Mdjedja “Ka metë vetëm shembulli i madh qi na ka dhanë e shembujt e mëdhaj nuk janë dhanë kurr kot!

Nji bari shenjt ka dekë. T’a nderojmë.

Nji atdhetàr i pastër ka dekë. T’a ndjekim.

Nji burrë ka dekë. T’a qajmë.

Emzot, pse na lae?”.

 



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora