E enjte, 18.04.2024, 04:32 PM (GMT+1)

Faleminderit

Fritz Radovani: ''Imbre Nagi''

E enjte, 07.07.2011, 08:32 PM


 

Nga Fritz RADOVANI:

 

“IMBRE  NAGI”

 

EMNI    U  SHKRUE  ME GJAK    BUDAPEST…

 

23 Tetor 1956…  55 vjet... ma parë…

Pak ditë kishe që  kishe fillue punën në kabinetin metodik si disenjator. Tue kalue

pikërisht aty ku në vitin 1991 asht vra Dëshmori i Demokracisë Arben Broci, ndigjova se dikush më thirri nga parku i shkollës Pedagogjike, ku pak muej ma parë ishe maturant...

            Mbas ligustrave rrethuese ishte në kambë tue më shikue me një buzqeshje shumë optimiste Prof. Dedë Shala, një burrë dashamirës i emi, që shumë vite ma përpara kur Ai ishte nxanës në shkollën e Lushnjes, tue kenë jetim ishte ndihmue me mbarue atë shkollë nga gjyshi im Pjetër Prennushi, që ishte kujdestar i konviktit ku flente Deda i rij... Që nga ajo kohë Prof. Deda jo vetem e kujtonte shpesh emnin e Tukes (siç thirrej nga studentetët gjyshi), po edhe kur mbarova shkollen pedagogjike, ishte Ai që më ndihmoi me u emnue në qytetin e Shkodres, kur për mue ishte çdo shpresë e shueme me qendrue në qytet...

            Bana këte shpjegim mbasi biseda që do të më bante Prof. Deda ishte një besim aq i madh i Tij, sa edhe sot kur e kujtoj i jam mirnjohës për guximin që pat ndaj meje kur unë atëherë ishe vetem 16 vjeç...U afrova dhe e përshndeta. Nuk priti me ba asnjë fjalë hymje, po më pyeti se a kishe ndigjue lajmët e hueja atë mengjes? Unë i përgjegja se jo, mbasi ambjenti rrethues i shtëpisë seme ma kishte privue ndigjimin e radiove të hueja! Nuk u habit fare për këte, po menjëherë hyni drejtë e tek lajmi që kishte ndigjue Ai vetë: “Sot në mengjes, shumë heret kam ndigjue një lajm që për pak çaste u shokova, mandej kam kalue nga një stacion në tjetrin... të gjithë njoftonin se Populli hungarez asht çue në Revolucion, dhe në Budapest kanë marrë ndertesat kryesore qeveritare, tue shpallë Lirinë nga rregjimi komunist stalinjan sovjetik, i cili aty asht vendosë njëherit me ne...Ka  pak të vramë nga forcat qeveritare komuniste, por ma e randsishmja asht se me Popullin asht bashkue edhe ushtria, kështu, fitoria ka njëfarë sigurie. Të shohim çka po japin sot!!”...

            Mbrenda ditës lajmi mori dheun. Nuk kishe nevojë me pyet njeri se a ke ndigjue lajmet, se nga disa metra larg fëtyrat tregonin ringjalljen e shpresës së vdekun tek ata që prej vitit 1944 përjetonin rregjimin ma poshtnues të njerzimit, diktaturen komuniste të proletariatit, që në Shqipni ishte shfaqë e po zbatohej me formen e saj ma të eger po, dhe barbare e shfarosëse kundrejt atyne që nuk pajtoheshin me te, dhe aq ma tirane me ata që nuk i sherbenin sigurimit të shtetit, që garantonte “fitoren” e socializmit për të gjithë ata kulltukë ku qendronin “udhëheqësit” tonë e të shteteve komuniste të Lindjes Europjane.

Priteshin ndryshime mbas vdekjes Stalinit...në vitin 1953 ndër të gjitha vendet ku komunizmi tashma ishte njohë me të gjitha tiparet e veta terroriste. Vendi ma i panjohun për “krimet e barbarizmat” ishte Bashkimi Sovjetik. Dihej vetem se çka asht ba para vitit 1945, po askush nuk dinte ma  se çfarë ngjet me ata 250 miljon njerëz skllav të Stalinit...

Në Gjermaninë Lindore komuniste flitej se ka pasë lëvizje antikomuniste aty nga vitet 1953 – 54, po çdo gja zbehej e zhdukej nga mungesa e informacioneve të sigurta.

Data 23 Tetor 1956, kur gjithë bota u zgjue bashkë me Budapestin e Hungarisë, ku 200.000 qytetarë, studentë e ushtarë të Revolucionit ma të madh që po ngjante në një nga shtetet e “demokracive popullore” të mbas Luftës së Dytë Botnore, shtet vasal si të gjithë të tjerët i BS, po me gjak dhe virtute Europjane, që burrnisht luftoi për Liri dhe për Demokracinë Europjane Perëndimore. Mbarë Populli Heroik Hungarez u çue në kambë. Mbarë Bota Përparimtare solli sytë nga Flamuri i Hungarisë, që edhe Ai u lirue nga ata simbole të imponueme të robnisë komuniste në zemren e tij. Udhëheqës i Revolucionit ishte hungarezi Imbre Nagi, figurë e njohtun në drejtimin e shtetit hungarez, që nuk ishte pajtue asnjëherë me skllavrimin sovjetik të shtetit hungarez dhe Popullit të vet. Ai kishte shfaqë mendimet e veta në Parlamentin e Hungarisë dhe kishte kerkue me çdo kusht që me Revolucion me permbysë diktaturen komuniste, tue kerkue me rivendosë në Hungari demokracinë e tipit Perëndimor Europjan. Mbarë Populli perkrahu idenë e Tij. Rinia ishte e para që rroku armët e fitores të dhurueme nga ushtria e shtetit hungarez. Rane edhe nga ndertesat qeveritare stemat e simbolet komuniste. Flamuri i paster i Hungarisë valvitej nalt në qiellin e bukur të Budapestit. Bota e robnueme mësoi se me trimni fitohet Liria.

Komunistët sovjetikë nuk mund ta pranonin këte ngjarje në qendren e Europës. Ishte i pari Bashkimi Sovjetik që do të kercnonte Hungarinë e Lirë e Demokratike, dhe po ai Hrushov që kishte dënue kultin e Stalinit si diktator, do të zbatonte politiken e tij ndaj Shtetit Lirë Hungarez. Në ditët e para të Nandorit, aty nga data 4 tanket sovjetike do të marrshonin në drejtim të kufijve shtetnor të Hungarisë. Kudo ku kalonin sixhirët e tyne kalonin mbi njerëz që vdisnin për Liri. Nuk kishte fëmijë që nuk i gjuente me gurë... Ishte një Popull i çuem në kambë që luftonte kundër një ushtrije pushtuese e robnuese, që me çdo kusht kerkonte rivendosjen e zgjedhës së diktaturës komuniste sovjetike në Hungari. Hrushovi me zanin e tij të shkyem njillte veç kob e zi, tue rrah grushtat për podet e atyne tribunave të gjakosuna që nga viti 1917, kur Lenini predikonte “lirinë” komuniste... Ishin po ata pode ku mbas tij, Stalini, Vishinski, Beria e mbas tyne Hrushovi, urdhnonin kalimin e tankeve të ushtrisë kuqe sovjetike mbi Popujt që luftojnë për Liri,  tue hapë edhe disa mija e mija gropa të reja plot 11 vjet mbas pushtimit të Europës Lindore, në vitin 1945. Budapesti u pushtue nga sovjetikët. Edhe njëherë Hungaria u robnue. Mija e mija hungarez u nisen me tren drejtë kufijve Perëndimorë...në kerkim të Lirisë! Mija të tjerë u nisën me tren nën armët e sovjetikëve drejt Siberisë për mos me u kthye kurrma! Robnia e dytë do t’ishte shumëherë ma mizore se e para, se duhej ba shembull edhe për “demokracitë popullore” të tjera që edhe ata pritshin vetem shkëndijat e para për me u çue në kambë! Pushkatimet e “gjyqet” e mbylluna nga gjykatat sovjetike vazhdonin ditë e natë. Mija vetë burgoseshin kur shumë të tjerë niseshin ndër kampet e shfarosjes dhe interrnimeve... Rinia vazhdonte qendresen kur edhe sovjetikët vazhdonin shfarosjen e pamshirëshme të saj...Budapesti u kthye në një fushe beteje të përgjakshme ku shiheshin vetem tanke me drapen e çekan  e turma njerzish tue vrapue në ikje. Imbre Nagi u drejtue nga ambasada jugosllave, Kardinali Minzenti u strehue në ambasaden amerikane...Paniku dhe terrori komunist mbuloi edhe njëherë qiellin e Hungarisë Martirizueme. Ngjau edhe ajo që nuk pritej. Me 22 nandor 1956 ambasada jugosllave nxori jashtë nga godina e saj Imbre Nagin, dhe ua dorzoi sovjetikëve. Tito rikthei edhe njëherë si “djali plangprishës” në truellin e Stalinit, por me një padron të rij në Kremlin, Nikita Hrushovin. Vazhdonin me muej të tanë burgosjet, hetimet, “gjyqet sekrete” dhe të mëshefta të sovjetikëve, derisa me datën 16 Qershor 1958, edhe me “pelqimin” e qeverisë kukull komuniste të Hungarisë, u ekzekutue edhe drejtuesi i revolucionit hungarez Imbre Nagi. Sigurisht ky ishte edhe një “mësim” për udhëheqësit e vendeve tjera socialiste të blokut sovjetik.

 

Shenim:Fotot janë nga interneti hungarez.

 

Imbre Nagi shpalli dhe drejtoi Revolucionin Antikomunist të Hungarisë!

Imbre Nagi shpalli Fitoren e Lirisë dhe të demokracisë në Hungari!

Imbre Nagi shpalli Fitoren e Flamurit hungarez pa simbolet e komunizmit!

Imbre Nagi asht emni që u shkrue me Gjakun e Heroit të Revolucionit të 1956!

 

Imbre Nagi...

Emen që më mbushi gjoksin me frymë...

Emen që më ngjalli andrra të paharrueshme...

Emen që më mësoi sesa e shtrejtë asht Liria...

Emen që e mësova atëherë kur nuk harrohet kurrë...

Emen që e adhuroi edhe sot mbas 55 vjetësh... Ishte emni i një Burri Trim!

Emen që ngriti Flamurin e Hungarisë për mos me zbritë kurrma!

Po, edhe gjithkund...Aty,... ku nuk ka Dritë dhe mungon  gjaja ma e Shejtë: Liria!

Imbre Nagi... Emen i shkruem edhe në kujtesen e një Shqiptari... Autori.

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora