E premte, 19.04.2024, 03:12 AM (GMT+1)

Kulturë

Vaso Papaj: Motive petromarkjane

E enjte, 07.07.2011, 08:58 PM


Motive petromarkjane

 

Nga Vaso Papaj

 

 

Gurët

 

Ikën djem dhe kthyen pleq’

Ishin lodhur, udhë e gjatë

Sapo mbërritën tek përroi

U bën gur’ e mbenë në paqë.

 

Vite shkuan, atje mbenë

Udhëtarë, a i shikoni?

Tok me ta pini kafenë

E me lule  i mbuloni.

 

Duan fikun dhe ullinë

Të mos mbeten në vetmi

Dhe dikë t’u ndez qirinë

Të dëgjojnë një potpuri.

 

Papo ujë që zbret nga përroi

I përkëdhel, i mban të bardhë

Sa herë urën e kaloj

Them me vete: Ja, kanë ardhë.

 

 

Retë

 

Hapu qiell, dërgona retë

Le të vijnë dhe me vërtik

Sjellin derte mërgimtari

Nuk  i sheh?... Pikojnë çatitë.

 

Eh , moj nënë, për ku ormisur

Nuk sheh retë, nuk sheh stuhinë?

Më tha ëndërra: Djemt janë nisur

Ç’ ke kështu?...Pa prite  shinë.

 

Nuk është shi, janë  lotë rrëke

Do hap gjinë  e t’i mbaj brënda

Kur të vijnë, çati të ngrenë

Do t’i kenë  aromë nga nëna.

 

          

Deti

 

Deti po skërmitet, deti po gjëmon

Dhe e ka me mua, hapur më qorton

Te një varg diku, në një poezi

Detit i kam thirrur: Kusar e lubi!

 

Po nuk kisha faj, nga bregu qen’ nisur

Tërë djemt’ e fshatit, larg e të sfilisur

Na i mori zemrat, puthjet i harruam

Na la vetëm isot, isot dridhëruam.

 

Mund t’ i thoja detit: Je i mirë, më fal?

Fshati zuri zinë, s’ kish mbetur një djal

Kishte shkar’ kaiku mbi tantella shtruar

Nuk ishin tantella po det i tërbuar.

 

Ndaj vjen përsëri, tërë natën pa gjumë

E gjëmon te bregu, skërmitet me shkumë

Pres të vij’ mëngjesi, paksa të qetësohet

“S’ do t’ bëj më kështu”, pres të më betohet.

 

 

Shtëllunga

 

E torri leshin nëna

Shtëllunga ka zënë mali

E fillet zbresin detit

Si jele të bardha kali.

 

E thurri, sa shumë thurri

Çorape leshi nëna

Në bohçe palët vuri

E djalin shih në ëndërra.

 

E priti vite  nëna

Te porta s’u duk djali

I mbenë atje te bohçja

Kur s’ngrihej më nga shtrati.

 

Shtëllunga ka zënë mali

Shtëllunga si dëborë

Më kot çorape leshi

Askush s’i  zë me dorë.

 

 

Shkëmb

 

Iku dimri erdhi vera, përsëri

Shkëmb të lash e shkëmb të gjeta, në freski

Ik një dallgë e vjen një tjetër, ti s’u tunde

Më dëgjo si mik  i vjetër, më dëgjo po munde.

 

Ti s’ndryshove ngjyrë, as sjellje, as drejtim

Të kam xhan se i ngjan fort poetit tim

Dhe kushdo që mbi kurriz  t’ ësht’ kapardisur

Thellë në det të zemëruar ësht’ vithisur.

 

 

Ulliri

 

Pak të zgjatem në dritare

Degë ulliri prek me dorë

Sa dëshirë do t’kisha sonte

Me dy degë, të bëj kurorë.

 

Jo kurorë për puthadorët

As tek mbretër nuk e çoj

E desha për paqësorët

Shpirtin tim të ma qetësoj.

 

Rrënjëthelli është  i plakur

Dhe në trung zgërbonja plot

Çdo zgërbonjë, një gojë e hapur

Shpellë që fsheh gëzim dhe lot’.

 

Thonë s’ka paqe nën ullinj

Do ta pyes: Nuk ka vërtetë?

Se po grinden dy kushërinj

Kjo s’ësht’ parë gjëkund në jet’.

 

Shihni burra, pleq, të rinj’

Dhe ulliri ju përqesh

Me lirinë  në varfëri

Jepni rrugë, shkoni në mes.



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora