| E enjte, 07.07.2011, 08:58 PM |
Motive petromarkjane
Nga Vaso Papaj
Gurët
Ikën djem dhe kthyen pleq’
Ishin lodhur, udhë e gjatë
Sapo mbërritën tek përroi
U bën gur’ e mbenë në paqë.
Vite shkuan, atje mbenë
Udhëtarë, a i shikoni?
Tok me ta pini kafenë
E me lule i mbuloni.
Duan fikun dhe ullinë
Të mos mbeten në vetmi
Dhe dikë t’u ndez qirinë
Të dëgjojnë një potpuri.
Papo ujë që zbret nga përroi
I përkëdhel, i mban të bardhë
Sa herë urën e kaloj
Them me vete: Ja, kanë ardhë.
Retë
Hapu qiell, dërgona retë
Le të vijnë dhe me vërtik
Sjellin derte mërgimtari
Nuk i sheh?... Pikojnë çatitë.
Eh , moj nënë, për ku ormisur
Nuk sheh retë, nuk sheh stuhinë?
Më tha ëndërra: Djemt janë nisur
Ç’ ke kështu?...Pa prite shinë.
Nuk është shi, janë lotë rrëke
Do hap gjinë e t’i mbaj brënda
Kur të vijnë, çati të ngrenë
Do t’i kenë aromë nga nëna.
Deti
Deti po skërmitet, deti po gjëmon
Dhe e ka me mua, hapur më qorton
Te një varg diku, në një poezi
Detit i kam thirrur: Kusar e lubi!
Tërë djemt’ e fshatit, larg e të sfilisur
Na i mori zemrat, puthjet i harruam
Na la vetëm isot, isot dridhëruam.
Mund t’ i thoja detit: Je i mirë, më fal?
Fshati zuri zinë, s’
Kishte shkar’ kaiku mbi tantella shtruar
Nuk ishin tantella po det i tërbuar.
Ndaj vjen përsëri, tërë natën pa gjumë
E gjëmon te bregu, skërmitet me shkumë
Pres të vij’ mëngjesi, paksa të qetësohet
“S’ do t’ bëj më kështu”, pres të më betohet.
Shtëllunga
E torri leshin nëna
Shtëllunga ka zënë mali
E fillet zbresin detit
Si jele të bardha kali.
E thurri, sa shumë thurri
Çorape leshi nëna
Në bohçe palët vuri
E djalin shih në ëndërra.
E priti vite nëna
Te porta s’u duk djali
I mbenë atje te bohçja
Kur s’ngrihej më nga shtrati.
Shtëllunga ka zënë mali
Shtëllunga si dëborë
Më kot çorape leshi
Askush s’i zë me dorë.
Shkëmb
Iku dimri erdhi vera, përsëri
Shkëmb të lash e shkëmb të gjeta, në freski
Ik një dallgë e vjen një tjetër, ti s’u tunde
Më dëgjo si mik i vjetër, më dëgjo po munde.
Ti s’ndryshove ngjyrë, as sjellje, as drejtim
Të kam xhan se i ngjan fort poetit tim
Dhe kushdo që mbi kurriz t’ ësht’ kapardisur
Thellë në det të zemëruar ësht’ vithisur.
Ulliri
Pak të zgjatem në dritare
Degë ulliri prek me dorë
Sa dëshirë do t’kisha sonte
Me dy degë, të bëj kurorë.
Jo kurorë për puthadorët
As tek mbretër nuk e çoj
E desha për paqësorët
Shpirtin tim të ma qetësoj.
Rrënjëthelli është i plakur
Dhe në trung zgërbonja plot
Çdo zgërbonjë, një gojë e hapur
Shpellë që fsheh gëzim dhe lot’.
Thonë s’ka paqe nën ullinj
Do ta pyes: Nuk ka vërtetë?
Se po grinden dy kushërinj
Kjo s’ësht’ parë gjëkund në jet’.
Shihni burra, pleq, të rinj’
Dhe ulliri ju përqesh
Me lirinë në varfëri
Jepni rrugë, shkoni në mes.