E enjte, 18.04.2024, 07:19 AM (GMT+1)

Mendime

Bajram Kabashi fale token e vet ne Kosove per themelimin e Qendres Kulturore Arbrore “Papa Kelmendi XI”!

E enjte, 07.02.2008, 12:00 AM


Bajram KABASHI fale token e vet ne Kosove per themelimin e Qendres Kulturore Arbrore “Papa Kelmendi XI”!

Vijon teksti i plote origjinal nga Bajram KABASHI :

NISMË ATDHETARE: FALI TOKËN NË GURRAKOC TË BURIMIT PËR NGRITJEN E QENDRËS KULTURORE ARBËRORE “PAPË KELMENDI XI” PONTIFEX MAXIMUS. (Projekt-ide për të cilën kërkoj edhe përkrahjen e të tjerëve)

Papë Kelmendi XI (Papa Clement-i XI) ka prejardhje prej një familjeje bujare të Veriut të Shqipërisë. Familja e tij luftoi përkrah heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, për çlirimin e Shqipërisë nga pushtimi i Perandorisë Osmane.

Për shkak të kësaj përkrahjeje edhe kjo familje, si shumë familje të tjera fisnike shqiptare, pas pushtimit otoman të tokave shqiptare, u detyrua të largohej nga Shqipëria për në Itali. Atje veprimtaria politike dhe intelektuale e kësaj familjeje vazhdoi të japë ndihmesën e vet të madhe në zhvillimet shoqërore.
Dhe një nga pinjollët e kësaj familjeje është, pikërisht, Gjon Françesk Albani (Giovanni Francesco Albani) apo i ardhshmi Papë Kelmendi XI i lindur më 1649, në Urbinë (Urbino), e vdiq më 1721 , në moshën 71 vjeçare, dhe varrosnë Bazilikën e Shën Pjetrit në Romë. Prej vjetit 1700 e deri në vdekje mbeti udhëheqës i kishës katolike.
Si çdo papë, edhe Papa Kelmendi XI, bëri ndërmarrje të rëndësishme gjatë kohës derisa ishte në krye të kishës. Gjatë papatit të tij Italia veriore u pushtua dhe u sundua nga mbretëria e Spanjës dhe Kelmendi XI u desh të mbajë njëfarë neutraliteti politik të kishës. Ai ndërtoi shumë kisha, ura, fontana dhe galeri. Ishte themelues i gërmimeve të para arkeologjike në katakombet romane. Por nën patronatin e tij të drejtpërdrejtë Biblioteka e Vatikanit u furnizua edhe me libra orientalë.
Ndihmesa e tij e jashtëzakonshme është edhe në një plan tjetër: Papa Kelmendi XI asnjëherë nuk harroi gjakun dhe rrënjët e tij, edhe dy shekuj pas shpërnguljes në Itali të familjes së tij, edhe pasi u bë kreu i Kishës Katolike, d.m.th., Papë, me gjithë detyrat e tij shumë të rëndësishme baritore, kulturore dhe politike në kohë shumë të trazuara. Me shembullin e tij ai ishte dhe mbetet një nga personalitetet shembullore në historinë e atdhetarizmit shqiptar.
Papë Kelmendi XI - Stema e Kelmendit XI
Papë Kelmendi XI është nismëtar i drejtpërdrejtë i Koncilit apo Kuvendit të Arbënit (1703) [origj. Concilli i dheut Scciypniis, baamun n’vjet 1703 n’coh t’Paps scchyptarit Clementitt t’gnimdheitit], një Kuvend që synonte ringjalljen shpirtërore shqiptare. Kuvendi i Arbënit kërkonte jo vetëm riorganizimin e administrimit kishtar por edhe organizimin e mësimit të gjuhës shqipe.
Në kohën e Papë Kelmendit XI, Francesco Mario da Lecce-ja hartoi dhe botoi edhe Gramatikën e Gjuhës Shqipe (1716) dhe shkroi fjalorin e gjuhës shqipe, i cili ka mbetur i pabotuar deri në ditët e sotme.
Po ky Papë bëri edhe ndërmarrjen më të jashtëzakonshme, të papërsëritshme jo vetëm deri në ditë tona por edhe për shumë kohë të ardhshme duke nisur përmbledhjen e të gjitha dokumenteve që lidhen me Ilirinë e lashtë, përmbledhjen në 11 vëllime të Ilirisë së Shenjtë (Illyricum Sacrum). Kjo bëri që historia iliro-arbërore, të mos zhduket kurrë nga kujtesa njerëzore. Këto dukumente, një nga një, vërtetojnë lashtësinë e etnisë e të gjakut tonë në këto troje. Prandaj, nëse për asgjë tjetër, vetëm për këtë ndërmarrje emri i Papë Kelmendit XI, i Gjon Françesk Albanit tonë meriton të jetë në panteonin e bijve më të ndritur kombëtarë. Ai është biri i këtij kombi që shpëtoi kombin e vet nga harresa e plotë.
Vetëdija e lartë e një njeriu të këtillë të jashtëzakonshëm si Papë Kelmendi XI, atdhetaria shembullore dhe dashuria e tij për ruajtjen dhe kultivimin e gjuhë shqipe kanë ngjallur tek unë gjithmonë respektin dhe adhurimin e përhershëm. Sa më shumë që kam lexuar dhe kam mësuar për këtë Arbëror të madh, aq më shumë më është shtuar krenaria dhe adhurimi për të. Dhe aq më shumë jam ndier i turpëruar që më parë nuk e kam njohur dhe nuk e kam ditur figurën e tij. Si shqiptar ndihem borxhli ndaj tij, por edhe ndaj një vargu të tërë atdhetarësh të lënë menjanë për shkak të paragjykimeve politike, kulturore e fetare të kombit tonë. Gjithmonë kam pasur bindjen se një komb i cili nuk është mirënjohës ndaj bijve më të zgjedhur dhe më të përkushtuar të tij do të mbetet gjithmonë në errësirën e padijes dhe nën hijen e marrëzisë. Borxhi ynë ndaj këtyre njerëzve, ndaj veprave të tyre fisnike duhet të jetë detyrë atdhetare e çdo Shqiptari. Prandaj, duke u nisur prej këtyre bindjeve të
çiltra dua të filloj këtë nismë për “Coat of Arms of Pope Clement XI” , sjelljen në Atdhe të kujtimit dhe veprës së Bijve apo më mirë Etërve të Arbërisë.
Duke parë se institucionet kulturore shtetërore shqiptare nuk janë duke bërë punën e dëshiruar e të duhur në drejtim të ringjalljes shpirtërore të kombit tim, mendoj se populli shqiptar duhet të gjejë vetë mënyrat për të dalë nga kjo gjendje amullie. Unë kisha dashur që nisma ime të jetë vetëm fillimi i asaj që do të ishte ndriçim i plotë dhe i vërtetë kombëtar.
Duke qenë i vetëdijshëm se në këtë rrugë vjen një kohë kur fjalët mbarojnë dhe duhet të nisin veprimet konkrete, unë, Bajram Kabashi, me banim në Norvegji, në pajtim të plotë me familjen time, fali tokën time në Gurrakoc të Burimit (Komunës së Istogut), me sipërfaqe 1000 metra katrore, me qëllim të ndërtimit të një Qendre Kulturore Arbërore, e cila do të merrej kryesisht me hulumtimin, botimin dhe editimin e të dhënave të shekujve që janë lënë në harresë deri në ditët e sotme. Ai Institut dëshiroj të quhet ’Papë Kelmendi XI’, Pontifex Maximus.

I vetëdijshëm se për Papa Kelmendin e XI-të në të ardhshmen do të bëhet edhe më shumë në nivelet institucionale të popullit shqiptar, megjithatë, si bir i këtij populli që vazhdimisht duhet ta ndriçojë rrugën e vet të dhimbshme nëpër histori, në kërkim të identitetit të cënuar, e shoh të nevojshme që për kujtim të këtij njeriu, atdhetari e fetari të madh, të veprës së tij largpamëse, të jashtëzakonshme në favor të kombit, t’i them: ’Papë Kelmendi XI, Bir dhe Atë i këtij populli, urdhëro në tokën arbërore’. Në këtë mirëseardhje dëshiroj që të bashkohen sa më shumë arbërorë kudo ku janë që “Festën e rikthimit” ta bëjmë edhe më të madhërueshme.
Dëshiroj të deklarohem personalisht ashtu sikurse edhe në emër të familjes sime që toka ime në Gurrakoc të Burimit, mu në qendër, në vendin ku kryqëzohet rruga Pejë-Mitrovicë dhe Istog (Burim) - Klinë, definitivisht i takon Papa Kelmendit të XI-të, Arbërorit, andaj të tjerëve u takon që ta shpiejnë përpara idenë time e të familjes sime. I qoftë falë toka ime sepse është edhe toka e tij, e çdo shqiptari zemërbardhë e atdhetar!
Jam i gatshëm që të bashkëpunoj me të gjithë ata, institucione apo individë, të cilët kanë ide për ta pasuruar këtë Nismë qoftë me ide, qoftë me ndihmesa materiale për t’i dhënë formën konkrete projektit tim tashmë të shfaqur në formë ideje. Të gjithë ata që në çfarëdo mënyre do ta ndihmojnë realizimin e këtij projekti, paraprakisht i falënderoj nga zemra duke ua shprehur mirënjohjen time më të thellë.

Vëllazërisht, Bajram Kabashi më 28 nëntor 2007 Norvegji

Publikue me shtat foto interesante ne http://kosova.albemigrant.com/?p=990



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora