E shtune, 20.04.2024, 12:29 AM (GMT+1)

Mendime » Xharra

Fahri Xharra: Heshtja jonë ndaj çnjerëzimit

E merkure, 06.07.2011, 08:04 PM


Heshtja jonë ndaj çnjerëzimit

 

Nga Fahri Xharra

 

“Shqipja e vjetër, si të parandiente një gjëmë të ardhshme, për përdhunimin e femrës e krijoi fjalën dyfish të rëndë çnjerëzimi” (Kadare “Mbi krimin në Ballkan”). Dramën e grave të Kosovës, në luftën e fundit, nuk ka kohë që mund ta shlyejë. Nuk ka kohë që mund ta heqë nga kujtesa e botës së civilizuar, që këto mizori të njohura prej shekujsh e mijëvjeçarësh, që u kthye në mjet lufte, me qëllim të caktuar: thyerjen e moralit të një populli.

Qëllimi i caktuar: thyerja e moralit të grave e burrave, por më së keqi goditjes së moralit jo vetëm të brezit që e përjetonte por edhe brezave të ardhshëm.

Kishim të bënim me një popull që kur e sheh fëmijën e vet duke fjetur thotë: “Po fle si i prerë në fyt” (Spava kao zaklan), ndaj një populli që për fëmijët në përgjithësi thotë se “po fle si qengj”.

Çka është çnjerëzimi? Më i rëndë se çnderimi, më i rëndë se dhunimi.

Çnjerëzimi është kur: “Ai ishte i pari dhe pastaj i dha urdhër të tjerëve. Ishin nëntë, duke më keqpërdorur si të donin”, “Bile edhe sot dhimbja është e pranishme në mua, një dhimbje që na krijoi probleme familjare dhe që më largoi nga martesa”.

Edhe pse s`ishte e lehtë të merren informata bindëse për çnjerëzimin e një kombi, por ato dalin vështirë, na sillen në krye, na përcjellin dhe një ditë “shpërthejnë si vullkani i fashitur”. Historia jonë e njeh shumë mirë çnjerëzimin, e njeh shumë mirë se si mbrohet mu si ato skena tragjike të hedhjes së grave suljote nga shkëmbi në humnerë për të mos rënë gjallë në duar të kriminelëve.

Shtazërimet e kryera ndaj femrës sonë nga serbët, kanë rënë në heshtje. Ato shtazërime kanë kaluar në harresë. Ato shtazërime në mbi 20 mijë femra të Kosovës e që është një trishtim i madh, për të cilat një pjesë e politikanëve e harruan krejtësisht se çka ndodhi dhe se çka ua besoi e ardhmja jonë: ”nxjerrja nga mjerimi e nga tronditja psiqike të një populli që kishte vuajtur shumë...” (“Mbi krimin në Ballkan”). Prijësit e mendimit dhe ata të veprimit na dhanë shenja të shumta të një krenarie dhe vetëkënaqësia kombëtarisht vetëvrasëse. Përdhunimet, çnderimet dhe çnjerëzimet, u lanë pa fije turpi anash dhe u margjinalizuan.

Çnjerëzimi është një armë e luftës, e cila të poshtëron, por nëse heshtet, viktima bëhet dhunues.

Golgota (kalvari) i vërtetë i çnjerëzimeve, në luftën e armatosur në vitet 1998-1999, sipas shënimeve ishin ngjarjet që më së shumti në botë u mbuluan nga shtypi, radiot dhe TV-të ndërkombëtare.

Por, e rëndë është heshtja jonë. Nëniformatat e të mos thuhet harresa, e cila e përthekoi praktikën e çnjerëzimit, përpara imazhit që shoqëria e jonë duhej ta potenconte vazhdimisht para opinionit të bashkësisë ndërkombëtare, e bëri shumë të lehtë shfaqjen e karladelponteve dhe dikmartive, duke e bërë që të mos i dhimbsemi më askujt. Nuk i dhimbsemi më askujt.

Çnjerëzimi është ky: “Më kanë lidhur, janë ulur mbi këmbët e mia e mbi bark dhe më detyruan të pija diçka, e cila ma humbi vetëdijen. Pastaj e ndjeva një dhimbje të madhe në bark e mandej të nesërmen më detyruan të abortoj”.

Çnjerëzimi është edhe ky: “E kisha fëmijën në ngryk, polici me të zeza më pyeti nëse është vajzë apo djalë dhe kisha mjaft qumësht për ta ushqyer...”. I porsalinduri iu mor nga duart, u gjuajt dhe u përplas në tokë, dhe gruas iu shqyen rrobat dhe iu këputën gjinjtë. E ne, për këtë flisnim vetëm gjatë kohës së deportimeve, e mendësitë tona po heshtin me vite, po heshtin deri në amshim.

Çnjerëzim ishin edhe këto: “Fëmijëve iu prenë kokat, bebet u ngufatën; dhe OSBE-ja atë kohë raportonte: në mesin e aspekteve më të dhimbshme të luftës ishin vrasjet e paramenduara të fëmijëve nga forcat e armatosura serbe”.

Të dhënat nuk mungojnë, por përderisa krimi është i dënuar në emër të moralit, instancat e drejtësisë bëhen kuadër fizik nëpër të cilën viktimat duhet të kalojnë, për të kërkuar drejtësi. Jo pse në këtë drejtim dënimi moral nuk është një përfundim në vete dhe i parëndësishëm, por situata ende është e patolerueshme përderisa ky dënim nuk shkon drejt sanksioneve konkrete. Ishte ajo kohë që ne e heshtëm dhe e harruam, koha kur tërë bota u vu në dijeni për krimin jugosllav, shtetit të përkëdhelur nga të gjithë.

Pasi një popull u shtyp dhe u masakrua vite me radhë, pasi u mbytën me thikë mbi 800 fëmijë të moshës nën 5 vjeç (Miroslav Filipoviq, “Le Mond”), pasi u përdhunuan mijëra gra e vajza, pasi u deportuan barbarisht rreth një milion njerëz, heshtja jonë bën që provokimi ende të vazhdojë. Për arsye të njohura, ne ende heshtim për atë që ne ishim hebrenjtë e fundit në kampet çnjerëzuese të Milosheviqit.

Duke na falënderuar neve, prijësve tanë, mendësve tanë, mohuesve tanë, bota e filloi heshtjen. Dhe, bota vazhdon të jetë përsëri e verbër. Ky është një shans më tepër që çnjerëzuesit të bëhen “viktima”.

E thënë nga goja e një çnjerëzuesi: “Mos më thoni kurrë që nuk e njohim shijen e femrave shqiptare”.



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora