E enjte, 28.03.2024, 08:00 PM (GMT)

Kulturë

Flet Prof. Seit Mansaku mbi veprën e akademik Dhimitër Shuteriqit

E marte, 05.07.2011, 05:35 PM


“Dëshmi parabuzukiane të fjalës shqipe” një vepër me vlera shkencore

 

Nga Albert ZHOLI

 

Libri i fundit i akademik Dhimitër Shuteriqit “Dëshmi  parabuzukiane të fjalës shqipe” ka pasur një jehonë në rrethet akademike dhe ato intelektuale. Ky libër i botuar kohët e fundit nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë është një përzgjedhje e veprës së tij. Për të marrë një mendim rreth kësaj vepre biseduam me Prof. Seit Mansakun:

Ç’përmbledh vepra e Akademik Dhimitër Shuteriqit?

Është tashmë e njohur veprimtaria e gjerë e akademik Dhimitër Shuteriqit, puna sistematike shumëvjeçare e tij plot zell e pasion, në fushën e filologjisë së teksteve të vjetra shqipe, përpjekjet e tij këmbëngulëse  e të pareshtura në kërkim të shkrimeve e të dokumenteve të reja e të panjohura në gjuhën shqipe ose që flasin e japin dëshmi për shkrimin e gjuhës shqipe. Ai si shumë studiues të  historisë së gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare besonte se gjuha shqipe duhet të ketë pasur një traditë shkrimi edhe më të hershme se ajo që njihet deri më sot, prandaj derdhi shumë djersë e mund në kërkim të dëshmive që ta vërtetonin përfundimisht këtë tezë. Ai ka gjurmuar, shfrytëzuar e konsultuar autorë dhe vepra të rralla, dokumente të botuara a në dorëshkrim, akte zyrtare, tregtare etj., glosa, anëshkrime botimesh të vjetra, letërkëmbime etj dhe ka regjistruar çdo gjë që kishte të bënte në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë me shkrimin e shqipes, me dokumentimin e saj, tekste, fjali e fjalë, çdo shkrim në gjuhën shqipe e për gjuhën shqipe, emra të përveçëm personash, etnonime, patronime, emra vendesh, fisesh etj. që i përkasin botës arbërore e shqiptare dhe ia ka arritur të nxjerrë në dritë fakte e të dhëna të panjohura me interes gjuhësor e kulturor që e kanë pasuruar historinë e shkrimit të gjuhës shqipe dhe në një rrafsh më të përgjithshëm kanë zgjeruar e plotësuar tablonë e përpjekjeve të popullit shqiptar për të shkruar e lëvruar gjuhën shqipe edhe në periudha të vështira të historisë sonë. Por, le të ndalemi pak në veprën e fundit… Pjesë e kësaj veprimtarie shkencore, fryt i këtij pasioni të pashuar deri në frymën e tij të fundit është edhe libri Dëshmi parabuzukiane të fjalës shqipe përmbajtjes dhe vlerave shkencore e kulturore po i kushtojmë këto pak radhë për ta njohur lexuesin e interesuar me të. Këtë vepër në këto përmasa, siç paraqitet sot autori e kishte lënë në dorëshkrim dhe Akademia e shkencave, në mirëkuptim me familjen e tij, mori nismën për ta botuar duke pasuruar kështu fondin e librave me vlerë për traditën tone kulturore e gjuhësore.

Çfarë trajtash e fjalë të veçanta të shqipes ka përdorur Shuteriqi në këtë vepër?

Në këtë vëllim autori ka përfshirë fjalë e trajta fjalësh të gjuhës shqipe, emra të përveçëm personash e vendesh shqiptare të qëmtuara me durim në dokumente në gjuhë të ndryshme të para vitit 1555, kur botohet “Meshari” i Gjon Buzukut. Siç pohon edhe vetë autori në pasthënie të këtij vëllimi, midis asaj lënde të gjerë që ka shqyrtuar, ai ka përzgjedhur dhe ka përfshirë në këtë vëllim ato fjalë e trajta fjalësh dhe ata emra të përveçëm që i janë dukur se mund të identifikoheshin me një besueshmëri të pranueshme si elemente të leksikut të shqipes ose si pjesë e repertorit të emrave të botës shqiptare. Vëllimi përmban rreth 1600 njësi leksikore, nga të cilat autori ka mundur të identifikojë në mënyrë të padyshimtë si lëndë shqipe rreth 920 njësi. Një pjesë e kësaj lënde vjen nga diaspora shqiptare e Greqisë dhe shumë më pak nga ajo e Italisë. Njësitë e identifikuara si fjalë të shqipes autori i ka krahasuar me fjalët që përmban leksiku i plotë i “Mesharit” të Gjon Buzukut, fjalorin e plotë të të cilit e ka botuar studiuesi njohur Kolë Ashta dhe ka vënë re se vetëm 260 gjenden edhe në këtë vepër, ndërsa 720 prej tyre janë fjalë parabuzukiane, pra fjalë që nuk ndeshen në veprën e Gjon Buzukut. Me këtë kuptim e ka përdorur autori sintagmën fjalë parabuzukiane, sepse në një kuptim kronologjik më të gjerë, fjalë parabuzukiane janë edhe fjalët që ka përdorur vetë Buzuku.

Përpos këtyre, autorit i është dashur të bëjë një punë të madhe e të vështirë filologjike profesionale edhe për transkriptimin e kësaj lënde…?

Përveç punës gjurmuese, autorit i është dashur të bëjë një punë të madhe e të vështirë filologjike profesionale jo vetëm për identifikimin e lëndës gjuhësore të qëmtuar në tekste e dokumente të ndryshme parabuzukiane që duket se i përket gjuhës shqipe, por edhe për transkriptimin e kësaj lënde. Fjalët shqipe ose emrat e përveçëm që i përkasin botës shqiptare e që gjenden në këto dokumente, janë regjistruar kryesisht nga shkrues të huaj që nuk e kanë njohur gjuhën shqipe dhe me  grafi të ndryshme dhe sipas traditave gjuhësore të ndryshme, prandaj nuk ka qenë një punë e lehtë për autorin e këtij vëllimi transkriptimi i tyre me alfabetin e shqipes së sotme.

Karakteristikë e këtij botimi është dhe lënda gjuhësore…?

Në rrethanat e gjuhës shqipe, e cila është një gjuhë e lashtë, por e dokumentuar vonë me dëshmi të shkruara, lënda gjuhësore e këtij vëllimi është një burim i rëndësishëm për studime në fushën e historisë mesjetare të shqipes, me vlerë për të ndriçuar çështje të ndryshme të fonetikës historike dhe të etimologjisë së fjalëve dhe në përgjithësi për të krijuar një ide më të qartë për gjendjen e shqipes mesjetare, për sistemet grafike që janë përdorur për shkrimin e saj dhe në përgjithësi për orientimin kulturor të shqiptarëve në periudhën mesjetare. Në këtë vepër dëshmohen një numër jo i vogël fjalësh e emrash të përveçëm personash dhe vendesh që mund të shërbejnë edhe për një fjalor historik të shqipes, një vepër që është e nevojshme të ndërmerret nga gjuhësia jonë. Po ashtu, përmendja e një numri të madh antroponimesh dhe toponimesh në dokumente të ndryshme mesjetare parabuzukiane e bëjnë këtë vepër një burim të rëndësishëm edhe për studime onomastike. Lëndën leksikore të qëmtuar në dokumente të ndryshme dhe të identifikuar me shumë gjasi si shqipe, autori e ka analizuar edhe nga ana fjalëformuese dhe ka arritur të dallojë një numër jo të vogël prapashtesash. Ato janë krahasuar me prapashtesat që përmban vepra e A. Xhuvanit dhe e E. Çabejt Prapasshteat e gjuhës shqipe, vepër bazale në këtë fushë për gjuhën shqipe, dhe nga ky krahasim rezulton se autori i këtij vëllimi ka identifikuar disa prapashtesa që nuk gjenden te kjo vepër. Pra ky vëllim sjell kontribute edhe në fushën e fjalëformimit të shqipes mesjetare duke e pasuruar inventarin e mjeteve fjalëformuese të saj në këtë periudhë me elemente të reja.

 

Transkiptimi

Autori dhe emrat e përveçëm…

Autori ka gjetur një zgjidhje të drejtë kur fjalët dhe emrat e përveçëm, që janë nxjerrë si fjalë lema në këtë vëllim, i ka transkriptuar me alfabetin e sotëm, por në shembujt që jepen për ilustrim, fjalët dhe emrat e përveçëm janë lënë në grafinë origjinale, duke u dhënë kështu mundësi studiuesve të gjykojnë edhe ata vetë mbi saktësinë e transkriptimit. Kriteret e punës së tij për transkriptimin e lëndës gjuhësore autori i ka paraqitur në një pasthënie të vendosur në fund të këtij vëllimi. Ai ka vënë në dukje se lënda gjuhësore shqipe që përmbajnë dokumentet në latinishte dhe në italishte, të nxjerra nga arkivat e Venedikut, të Napolit dhe të Raguzës është shkruar me alfabetin latin, gjë që hedh dritë mbi traditën e hershme të përdorimit të këtij alfabeti për të shkruar lëndë gjuhësore nga shqipja. Të paktën. Pra kjo lënda gjuhësore nga fusha e onomastikës dëshmon se tradita e shkrimit të shqipes me alfabet latin nuk ka nisur në shekullin XV me Formulën e Pagëzimit apo në shekullin XVI me “Mesharin” e Gjon Buzukut, por më herët.

 

Lënda gjuhësore

Historia mesjetare e gjuhës shqipe

Ç’përbën në vetvete ky botim? Prof. Seit Mansaku thotë: “Botimi i kësaj lënde gjuhësore në një vëllim të veçantë do të shërbejë si burim për historinë mesjetare të gjuhës shqipe dhe do t’u vlejë studiuesve të fushave të ndryshme të historisë së gjuhës për të ndriçuar aspekte të veçanta të fonetikës dhe të gramatikës historike dhe të etimologjisë. Botimi i veprave të tilla në kohën tonë merr një vlerë edhe më të madhe po të kemi parasysh se ato kërkojnë një angazhim e përkushtim të madh të autorëve a studiuesve dhe një përgatitje të gjerë historike,  filologjike e kulturore të tyre, cilësi këto që  gjendeshin si te rrallëkush te akademik Dhimitër Shuteriqi, të cilit është rasti t’i shprehim nderimin dhe mirënjohjen tonë për veprën që ka lënë Vepra të tilla duhet të shërbejnë si kujtesë dhe nxitje për studiuesit e historisë së gjuhës shqipe dhe të shkrimit të saj dhe për institucionet përkatëse se kërkimet sistematike në arkiva dhe biblioteka për të pasuruar traditën e shkrimit të shqipes duhet të vazhdojnë po me atë zell e pasion që punoi Prof. Dh. Shuteriqi me shpresë se një ditë do të zbulohen tekste ende të panjohura në gjuhën shqipe dhe do të vërtetojnë  hipotezën e hedhur prej kohësh për një traditë më të hershme të shkrimit të shqipes”.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora