E premte, 19.04.2024, 10:26 AM (GMT+1)

Kulturë

Daniel Gazulli: Na jemi!

E hene, 04.07.2011, 07:59 PM


DANIEL GAZULLI:

 

NA JEMI !

 

Nga miku im Ejell Miculi kam marrë këte letër:

 

Po të shqetësoj sepse kam ra në hall të madh. Po vjen dita e regjistrimit të popullsisë simbas kombsisë e fesë, dhe unë nuk di si t'ia baj !! Si person jo fort i shkolluem e me mendje të lodhun e të mpime nga diktatura e egër dhe e gjatë komuniste antishqiptare, po kam shumë dyshime në ndërgjegjen time! Nuk e di a jam shqiptar apo jo ?, edhe pse lindë e rritë brez mbas brezi në këta troje...edhe pse kam një mik studiues që betohet se fisi im rrjedh drejt prej fisit të Kastriotëve, të cilët zanafillen po e paskan atje, në Kastrat, te të parët e mijë......nuk e di, por një gja e di mirë, i dashtun Daniel; që nuk jam as gjerman, as italian, as turk, as grek dhe as serb...di edhe një gja tjetër, që fisi im asht ndër fiset ma të vjetra të Europës...Si më kshillon Ti, që kombsinë time ta rregjistroj si europian ? A ma pranon Europa? A ma lejon qeveria jonë këte gja!? Nuk e di a të rregjistroj fenë time si Kristiane?..Nuk e di se jam apo jo, edhe pse kam një mikun tim studiues e historian që më thotë se na jemi ndër kristianët ma të vjetër të Europës .. Më thotë ai se, Shën Pjetri e Shën Pali gjatë rrugës nga Jeruzalemi për në Romë, u ndalën për pushim në Durrës dhe aty themeluen Kishën e parë Katolike në Europë... Por nuk e di a jam katolik apo jo? .. A di të fali dhe të kerkoj falje ? Nuk e di a të rregjistroj fenë time si Musliman?...Nuk e di se jam apo jo, edhe pse kam një mikun tim studiues, që më thotë se paska thanë Xheims Beker e se thanka edhe sot politika amerikane, ashtu edhe ajo e sulltanëve të sotem të Anadollit, që shqiptarët duhet të jenë muslimanë ... Po thonë se Amerikës iu nevojitka të ketë miq popuj muslimanë e se turqit kërkokan prap të kenë nën hyqem kolonitë e perandorisë Osmane në Ballkan. Pra, për këte, u dashka me u rregjistrue si musliman, edhe pse politika jonë antishqiptare, po thonë, na ka regjistrue para gjithë botës  si shtet Islamik. Po na thonë që nuk asht mirë me ia nxjerrë rrenat në shesh Qeverisë ... edhe pse na nuk e dimë se jemi muslimanë, jo veç për preiardhje, por edhe traditat na tradhëtojnë. Ne na pëlqen të pijmë venë, raki, të dëgjojmë muzikë xhas, të shkojmë në plazh nën rrezet e diellit ... na pëlqejnë shumë gjana që janë në kundërshtim me islamin ... pra, a mund të jeme musliman? Më duket se jam ma shumë ateist, se sa Kristian apo Muslimani, por nuk e di a më lejon Qeveria të rregjistrohem si ateist? ...

Mik i nderuem, të lutem, më jep një këshillë, kush jam unë? Çka duhet të baj?

Pres ma pa durim përgjegje.

Me respekt nga Ejell Miculi.  

 

Miku im, Ejell.

Na jemi, nuk mund të zgjedhim.

Kam përshtypjen se edhe disa shoqata, në dukje qellimmira, po lodhen kot, që të mos jemi të detyruem me thanë çka jemi.

Na jemi. Jemi shqiptarë qysh në zanafillë të njerëzimit. Ka aty-këtu edhe ndonjë fqinj që erdhi ndër shekuj e tash banon me ne. Dikush asht malazez, dikush grek e një tjetër maqedonas. Edhe ata janë. Janë ata që janë.

Po na jemi e jemi shqiptarë. E ashtu, thjeshtë, të shënojmë në skeden e regjistrimit me krenari: SHQIPTAR.

Askush nuk mend ta bajë historinë në letër. Ajo asht skalitë ndër shekuj me gjak, me dije, me vepra, me tradita e mendësi. Mund të zhbahen edhe malet, por historia nuk zhbahet. Shkenca sot po ban mrekullina, por jo sa të rijetojmë të djeshmen. Ajo nuk mund të ndryshojë ma. Askush, as Zoti vetë, nuk mund ta ndryshojë ma ate.

Ty të shqetësojnë disa mjeranë që flasin përçartë e duen të nëpërmbëkambin identitetin e dinjitetin tonë?

E kam thanë edhe herë tjetër: Ata janë muhaxhirë. Muhaxhirë janë ata dobiçët që i la turku këtu kur theu qafen. I pat sjellë prej Jemeni, prej Anadolli, prej Egjipti e na i la në derë kur iku mbrapa diellit. I thërret gjaku bastardh i të parëve e thonë: Nuk jemi shqiptarë! Leni muhaxhirët në halenë e tyne, miku im, NA JEMI!

Po ka edhe disa, e di, që i thonë vetes shqiptarë e bajnë punën e djallit. Ka edhe nga ata. Janë ata që Nana Shqipni nuk i polli, po i volli. Janë ai zgaq i përbuzëshëm, si i quente i madhi Dom Ndre Mjeda, të shitun e të shpërfytyruem, që e kanë gjakun të verdhemtë, krejt të ngjashëm me vnerin.

Çdo komb, miku im, ka edhe zgjyren e tij, që i asht formue ndër shekuj.

Po NA JEMI. Të krishtenë, nëse jemi të krishtenë; muslimanë, kur jemi muslimanë, por GJITHMONË SHQIPTARË. Mandej, në qofsh ateist, çka vështirë ta besoj e ta kuptoj, pse shqiptarët as e dinë mirë çka do të thotë ateist, regjistroju ateist, por SHQIPTAR.

Ç’thonë e ç’duen qeveritë? Pak randësi ka, miku im. Nuk e ribajnë e as e zhbajnë dot ato historinë qeveritë. Ato shkojnë e vijnë, kurse NA JEMI GJITHMONË. Ato do të zanë një skutë të errtë a pak ma pak të errtë të historisë, kurse na prap do të jemi.

E po themi sa herë se NA JEMI. Po kush jemi?

Tek secili prej nesh janë Pirro, Genti e Teuta; janë Shën Jeronimi e Nanë Tereza; janë Gjergj Kastrioti e Pjetër Bogdani; tek secili pej nesh janë Ismail Qemali e Luigj Gurakuqi; janë Eqrem Çabej e Ibrahim Rugova, e sa e sa lisa të pavdekshëm të këtij vendi.

Haxhi Qamilët e Esat Toptanët, e gjithë sojin e tyne që sot vjellin lumej vneri antishqiptar,  as mos i zë në gojë, miku im. Ata, ose janë muhaxhirë, ose nga ai lloj që të thashë parë, që Shqipnia e volli, nuk i polli.

E na do të jemi gjithmonë, miku im, sepse nuk kanë çka i bajnë zvarranikët shqiponjës!



(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora