E marte, 23.04.2024, 12:51 PM (GMT+1)

Kulturë

Fortino: “Sot ndihem krenar, sepse ndodhem në tokën ku janë mbjellë rrënjët e stërgjyshërve të mi arbër…”

E hene, 04.07.2011, 07:58 PM


Prof. Doc. Italo Kostante Fortino: “Sot ndihem krenar, sepse ndodhem në tokën ku janë mbjellë rrënjët e stërgjyshërve të mi arbër…”

 

Nga Vilhelme Vranari Haxhiraj

 

Cili është Italo Costante Fortino?

Me Prof Italo Fortino, një personalitet i shquar i shkencës së albanologjisë, u njohëm rastësisht më 18 prill 2009, kur unë fitova konkursin letrar”Gj.K. Skënderbeu”- Itali, ndërkohë që Ai ishte kryetar Jurie. Qysh nga ajo ditë letërsia na lidhi me një miqësi që duket se na intereson të dy palëve. Para mëse tri javësh( java e parë e Majit 2011), përmes një mesazhi të dërguar prej tij, mësova se do të vinte bashkë me zonjën e tij, Katerina në vendin tonë. Çifti Fortino pasi shkoi në Tiranë,më pas vizitoi Shqipërinë Jugore nga data 29 maj deri më 4 qershor.

Është kënaqësi e veçantë kur takohesh me një mik të largët, aq më tepër kur çifti nga Italia e ka origjinën nga këto troje Arbërore. Duke pirë një kafe buzë Adriatikut të Kaltër në Vlorë, dy mysafirët , bashkëshorti im Fitim Haxhiraj dhe unë, bisedën e  vërtitëm rreth letërsisë shqiptare, sidomos asaj të pas viteve 90, folëm mbi albanologjinë, historinë, kulturën tonë, vështirësitë e tranzicionit, si dhe arritjet e secilit. Më erdhi mirë që Zonja Fortino e flet gjuhën shqipe rrjedhshëm dhe punonte si përkthyese. Ka punuar për shumë kohë në transmetimin e emisioneve shqip në RAI. Aktualisht është drejtoreshë e programacioneve të gjuhës shqipe dhe përkthyese (shqip-italisht), (italisht- shqip) si dhe (Italisht arbërisjht) dhe (arbërisht-italisht).

Duke pirë kafe, papritmas, si njeriu i fushës së albanologjisë, Profesor Fortino u interessa për këhtjellën e Kaninës.

-Vilhelme, ti je nga Kanina, në mos gabohem.

-Jam krenare që jam nga Kanina, Professor. Dhe im shoq për të më plotësuar, citoi vargjet e bukura dhe të pakrahasueshme :të Ernest Koliqit:

“Për Kaninën Perëndia,

Kur e pa si diell mbi det,

tha:

-Jo, nuk është nga veprat e mia,

këtë mrekulli mbi tokë

dikush tjetër e ka bërë,

do ketë qenë një tjetër Zot!”

-Këto vargje Ernest Koliqi, ndoshta e keni dëgjuar emrin e tij, sepse ka çelur katedrën e gjuhës shqipe në Universitetin “La Sapienza”të Romës, i shkroi një ditë fundshkurti, kur pranvera e parakohshme kishte çelur lulet e bajameve dhe kumbullave,- sqarova.

-Kam dëgjuar, thoni? I mrekullueshmi Ernest Koliqi ka qenë profesori im i gjuhës shqipe me të cilin u diplomava. Ruaj respekt për të, ishte mësues shumë i mirë.

-Thënia juaj është dy herë e  bukur, madje e mrekullueshme, sepse e njihni dhe ju ka mësuar gjuhën e bukur të stërgjyshëve.

-Kjo është e vërtetë. A është larg Kanina që këtej?

-Vetëm 3 km.në vijë ajrore dhe 5 km rruga automobilistike. Nëse doni nesër çohuni herët dhe shkojmë e vizitojmë,-sugjerova.

-Shkojmë tani…  nëse nuk keni kundërshtim. Kam makinën time dhe makinën dhe zbritëm për të shijuar peizazhin e mrekullueshëm që të ofron ai vend i pakrahasueshëm. Që nga poshtë fotografoi kështjellën e lashtë mesjetare të Kaninës.

Shkuam deri te gurorja në Shashicë. Miqtë nuk mund të shkëputeshin kollaj nga ai muzg mbrëmjeje magjik. Ne të katër aty, ku duket se toka prek retë, kurse nën këmbët e kështjellës 2600 vjeçare, si roje gjigante qëndronin Karaburuni, Sazani dhe Triporti. Në perëndimin e pakrahasueshëm të Vlorës ato dukeshin si statuja të lashtësisë, që duket se rrënjët i kanë në ujërat e kaltëra të Adriatikut.

-Profesor, kam dëshirë t’ju bëj një intervistë. Nuk ka rast më të mirë se ky dhe këtu në Kaninën time. Nëse dëshironi, unë jam gati.

-Vilhelme do të jetë kënaqësi. Mes kësaj bukurie dhe madhështie që të ofron Kanina, flet vet shpirti. i ngazëllyer  nga  zbulimi i të panjohurave, që kanë qenë dhe mbeten enigma për ata që s’kanë mundur ta vizitojnë Shqipërinë. Jam krenar që sot ndodhem në token e të parëve të mij arbër.

Është detyrë dhe përgjegjësi e çdo qyetatari të botës, që të gjejë rrënjët e tij gjenetike, sepse  vetëm kështu mbron identitetin e tij.

Ps: Me qenëse intervista nuk u përfundua në Kaninë, ia dërgova Prof. Fortinos me internet të gjitha pyetjet, tashmë të plotësuara:

 

I dashur dhe i nderuar Italo!

Mirëmbrëma! Po ju nis pyetjet. Janë pak si shumë, por ju jeni i veçantë për nga vlerat që mbartni si personalitet. Ju lutem koregjoni, ose plotësoni çfarë të dëshironi.

Përqafime vëllazërore Vilhelme & Fitim

Vlorë-5-6-2011

 

Shumë e dashura dhe e respektuara Vilhelme!
Më vjen keq se kaloi shumë kohë dhe vetëm sot munda të ju dërgoj përgjigjet e fundit të intervistës. Ju lutem të më falni,por kam pasur provime në Universitet dhe mbledhje të ndryshme. Më mirë vonë se fare, thuhet këtu.
Ju lutem, koregjoni gabimet gjuhësore, pse kam shkruar drejt në kompjuter dhe jam i sigurtë që diçka nuk shkon mirë. 
Ju falenderoj për durimin dhe për pyetjet që më keni bërë në intervistën: ku keni parashtruar një panoramë të problemeve kryesore të kulturës së sotme. Veç si shkrimtare bashkëkohore e veçantë për gjuhën standarde letrare shqipe , jeni edhe një gazetare e përsosur. Për këtë ju përgëzoj! Urime dhe shumëfaleminderit.
Me këtë rast ju uroj gjithë të mirat familjarisht, ju përshëndes vëllazërisht dhe ju përqafoj fort.
Italo

Romë 27-6-2011

 

Intervistë me Prof. Italo Kostante Fortino, shef i Katedrës së Gjuhës Shqipe në Univeresitetin L’ Orientale të Napolit

*Profesor Italo Fortino, mirë se keni ardhur në vendin tim dhe aq më tepër në vendlindjen time, në Kaninën e Gjergj Arianitit, në Kaninën e grave të shquara të Kombit, të historisë, kulturës, bukurisë natyrore, mikpritjes, në Kaninën e ullinjve shekullor, të mjaltit të rrallë dhe mishit të qengjit me aromë Shashice.

Cili ishte qëllimi i vizitës suaj njëjavore në Shqipëri?

Prof. I. Fortino:

-Zonja Vilhelme, jam shumë i kënaqur, pasi po takohemi për herën e dytë, dhe këtë herë jo në Itali, ku keni fituar konkursin për poezinë e bashkëkohore standarde latrare midis arbëreshëve të Kierit, por në tokën e lashtë të të parëve tanë, në Vlorë dhe në Kaninën e famshme, në Kaninën e Gjergj Arianitit, i cili na çon në kohën e lashtë të ngjarjeve që pak më vonë,  kanë shkaktuar nisjen e arbëreshëve nga toka mëmë,drejt tokave të Mbretit të Napolit.

Për sa i përket ardhjes sime në Shqipëri, arsyeja e afërme e vizitës është ftesa nga ana e Qendrës Ndëruniversitare të Studimeve Albanologjike për të mbajtur një leksion për Doktorantët e Gjuhësisë dhe Letërsisë në Tiranë. Theksoj se prej kohësh dëshiroja të përfitoja nga ndonjë rast për të vizituar edhe vende të tjera të Shqipërisë dhe së pari m’u duk e domosdoshme ardhja në Vlorë dhe vizita në fshatin e bukur dhe të pasur me kujtime historike: Kanina, e cila vazhdon të sundojë nga lart. Ka një pushtet të jashëzakonshëm zotërues mbi zonën përreth.

* Ju si çift, jeni Arbëreshë. Nga cila krahinë shqiptare kanë ikur të parët tuaj?Edhe zonja juaj arbëreshe është? E përgëzoj për të folurën e saj në gjuhën shqipe! Më pëlqen se e flet pastër dhe rrjedhshëm gjuhën e mëmës sime, gjuhën e vjetër dhe të bukur shqipe.

- Nga të dhënat historike, si edhe nga të dhënat gjuhësore, shumë arbëreshë në shekullin XV ikën patjetër nga vendet e Jugut të Shqipërisë, dhe në veçanti nga zonat e Himarës dhe të Çamërisë. Ka shumë fenomene gjuhësore që na e konfirmojnë këtë. Për këtë arsye, bashkë me gruan time Kate Xhukaro, edhe ajo nga një katund arbëresh, në provincën e Kozencës. Mbërritëm në Shqipëri më 29 maj. Pas leksionit në Tiranë dhe pas vizitës në Vlorë, vendosëm të shkojmë në Himarë dhe në vendet përreth për të parë peisazhin natyror, por më shumë për të takuar banorët dhe për të biseduar me ta. Edhe duke dëgjuar intonacionin e të folmes – që mbetet dukuria më e qëndrueshme e një gjuhe – mund të përcaktohet me më shumë saktësi vendi nga erdhën, nëse jo të gjithë, së paku disa arbëreshë. Bashkëshortja ime , Kate e ka origjinën nga  Peloponezi, Parga. Sipas historiografisë dhe autorëve antikë, familja e saj është thesprote.

*Ku lindi Fortino? Arsimimi juaj qysh nga shkolla elementare e …Ku jeni diplomuar dhe ç’profesion ushtroni tani?

-Katundi im është Shën Benedhiti Ullano, në provincën e Kozencës në Kalabri, një katund arbëresh që në shekullin XVIII ka qenë selia e parë e Kolegjit “Korsini” ku është formuar jo vetëm kleri arbëresh i Eparkisë së Ungrës, e cila përfshin katundet arbëreshë të Italisë së jugut, por edhe inteligencën arbëreshe. Ky kolegj në vitin 1794 është transferuar në katundin tjetër arbëresh Shën Mitër Korona, gjithnjë në provincën e Kozencës, ku kanë studiuar dhe u formuan shkrimtarët J. De Rada, Z. Serembe, V. Dorsa, si edhe patriotët D.Mauro, A. Milano, A, Dramis, të cilët janë dalluar në luftën për bashkimin e Italisë, si edhe për ringjalljen e kulturës së arbëreshëve.

Pas studimeve fillore në Kalabri kam kaluar në Romë ku kam kryer studimet e larta dhe universitare. Jam diplomuar në Universitetin e Romës “La Sapienza” ku kam pasur si profesor dhe si mjeshtër gjuhësie Prof. Ernest Koliqin, nga Shkodra. Prof. Koliqi ka qenë me të vërtetë një profesor që më ka mësuar artin e studimit dhe në veçanti më ka mësuar historinë, gjuhën, letërsinë, me një fjalë kulturën arbëresho-shqiptare. Mësimi i tij më pajisi me një përgatitje të veçantë për të ushtruar profesionin e profesorit universitar. Tani jam Profesor Ordinar i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Napolit “L’Orientale”. Por ndihem jo vetëm profesor por edhe dashurues i profesionit tim, i kulturës, gjuhës, historisë dhe letërsisë arbëreshe dhe veçanërisht asaj shqiptare.

*Kur u takuam për herë të parë dhe ju dhatë rezultatet e konkursit, ju kam quajtur shqiptar i arratisur gjatë luftës së dytë botërore ose gjatë komunizmit. Kaq shumë më befasuat me shqipen tuaj. Kush ka ndikuar te Fortino për të mësuar gjuhën shqipe? Kur keni ardhur për herë të parë në Shqipëri? Me cilat treva shqiptare keni lidhje profesionale, natyrisht edhe shpirtërore?

-Me të vërtetë studimin e shqipes e kam filluar që nga shkolla fillore pa asnjë profesor, si autodidakt, sepse në atë kohë në shkollat fillore nuk jepej mësimi i gjuhës amtare, dhe si autodidakt vazhdova deri në mbarimin e shkollës të mesme.I pavarur, pa ndihmën e askujt kam përsosur njohjet e të folmes arbëreshe dhe studiova shqipen nëpërmjet leximit të veprave dhe nëpërmjet studimit të gramatikës shqipe të Karl Gurakuqit. Pastaj në Universitetin e Romës kam ndjekur, siç kam thënë, kurset e prof. Ernest Koliqit, të cilët më kanë hapur një botë kulturore të pasur, siç është ajo shqiptare, më kanë shtyrë të studioja jo vetëm gjuhën standarde por edhe variantet gjuhësore, atë toske dhe atë gege, si edhe arbërishten. Prof. Koliqi na thoshte se letërsia shqiptare është shkruar gegërisht (N. Mjedja, Gj. Fishta, Migjani etj.), toskërisht (N. Frashëri, F. Noli, A.Z. Çajupi etj.), arbërisht (J. De Rada, F. A. Santori, G. Dara etj.) dhe në gjuhën standarde (I. Kadare, D. Agolli, F. Arapi etj.), prandaj duhet të studiohet në mënyrë më të thellë gjuha shqipe dhe variantet e saja për të lexuar autorët e djeshëm dhe ata të sotëm.

Për herë të parë kam ardhur në Shqipëri në vitin 1983, kur sundonte akoma Enver Hoxha. Kam shoqëruar një grup studentësh të Universitetit dhe kemi qëndruar në Shqipëri për një muaj. Ishte koha kur nuk kishte makina dhe kontrolli i shtetit mbyste njeriun, kur dominonte diktatura. Pas rënies së komunizmti kam ardhur shpesh në Shqipëri, sidomos në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup për të marrë pjesë në Konferencat shkencore, në mbledhjet shkencore të ndryshme që Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë së Qendrës Ndëruniversitare të Studimeve Albanologjike që organizon vazhdimisht konferenca bashkëpunimi. Duhet të kujtoj që me Qendrën Albanologjike të Tiranës Universiteti L’Orientale i Napolit ka një marrëveshje bashkëpunimi, prandaj kemi shumë raste për të ardhur në Shqipëri.

*Sa për t’u njohur me lexuesin, cila është gjendja juaj civile (martesa me….Familja juaj e bukur përbëhet… dhe interesi i tyre për Shqipërinë dhe gjuhën shqipe.

-Jam martuar lumturisht me Katen, e cila merret edhe ajo me kulturën arbëreshe dhe shqiptare, dhe për këtë arsye familja jonë thith vazhdimisht ajrin gjuhësor, letrar dhe në përgjithësi kulturor shqiptaro-arbëresh. Kemi tre fëmijë: i pari është advokat dhe flet shqip, bile pas studimeve të mesme ka qenë pranë Universitetit të Tiranës ku ka ndjekur një kurs për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare; i dyti është student universitar por akoma shqipen nuk e zotëron, flet të folmen tonë, arbërishten, ndërsa e treta, vajza, mbasi është lindur kur ishim transferuar në Romë dhe thithi më pak ajrin kulturor të katundit arbëresh, kupton arbërisht por përgjigjet më shpejt italisht. Megjithatë të tre duan kulturën amtare dhe dëshirojnë ta njohin më mirë Shqipërinë. Vajza, e cila quhet Alesia, tashmë ka vizituar jo vetëm një pjesë të Shqipërisë, por edhe Kosovën, ku ka ndjekur pjesërisht Seminarin e kulturës shqiptare.

* Ju jeni Albanalog. Kjo shkencë kërkon vullnet për të hulumtuar, do kohë për punë dhe arratisje të shpeshta nga familja. Pra kërkon sakrifica. Ka qenë kureshtje, ndonjë ndikim apo thjesht si hob.?

-Për mua, me të vërtetë, albanologjia ka qenë studimi i natyrshëm, pse hap pas hapi më ka hapur të gjithë hapësirën e njohjeve të kulturës arbëreshe dhe shqiptare. Në fillim më ka shtyrë dëshira e njohjes së kulturës amtare që kisha trashëguar gojarisht nga prindërit dhe nga katundi, më vonë është transformuar në një studim sistematik që më ka interesuar gjithnjë dhe më shumë. Në rastin tim interesi natyror i vazhdueshëm për kulturën amtare ka kaluar në interes shkencor dhe në studim shkencor që më ka hapur rrugën e profesionit, të cilin e kam  përqafuar me shumë entuziazëm dhe me shumë pasion.

* Kush ka më shumë ndikim tek Italo: letërsia apo albanologjia? Këtë mund t’ia spjegoni lexuesit si, me titujt e veprave tuaja dhe pak fjalë për vlera të veçanta të secilës vepër.

-Me të vërtetë mbasi më pëlqen shumë letërsia, më duhet të studioj edhe shumë albanologjinë, dmth. gjuhën dhe historinë e saj, sepse nëse nuk njihet mirë gjuha nuk mund të shijohet as letërsia. Për këtë arsye veprat e mia studimore  marrin parasysh probleme letrare dhe gjuhësore. Pra karakteri i tyre studimor përfshin edhe fushën e gjuhësisë edhe atë të letërsisë. Duke u nisur nga botimi kritik i veprës së Jul Varibobës, “Gjella e Shën Mërisë së Virgjër”, që kam botuar më 1984 (më 2010 është botuar në Tiranë botimi i dytë nga Shtëpia botuese Toena), një autori i shekullit XVIII shumë i rëndësishëm për vlerat estetike të poezisë, kalova të studioja një autor arbëresh jo shumë i njohur, Frangjisk Andon Santorin, veprat e të cilit ende ishin dorëshkrim edhe një shekull pas vdekjes së tij. Kështu botova disa novela në vargje në vitet 1977 (Brisandi, Lletixja, e Ulladheni), 1985 (Tre novela); ndërsa në vitin 2004 botova (Le “Kalimere”) një vepër që frymëzohet nga tradita kishtare e ritit bizantin, që ndjekin arbëreshët. Siç kuptohet qëllimi im është të njihen veprat e autorëvet në autenticitetin e tyre, prandaj i kushtoj shumë vëmendje sidomos aspekteve të filologjisë. Me lejoni të shtonjë edhe ndonjë titull tjetër: veprën me titull Rëmenxa t’arbresha (Vargje arbëreshe) të autorit Xhuzepe Anxhelo Noçiti, një autor që me të vërtetë më parë nuk njihej aspak, dhe me këtë vepër hyn në historinë e letërsisë shqiptare, si edhe me veprën tjetër Ndihmja e Krojës (Mbrojtja e Krujës) e cila flet për luftën e Skënderbeut kundër turqve. Interesi i studimeve të mia përfshin edhe kohën e sotme të letërsisë, qoftë atë arbëreshe,qoftë edhe atë shqiptare, duke përfshirë edhe autorët kosovarë.

*Si është vlerësuar puna studimore apo krijuese e Prof. Italo Fortinos?

-Me të vërtetë nuk mund të jem unë të them si është vlerësuar puna studimore ime, megjithatë mund të pohoj që mbasi qëllimi im është të vlerësohet thesari letrar dhe gjuhësor arbëresh dhe shqiptar, ai imi mund të konsiderohet si një shërbim i dobishëm për gjithë ata që dëshirojnë të studiojnë veprat në formën e tekstit origjinal. Pas botimeve të disa veprave, tani të gjithë studiuesit dhe lexuesit te thjeshtë kanë mundësinë të njohin më mirë letërsinë tone. Dhe për këtë arsye të gjitha botimet janë pritur shumë mirë.

* Ç’mendoni për letërsinë shqiptare të Realizmit Socialist dhe të pas viteve 90? Mendimi juaj për shkrimtarët e diktaturës, që vazhdojnë të shkruajnë edhe sot: A i janë përshtatur letërsisë bashkëkohore? Nëse dini ndonjë shembull, ju lutem

-Letërsia shqiptare gjatë kohës së Realizmit socialist ka jetuar një situatë së paku të vështirë, Ka qenë një gjëndje e vështirë pse pushteti politik ndikonte në zgjedhjet e autorëve dhe arrinte t’i kushtëzonte edhe në krijimtarinë e tyre. Ndikimi politik arriti të kushtëzonte në mënyrë totale disa autorë pa talent dhe me një sjellje servile: këta autorë kanë shkruar duke ndjekur pasivisht parimet e Partisë në fushën e kritikës letrare, por nuk kanë krijuar vepra me vlera estetike. Disa autorë të tjerë, të talentuar, kanë zgjedhur të bashkëjetonin me kompromis politik me shtetin diktatorial në Shqipëri dhe falë talentit arritën të krijojnë vepra që mbeten në historinë e letërsisë (I. Kadare, D. Agolli, F. Arapi etj.). Disa autorë të tjerë të cilët, mbasi nuk pranuan asnjë kompromis, janë larguar nga vendi dhe vazhduan të krijiojnë veprat e tyre në mërgim (E. Koliqi, A. Pipa, M. Camaj, I.Luzaj etj.), ndërsa ata që nuk janë larguar dhe nuk pranuan asnjë kompromis politik, ose fetar, kanë qenë ose të burgosur ose të pushkatuar (K. Trebeshina, P. Arbënori, V. Prennushi, L. Shantoja etj.). Pas viteve ’90 më duket se autorët që kanë dalë nga burgu kanë vazhduar të shkruajnë vepra të shëndosha dhe me vlera të larta artistike (K. Trebeshina, P. Arbënori etj.), ndërsa shumë më të dobëta më duken veprat letrare të autorëve të tjerë të lartëpërmendur që gjatë Realizmit socialist njohën sukses të madh. Për fat të keq sot , pas viteve ’90, kanë ngeluar aty ku kanë qenë në komunizëm, pa bërë asnjë progres krahas parametrave të letërsisë bashkohore. Theksoj se tashmë ka mjaftë pena të reja që duhen marrë né konsideratë nga kritika dhe përkthyesit.

Romë 27-6-2010

* Me sa kam informacion nga “Vatra Arbëreshe”, ju arbëreshët keni fituar të drejtat e pakicave nga Qeveria Italiane, në mos gabohem më 1999. Cilat janë këto të drejta?

Parlamenti italian ka miratuar ligjin për mbrojtjen e 12 pakicave historike gjuhësore të pranishëm në territorin italian pikerisht në dhjetorin e vitit 1999. Ky ligj mbron kulturën, gjuhën, letërsinë e këtyre pakicave, duke lejuar mësimin në shkollë si edhe jashtë shkollës, duke lejuar organizimin e kurseve për të azhornuar dhe përfeksionuar mësuesit dhe profesorët. Ky ligj pranon edhe figurën e një operatori kulturor i cili mirret me aktivitete të ndryshme në favor të pakicës gjuhësore në mes të cilës ai vepron. Ligji parashikon, me një fjalë, vlerësimin e të gjitha pakicave gjuhësore që ekzistojnë në Itali, duke promovuar iniciativa kulturore, folklorike, turistike etj. Në dhjetë vjetët e fundit, në të cilët ka vepruar ligji kemi bërë ndonjë hap përpara për të alfabetizuar sidomos të rinjtë në gjuhën amtare, por megjithatë, mbasi ligji parashikon një numër shumë të kufizuar orësh për mësimin e gjuhës dhe kulturës amtare, nuk kemi pasur suksese të plota. Më duket që duhe Romë 27-6-2010t të modifikohet ligji duke e përmirësuar në disa aspekte që i konsiderojmë të dobëta për të mbrojtur në mënyrë më të plotë pakicat gjuhësore dhe kulturore.

*A kanë interes të rinjtë arbëreshë për rrënjët e tyre shqiptare?

Të rinjtë arbëreshë sot po jetojnë një gjendje pak dramatike pse pësojnë ndikimet e globalizimit botëror që nuk vlerëson kulturat dhe gjuhët minoritare siç duhet. Ndikon elementi ekonomik, funksional, praktik që të jep një fitim të drejpërdrejtë, ndërsa nuk çmon plotësisht personin me të gjitha nevojat shpirtërore, kulturore, psikologjike, intelektuale etj. Prandaj ne konstatojmë që janë gjithmonë më shumë të rinjtë që nuk flasin gjuhën amtare dhe shprehen gjithnjë e më shumë italisht. Ndryshimet ekonomike, të informacionit masiv (TV, Internet, Cellularë), shpejtësitë e lëvizjeve të popullsisë, sidomos të të rinjve, kanë krijuar kushte të reja të cilat ndikojnë negativisht ndaj kulturave lokale minoritare. Megjithatë kemi shpresë që në të ardhmen do të ndryshojë diçka, me alfabetizimin shkollor, me mësimin në shkollë të gjuhës, të letërsisë dhe të kulturës së pakicave. Gjuhëtari francez Claude Hagëge thotë se nëse ekziston vullneti politik i qeverisë dhe interesi i popullsisë për të çmuar kulturën e vet, edhe pakicat kulturorë mund të vazhdojnë të mbijetojnë. Dhe në botë kemi disa shembuj që na tregojnë se kjo punë mund të ketë sukses.

* Nga vizita juaj e parë në Tiranë, ç’ndryshim shihni tani pas mbi 25 vitesh. Mendoni se zhvillimi evropian i Shqipërisë do të jetë i afërt apo do të zgjasë?

Pas 25 vjetësh, Shqipëriia është ndryshuar thellësisht: së pari në fushën politike dhe sociale. Sot është një demokraci që megjithë se ka probleme dhe hasë vështirësi gjatë udhëtimit, është duke u afirmuar dhe duke u përforcuar. Demokracia, siç dimë nga filosofia, sociologia dhe historia botërore, fitohet ditë pas dite dhe rritet nga përvoja e vazhduashme. Unë kam pasur përshtypje pozitive në çdo fushë: bujqësia është duke u përmirësuar, rrugët tani janë të pranueshme dhe lejojnë të vizitohet gjithë Shqipëria, prandaj lejojnë zhvillimin e turizmit dhe marrëdhëniet e tjera ekonomike. Sektori i ndërtimeve zhvillohet ditë pas dite: Tirana është një metropol, Durrësi, Vlora janë bërë qytete moderne të mëdha. Veprimtaria e shërbimit si e restoranteve më duket se ka arritur nivele evropiane, kështu edhe industria e hoteleve që respekton standarde të larta. Edhe fusha shkencore dhe kulturore më duket se ka bërë hapa përpara. Edhe duke u kufizuar në fushën universitare, më duket se tani ka marrëdhënie dhe shkëmbime kulturore midis universitete evropiane në çdo fushë. Një shembull: në kuadrin e këmbimeve kulturore midis Universitetit L’Orientale të Napolit dhe Qendrës Ndëruniversitare të Studimeve Albanologjike kemi botuar “Atlasin Dialektologjik të Gjuhës Shqipe” dhe organizojmë çdo vit seminare për gjuhësinë dhe për letërsinë shqiptare. Shqipëria është duke ecur mirë. Duke u stabilizuar pak më shumë në fushën politike të demokracisë, duke përsosur kulturën demokratike si edhe duke u përforcuar në fushën ekonomike, Shqipëria patjetër mund të hyjë në Bashkimin Evropian me të drejtë të plota.

* Si mund të ndryshojë opinioni botëror për letërsinë shqipe, të cilën e quajnë provinciale dhe Shqipërinë provincë?

Ndoshta qëndrimi i Shqipërisë, gjatë sundimit të Enver Hoxhes, ka dëmtuar patjetër imazhin e një populli si edhe imazhin e autorëve të letërsisë. Shqipëria e mbyllur, gati autokrate që përbuzte gjithë botën, dhe që paraqitej si e vetmja që zotëronte të vërtetën politike, ekonomike, shoqërore etj. ka larguar interesin e Evropës e cila e konsideronte si periferike dhe pa asnjë ndikim pozitiv.

Tani që Shqipëria po ecën në rrugën e bashkëpunimit me të gjitha fuqitë evropiane demokratike, të cilët sot me të vërtetë nuk kanë më paragjykime, është momenti i përtshtatshëm për ta fituar besueshmërinë. Jam i bindur që nëse letërsia shqipe ka vlera artistike të shëndosha, herët a vonë, do të çmohet edhe nga kritika letrare botërore. Ka edhe një problem tjetër që nuk favorizon njohjen e letërsisë shqipe në botë: mungesa e perkthimeve të veprave më të mira në gjuhët më të njohura të botës. Duhen përkthime të shijueshme të letërsisë shqiptare në gjuhën angleze, franceze, gjermane, italiane etj.Mjafton të kujtojmë që përkthimet e veprave të I. Kadare italisht nuk janë bërë nga origjinali shqip, por nga përkthimi francez për arsye biznesi të shtëpive botuese.

* Cilat janë përshtypjet tuaja dhe të zonjës suaj për Shqipërinë? Natyrisht për aq sa keni parë dhe vizituar.

Me të vërtetë kemi pasur përshtypje në përgjithësi pozitive, pse kemi parë një Shqipëri që punon, që ka filluar të prodhojë, me një fjalë zhvillimi i vjen nga angazhimi i të gjithë popullsisë brenda dhe jashtë shtetit. Krahas zhvillimit të punës, që është patjetër motori i zhvillimit ekonomik, më duket e rëndësishme të mbahet parasysh zhillimi i kulturës, të çmohen të gjitha fushat e kulturës shqiptare, qoftë ajo popullore, letrare, gjuhësore. Krahas zhvillimit ekonomik dhe kulturor, më duket se edhe stabilizimi i politikës, i partive, luan një roll të veçantë në kuadrin  kombëtar. Në këtë fushë akoma rruga paraqitet e gjatë, pse është rruga e demokracisë e cila nuk përshkohet brenda ditës, por shenja pozitive konstatohet ditë për ditë. Duhet të mbajmë parasysh që sa më shumë shteti ka një politikë të qëndrueshme, aq më shumë tërheq investime. Dhe, siç dini, investimet janë motori i zhvillimit.

*Cilat janë planet e afërta dhe të largëta krijuese të Z. Fortino? Nga biseda mësova se keni shumë punime në duar. Ky lloj të punuari paralel më pëlqen, sepse edhe vet kështu punoj.

Brenda pak kohe duhet të mbaroj një studim për paraqitjen e botimit të parë të një vepre të autorit arbëresh Frangjisk Andon Santorit, që do të dalë sa më parë. Santori është një autor i cili vetëm në dhjetëvjeçarët e fundit është duke u njohur, per arsye se vepra e tij ka mbetur dorëshkrim dhe vetëm tani, pas më se një shekulli nga vdekja, po botohet. Për ne arbëreshë është një detyrë shumë e madhe të bëjmë çdo mundim për ta botuar të gjithë veprat e tija.

Pastaj kam ndër duar edhe një studim për të folmen e fshatit arbëresh, Greçi, në provincën e Avellinos, i vetmi fshat arbëresh në Regjonin Kampania, për të krijuar kushtet për një libër shkollor multimedial, me teknika moderne. Duke u lidhur me veprat e pabotuar duhet të kujtoj që të shkrimtarit Xhuzepe Anxhelo Noçitit, nga Spixana Arbëreshe (Kosencë), per të cilin para disa vitesh kam botuar dy vepra, sapo kam filluar të studioj dorëshkrimin e Fjalorit italisht-arbërisht, gati 10.000 fjalë që përfaqëson një pasuri të jashtëzakonshme.

* Me ç’përshtypje po largoheni nga Kanina dhe Vlora? Pasi të ktheheni në Romë, dëshiroj mendimin tuaj për vazhdimin e vizitës në jugë të vendit.

Pastaj do ta botoj intervistën.

-Kanina më ka lënë një përshtypje të jshtëzanonshme për madhështinë e Kështjellës së Arianitëve. Më kalon ndër mend të gjithë historia e kohës së vjetër, historia e asaj kohe që shkrimtari arbëreshGavril Dara e quan “Moti i madh”, kur princat e Arbërit luftuan bashkë për të kundërshtuar pushtimin e Osmanëve. Sot Kanina ka një aspekt shumë të bukur nga pikëpamja turistike, e magjeps vizitorin dhe më shumë magjeps studiuesin i cili i afrohet si turist, por duke jetuar njëkohësisht kohën e vjetër dhe kohën e tanishme.

Për sa i përket Jugut të Shqipërisë, sidomos, zonat e Himarës, duhet të them se janë vende që u ngjasin vendeve të lindjes sime në Kalabri, vende kodrinore, malore dhe vende bregdetare. Deti është shumë i paster me një natyrë të paprekur, me përjashtim të Sarandës ku zhvillimi ndërtimor nuk ka respektuar morfologjinë e vendit, arkitekturën orgjinale të hershme, por ka krijuar një grumbull ndërtimesh pa rregull. Shpresoj që zhvillimi i vendeve, që sot janë akoma të pastra dhe që paraqiten në harmoni me natyrën, të mos bëhen në mënyrë të vrullshme e të parregullt. Shpresojmë që pushteti politik arrin te kontrollojë spekullimin dhe format e tjera të shfrytëzimi pa kriter të natyrës duke krijuar anomali që nuk e tërheq turistin, i cili kërkon të gjejë në Shqipëri origjinalitetin e kulturës dhe folklorit të trashëguar nga shekujt.

Së paku vendet e Himarës të jenë larg nga çdo spekullim, pse janë shumë të bukura, të qeta dhe meritojnë të zhvillohen duke ruajtur bukurinë, qetësinë dhe pastërtinë e natyrës, që dhuron origjinaliteti i zonës.

*Prof. Fortino dhe Zonja Kati, ishte një kënaqësi që kaluam një mbasdite bashkë. Ndoshta në të ardhmen do të na bjerë rasti të flasim më gjerë dhe do të qëndrojmë më gjatë. Ju uroj suksese dhe faleminderit për intervistën! Mirë u dëgjofshim dhe mirë u takofshim sé shpejti!

-Kënaqësia ishte e jona. Shumë faleminderit dhe mirupafshim sa më parë. Kate & Îtalo



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora