Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Adnan Abrashi: Protestë, apo keqpërdorim i një rituali më hyjnor islam?!

| E hene, 04.07.2011, 07:58 PM |


PROTESTË APO KEQPËRDORIM I NJË RITUALI MË HYJËNOR ISLAM?!

 

(Me gjithë respektin tim ndaj personalitetit të tij, z. FUAT RAMIQIT, do t’ia bëja një pyetje parimore rreth protestës së tij e cila njëkohësisht ndërlidhet edhe me etikën islame: me përdorimin e ritualit fetar të NAMAZIT nga kushdo qoftë si protestë, a kryhet njëkohësisht pa dashje edhe një blasfemi ndaj këtij akti më sublim dhe më hyjnor fetar islam?!)

 

Nga Adnan Abrashi

 

Republika e Kosovës, sipas kushtetutës së saj është shtet i pavarur dhe demokratik, e cila, qytetarëve ta saj, përveçse shumë të drejtave tjera njerëzore, ajo njëkohësisht ju garanton edhe të drejtën e pacenueshme të lirisë së besimit dhe të fesë. Krahasuar me shumë shtete tjera përparimtare evropiane, kjo e drejtë, tek ne shqiptarët, nuk është vetëm një obligim standardizues evropian të cilën si shtet demokratik patjetër duhet ta instalojmë në të drejtën tonë, por, mbi të gjitha, ajo së pari është shprehje e kulturës dhe traditës shekullore të popullit tonë shqiptar të tolerancës së ndërsjellët multi-fetare.

Ashtu sikurse parimisht kam qenë pro idesë që vëllezërit tanë shqiptar të besimit katolik të kenë një katedrale në qendër të Prishtinës, ashtu do të jem edhe tani pro kërkesave të drejta të bashkëbesimtarëve të mijë mysliman për ndërtimin e një xhamie në qendër të Prishtinës. Por, ajo që më brengos në këtë drejtim, nuk është kërkesa ligjërisht e lejuar përmes protestës popullore të bërjes presion ndaj institucioneve relevante shtetërore për lejimin e ndërtimit të kësaj xhamie, por vetë forma origjinale e shprehjes së kësaj pakënaqësie përmes faljes së namazit të xhumasë në qendër të qytetit.

Duke e analizuar me shumë sinqeritet këtë veprim të besimtarëve drejtësisht të dëshpëruar mysliman të Prishtinës, gjithnjë e më tepër po jam në hamendësim se me përdorimin e ritualit të NAMAZIT nga kushdo qoftë si protestë, a kryhet njëkohësisht pa dashje edhe një blasfemi ndaj këtij akti më sublim dhe më hyjnor fetar islam?!

 

Protestë, apo keqpërdorim i një rituali më hyjnor islam?!

 

Nga 5 shtyllat mbi të cilat ngrihet Islami, pas DEKLARËS (shahdetit) e cila duhet të ligjërohet me goje nga një person, por edhe te besohet me zemër - "Nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është robi dhe i dërguari i Tij", e dyta me rend është NAMAZI. Ky ritual që kryhet 5 herë në ditë me rregulla precize më parë të përcaktuara nga çdo besimtar, konsiderohet si një përsiatje e thellë transcendentale e komunikim hyjnor në mes të krijuesit të gjithëfuqishëm (Allahut) dhe robit të tij - njeriut. Në momentin e kryerjes së namazit, besimtari e liron trupin dhe mendjen e tij (triada: trup-mëndje-shpirt) nga preokupimet e botës fizike (masiva) duke u shkrirë kështu veten në tërësinë e tretë të qenësisë së vetë konstituive– SHPIRT (ruh). Gjegjësisht, përmes këtij rituali të pasuruar nga lutjet verbale kuranore, individi, shpirtërisht tenton të bëj kontaktin hyjnor me Krijuesin e vërtet nga i cili edhe buron si përjetësi metafizike çdo gjallesë.

Namazi është një borxh (obligim) individual i çdo besimtari para Zotit, e posaçërisht aji i xhumasë. Andaj, me bindje të plotë mendoj se, ky akt, në asnjë mënyrë nuk mund të përdorohet si çfarëdo forme apo çfarëdo mjeti i ndikimi apo presionit ndaj dikujt, në drejtim të realizimit të ndonjë qëllimi të caktuar material.

Jo, jo aspak! As edhe kur ai synim material ndërlidhet me kërkesën për tempullin fetar sikurse në rastin tonë është xhamia.

Nëse bredhin në anekdotat dhe kallëzimet e rasteve të shumta individualëve të shehitëve dhe evliave islamik gjatë historisë, do të hasim në shumë tregime kur armiku atyre ua ka heq kokën, dhe ata as në atë moment nuk e ka prish namazin.

Se sa është NAMAZI një akt i madhërishëm dhe ritual vërtet sublim hyjnor islamik, besoj se nuk ka nevojë të elaborohet edhe më gjerësisht në këtë vazhdim. Andaj, le të më thotë dikush se kush ka sot të drejtë që në shenjë proteste për realizimin e një qëllimi kryekëput materiale (fizike) besimtarët e devotshëm mysliman t’i ftoj në rrugë që ta falin namazin e xhumasë (premtes), duke i shndërruar ata (pavetëdijshëm) në objekt të mundësisë së shprehjes së urrejtjes të disa policëve injorantë dhe të pandërgjegjshëm të Bajram Rexhepit (pse jo, edhe të Hashim Thaqit) ?

Në fund, sado që ky propozim vjen nga një qytetar i thjeshtë, sinqerisht mendoj se ky hamendësim i imi individual i parashtruar këtu rreth formës së lejuar apo të palejuar të shprehjes së pakënaqësisë përmes namazit, do të na sfidoj të gjithëve në debat konstruktiv, e posaçërisht ekspertët e mirëfilltë të shkencës dhe njohurisë islame.

Nëse vërtetë pas këtij debati konstruktiv konstatohet se NAMAZI në asnjë mënyrë nuk mund të përdorohet si formë apo mjet presioni ndaj realizimit të dëshirave dhe kërkesave të caktuara materiale, atëherë sinqerisht uroj që, në të ardhmen, askush më atë të mos e (keq)përdoroj si formë apo mënyrë e shprehjes së pakënaqësisë!