E shtune, 20.04.2024, 10:11 AM (GMT+1)

Editorial

Valon Kurtishi: Të argumentojmë me fakte

E diele, 03.07.2011, 08:05 PM


Të argumentojmë me fakte

 

Nga Valon Kurtishi

Rëndësia e edukimit të rregullt në gjuhën amtare dhe mbrujtjes me vlerat kombëtare është e pazëvendësueshme dhe kardinale për suksesin e çdo individi dhe shoqërie. Në proporcion të drejtë me këtë shkollim apo edukim në gjuhën amtare dhe sipas pikëpamjeve kombëtare mbi të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e komuniteteve të caktuara, mungesa e arsimit në gjuhë dhe  frymë  kombëtare e rrezikon, kurse shkollimi apo formimi në gjuhë të huaj dhe të qenit i ekspozuar ndaj ideve nacionaliste të huaja mund të shkaktojë tjetërsimin (asimilimin) e individëve apo edhe komuniteteve të caktuara.

Ky asimilimi mund të paraqitet qoftë në formë të gjuhës së përdorur në komunikimin e përditshëm me njerëzit e tjerë apo edhe në sferën e ideve që individi apo grupi i caktuar social i  bën të vetat duke i pranuar dhe vlerësuar ato. Për këtë nuk janë fajtorë  individët e tjetërsuar, por  faji  mbetet i shoqërisë përkatëse që nuk arrin të realizojë unifikimin apo homogjenizimin në nivele të duhura dhe normale, por lejon që në gjirin e vet të mbijetojnë edhe  pikëpamje alternative mbi të kaluarën dhe të ardhmen e kombit. E keqja nuk është tek pikëpamjet alternative mbi historinë të cilat kanë për qëllim thjesht zbulimin e të  vërtetave shkencore nga e kaluara apo përmirësimin e të dhënave që ne kemi për figura dhe periudha të caktuara historike, por tek qarqe të caktuara të cilat përpiqen tu imponojnë shqiptarëve botëkuptimet e tyre nacionaliste mbi të kaluarën si dhe projektimet e tyre po nacionaliste (në mos edhe neo-imperialiste) për të ardhmen e kulturave, territoreve dhe etnive ballkanike.

Në këtë drejtim kohëve të fundit, një shumësi e individëve shqiptarë (ose shqipfolës) që janë shkolluar në disa qendra lindore nga vijnë ish-okupatorë të territoreve etnike shqiptare në Ballkan, janë ndikuar keqas nga teoritë nacionaliste dhe antishkencore të këtyre qendrave. Deri këtu gjithçka në regull pasi sot secili ka të drejtë të pranojë atë vizion mbi jetën i cili i përshtatet më së miri. Por e keqja fillon, kur po të njëjtit bëhen zëdhënës të qarqeve të huaja shoviniste dhe përpiqen që pseudo tezat e huaja ti paraqesin si të vërteta shkencore në opinionin publik shqiptar.

Kjo nuk nuk duket të jetë tjetër pos pranim apo përbrendësim i pikëpamjeve nacionaliste turke apo greke (bizantine dhe otomane), dhe përpjekja që këto teza të “argumentohen” dhe plasohen si të tilla në mendimin shqiptar. Faktikisht, kjo nuk është asgjë tjetër pos një shërbetorllëk i ulët dhe i paverë në shërbim të qarqeve aspak miqësore ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë.

Një përpjekje të tillë në formë të artikullit të shkruar gazetaresk, e hasëm  në gazetën, “Lajm”, datë 27/06/2011, me titull,  “Pjetro Bogdano Macedono”,  nga Avni Avdiu. Autori  në fillim pretendon se do të japë detaje nga jeta, vepra dhe nga qëndrimet politike të Pjetër Bogdanit, duke u bazuar në veprën e historianit të njohur të Kembrixhit, Noel Malcolm, “Kosova: Një histori e shkurtë”.  Kjo më entuziazmoi paksa, pasi qëndrimet e Malcolmit për çështjen shqipatre priren të jenë përgjithësisht të argumentuara dhe neutrale. Në fakt, Noel Malcolm është ndër më meritorët për bombardimin e Sërbisë nga Amerika më 1999, pasi ish presidneti Klinton ka cituar librin e  tij si një nga frymëzimet për të kuptuar më mirë propagandat false të nacionalizmit sërb për Kosovën. Megjithatë, mbeta i dëshpëruar kur vërejta se autori nuke ka përdorur librin për të cituar fakte historike, por e ka keqpërdorur për të ngatëruar faktet dhe të vërtetat e dhimbshme historike që jepen me pedantërinë tipike britanike nga Malcolm, tek “Kosovo: A Short History”.

Autori i ka përzgjedhur disa copëza fjalish dhe duke i mbivendosur dhe keqvendosur ato fjali në fjali tjera pa lidhje kuptimore apo vijueshmëri logjike me njëra tjetrën,  përpiqet të ndërtojë argumentin bazë të shkrimit, i cili sipas tij është se Pjetër Bogdani paska qenë antishqiptar pasi në shekullin e XVII ka bashkëpunuar me Sërbinë dhe Austrinë, e deri në përfundime të tilla asocuese banale si përkthimi i mbiemrin të Pjetër Bogdanit nga sërbishtja si Dita dhe Zot. 

Marja “en bllok” e qëndrimeve politike të para 400 e më shumë viteve të një individi dhe projektimi i tyre pa asnjë kritikë shpjeguese në rrethanat e sotme politike të shekullit XXI, është gabimi kryesor i autorit të tekstit në fjalë.

Duke u përpjekur ti qëndrojmë pikë për pikë asaj që thotë Avniu në fillim të shkrimit të tij në lidhje me reagimet e njerëzve ndaj shkrimeve, pra duke qëndruar në vijën e “argumentimit me fakte”, në vazhdim do të analizojmë me rradhë “argumentet” që jep kundër Pjetër Bogdanit në këtë tekst. Pas vërejtjeve hyrëse, autori thotë se, citojmë “Pjetër Bogdani ka mohuar se Kosova është pjesë e Shqipërisë dhe e shihte si pjesë të Serbisë. Për këtë edhe u angazhua dhe luftoi. Iu bashkëngjit forcave serbe dhe së bashku me to bëri kërdi e masakër ndaj shqiptarëve të Kosovës e Maqedonisë”.

Së pari titulli kishtar që ka pasur Pjetër Bogdani në gjysmën e dytë të shekullit XVII, ska të bëjë fare me rrethanat etnike që kanë mbretëruar në Kosovën e asaj kohe. Tradita kishtare ka respektuar kufinjtë politikë të kohës. Kështu Shkupi ka qenë kryeqyteti i Mbretërisë sërbe ku më 13 prill 1346 është fronëzuar Mbreti Stefan Urosh Dushan. Kjo nuk do të thotë që popullsia e Shkupit në këtë kohë  ka qenë sërbe. Por titulli i kierarkisë kishtare të Shkupit në atë kohë është “Ipeshkvija e Sërbisë”, shkaku i përkatësisë shtetërore sërbe që kishte territori i Shkupit në atë kohë. Edhe Marin Barleti tek, “Historia e Skënderbeut” nuk përmend askund termin, ”shqiptar”, kurse popullin tonë e emërton sipas traditës humaniste të shkrimtarëve të mesjetës herë si maqedonas, herë si epirotas e herë si arbanoi. Ajo që Pjetër Bogdani në dokumentet e kohës ndonëherë quhet “Ipeshkv i Sërbisë”, ka të bëjë me përkatësitë politike – administrative të teritorit të Kosovës së atëhershme, e asesi me përkatësinë etnike të Pjetër Bogdanit, apo banorëve të Kosovës.

Së dyti, Në kapitujt që citon Avni Avdiu, askund nuk shkruhet ndonjë gjë për “kërdi” apo masakra që paskan bërë forcat sërbe dhe Pjetër Bogdani në Kosovë ndaj shqiptarëve. Ky është një manipulim i turpshëm i autorit në fjalë. Në Kosovë në atë kohë kanë hyrë trupat austriake të gjeneral Pikolominit, të cilat u bënë thirje publike me anë të të perandorit austriak popullsive ballkanike, e në rradhë të parë shqiptarëve që të ngriteshin bashkërisht kundër okupimit otoman.

Pikërisht këtu Noel Malcolm krahason në këta dy kapitujt (Migrimi i madh dhe Invazioni në Kosovë), dy pikëpamjet: Pikëpamjen sërbe e cila e  mohon pjesëmarjen e shqiptarëve në luftën antiosmane dhe pikëpamjen shqiptare e cila priret të minimizojë pjesëmarjen sërbe. Kjo pasi nga kjo tezë varet edhe pikëpyetja e madhe historike: kush ishte shumicë e popullsisë në Kosovë në këtë periudhë historike, sërbët apo shqiptarët?. Nëse shqiptarët ishin shumicë e popullsisë në Kosovë në këtë kohë, atëherë 20,000 mijë kryengritësit që u çuan në këmbë dhe e pritën ushtrinë austriake në Prizren ishin shqiptarë me në krye ipeshkvin katolik shqiptar, Pjetër Bogdanin.

Nëse sipas pikëpamjes sërbe, në Kosovë në këtë kohë nuk kishte shqiptarë, atëherë ata që e pritën ushtrinë austriake në Prizren ishin sërbë, me në krye patriarkun ortodoks sërb të Pejës, Arsenije III  Cërnojeviqin.

Noel Malcolm në veprën në fja;ë në njëfarë mënyre pranon si të vërtetë historike tezën shqiptare, duke argumentuar se patriarku sërb në këtë periudhë kohore nuk ka pasur mundësi të jetë në Prizren. Me këtë, Noel Malcolm, u jep të drejtë deri diku historianëve shqiptarë të cilët e cilësojnë këtë si një kryengritje shqiptare kundër otomanëve.

Kurse Avni Avdiu, në një përzierje absurde të fakteve  që i jep autori i veprës, e kthen  kokë poshtë argumentin e Noel Malcolmit, duke pranuar tezën sërbe se në Kosovë kanë luftuaar vetëm sërbët kundër turqve. Pra Avniu me këtë, ngjashëm si autorët sërbë, mohon prezencën shqiptare mesjetare në Kosovë. Ngjashëm edhe autorët e pseudo- akademisë maqedonase të shkencave dhe arteve të Shkupit mohonin shqiptarësinë e Skënderbeut duke u bazuar në atë që Marin Barleti në veprën, “Historia e jetës dhe veprave të Skënderbeut” e quan Skënderbeun në shekullin e XV si “maqedonas”. Kjo është qesharake dhe tragjike njëkohësisht.

Sa i takon masakrave ndaj popullsisë civile të Kosovës pas tërheqjes së ushtrive austriake dhe kryengritësve shqiptarë e disa pak sërbë, autori është dashur të lexojë edhe kapitujt në vazhdim,  ku Noel Malcolm përshkruan masakrat turke dhe tatare në Kosovë. Sipas kronistëve të kohës u shpopulluan dhe zhdukën rreth 700 fshatra vetëm në rafshin e Dukagjinit, kurse një numër i madh i njerëzve u morën skllevër dhe u dërguan në Azi. Nëse Avni Avdiu pranon tezën sërbe se shumica e banorëve të Dukagjinit dhe Kosovës  në atë kohë kanë qenë sërbë, atëherë këta të pafatët që janë masakruar nga tatarët e Krimesë janë sërbë. Nëse Avni Avdiu e pranon tezën shqiptare dhe tezën e Noel Malcolm se shumica e popullsisë së Dukagjinit dhe Kosovës në këtë periudhë kanë qenë shqiptarë etnikë, atëherë i bie se këta të masakruar nga hordhitë tataro-turke janë shqiptarë. Avni Aviu është i lirë të zgjedhë cilën tezë  të përkrahë në këtë debat historik. Në vazhdim, ai thotë se, citojmë, ”Pjetër Bogdani  maskohej e s’donte të identifikohej si shqiptar, herë quhej Pjetro Bogdano Macedono e herë Petar Bogdanoviç, mburrej të quhej administrator i Mbretërisë së Serbisë; sërbisht: BOG-Zot, DAN-ditë etj. Po të mos ishte kështu, serbët nuk do ta lavdëronin, as s’do ta donin aq shumë!!!Studiuesit komunistë, me direktiva të partisë prosllave PPSH (PKSH) i heshtën këto fakte dhe i kamufluan me sajesa të tyre, për hir të vëllait (serb) të vëllait të madh (rus). Pra Pjetër Bogdanin e ngritën jaranat e Stalinit, Milladin Popoviqit e Dushan Mugoshës””.

Edhe këto reshta janë produkt i fantazisë së tij, që s’kanë të bëjnë aspak me të vërtetën historike. Le të tregojë autori se në cilën faqe të veprës së Noel Malcolm, “Kosovo: A Short History” ka lexuar se Pjetër Bogdani maskohej herë si shqiptar e herë si sërb, dhe se e paska pasur inat kombësinë shqiptare? Nëse Pjetër Bogdani e ka pasur nën kontroll hipotetik dhe nominal gjithë klerin e paktë katolik sërb, i cili ishte në numra të papërfillshëm pasi sërbët ishin në shumicë dërmuese ortodoksë dhe jo katolikë, kjo tregon se Vatikani duke pasur parasysh faktin që shqiptarët ishin shumica katolikë, kurse sërbët shumica ortodoksë, ka vendosur një shqiptar të përzgjedhur nga shumica katolike shqiptare në krye të  katolikëve të paktë sërbë në Kosovë. Në fund të fundit, kjo ska të bëjë fare me simpatitë apo antipatitë e kohës. Për më tepër,  Avni Avdiu kur bën citime të veprave të caktuara shkencore, duhet ti pëmbahet vijës shkencore dhe të citojë deri në fund paragrafet e asaj vepre. Ai është dashur të citojë kapitujt në fjalë dhe ato vijues ku jepet në mënyrë të qartë lufta e klerit ortodoks sërb në bashkëpunim me sulltanin e Stambollit kundër kishës katolike shqiptare në Kosovë dhe Shqipërinë e veriut. Termat “katolikë” dhe “ortodoksë” gjatë këtyre viteve në Kosovë kanë qenë një “oxymoron” apo kontradiktë në terma, pasi ishin në konflikt të drejpërdrejtë dhe përjashtues me njëri-tjetrin.

Sa i takon çështjes së studiuesve sërbë dhe komunistë. Studiuesit sërbë qofshin komunistë apo nacionalistë, për dallim nga Avni Avdiu që ka ngatëruar krejtësisht konceptet nacionale dhe fetare në vitin 2011, gjithmonë e kanë kritikuar Pjetër Bogdanin në baza nacionale, dhe e kanë mohuar pjesëamrjen e tij dhe të shqiptarëve katolikë në luftën antiosmane të viteve 1683-1689, dhe përtej deri më përfundim të kësaj lufte më 1699.  Qëndrimi i historiografisë sërbe është se në këtë kohë në Kosovë nuk ka pasur fare shqiptarë katolikë, dhe me këtë as ndonje luftë të Pjetër Bogdanit kundër turqve, por se rezistencën antiosmane në Kosovë e kanë bërë sërbët ortodoksë të cilët në atë kohë kanë qenë shumicë dërmuese e popullsisë së Kosovës. Tani del se Avni Avdiu mbron qëndrimin e historiografisë sërbe sipas së cilës, kundër osmanëve kanë luftuar vetëm sërbët në Kosovë dhe del kundër qëndrimit zyrtar të historiografisë shqiptare, duke mohuar shkrimet e gjithë historianëve shqiptarë të gjallë e të vdekur, duke filluar me Eqrem Cabejn, Idriz Ajetin, Ali Hadrin, Zekeria Canën, Selami Pulahën e duke mbaruar me Muhamet Tërnavën, Pëllumb Xhufin, Beqir Metën, Luan Malltezin. Ferit Dukën dhe Kristo Frashërin e ditëve tona. Me këto qëndrime, artikullshkruesi e mohon edhe Noel Malcolm-in të cilin e citon në përpjekje për tu dukur më “shkencor” në qëndrimin e vet të çuditshëm dhe mjaft kontardiktor në shkrim.

Pra qëndrimet e Avni Avdiut janë të ngjashme me qëndrimet e historianëve sërbë pasi “jaranat e Stalinit, Dushan Mugoshës dhe Miladin Popioviqin”, bashkë me ta nuk e ngritën por përkundrazi e mohuan, e shanë, e kritikuan dhe bënë përpjekje ta zhdukin tërësisht Pjetër Bogdanin dhe trashëgiminë e tij. Jaranat e Titos nuk lejuan përmendoret e Pjetër Bogdanit dhe Skënderbeut në Shkup për sa kohë ishin në fuqi, dhe nuk do kishin lejuar as edhe 1000 vjet të tjerë po të mos i kishin kapur shqiptarët pushkën në vitin 2001 dhe ti vendosnin vetë ato.

Artikullishkruesi në fjalë në pasusin vijues e krahason autorin e njërit prej librave të parë në gjuhën shqipe, Pjetër Bogdanin e shekullit të XVII,  me ish kryetarin e kryesisë së RSFJ,  Sinan Hasanin e viteve 80 të shek. XX. Por kjo analogji nuk qëndron aspak, dhe për më tepër vetë ky krahasim e hedh poshtë pikërisht tezën që autori përpiqet të mbrojë në artikullin e tij. Sinan  Hasani është në një vijë me ata pak shqiptarë që në shek. e XVII sipas Noel Malcolm u bënë aleatë me turqit kundër shumicës dërmuese kryengritëse shqiptare. Edhe Sinan Hasani në shekullin XX u bë me sërbët kundër shqiptarëve dhe sundoi shqiptarët për llogari dhe në emër të sërbëve. Në shekullin e XVII ishte pashai “shqiptar” i Pejës që sundonte shqiptarët në emër të sulltanit turk. Në vitet 1945-1990, ishin Sinan Hasanërit ata që sundonin shqiptarët për llogari të sulltanit sërb të Beogradit.  Unë nuk shoh dallim këtu. Atdheu i turqve është Anadolli me Ankaranë  kurse atdheu i sërbëve është Beogradi dhe Shumadia. Kosova është atdheu  i shqiptarëve. Nëse Avni Avdiu mendon ndryshe, atëherë kjo është një problem personal i tij, ku une nuk dua të përzihem fare. Adhurimi i robërisë dhe i robëruesve dhe pranimi i tezave historike të nacionalizmave okupatorë  të huaj, mua më duket se paraqesin një ilustrim tipik pikërisht të atij fenomeni njerëzor që Avniu e ka cituar nga Erich Fromm, “ikje nga liria”. Kjo është një ikje e vërtetë nga liria. Madje më keq, kjo është një kompleks i rëndë serviliteti dhe inferioriteti nacional dhe kulturor, i cili i bën individë por edhe shoqëri të caktuara që në pamundësi të çlirimit nga okupatori dhe botëkuptimi i tij, të pranojnë dhe përbrendësojnë si të tyret vlerat dhe qëndrimet e grupit më të fuqishëm. Siç duket, Avniu ka përbrendësuar qëndrimet e historiografisë nacionaliste turke në lidhje me ngjarjet historike në Ballkan.

Sërbët e festojnë një mit të tyrin historik në Gazimestan të Fushë Kosovës,  në 28 qershor të çdo viti kalendarik. Edhe turqit e bëjnë të njëjtin veprim çdo vit tek një tyrbe e sulltanit të tyre gjoja të rënë aty, duke e përdorur për Kosovën shprehjen nacionaliste “bizim toprak”, që në shqip i bie të jetë, “Kosova - toka jonë”. Nacionalizmi sërb ka prodhuar shprehjen tjetër, “Kosovo – Jerusalem srpstva” apo “Kosova - Jerusalemi i sërbëve”.

  përplasjen e dy nacionalizmave për tokën që nuk u takon as sërbëve e as turqve, Avni Avdiu ka pranuar mitet turke duke u shndëruar në zëdhënës të tyre në median shqiptare, njëjtë si dikur komunistët shqiptarë që përbrendësuan mitet sërbe dhe u shërbyen atyre me besnikërinë e qenit të  Pavllovit për mëse 50 vjet.

Shqiptarët historikisht autoktonë nga ana tjetër e quajtën Kosovën, “Gjaku im që nuk falet”, sipas poezisë epitomë të bardit të poezisë kombëtare, Ali Podrimja. Pikëpamja shqiptare mbi historinë është se Kosova u ka takuar në të kaluarën, u takon sot dhe do tu takojë përjetësisht shqiptarëve, dhe kurrësesi sërbëve apo turqve. Këtë siç duket nuk është në gjendje ta kuptojë autori i shkrimit “Pjetro Bogdano Macedono”. Nga ana tjetër, ne ndryshe nga ai, kemi mirëkuptim për emrin personal të tij, pasi jemi në gjendje të reflektojmë që emri nuk tregon përkatësinë etnike të autorit, por përkatësinë fetare që ne e respektojmë plotësisht. Dhe gjithashtu, për dallim nga ai që emrit mesjetar të Pjetër Bogdanit i bën analiza etno-gjuhësore duke aplikuar kritere politike të shekullit të XXI për një emër nga shek. XVII, ne nuk do ti analizojmë emrin personal duke u nisuar nga kriteri politik pasi ka rrezik të dalë me përkatësi etnike nga jashtë trevave tona. Gjithashtu, të rijë rehat autori pasi nuk e kemi ndërmend askënd ta shpallim tradhtar,  pasi shihet qartë se nuk i kupton mirë fenomenet që përpiqet ti spjegojë në artikullin në fjalë.

Ne do ta kishim definuar vetëm si një produkt tipik të kohës së sotme kur mbizotëron një krizë  gjithëpërfshirëse e vlerave kombëtare dhe qytetare në shoqërinë shqiptare të Fyromit, i cili në mungesë të shkollimit të mirëfilltë në gjuhën shqipe dhe sipas botëkuptimit shqiptar mbi jetën, ka rënë në ndikimin dhe ka pranuar në mënyrë të pavetëdijshme ose jo, të bëhet propagandist i pseudo-tezave antishkencore dhe false të nacionalizmit aziatik, ngjashëm si komunistët shqiptarë, që dikur bënin telall-llëkun e pikëpamjeve antishqiptare të nacionalizmit sërbomadh. Por kjo tashmë është një temë tjetër.



(Vota: 34 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora