E enjte, 25.04.2024, 06:39 AM (GMT+1)

Mendime

Shukrije Bunjaku-Mani: Katastrofat tona nga luftërat me fqinjët tanë pushtues

E marte, 05.02.2008, 09:36 PM


TREGIM I JETUAR

KATASTROFAT TONA NGA LUFTËRAT ME FQINJËT TANË PUSHTUES

Dhe me spiunët shqiptarë të shitur për ca groshë, që ua bënë bashkëkombësve të vet shpinat shoshë!

Nga Shukrije Bunjaku-Mani

Shukrije Bunjaku-Mani
Koha fill pasluftës Dytë Botërore, kur familjes tonë, në veri të atdheut, i pati rënë tifoja: thoshin se tifoja bie nga papastërtia, nga morri dhe poashtu nga frika?- Haradini ynë i rriturimitur ka shkuar në Gjilan, për furnizim dhe e ka zënë nata, e nga frika i ka rënë lëngata… nga tregimet që ka dëgjuar për Masakrën e Gjilanit nga ana e partizanoçenikëve, rrugës është frikësuar së tepërmi: çdo lis e çdo kaçubë po i faniteshin si ushtarë serbë, çetnikë të armatosur me pushkë, me revolverë e me thika, të gatshëm me vra e me pre çdo shqiptar, sikur më 1878 në Toplicë dhe sikur më 1921 në Keqekollë e në Prapashticë…ja tash edhe në Gjilan…do të vijnë edhe tek ne në Malësi…
Një fqinji ynë, Ademi i Rexhepit, na thërriste nga shpati tjetër: o rrini gati, paketojuni se duhet të ikim… se po vijnë komitët çetnikë…o pritni edhe pak se mbase nuk po vijnë këndej… Kështu yrrja-byrrja s’kishte të sosur për çdo ditë… e ku do të shkonim ne me gjithë ata të infektuar!?
Të tjerët thoshin jo po lëngata ka ardhur nga partizanët që janë kthyer nga Lufta e Banatës dhe nga Lufta kundër Shaban Palluzhës, janë kthyer me sëmundje dhe me morra: ata tregonin se sa s’kishin vdekur prej morrave… po vënin lecka të lagura nën sqetulla, ku grumbulloheshin morrat, e pastaj po i gjuanin në zjarr… ka pasur raste që edhe pas disa javësh, duke u larë, iu kanë dalç morrat nga llumi e nënlëkura!
Si do që të ketë qenë, tifoja erdhi nga pasojat e luftës, që mori jetëra njerëzish të familjes tonë, të cilët nuk i ka numëruar as evidentuar askush! As sot e kësaj dite: pse, vallë, nuk organizohen ekspedita mjekësore, për plotësimin e pasurimin e arkivave të veta?
Na patën vdekur: gruaja e bacit Hamëz, tezja Hanife, me dy bijtë e vet, Brahimin e Hasimin, 5 e 1 vjeçar; axha i babës, Azemi me gruan e vet, Fatën; axha i gruas të bacit Hamëz, Heta i cili kishte ardhur nga Bullajt e Marecit në varrim dhe e ka marrë sëmundjen ngjitëse; ka vdekur burri i kushërirës tonë, Hykës, Shaipi, poashtu nga infektimi gjatë varrimit; poashtu kishte vdekur edhe një njeri nga Busavata i cili i pati blerë qetë tanë, se i ka prekur kërpeshet e qeve… tutje nuk dihet…
Ah qetë tanë të kuq! T’i mbrehësh e të punosh me ta ishte lezet... i shitëm për bukë, se bukën na e rrëmbyen partizanoçetnikët… arat tona djerrina, erdhi e na i lëroi burri i hallës, bashkëshorti i Dadës Likë, Xhema i Smajlit...
Është interesant dhe dukuria: e gjithë familja e sëmurë, të ndezur në temperaturë, pa mjek e pa ilaçe… e vetmja që nuk është infektua, ka qenë nëna jonë, Nazife Makolli- Bunjaku: ajo i lante dhe i ushqente të infektuarit e shtrirë për vdekje, ca prej tyre edhe ndër duar i vdisnin… fryma e të sëmurëve po i hynte drejt në gojë dhe nuk u infektua!? Ajo i përvëlonte ndërresat e çdo gjë që mund të prekte njeriu me dorë, nga mund të vinte lëngata… dhe me krahët e vet sillte gjithë atë ujë nga kroi, nja 200 hapa larg shtëpisë, në shpatinën e thiktë tatëpjetë-përpjetë!! Ajo na ngjalli e na ktheu në jetë, nga stomi i vdekjes… edhe unë vetë kam qenë e sëmurë në atë gjendje, kam qenë 9 vjeçare dhe mbaj mend çdo imtësi…
Kushëriri ynë, Hasani i Lahit, na binte dru në shpinë nga mali dhe i përplaste në oborr dhe ikte… të shpëtonte nga e keqja… të tjerë as guxonin të na vinin në vizita…
Kishte qenë i ngjashëm dhe i njëjtë me ne kosovarët edhe fati i çamëve tanë nën pushtimin grek… Masakra të ngjashme e të njëjta lexuesit gjejnë në veprat e Ibrahim Daut Hoxhës: ”Viset kombëtare shqiptare në shtetin grek”, në monografinë “Daut Hoxha” etj.  
Dëgjonim se dy PP- do të na shpëtonin nga dy të këqija, nga sëmundja dhe nga robëria: Pena dhe Pushka!! Mësuesit tanë po përhapnin shkollat shqipe gjithandej, shkrimtarët po bënin libra e po shkruanin historinë…
Ndër male ishin kaçakët tanë: Mulla Idrizi, Shyt Mareci, Hasan Remniku, Gjon Serreçi, Ajet Kosovica… Flitej se liria nuk është e largët, edhe një muaj… edhe dy javë… por u desh të kalonte një epokë gjysmëshekullore, që të dilnin ndër male Agimi, Salihu… që të kacafyteshin me bajlozët serbë përballë e me hijet e zeza pas shpine…

Shifra: “Pashia” - (Ky tregim zuri vendin e II-të në konkursin letrar të shpallur nga Universiteti Popullor Shqiptar në Gjenevë, me ç’rast në mbrëmjen letrare të mbajtur më 29 prill 2005, juria e konkursit, ia dha çmimin e dytë për prozë, autores Shukrije Bunjaku-Mani)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora