E premte, 19.04.2024, 01:49 AM (GMT+1)

Kulturë

Fotaq Andrea: Për Nënë Terezën, një monument në mes të Kalkutës nga Shqipëria mëmë

E diele, 03.07.2011, 07:59 PM


Për Nënë Terezën, një monument në mes të Kalkutës

nga Shqipëria mëmë -   Letër një lypësi

 

Nga Fotaq Andrea

 

Tek iu riktheva “Kronikave” të mia, gjeta edhe këtë letër për mikun tim Xh., që ka tre vjet që s’e kam parë më. Në fakt, prej tij kam marrë shumë falënderime e mirënjohje, ndërkohë që shoqëria jonë është kurnace në këtë drejtim, për të mos thënë më shumë. Kur i dhashë “Librin e artë të prozës franceze” * me letrën e mëposhtme, ai u  çudit disi nga kjo e papritur e këndshme, dhe unë nxitova t’i thosha : “E di që s’di të lexosh, po vë ndonjë në shtëpi të ta lexojë herë pas here. Do të pëlqejë, ke për të parë! S’ke pse e shet. Do fitosh më shumë, po ta mbash.” Pas disa ditësh, i shkova sërish mikut tim në takimin tonë ritual të trotuarit dhe ai më tha: “E kishe qa fare atë letër, shumë bukur, vallaj! Çar t’i bosh, mo, kshu e ka kjo punë!”.“Eh!  e miratova, s’ka njeri pa halle, po a ke fitu gjë sot?” dhe nxora e i dhashë një kartmonedhë njëqindëshe. “Bereqaves, s’duhet me u qa!” Këto qenë fjalët e fundit që dëgjova nga Xh., nga ai lypës profesionist energjik, që endej tërë shkathtësi gjithandej trotuareve e rrugëve të kryeqytetit, edhe pse me handikap të rëndë fizik - fare pa këmbë e krahë të gjymtuara -, për të mbajtur gjallë “tetë frymë në shtëpi, që prisnin nga duart e tij”, siç më qe shprehur. Të ishte vërtet rastësi dhe ta shihje vetëm një herë në jetë atë shpirt e frymë njeriu, mbase do thoshe me vete se thjesht po mëshiron një “realitet ekzotik”, që s’ia vlen ta përshkruash; mirëpo, ta kishe çdo ditë para syve, (si plot sakatë të tjerë), apo ta kërkoje me vetëdije për të hyrë në dialog me të, e me të tjerë si ai, atëherë do kuptoje se sa i egër e mjeran qe ai realitet i një bote të tërë handikapate të diskriminuar e margjinalizuar, por të paepur në luftën për të nxjerrë bukën e gojës, duke shfaqur dhimbshëm fatkeqësitë fizike në trupin dhe për turpin e një shoqërie.  

 Nuk e di se ç’bëhet tanimë me mikun tim Xh., por me gjithë shpirt do t’i uroja të ish i rregulluar me punë në ndonjë punishte për handikapatët a në ndonjë qendër trajtimi të tyre. Kurrë s’do desha që ai ta shihte veten të dëbuar, të flakur në mënjanimin shoqëror, të endur pashpresë, apo pre e rrjeteve të trafikantëve që shfrytëzojnë lypsa e fëmijë romë a egjiptianë, për të mos përdorur termin përbuzës “evgjitë”... 

 

Letër për Xh.

 Miku im,

 Ti më njeh thjesht si kalimtar, si bamirës, që tek kaloj para teje të përshëndes, të jap ndonjë lekë a të them ndonjë fjalë të mirë. Sot po të jap edhe librin që të kisha premtuar, bashkë me këtë letër.

Sa erdha në Tiranë, të kërkova te vendi ku të lashë një vit më parë, aty te kangjellat e Kuvendit. U dëshpërova që s’të gjeta, i rashë kryq e tërthor rrugëve edhe për mall, po edhe për ty.

Erdha gjithë dëshirë për të punuar, po kudo hasa vetëm mashtrim të institucionalizuar, në radhë të parë në mendjet e në zemrat e atyre që kanë grumbulluar paranë dhe që veç të zhvasin dinë, pa pyetur për kurrfarë vlere...

 

 Miku im,

 Ti je për mua si ai floriri i vogël që ndrin me buzëqeshjen tënde që i fal kujtdo, fatkeqe vërtet, por të pastër. Gjë e madhe t’i falësh buzëqeshje miletit që shkon para teje dhe që e ka harruar prej kohësh atë çelës të artë të qetësisë shpirtërore. Ti, o vëlla, punon, punon urtë e butë, në mënyrën tënde dhe “Ta bëftë Zoti hallall atë që fiton!”

E mban mend kur të fola për herë të parë sikur të futeshe në një qendër handikapatësh? U preka kur ti më the: “Po unë punoj, unë me këtë punë mbaj familjen!” Atë çast, po vinte drejt nesh një ish deputet. I thirra në emër, e kapa nga krahu, e afrova tek ti, u përkula me nderim para teje, të dhashë dyqind lekë e i thashë ish deputetit: “Ja, edhe votat e tyre ju i doni, po ja kush punon vërtet këtu”. “Hëm, i dhe shumë!” më tha tjetri i çuditur, tek i fola me dashamirësi për ty.

Ti, miku im, s’je sakat, ti punon, me mënyrë tënde; ti ke atë forcë të brendshme shpirtërore që mposht çdo pengesë fizike të lindur. Sakate, o mik, sot shfaqet Shqipëria, kur para teje parakalon Tiranë e tërë, e lyer dhe e manykyrosur me bojëra e me baltë : ai plaku veteran, që zvarret me hap të frikur për të shkuarën e tij lavdiplotë, kur s’i trembej plumbit e vdekjes, por i trembet xhepit bosh; ajo mëmë që murmurit mallkimë e ofshan nga shpirti se s’ka ç’të gatuaj për drekë a darkë; ai nëpunës i kollarisur, që një orë e kalon në zyrë e shtatë orë në kafene trafiqesh; ai i shkretë fshatar që shalakatet si i marrë me besim të humbur për të ardhmen; ajo gocë që i duket vetja femën moderne tek kërcet këpucët me majë 10-pondëshe gjithë baltë (po që s’lexon as edhe një libër në vit); ai hajdut makut që mendjen e ka si e si të zhvatë.

Ti i sheh të tërë të parakalojnë para teje, i xhiron me kamerën e shpirtit tënd, ndezur nga ajo buzëqeshje mirënjohëse kur të falin ndonjë lekë, nga ajo lutje e pastër, e drejtpërdrejtë : “Bëni sevap, jepini diçka fukarait të shkretë”. Në fund të fundit, kjo është puna tënde e vërtetë, dhe unë kur të jap, të jap në mirënjohje të punës që bën dhe aspak se të mëshiroj. Ti s’ke nevojë, o mik, për mëshirë. Për t’u mëshiruar janë të tjerët, që mundohen, nëpërmjet teje, të gjejnë ngushëllim për veten e tyre, të largojnë mendjen nga hallet që kanë tek të shohin ty sakat e thonë me vete: “Shyqyr Zotit, ka edhe më keq!” Ata pra janë gjynahqarët e katandisur për t’u ngushëlluar. Kurse ti, me punën që bën, mua më jep forcë e revoltë njëkohësisht. Se e di që shokët e tu në Perëndim punojnë në punishte, lëvizin me karro vetëlëvizëse, dëfrejnë në palestra e pishina, kanë dinjitet, nderohen nga shoqëria.

 Miku im,

 Ti ke botë të gjerë e je i zgjuar. E shoh tek picërron pakëz sytë e buzëqesh si i kapur në faj. Të kujtohet kur po bisedonim bashkë e na u qep një arapkë që unë t’i jepja edhe asaj ndonjë lekë? Ç’kisha të holla në fakt t’i kisha dhënë ty e më kot po rrëmoja xhepat. Ti më pe në siklet, more nga kutia e lekëve të tua para teje dhe i dhe vogëlushes 20 lekë. E unë ahere ta zëvendësova me shpirt me një kartmonedhë. Të lumtë miku im, ja ku fillon shpirtmadhësia : një lypës i jep një lypësi. Simbolikë e bukur po të kemi parasysh fjalët e Nënë Terezës : “Të ndash gjithçka me shpirt me të tjerët”. Ajo vetë kështu veproi, me shpirtmadhësi, me shpirtgjerësi, me shpirtndritursi. Po ja që ne s’bëjmë gjë tjetër veçse e turpërojmë, pale të dimë ta nderojmë, t’i ngremë po se po monument edhe në majë të Dajtit, por monument edhe në mes të  Kalkutës nga Shqipëria mëmë ! Me shpirt e me hir do jepnin diçka gjithë lypësit e Shqipërisë, gjithë shoqatat bamirëse, gjithë institucionet fetare, gjithë njerëzit e thjeshtë dhe diaspora e fuqishme shqiptare, në s’do jepnin po diçka me pahir tregtarë, firma, afaristë e administratë. Ne, o mik, s’dimë të lartojmë vlerat tona dhe të fitojmë nëpërmjet punës e kulturës pasaportën e qytetarisë ndërkombëtare. Ne veç dimë të shajmë e anatemojmë dhe harrojmë se pështyma që hedhim lart, na bie vetë neve në surrat.

Si u ndava nga ty, një grua që na kish ndjekur nga afër, më tha e prekur: “Gjynah, i shkreti, të hap barkun!” “Jo, ia ktheva, ai punon, gjynah janë të tjerët që s’punojnë!” Tundi lehtë kokën në kuptimin “Lëre mos e nga” me një rrudhje të lehtë të buzëve.

Dikush që mund të lexojë këto radhë, mund të thotë se ja, dita me ditë po punohet, po ndërtohet e po zbukurohet edhe tek ne. Po, e vërtetë. Por pak, shumë pak! Të përvëluar nga dëshira e ndryshimit të madh e të shpejtë, ne fatkeqtë, gëzohemi e përmallohemi për kaq sa është bërë, sa ka filluar të vihet dorë, kur duhet shumë, shumë e më shumë, për të ndryshuar gjithçka, duke filluar në radhë të parë e mbi të gjitha që nga kultura dhe botëkuptimi ynë anadollak shekullor, për një emancipim të fuqishëm shoqëror dhe vlerësim të vlerës së vërtetë shqiptare, mbartur në çdo kohë nga sumumi i ndërgjegjes kombëtare.

Vetëm kur të zbrazen kafene e rrugë nga lukuni makinash e njerëzish që vrasin kohën, vetëm kur dynjallëku të mësojë të punojë e të qytetërohet, kur kultura të mbisundojë dhe vetë koha të ketë çmim tepër të lartë, vetëm kur institucioni i punës të zërë vendin e vet të nderuar në shoqëri, kur të mos na dhëmbin më sytë tek shohim show-et e dërdërllisësve në TV dhe sheshe publike, vetëm kur…, e kur… (po jo kurrë) atëherë po, mund të thuhet se po i vjen më në fund fundi tranzicionit historik qindravjeçar të mbijetesës shqiptare.

Dikush tjetër nga ana e tij, ka të drejtë, pse jo, të shprehet: “Si shumë po na bën moral e po na tjerr teori ky zotëri !” Po edhe unë nga ana ime, kam të drejtë t’i them këtij miku se moralin, teorinë dhe letërsinë e vërtetë, të drejtpërdrejtë, lakuriq, shqeto fare, të jetës tragjiko-epike shqiptare ai e ka në rrugë, ia bën “mu” mu para hundës së tij e të gjithëve, aty ku shkel çdo ditë me këmbë, udhëve të kryeqytetit tonë, që më mirë nga të gjithë i njeh vetëm ti, miku im : te qosh i Hotel “Dajtit”, ku e hëngre pluhurin me grushte një verë të tërë e që lëvrije rrezikshëm pa këmbë siç je, po vetëm me duart sakate mes veturave rrangalle që çanin Unazën; te kangjellat e të famshmit Kuvend, ku çapen rëndë-rëndë deputetë, shoferë e bodigardë që “mbajnë” hallet e shtetit mbi kurriz; te urë e ngushtë e Lanës, ku tronditen e lëkunden shpirtrat e trazuar dhe përcillen mesazhe vështrimesh të hutuara. E pra, ai tjetri mos na bëjë letërsi !…

 Po i flisja një ditë një shokut tim pedagog për punën e lypsarit, dhe veç kur më tha: “Ata janë bërë me vila!” Mbase është dhe e vërtetë, po ç’të keqe ka kur hajduti, mashtruesi, trafikanti i çdo kallëpi e pi uiskin me okë, e blen kostumin 10 mijë euro, var florinj në qafë, ndërton vila pas vilash e ç’nuk tjetër! Madje do thosha se një sakat, një i gjymtë a një i verbër (që hiqet zvarrë nga krahu për të fituar bukën e gojës), një i marrë goditur nga hallet e papunësia, meritojnë shumë e shumë më tepër, meritojnë përkujdesin, dinjitetin dhe drejtësinë e vetë shoqërisë, meritojnë emrin e denjë NJERI.

 Vazhdo pra punën miku im, ashtu siç di dhe falu njerëzve buzëqeshje, se kanë nevojë për ty. Ka kohë që e kanë buzëqeshjen të vrarë.

 Miku yt,

 F. 

Tiranë, 31.10. 2003?



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora