E enjte, 25.04.2024, 06:53 PM (GMT+1)

Kulturë

Gani Qarri: Në kujtim të publicistit, Teki Dervishi

E shtune, 02.07.2011, 07:59 PM


Në kujtim të publicistit, Teki Dervishi

 

Nga Gani Qarri

 

Lajmi i hidhur për vdekjen e hershme të gazetarit,publicistit,shkrimtarit dhe drejtorit të gazetës "Bota sot" Teki Dervishit, u pranua me hidhërim të madh dhe përjetua me shumë dhembje e pikëllim të thellë në zemrat e familjarëve,bashkëpunëtorëve, shokëve,e miqve të shumtë nga të gjitha trojet dhe të njohurit e dashamirët e tij, në gjithë hapësirën shqiptare.

 

Mëngjesi i 30 qershorit, i cili befasisht solli njoftimin e kobshëm për vdekjen e tij të pa pritur, preku dhimbshëm zemrat e miqve e dashamirëve dhe të gjithë atyre që e njihnin Teki Dervishin i cili në mbrëmjen e së mërkurës, në ora 23:45, pas një sëmundjeje të rëndë, kishte ndërruar jetë duke mbyllur sytë përgjithmonë për të shkuar në amshim të përjetshëm.

 

Ndaj,në këto momente të rënda, të gjithë ndjejnë dhembje e pikëllim dhe luten me dashamirësi për shpirtin e tij ,duke kujtuar me krenari emrin e madh dhe veprat e shumta kombëtare që la pas,që nga burgu për idealin kombëtar që në moshën 17 vjeçare, rreth 90 veprat e shkruara në disa gjini, si prozë, poezi e dramë e deri te momentet e pa harruara,të kaluara me te, gjatë kohës derisa ai ishte gjallë.

Publicistin Teki Dervishi e kujtojnë të gjithë me dhembje, familjarët, shokët e bashkëpunëtorët dhe ata që patën rastin ta njihnin personalisht,apo edhe të tjerët që e njohën nga takimet e ndryshme publicistike, shkrimet në gazeta dhe veprat e tij të shumta e të mirënjohura gjithandej ku jetojnë shqiptarët.

 

Jeta e tij nuk ishte e lehtë, ai në disa periudha të rënda kohore, kaloi momente të vështira si edhe vetë populli shqiptar nën pushtim. Ato përjetime e burrëruan atë para kohe dhe e bënë shumë të ndjeshëm si njeri i cili çdo herë ishte i gatshëm për të ndihmuar në secilën kohë dhe rrethanë,duke u treguar i dashur dhe i afërt me të gjithë, përgjatë gjithë jetës së tij, shpesh herë të mundimshme.

 

Përkundër vështirësive, ai u qëndroi të gjitha furtunave të kohës i fortë dhe i pa thyer asnjëherë, anipse gjatë jetës së tij ato nuk ishin të rralla,ai gjeti forcë dhe guxim për përballjen me to duke qëndruar burrërisht dhe i pa epur deri në momentet e fundit të jetës së tij, kur edhe e vodhi vdekja tinëzisht dhe para kohe.

Si publicist ai ishte vizionar,dhe për ato që shkruante, njeri unikal dhe i pa ndikuar në mendimet e tija, i pajisur me imagjinatën e të shprehurit dhe zotërues i artit të komunikimit, të cilat atë e bënin të veçantë dhe njeri që nuk mund të harrohet lehtë e as në kohë të shkurtër. Edhe pse vdekja e mori para kohe, ai siç mbetet me veprat e tij të shumta,përgjithmonë i pranishëm në mendjet dhe zemrat e lexuesve, poashtu përjetësisht do të mbetet i pavdekshëm edhe në kujtesën e shqiptarëve.

 

Me vdekjen e Teki Dervishit,publicistika,letërsia,drama dhe teatri ynë, kombëtar, humbën njërin prej autorëve më produktiv të letrave shqipe dhe më aktiv mediatik ,kulturor dhe artistik, për një periudhe të gjatë kohore në vendin tonë. Ndaj, familje e nderuar ,të afërm,shokë,miq,krijues e artist dhe dashamir të Publicistit,me rastin e vdekjes së tij, iu shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta. Nderim të përjetshëm, Jetës dhe Veprës së Teki Dervishit!

 

Teki Dervishi. Është autor i rreth 90 veprave letrare dhe artistike dhe ndër më të njohurat janë këto:

 

Romanet: "Pirgu i Lartë"më 1972, "Padrona"më 1973, "Skedarët"më 1974, "Herezia e Dervish Mallutës"më 1981, dhe "Palimpsest për Dush Kusarin"më 1993;

Dramat: "Zbutësi i njerëzve me sy prej zymrydi"më 1979, "Bregu i Pikëllimit"më 1985, "Pranvera e Librave"më 1990, "Zhvarrimi i Pjetër Bogdanit"më 1990, "Kufiri me atdhe"më 1996, "Vojceku"më 1996, "Nesër nisemi për Parajsë"më 1999 "Eshtrat që kthehen vonë"më 2000, dhe "Ku është Populli?"më 2003

 

Përmbledhja me tregime e cila titullohet: "Etje dhe Borë"

Veprën me ese e kritika mbi teatrin "Qan e qesh Talia"të botuar në vitin 1978

Kurse vëllimet me poezi janë: "Nimfa"më 1970, "Shtëpia e Sëmurë" më1978, "Thashë", 1981. etj.



(Vota: 5 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora