E marte, 23.04.2024, 09:35 AM (GMT+1)

Mendime

Tomorr Tolpica: Pavarësia pa Ramush Haradinajn!!!

E marte, 05.02.2008, 09:41 PM


PAVARËSIA PA RAMUSH HARADINAJN!!!

Shkruan: Tomorr TOLPICA*

Ramush Haradinaj
Pse i ngutet Hashim Thaçit dhe Fatmir Sejdiut që ta shpallin pavarësinë e Kosovës në muajin Shkurt, kur mund të shpallet edhe në muajin Mars?

Muaji Shkurt është i shkurtër, është muaj "baksuz" dhe kjo Pavarësi nuk do të zgjasë gjatë, por shkurt si muaji Shkurt!

Muaji Mars është muaji i luftërave për liri të popullit Shqiptar. Është muaji i luftës heroike të Adem Jasharit. Është muaji i sulmit të NATO-s mbi ushtrinë dhe policinë fashiste serbomadhe. Marsi është muaji i fillimit të Pranverës, muaji i gjallërimit, gjelbërimit dhe lulëzimit të natyrës dhe njerëzimit. Është muaj perfekt jo vetëm për fillimin e luftës për liri, por edhe muaj i përshtatshëm për shpalljen e fitores e të Pavarësisë së Kosovës. Është muaj festiv, sepse në këtë muaj shndërit dielli, çelin lulet dhe të feston e të gëzon shpirti e trupi.

Ku ka data më të bukura, domethënëse dhe që sjellin mbarësi se sa datat 23 dhe 24 mars? Por edhe 16 apo 30 marsi janë data të mira.

Askush nuk mund të arsyetohet se nuk pret populli, prandaj duhet ta shpallim Pavarësinë sa më shpejt, qoftë edhe në mes të dimrit e të acarit dhe në mesin e një muaji të shkurtër, "baksuz" e jo të përshtatshëm. Muaji Shkurt nuk është as muaji i luftërave, as i lirisë dhe as i paqes së Shqiptarëve. Këtë muaj asgjë e rëndësishme e historike nuk e lidh me të kaluarën dhe të sotmen e Kombit tonë.

Po t'i thuhet popullit se muaji Mars është simbolik nga e djeshmja dhe i mbarë për të nesërmen, atëherë populli ynë, që ka pritur  100 vjet për këtë Pavarësi, me siguri që do të mirëkuptojë dhe do të presë edhe një muaj.

Por Hashim Thaçit, si duket, nuk i pritet, sepse ai nuk do që të presë Vendimin e Gjyqit të Hagës për Ramush Haradinajn, i cili do të shpallet kah fillimi i Marsit, sepse Hashim Thaçi don të hakmerret kundër Ramushit pse hyri në aleancë qeveritare me LDK-në dhe e la në opozitë PDK-në dhe Hashimin! Por kjo hakmarrje u pagua nga PDK-ja, e cila bëri po të njëjtën gjë, hyri në koalicion qeveritar me LDK-në dhe e la në opozitë Ramushin dhe AAK-në. Dhe tani nuk ka asnjë arsye që të vazhdojë armiqësia dhe inati në mes PDK-së e AAK-së. Tani është koha për harmoni dhe paqë në mes partive, që së bashku ta shpallin dhe ta ndërtojnë shtetin e rit ë Kosovës.

Por, si duket, Hashim Thaçit nuk i ka dalë ende inati, ai don të vazhdojë hakmarrjen kundër Ramush Haradinajt, duke mos pritur edhe disa javë Vendimin e gjyqit të Hagës dhe lirimin e Ramushit si të pafajshëm. Hashim Thaçi, si duket, nuk don që Ramushi të jetë përkrah tij dhe të tjerëve në ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës! Por kjo nuk i bën nderë vetë Hashimit dhe koha nuk do t'ia falë atij këtë gabim trashanik dhe historik. Faji nuk është më i vogël as i Fatmir Sejdiut, i cili "harroi" shumë shpejt partneritetin trevjeçarë me AAK-në!

Egoizmi, karrierizmi, inati, hakmarrja dhe narcizmi i Hashim Thaçit, duhet të ndalet nga vetë Hashim Thaçi, sepse këto vese të këqija e dëmtojnë dhe do ta dëmtojnë më së shumti vetë Hashim Thaçin!

Tre vëllezërit dëshmorë të Ramushit dhe vetë lufta e tij heroike për Pavarësinë e Kosovës, mjaftojnë që Hashim Thaçin dhe Fatmir Sejdiun t'i brejë ndërgjegjja dhe të presin vendimin dhe lirimin e Ramush Haradinajt nga Gjyqi i Hagës, se kështu Pavarësia e Kosovës do të jetë më e plotë dhe më e bukur edhe me praninë e Ramushit në Ditën e Madhe të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

*)- Artikullshkruesi është nga Kërçova e Iliridës dhe krijues i pavarur.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora