E enjte, 18.04.2024, 02:27 AM (GMT+1)

Mendime » Xharra

Fahri Xharra: Eksportimi i zezakëve dhe importimi i shqiptarëve

E merkure, 29.06.2011, 08:04 PM


Eksportimi i zezakëve dhe importimi i shqiptarëve

 

Nga Fahri Xharra

 

Që skllavëria ka qenë dhe ka lulëzuar në Afrikë edhe para tregtisë transatlantike të skllevërve ka fakte dhe shënime të thukëta. Por, kapja dhe shitja e skllevërve përtej Atlantikut në mes të viteve 1450 dhe 1850 e ka inkurajuar ekspansionin dhe e ka përsëritur shndërrimin e skllavërisë brenda Afrikës në atë pikë sa që sistemet e skllavërimit bëhen sisteme qendrore në të gjithë kontinentin. Arsyet e ndryshme të skllavërimit duhen të dallohen si ndryshime kruciale në përcaktimin e asaj se cilët janë faktorët e rëndësishëm që një popull të skllavërohet. Tregtia me skllevër duhet të lidhet me ngjarjet dhe proceset specifike në Afrikë. Një fakt i pamohueshëm është se tregtia atlantike e skllevërve u rrit nga një skllavëri që veç ekzistonte në Afrikë dhe vendet arabe, por kjo ishte shumë më fitimprurëse. Përkundër rreziqeve, ilegalitetit dhe ndryshkjes së statusit social, tregtia me njerëz sillte fitime të mëdha. Kjo shihej në atë që çmimi i robërve rritej përditë e më tepër.

Arabët e kishin institucionalisht të lejuar skllavërimin. Kurani e lejonte me haditet 16:76, 30:28,16:71, 70:29-30, 23:5-6, 33:50 etj., skllavërimin e femrave dhe fëmijëve, në fillim të fiseve arabe: Kuraiza, Khajbar, Mustalik dhe Hauazin etj., e më vonë me rritjen e fuqisë islamike u rrit skllavëria në shkallë botërore. Çdoherë që myslimanët korrnin fitore, me vete sillnin fëmijë dhe gra të skllavëruara. Kur gjeneral Musa e robëroi Afrikën Veriore në vitin 698, solli me vete 300.000 skllevër, kurse nga Spanja në vitin 715 i solli 30.000 virgjëresha të bardha visigote. Ndërsa, Sulltan Mahmudi, pas zaptimit të Indisë (Pakistani dhe Bangladeshi i sotëm) i solli në vitet 1001-1002 mbi 500.000 gra dhe fëmijë.

Skllevërit punësoheshin si punëtorë krahu, ata përqendroheshin në lokacione të veçanta për punë në miniera, anijesi dhe kullimin e fushave kripore. Ishin të zinj nga Afrika Lindore, të kapur, të shitur apo të këmbyer. Numri i tyre ishte shumë i madh. Tregtarët arabë eksportuan mbi 17 milionë skllevër në brigjet e Oqeanit Indian, në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën Veriore. Eksporti kryhej nëpër Detin e Kuq, trans-Sahara dhe Afrika Lindore-Oqeani Indian. Në mes të viteve 1450-1850 (1850, koha e abolicionit), 12 milionë afrikanë u ngarkuan nëpër anije nga Afrika nëpër Oqeanin Atlantik për në Amerikën Veriore, Jugore dhe Indinë Perëndimore me një shkallë të vdekshmërisë rreth 20%. Tregtia e skllevërve afrikanë e ndryshoi botën, kurse në Afrikë tregtia me njerëz e stimuloi rritjen e mbretërive të fuqishme arabe.

Nga pikëpamja myslimane, Ligji i ndalimit të skllavërisë (koha e abolicionit e vendosur nga Anglia) ishte e pakuptimtë: të ndalosh diçka çka Zoti e lejon është njëlloj sikur të veprosh kundër asaj çka Zoti e ndalon. Të mos harrojmë se zezakëve të Afrikës iu është ndërruar feja shumë më herët dhe si myslimanë kishin shkuar në Amerikë.

Një pyetje të sillet ndërmend, gjithsesi. Pse bota arabe ka një popullatë zezake shumë më të vogël sesa ajo e Botës së Re? Njëra prej arsyeve është se ata sillnin për vete skllevër zezakë të kastruar (eunukë, të tredhur).

Edhe Imperatorisë Otomane i lejohej tregtia me skllevër dhe atë me skllevër të bardhë, nga vendet e ndryshme. Që nga koha kur shkelën në tokat tona, pra qe 621 vjet, e filluan bartjen e shqiptarëve nëpër vendet e ndryshme të Perandorisë Anadollake, në Azi. Shënimet e sakta për fatkeqësitë e shpërnguljeve, bartjen dhe shpopullimin e tokave tona janë pas Konferencës së Berlinit, kur i humbëm edhe 2/3 e tokave tona. Vitet 1912-1913 ishin tragjike për ne. Sipas dokumenteve që gjenden në Arkivin serb të Punëve të Jashtme në Beograd, në Fondin “Politiçko Odelenje”, jepen të dhëna të detajuara për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi. Sipas dokumentit numër 1246 të 12.04.1914, gjatë viteve 1912-13 vetëm në Turqi janë shpërngulur mbi 300.000 veta. Në këtë numër nuk janë përfshirë fëmijët nën moshën 6-vjeçare. Të gjithë janë bartur nga porti i Selanikut me 395 anije të ndryshme.

Shpërngulja e shqiptarëve në Turqi, që kishin mbetur nën Jugosllavi, duhet cekur se u krye në stilin e shitblerjes së skllevërve, pra në marrëveshje mes shitësit e blerësit (Jugosllavisë e Turqisë). Marrëveshja e 11 korrikut 1938 kontraktonte bartjen e 40 mijë familjeve shqiptare brenda 8 viteve të ardhshme. Nga ky dokument mësojmë se, duke u identifikuar si “turq” ose “myslimanë”, ata i kishin lënë tokat e tyre stërgjyshore. Ç`donin turqit nga shqiptarët dhe kush ua jepte të drejtën turqve të bënin konventa të tilla me Serbinë, për një popull që u myslimanizua? Pse nuk merrnin serbë për popullimin e shkretëtirave të Anadollit?

Ja disa nga detajet e kësaj marrëveshjeje. “Qeveria e Turqisë dhe Qeveria e madhërisë së Mbretit të Jugosllavisë konstatojnë shpërnguljen e “myslimanëve” nga rajoni i Serbisë së Jugut, njëherësh vlerësojnë se kjo popullatë në përgjithësi e ka humbur të drejtën e regjimit të lirë në Jugosllavi dhe së bashku janë përcaktuar ta braktisin territorin e Mbretërisë me dëshirën e tyre legjitime, në mënyrë që t`u bashkohen etnikëve të tyre natyralë në Turqi (!).

Osmanët le që na rrjepën gjenetikisht për 500 vjet, por marrin të drejtën që edhe t`i ndihmojnë Jugosllavisë në zbrazjen e territoreve tona nga ne në emër të fesë. Të shpërngulurit duhej të nënshkruanin para autoriteteve se me dëshirë heqin dorë nga nënshtetësia jugosllave dhe para autoriteteve turke të pranonin të ndërronin emrin dhe të deklarohen si turq. Pra, në emër të fesë, në emër të dashurisë 500-vjeçare, Kosova, Maqedonia dhe Serbia Jugore zbrazeshin nga “myslimanët”.

Në emër të fesë u krye edhe zbrazja e Çamërisë nga shqiptarët, si myslimanë të Turqisë. Aty kishte një lloj shkëmbimi mes Turqisë dhe Greqisë. Shkëmbehej malli “mysliman” i Çamërisë me mallin e krishterë nga Turqia. Edhe këtu Turqia i ndihmonte vëllezërit myslimanë që t`i bashkohen bashkëfetarëve të tyre dhe në të njëjtën kohë ia mundësonte Greqisë “homogjenitetin etnik grek” në tokat shqiptare. Më 30 janar 1923, në Llozanë u nënshkrua Marrëveshja turko-greke për shkëmbimin e grekëve të Anadollit me “turqit” e Greqisë. Të shkëmbyerit duhej të linin vendin pa të drejtë kthimi. Në këtë marrëveshje nuk përfshiheshin turqit e vërtetë të Trakisë Perëndimore, të cilët edhe sot e kësaj dite jetojnë aty. Nën etiketën “turq” apo “myslimanë”, ata larguan me mijëra shqiptarë nga trojet e tyre në Çamëri. Bandat e hajdutëve profesionistë terrorizonin popullsinë shqiptare myslimane të deklaroheshin “turq” . Numri i të shpërngulurve nga Çamëria ishte shumë i madh, aq i madh e deri në zbrazje.

Çfarë ngjashmërie, përderisa arabët eksportonin zezakë myslimanë, turqit importonin shqiptarë myslimanë.



(Vota: 13 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora