E premte, 29.03.2024, 07:10 AM (GMT)

Kulturë

Moikom Zeqo: Hyjnesha Dardania

E merkure, 29.06.2011, 06:26 PM


Hyjnesha Dardania

 

Nga Moikom Zeqo

 

Dr. Edi Shukriu, arkeologe e njohur në Prishtinë, në librin e saj “Dardania paraurbane”, Dukagjini, Pejë 1996, bën një sintezë shkencore të etnicitetit ilir të dardanëve, duke bërë kështu konceptualizimin e provës arkeologjike të autoktonisë dardano-shqiptare.

Kurse në botimin “Kosova Antike”, Muzeu i Kosovës, Prishtinë, 2004, në shqip dhe në anglisht, realizon një sintezë tjetër të Dardanisë, që nga fillesat prehistorike deri në antikitetin e vonë.

Libri është edhe album me ilustrime të cilësisë së lartë të objekteve arkeologjike, hartave përkatëse dhe është edhe një informacion i shkëlqyer shkencor për Dardaninë.

Të tërheq vëmendjen fakti që dr. Edi Shukriu analizon edhe kulturën kultike dhe mitologjike të Dardanisë antike dhe sidomos atë të epokës perandorake romake.

Në këtë epokë kemi një lëvizje kultesh dhe hyjnish të ndryshme. Në Dardani arritën perënditë dhe kultet që i sillnin ushtarët e tregtarët nga pjesët e ndryshme të Perandorisë së madhe Romake.

Të tillë ishin perënditë romake Jupiteri, Minerva, Furtuna (mbrojtëse e familjes së furijëve të Ulpianës), Merkuri dhe Diana; perënditë që vinin nga lindja, siç ishin Mitra, Izida, Serapisi dhe Jupiteri Dolihen dhe perënditë helene Nemezisi, Orfeu, Hekata, Asklepi, Higia dhe Telesfonti.

Duket se i traditës së mëhershme dhe lidhur me kultin e kalit është respektimi i Kalorësit trakas dhe Kalorësit danubian, si interpretime të hyjnive vendës, dhe i hyut trakas Zbeltiurdit. Panteoni i hyjnive është i madh.

Në shumë raste, pas emrave të hyjnive të huaja, që duken në monumentet votive qëndrojnë hyjnitë vendëse, kryesisht në interpretimin romak të tyre – interpretatio romana.

Këtë më së miri e dëshmon monumenti votiv nga Smira, të cilin pjesëtarët e tribës së njohur romake Quirinia ia përkushtuan Jupiterit të tyre (lovi Optimo Maximo Noster), për ta dalluar nga Jupiteri vendës, emri i të cilit ngel i panjohur.

Ky mund të jetë dhe hyu Andin apo ndonjë tjetër, nëse jo hyu ilir i rrëfesë Enji, nga i cili mori emrin dita e Enjte.

Nuk njihet as emri i hyjneshës dardane, e cila, përmes monumenteve të periudhës romake, njihet vetëm me emrin e shkruar latin Dea – Perëndeshë. Duket, nënvizon dr. Edi Shukriu, se është fjala për hyjneshën ilire P(e)rendën / Prendën / Prenën / Premën, emri i së cilës u trashëgua nga fjala Perëndi. Roli i dikurshëm suprem i saj fshihet në emërtimin shqip të ditës së javës në gjuhën shqipe: e Premtë.

Kjo u përfshi në gjirin e të shenjtërve të krishterizimit si Shën Prenda / Prena / Premta, duke mos pasur mundësi të çrrënjosej nga tradita e besimit të ngulmshëm të popullatës autoktone në të.

Ky arsyetim është i drejtë.

Por dr. Edi Shukriu nënvizon:

“Gjatë periudhës romake dardanët ruajtën hyjnitë e tyre, ruajtën Perëndeshën (Dean) dardane dhe Andinin, së bashku me hyjtë e tjerë ilirë.

Besimi i qëndrueshëm në Dean dardane duket nga përkushtimet në monumentet votive nga Smira e Romula Malva e Dakisë, nga shtatorja e Medianës së Nishit, si dhe nga monedhat e xeheroreve me mbishkrim DARDANICI (shekulli II).

Monedhat mbajnë paraqitjen e një hyjneshe femërore, e cila në njërën dorë ka kallirin e grurit, ndërsa me tjetrën mban cepin e fustanit – hitonin.

Busti i njohur i Gruas nga Kllokoti (II-III) duket të jetë po ashtu personifikim i kësaj perëndeshe, sepse në të nuk është shënuar asnjë emër, se Perëndeshën e tyre e kanë njohur të gjithë dardanët dhe se ka ngjashmëri me paraqitjet figurative të Deas nga monumentet e Rumanisë.

Edhe shtatorja e periudhës romake nga Mediana afër Nishit, me elemente të karakterit autokton dhe deri vonë e paidentifikuar, identifikohet me Perëndeshën dardane.

Ajo mban në dorën e majtë viçin, në të djathtën qesen (marsupium), ndërsa te këmbët ka sëpatën dytehëshe (labrys) dhe derrin farran. Simbolet që e shoqërojnë Perëndeshën dardane në monumentet nga Rumania janë edhi, gjeli dhe shporta e bollëkut.

Pos qeses dhe shportës së bollëkut, simbolet e tjera janë pjesë e traditës vendëse.

Perëndesha dardane, e lidhur ngushtësisht me besimin në fuqinë supreme të Diellit dhe në kultin për të, u bë personifikim i këtij besimi që në fazën urbane dardane (IV-I p.e.r.).

Besimi në forcën hyjnore të saj ishte aq i fuqishëm sa që u respektua edhe nga të huajt: arën nga Smira e ngriti Artor Herakliti (Artorius Heraclitus), ushtar romak me prejardhje greke. Besimin në Perëndeshën dardane e morën me vete edhe Aurel Dardani (Aurelius Dardanus). Eli… (Aelius…) dhe një dekurioni tjetër dardan, të cilët u bënë udhëheqës (decurion) të qytetit antik Romula Malva të Dakisë (Rresha në Rumani).

Ndonëse ishin larg atdheut, iu përkushtuan dy monumente hyjneshës së tyre të çmuar dhe lanë në trashëgimi përfytyrimet e rëndësishme figurative për të.

Se Perëndesha dardane ishte më shumë se personifikim dhe mbrojtëse e Dardanisë paralajmëron monumenti nga Smira, përkatësisht labyrinthet e relievuara në faqet anësore, njëri rrethor dhe tjetri katërkëndësh.

Rëndësi të posaçme ka labyrinthi autokton rrethor, i përbërë nga një kompozicion më i gjerë me domethënie të thellë filozofiko-religjioze, i cili prezanton Perëndeshën dardane në manifestime të shumta të saj.

Në pjesën qendrore gjendet labyrinthi i ndarë në tri hapësira (horizonte) dhe në to gjenden nga dy svastika drejtimesh të ndryshme. Sfera e vendosur në qendër është po ashtu e ndarë në tri pjesë.

Mbi labyrinth shtrihet hardhia e rrushit, ndërsa nën të gjethet e lerthit me një nyjë profilaktike.

Labyrinthi sjell një qasje gjeometrike dhe numerologjike, e cila krijon fushën holografike shumëdimensionale.

Bëhet fjalë për një Gjeometri të Shenjtë, e cila paraqet rregullin kozmik dhe ndërlidhjen midis botës materiale dhe mbretërisë së vetëdijes më të lartë.

Prezenca e labyrinthit rrethor nga Smira hedh poshtë mendimin e gabuar se ilirët, duke përfshirë edhe dardanët, nuk kanë zhvilluar një kozmologji uniforme mbi të cilën është përqendruar praktika e tyre religjioze.

Monumenti i Perëndeshës nga Smira paralajmëron sa njohuritë kozmogonike dhe kozmologjike dardane aq edhe kompleksitetin e tyre, duke pasur për bazë konceptin e treshit të mbështetur në tri sferat e dukshme dhe të mëdha astrale: në Diell, në Hënë dhe në Tokë.

Të zbërthyer në kontekstin filozofik-religjioz, Toka te dardanët del si vendbanim i trupit të vdekshëm, Hëna si vendbanim i shpirtit të përjetshëm dhe Dielli si synim dhe qendër – vetëdije më e lartë, urti sublime dhe iluminacion.

Është ky balancim i tri energjive kryesore, ndërsa rrugëtimi i përjetshëm nënkupton ribashkimin e trupit dhe të Tokës, të shpirtit dhe të Hënës, të urtisë hyjnore dhe të Diellit.

Një botëkuptim i tillë, duke mos i lënë anash as ndikimet e mëvonshme, është ndërtuar shekuj të tërë dhe fati e deshi që të zbulohet në një monument mermeri të shekujve të parë të sundimit romak.

I parë në një kontekst më të gjerë, vetë kompozicioni dhe përqendrimi i funksioneve të shumta të një hyjneshe, përkatësisht te Perëndesha dardane, paraqet sfondin e krijuar shpirtëror e mendor të dardanëve për përqafimin e shpejtë të besimit të ri – krishterimit”.

Ky citim është një paraqitje rindërtuese e kultit të hyjneshës Dardania. Del qartë se ajo është një hyjneshë sinkretike dhe kryesore.

Dilema e emrit të saj, që nuk dihet saktësisht, mund të sqarohet vetëm nëse mendojmë se kjo Dea parakupton për vendasit autoktonë pikërisht Dardaninë si emër përgjithësues gjeografik dhe jo një emër thjesht personal.

Por kjo çështje kërkon hulumtim.

Fakti që rafigurimi skulpturor i hyjneshës Dardania mbijeton në epokën perandorake romake na bën të mendojmë për origjinën e saj në kohëra shumë më të hershme.

1. Deri më sot nuk është bërë një krahasim ikonografik i skulpturës së Dardanisë me plastikën e idhujve prehistorikë.

Idhulli prej terakote (18,5 cm) i neolitit (kultura e Vinçës), gjetur në Tjerrtore (Prishtinë) tërheq vëmendjen se në gjoks mban një medaljon të rrumbullakët, simbol solar i padyshimtë.

Po kështu edhe idhulli i gjetur në Faqos të Mitrovicës mban në gjoks të njëjtin medaljon.

Këto dy raste krijojnë një rregullsi të qartë. Medaljoni solar është simbol identifikues i kultit. Medaljoni shpreh fuqinë kozmogonike të Diellit te banorët e Dardanisë.

Këtë idhuj shprehin figurën e Magna Mater-it. Pra të kryehyjneshës së matriarkatit në neolit.

2. Te skulptura prej mermeri (75 x 55 x 15 cm) e shekujve II dhe III, që sot ndodhet në Muzeun e Kosovës femra hyjnizuar mban gjithashtu në gjoks një medaljon solar të ngjashëm me medaljonet e idhujve neolitikë të Magna Mater.

Padyshim që këtu nuk kemi të bëjmë me rastësi, por me një vijimësi të çuditshme identifikimi në mijëravjeçarë.

3. Duke e rivendosur këtë lidhje, mendoj se medaljoni solar është një element ikonografik qendror, i pandryshueshëm, megjithëse struktura ikonografike e idhujve neolitikë ndryshon me ikonografinë e hyjneshës Dardania në shekujt II dhe III.

Arti ilir i kësaj skulpture ndryshon qartë në raport me artin e skulpturës perandorake e kultike romake të vonë.

4. Duke bërë këtë ekuacion të kultit diellor midis idhujve neolitike të hyjneshës Dardania dua të shënoj se ky ekuacion e ka një lidhje në shekullin IV me rafigurimin e Ilirikut në formën e një hyjneshe, që ndodhet në veprën “Notitia dignitatum” (“Lista e rangjeve”) që është përpiluar në vitet 390 deri në 437. (shih “Notitia dignitatum accendum. Notitia urbis constantinopolitanae et Laterculi provinciarum.” ed. O. Seek. Berolini 1876).

Te hyjnesha e Ilirikumit pamja femërore nuk është në bust, por në këmbë, e plotë, mbulesën mbi kokë e ka si hyjnesha Dardania, nuk e ka medaljonin pagan solar në gjoks, sepse mban mbi kokë aureolën e hyjnitetit të krishterë. Kemi një transferim të simbolit të hyjnitetit, por mbetet forma gjeometrike e rrethit, që në historinë mitologjike të kohërave, përfaqëson kultin parak diellor.

5. Edhe diçka tjetër: hyjnesha e Ilirikut mban në duar një enë blatimi të shenjtë, një përsëritje e simbolikës gjeometrike.

Hyjnesha Dardania e ka gjithashtu atributin e blatimit (simbolet e shportës së bollëkut, qesja (marsupium), derri, gjeli, sëpata dytehëshe (lobrys) etj.

6. Nëse hyjnesha Dardania ka një përfaqësim gjeografik të Dardanisë si provincë e shënjuar dhe e përcaktuar e perandorisë romake, edhe hyjnesha e Ilirikut bazohet në përfaqësimin gjeografik të një province shumë më të gjerë perandorake, në një kohë kur krishterimi fiton përparësi mbi paganizmin.

7. Karakteri antropomorf i dy figurave të hyjnizuara të Dardanisë dhe Ilirikut tregon një vijimësi të metamorfizuar të artit shtetëror ikonografik për bashkësitë vendase të njohura në rrafshin juridik, që institucionalizon edhe simbolikën religjioze dhe kultike.

 



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora