E premte, 29.03.2024, 03:48 PM (GMT)

Kulturë

Kuriozitete VII

E merkure, 06.06.2007, 07:33 PM


Fjala më e vështirë në botë

Fjala më e vështirë në botë për t'u përkthyer, është identifikuar fjala "ilunga" nga gjuha Tshiluba, e folur në Kongon juglindore. Fjala "Ilunga", siç mund t'ju tregojë një person që e konsideron veten folës të gjuhës Tshiluba, do të thotë: "një person i cili është i gatshëm të falë çfarëdo ofendimi për herë të parë, ta durojë atë herën e dytë, por kurrë herën e tretë." Duket si një fjalë e thjeshtë, por një mijë ekspertë të gjuhës e identifikuan atë, si fjalën më të vështirë për t'u përkthyer. Në vend të dytë ishte fjala "shlimazl", në dialektin e hebrejve të Evropës, që ka kuptimin e "një personi gjithnjë të pafat", apo siç mund ta përkthejnë në shqip "njeri ters".Në vend të tretë doli fjala "Naa", e përdorur vetëm në rajonin Kansai të Japonisë, për të theksuar një deklaratë apo për të rënë dakord me dikë. Megjithëse përcaktimet duken pak a shumë preçize, problem është kur dëshiron që të transmetosh referencat lokale që lidhen me fjalë të tilla, ose kështu thotë të paktën Jurga Zilinskenia, kreu i kompanisë Today Translations, që bëri këtë anketim. "Ndoshta mund t'i hedhësh një sy fjalorit dhe të gjesh kuptimin, por më e rëndësishmja këtu lidhet me kulturën dhe përvojat dhe ka të bëjë me theksin kulturor mbi fjalën",- thotë zonja Zilinskenia. Shpejtësia me të cilën punojnë përkthyesit simultanë, vetëm sa e shton vështirësinë për t'u përpjekur të shpjegosh fjalë me kuptime komplekse. Edhe zhargoni teknik, që shpesh gjendet në politikë, biznes apo sport, ka vështirësitë e veta. Për vetë zonjën Zilinskenia delja e zezë është fjala "googly", një term në sportin e krikitit që do të thotë pak a shumë "një finte nga hedhësi i topit për të fshehur drejtimin nga do të gjuajë topin". Por sigurisht që shumë vetë nuk e kuptojnë fare krikitin "Naa".
 
Kartolina e parë në botë

Kartolinat nuk vijnë nga antikiteti. Origjina e tyre nuk shkon më larg sesa shekulli i nëntëmbëdhjetë. Rreth 1860 datojnë kartolinat e para postare. Imazhi i parë i stampuar në një kartolinë është ai i një ushtari vjenez. Njerëzit filluan t’i dashuronin kartolinat ku mesazhi shoqërohej me një imazh. Në Francë kartolina mori formën zyrtare në 1878 gjatë konferencës ndërkombëtare të postave në Paris. Në pjesën e pasme të kartolinave të para shkruhej adresa, ndërsa në pjesën e përparme vendosej fotografia dhe një hapësirë për të ndërfutur një tekst të shkurtër. Këto lloj kartolinash quhen nga koleksionistët “kartolinat me adresën e gjatë” ose “kartolinat postare”, të cilat u përdorën deri në vitin 1905. Edhe teknika e realizimit të kartolinave ka kaluar nëpër disa faza brenda një kohe shumë të shkurtër, duke u bërë kështu një tregues i mirëfilltë i historisë së fotografisë dhe stampimit në botë. Ajo kaloi nga litografia (shtypshkronja prej guri) duke u perfeksionuar në vitet ‘30 me teknikën e rotokaleografisë.
 
Koleksionisti i kartolinave, Vasil Xhitomi, tregon historikun e shkurtër të kartolinave shqiptare

Kartolinat e Shqipërisë

B.Budini

Fundi i shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe fillimi i shekullit të njëzetë është edhe koha kur Shqipëria u fut në kartolina, - tregon koleksionisti Vasil Xhitomi i cili sapo është kthyer nga një shopping kartolinash në Itali, ku ka siguruar një kartolinë njëqindvjeçare që paraqet Alehandro Kastriotin me një flamur shqiptar që dominon kartolinën. Xhitomi i cili është njëri nga koleksionistët më të mëdhenj shqiptarë të kartolinave, pullave e monedhave, thotë se kartolinat e para shqiptare, disa prej të cilave ai ka arritur t’i sigurojë, përmbajnë kryesisht pamje nga Shqipëria po jo detyrimisht me autorë shqiptarë. “Kështu një koleksion shumë i bukur kartolinash është ai i një autori austriak realizuar në zonën e Shkodrës”, - thotë Xhitomi. Por vitet më të mira për kartolinat shqiptare filluan pas viteve 1910-1915 e më vonë, sidomos në vitet tridhjetë, kur pati një kulminacion kartolinash shumë prej të cilave kanë arritur të mbijetojnë deri sot. “Këto kartolina shtypeshin jashtë sigurisht, shumica ishin të teknikës bardhë e zi. Kartolinat e para mendoj se janë shtypur në Turqi. Tematika e tyre përqendrohej në kostumografinë shqiptare të kohës. Mandej kartolinat nisën të shtypeshin në Austri, Itali, në Kostancë të Rumanisë, kudo ku kishte shqiptarë dhe shoqata shqiptare, madje edhe në Amerikë. Autorët ishin shqiptarë ose të huaj”, - vijon koleksionisti. Ai është veçanërisht i apasionuar pas kartolinave me tematikë me personalitete të ndryshme dhe thekson se ka 7-8 modele me kartolina të vjetra të Skënderbeut. Thotë se koleksionet e kartolinave me tematikë shqiptare janë të pasura dhe zotërohen nga koleksionistë shumë të mirë. Por jo vetëm koleksionistë shqiptarë. Ka edhe shumë të huaj që koleksionojnë kartolina dhe sidomos pulla me tematikë shqiptare. “Tanimë është e vështirë të gjesh kartolina në Shqipëri. Prandaj shpesh shkoj në Itali për të blerë të tilla. Atje ka shumë nga ata që ruajnë kartolina shqiptare si pjesë e korrespondencës së ushtarëve italianë, tregtarëve etj.”. Pas çlirimit, gjatë regjimit diktatorial të Enver Hoxhës, nuk mbeti pa u politizuar as tematika e kartolinave. Megjithatë Vasil Xhitomi thotë se u ruajtën vlerat e mira dhe kishte një larmi të madhe. Gjithçka ishte shqiptare, mbi të gjitha. Sipas tij, megjithë tematikat banale, gjen ende kartolina me vlera që me siguri do të jenë me vlerë për koleksionistët e së ardhmes. Pikërisht kjo është arsyeja që Vasil Xhitomi ngërthen në koleksionet e tij çdo kartolinë tipike me tematikë shqiptare.
 
Parfumet e para shqiptare

Livando dhe Bergamo. Këto ishin llojet kryesore të parfumeve të kohës. Kryesisht të linjës së burrave, ato prodhoheshin në një laborator të veçantë, të krijuar brenda kompleksit të fabrikës së pijeve, sapunit e akullit. Të gjitha me etiketa frëngjisht: “Eau de Cologne Extra Fin”, “Tres Fin”, “Anglaise”, “Russe”, por edhe “Dorvald” dhe “Maria Farina”. Por vetëm esencat ishin të importuara, kryesisht nga firma gjermane “Gurt Geroge” me qendër në Laipzig. Kombinimi i tyre realizohej në laboratorin Hobdari. “Mbaheshin në shishe të mëdha, pesë litërshe, dhe ishin shumë të shtrenjta, por çmimi nuk më kujtohet. Kam këtu bilancin vjetor të 1937 dhe këtë vit për parfumet ai ka qenë 6800 franga ari. Pra parfumi na sillte goxha të ardhura. E blinin zakonisht tregtarët e pasur, por sidomos berberët. Ata vinin me shishe të vogla, sepse kështu shitej parfumi atëherë, me mbushje. Klientë të rregullt ishin edhe priftërinjtë të cilët spërkateshin gjatë ceremonive fetare me parfum. Esencat ishin të shumëllojshme që nga “orange douce”, tek vanilja, mente, kanellë etj. Ne vendosnim gramaturën dhe bënim kombinimet e tyre”, - tregon Odise Hobdari.


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora