Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kalosh Çeliku: Faqezinjtë erdhën edhe në Shkup

| E marte, 28.06.2011, 08:02 PM |


FAQEZINJTË ERDHËN

   EDHE NË SHKUP

 

Nga: KALOSH ÇELIKU

 

Faqezinjtë, pasi e bënë me fjalime Shqipëri Etnike në Prizren, pastaj në Itali, erdhën më në fund edhe në Shkup me një “nismë të re politike demokratike kuqezi”. Merreni me mend, trima pas lufte. Tashti më në kohën, kur ne shqiptarët e kësaj ane vite me radhë e kemi një parti politike kuqezi (PDSH -në). Edhe, harrojnë “burrat” e vrapimeve maratonike pas partive politike për poste se, ky popull e mban mend shumë mirë të kaluarën në kokë, nuk i harron kurrë “kalorësit e arratisur”, kohën e “artë” të tyre komuniste. Fatkeqësia më e madhe, që këta “kalorës të arratisur” nuk pushuan së lehuri e vepruari pas porte nëpër festa partiake e përvjetore edhe gjatë ndryshimeve demokratike. I shëtitën të gjitha partitë politike shqiptare anë e mbanë Atdheut: “akademiku” i tri akademive shqiptare (made in komunizëm), “politikani” numër dy i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe “miku besnik” i Ibrahim Rugovës, pas “ikjes” nga Kosova, përfundoi në kabinetin e Kiro Gligorovit. Këshilltarë, deputetë të popullit, ministra, drejtorë e zv/ drejtorë me gojën plotë patriotizëm vesh më vesh ende “luftojnë” për Shqipëri Etnike. E në realitet, edhe sot e kësaj dite kanë mbetur fundërrina shqiptare me të njëjtën parullë patetike neokomuniste: O bini burrat e mejdanit! Ende me rrotullimet e tyre akrobatike të shekullit, aftësitë e tyre teknefese politike duke na bërë përditë nga një Shqipëri Etnike. Thonë: në të kaluarën gabuam, u besuam partive politike shqiptare, ama tashti do të na shihni ne si intelektualë të bashkuar kuqezi se si e bëjmë Shqipëri Etnike. Ndryshimi, tashti i shohim kokë më kokë nëpër debate politike: tym e flakë nxjerrin nga goja për bashkim kombëtar, Shqipëri Etnike. Përçudi, edhe sot si dje, të njëjtët individë “demokratë” të sotshëm, komunistë të djeshëm, vazhdojnë me të njëjtat metoda komuniste ta dalldisin ende këtë popull, ia ngatërrojnë rrugën lëmsh në oborr, lidhin me shami nyje te pragu i derës përpara Shtëpisë  me parullën e njohur komuniste: “Vdekje, ose liri ”. Vetëm e vetëm që ky popull heroik nëpër shekuj të futet në qorrsokak, të mos ngjitet një ditë në Baba Tomor.

       Vallë, po deri kur do t’i lëmë këta argatë samari të na e fshijnë lëmën plot me grurë për çdo verë me sorrat mbi kokë???!!!... Shqiptarët e Maqedonisë, ashtu edhe ashtu janë të përçarë deri në palcë nga partitë politike. Edhe të Kosovës. E, për sa u përket partive politike të Nënës Shqipëri, dihet e shihet: një kryetar bashkie të Tiranës dyhet ta zgjedhin (i numrojnë votat) disa muaj me radhë, mos them një vit. Fatkeqsia më e madhe, Don Kishotët shqiptar me Sanço Panço pas tyre e kënaqën me politikë madhore Shqipërinë, tashti u ka mbetur ta përurojnë (fotografojnë)  veten si “politikanë vizionarë” edhe në Kosovë e Maqedoni. Vështirë e kam ta përsëris edhe një herë, shkaku se nuk e dua atë thënjen italiane për popullin shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore: tuto albanezi, tuto komandanti. Politikanët tanë ende mendojnë se ky popull është si gomari i Nstradin Hoxhës. I zbret Nastradini me pesëdhjetë kg. nga samari, i hip Nastradinica me njëqindepesëdhjetë kg. mbi shpinë. E, ai gjithë jetën mbeti me të katra këmbët i zhytur deri në fyt në batak. Askushi edhe i bie me thupër bythëve, e shalon me të katra gjoja për në Evropë. Vite me radhë në vend të taxhisë, barit i jep kashtë në grazhd.

       Fantastike, ë?! Faqezinjtë kuqezi vijnë me “zgjidhjen e çështjes shqiptare”, kur ky popull është ngi më deri në fyt me themelimin e partive politike. Premtimeve bajate komuniste. Politikave nëpër katunde: të njëjtit individë që deri dje përpiqeshin të blejnë nga një diplomë universitare duke shitur bozë, tullumba e speca në pazar, sot si profesorë universitar, shkrimtarë e gazetarë gjysmëanalfabetë shtyhen në ditën e “fitoreve” me bythë e bërryla për poste politike në Qeveri. O Imzot, cilët palaço do të na bëjnë Shqipëri Etnike! Vërtetë, fatkeqësi kombëtare, që një pjesë e këtij populli nuk i di neokomunistët kuqezi, ose ndodhë janë halldupë shqiptar që ende u duartrokisin debateve të tyre politike sakate. Realiteti, janë duke na marrë në qafë edhe në këtë botë, edhe në atë botë. Ehu, i zëntë nëma e popullit shqiptar: e hëngshin veten një ditë! Shkaku, se: Posa e marrim pak veten të ngrihemi më këmbë si popull, këta turr si në kohën komuniste me gjithë “arsenalin ushtarak partiak” edhe sot si dje me pankarta e flamuj kuqezi për Shqipëri Etnike. Epo, mirë të themi, haj t’i pyesim këta “patriotë kuqezi” se: kur janë aq të ndezur, “digjen” zjarr e flakë edhe në këtë shekull, pse deri më sot nuk e bënë një Shqipëri Etnike?! I rrudhin krahët neokomunistët: nuk na lë shkjau. O Imzot, a ka shkje më të mdhenj deri më sot se këta dumdumë “shqiptarë kuqezi”?!...

       Shkjetë shqiptar, vërtetë mendojnë apo shtiren se i kemi harruar deklaratat e tyre të “vëllazërim-bashkimit” nëpër vite, intervistat e tyre ekskluzive në kohën komuniste si “intelektualë” serb ose maqedonas, apo ende mendojnë dhe e mashtrojnë veten se na mbajnë me sy të lidhur rrugës malore për në Vendin e perëndive, në Baba Tomor.  

       Dhe, vazhdojnë të fotografohen halldupët kuqezi, skeletët me  një këmbë në varr para kamerave televizive: “Nisma e “Aleancës Kuq e Zi” për mua është një alternativë që ngjallë shpresë, që ngjall shpresë se diçka duhet të lëvizë, duhet të ndodhë edhe tek ne. Aleanca shpresoj se mundë të jetë një faqe e re, mundë të jetë një rrugë e re, një alarm i ri që duhet ta dëgjojnë të gjithë, ta kenë parasysh në mos ta përkrahin haptazi të gjithë të tjerët në këtë hapësirë”.

       Deklaratë patetike e njohur komuniste, përshesh katundi. E kënaqi dumdumi kohën e “artë” komunsite si partizan besnik me poste në Qeveri, nëpër redaksi, kabinete e Akademi të shkencave në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. E përqau popullin shqiptar kudo që shkoi e arriti nëpër botë si “patriot kuqezi”. Kohë kjo, kur “vëllezërit” para syve të tij publikuan lloj-lloj librash me ofendime anti shqiptare, dezinformata, falsikime historike, tekste shkollore e Enciklopedi maqedonase. Kulminacioni i patriotizmit: zërin nuk ua dëgjoi deri më sot njeri i gjallë. Ndoshta, i dëgjuan të vdekurit mes varreve, partizanët e tyre ideologjik, po sot është tjetër kohë lufte. Armë të tjera përdoren në fushën e betejës për Liri. Istikamet strategjike kanë ndryshuar në frontin e luftës. Edhe pusitë luftarake, nuk janë ato të dikurshmet me një pushkë të vjetër serbi në krah e bomba të kuqe italjani në breza pas një lisi, një guri ose ferre.

       Edhe, në fund: çka mund të presin shqiptarët nga këta partizanë teknefesë në kohën e sotshme demokratike, kur “patriotët kuqezi” janë ushqyer e rritur në grazhdin e huaj, Njerkës me një torbë taxhi për qafe. Asgjë…