E enjte, 18.04.2024, 10:52 AM (GMT+1)

Kulturë

Shefik Shkodra: Fërshëllima në vijim e Kasabasë

E marte, 28.06.2011, 08:02 PM


FËRSHËLLIMA NË VIJIM E KASABASË

 

Beqir Musliut, pas viteve të vdekjes së tij.

 

NGA SHEFIK SHKODRA

 

Duke udhëtuar me një autobus, sa kishte filluar në anë të Malësisë së Gollakut, fshatari nuk e shikoi biletën se çka shkruante. Pasi hipi e u ul në një ulëse, erdhën dy vetë e i thanë bashkudhëtarit t’ua lironte vendin, sepse aty njëri e kishte numrin e ulëses. Fshatari u ul pak më tej dhe nuk vonoi shumë, arritën dy femra pranë tij me një urdhër: “- mixhok, lëshoje atë vend se, numri i jem është aty”, tha njëra prej atyre dy shoqeve. Kështu, fshatarit iu përsërit disa herë urdhri për largim nga një vend në tjetrin. Më në fund, ai tha: “- edhe unë kam biletë, ku asht ai veni jem, he nënën e...”? Po fshatari kot u nevrikos dhe, pa fajin e tij mbeti në këmbë gjatë gjithë udhëtimit. Udhëtarët nuk deshën t’ia dëgjojnë të sharat e as mallkimet. Askujt nuk i interesoi për vendin e tij. Kryesorja ata ishin ulur dhe rehatuar.

 

*

– Hajt të shkojmë në Gjilan! ... në shehër të panagjyrit. Ecim andej e këndej. U marrim erë gjyleve dhe qebapëve. E marrim nga një bukë furre. Hyjmë në atë ak-çi-hanen e anës së djathtë, në kthesë. Aty ulemi e hamë bukë të bardhë me nga një bozë a limonadë. Në daç shkojmë te Shadërvani, e shtrojmë shervetën e kaftë dhe haj-na bukë e gjath, pimë edhe ujë në gjithë ata qepa, pak i vokët, po s’ka dert. Do ta përtërijmë kohën e gjyshërve tanë, kur dilnin në pazar. E shitnin nga një këndes e blenin pak krip, gaz (vajguri), njëzet-tridhjetë kokrra sheqer, do kafe thekne, të përzier dhe, të mos harrojmë, nga një fyell për ditë t’Aligjynit. Fyelli ishte vegla më e dashur dhe shumë e thjeshtë. Të gjithë barinjtë e fshatrave malore i binin. Dikush mirë e dikush hiç. Kur ishte skame e madhe, atëherë kur s’kishte njeri gjë para shpirtit, populli thoshte: “- Bjeri fy’llit t’çkyem!” Nejse, t’i harrojmë ato punë të asaj kohe. Po, u përzije tjetri, për një fjali që e thoshin si vjershë: “Gjilan he viran: një mejhane, ni dyqan e ni shadërvan...!” nuk ishim atëherë, nuk dimë çka kishte e çka jo në këtë kasaba të asaj kohe. As nuk e dimë mirë si ishte drejt kjo thënie që sapo e dëgjuam, ashtu si i kemi dëgjuar nga të tjerët. Ne veç mundemi sot me pa se, kah e rrotullon kokën sheh dyqane. Më së  shumti si ato ‘mejhanet’ – kafiteri dhe në to krejt të rinj.

Në Malësi për ditë të mëdha dilnim për gara në gurapesh, ngreheshim në shtagë, luanim pikarth, edhe guxh, etj. E çonim motin në lezet. Duke i rënë fyellit, pas nesh habiteshin gratë e katundit, duke na shikuar për bira të gardhit, u digjeshin bukët në çerepë...!

 

*

Deshëm, edhe unë me bashkëkohësit e mi, të shkonim edhe ne te ‘gjymyshi’, atje ku binin fyejt ndryshe-ndryshe. Ku bëheshin shumë llafe e s’merrej vesh asgjë, kush e çka thotë. Atje, ku s’dinte ‘qeni të zotin’. Por, mirë do të ishte sikur edhe ne të futeshim në këtë muhabet. Diçka ndoshta do të mësonim. Dikush ka thënë se edhe ‘budalla kaniherë e qëllon’. Po, aty kishin vendosur rrethoja dhe nuk lënin ata që nuk kishin ftesë, sigurisht nga zgjedhje e ‘naçellnikut’ me bashkëqatibat përreth e me hyzmeqarët e oborrit.

Kur jemi edhe ne në shehër, i dëgjuam do pëshpëritje nga veshi në vesh. Po s’vonoi edhe borizanët thërrisnin me plotë bulshitë dhe zgorin e tyre, dasmorë të nahijeve të afërta e të largëta të hynin në odën e pritjes. Se pas vdekjes...donin ta kurorëzonin Omirin në shekullin XXI. Në këtë aheng ishin të ftuar ata që dinin diç për të e edhe ata që nuk ia kishin ditur emrin deri më këtë rast, kështu thoshin të tjerët. Na veç çka dëgjonim nga kushdo. Të pranishëm në atë ceremoni ishin edhe ata që dikur nuk flisnin me vetë Omirin, apo s’e përfillnin fare për të gjallë, e edhe ata që e lajkatonin e ia fërkonin shpinën, po ia “lypnin rrënjën e veshit.” S’ka rëndësi kjo shumë. Aty duhet të përzihesh në atë vallen e përgatitur si nga ai ‘shejtani i zi’, si thuhet. Aq bën. Një drekë a darkë del. Horaxhinjtë, shkuesit, tupanxhinjtë marrin nga disa para, me gjasë nga i Pari i kasabasë, i cili është si thuhet shumë bujar e mikpritës. Sidomos, kur bëhet fjalë për rriten e emrit të tij. Kështu e ka pjesën e vet edhe ai përgjegjësi i ceremonisë që po vë rrethoja si një herë më herët. (Këtij ia kemi kushtuar nga një këngë folklorike). Dita paguhet, edhe për të pranishmit tjerë. Kur donë njerëzit e pushtetit çka nuk bëhet. S’kanë paga disa njerëz, as pensione si duhet, as... – S’ka dert more! Krejt botën s’un e rehatojmë! Kjo po kërkohet sot. Shekulli na mëson se, kush do të bëhet mjeshtër më i mirë për thurjen,...- nuk e di çfarë thurje?! Të vjershave apo të rrjetave për pengesë...sigurisht si para tri-katër dhjetë vjetëve. E kanë mbërri atë kohë disa panlaverë që edhe sot po vijojnë njësoj.

 

*

Po të ishte gjallë autori, emri i të cilit merret nëpër gojë, shumë do të ishte hidhëruar. Do të ikte për derë e për dritare, duke sharë e duke u ankuar, pse duhet të ketë punë me disa njerëz. Me ata disa që veç ndërskëmbësa bëjnë. Nuk do të pranonte i ndjeri, që të bëhej shtrembërimi i eshtrave në vend të drejtpeshimit të vertikales, që kishte dalë nga shpirti i tij: “Luftëtarët shikohen prej betejës në betejë/Secili tjetrit varrin ia kërkon n’zemër/O kush do t’i bajë kurorat pas luftërave”(!). Ka pasur hapa të ndërlikuar qe nga “Rimat e shqetësuara”, për guximin dhe nxitjen e tij në mjeshtërinë e veçantë. Mandej, si ankorim anijeje me ngarkesa të mëdha. Parabolizmi merret nga reflektimi që mishëron e rreket njeri-lexues me një forcë intelekti për ta pa se sa ngre kandari me ndonjë poet klasik botërorë. Se “Te ‘Vorret e Krushqve’ nji lum rrjedh n’Bukuri - /E zogu fluturon n’diell gjithnji kah magjia”. Vetëm me përdorëset e nevojshme të njerëzve që kanë akumuluar në jetë, e me përcjellje të këtij poeti e letrari në përgjithësi, këmba këmbës, nga viti në vit ka mundur dhe mund ta thotë të vërtetën e ngultë për krijimet e forta – guri. Nuk e dimë, nga jashtë, se çka është parafrazuar për “darkën e magjisë”, a i kishte ‘ngrënë gjunjët e vet’ poeti gjilanas si Bodleri francez! Sa lulkuqet janë mbjellë në qytetin e tij. A u panë edhe figurat e lirikës dhe epikës popullore që i qepi autori aq bukur në nën lëkurën e “këngëtimit” të veçantë. A u njehsua leksiku aq i gjerë e i gjatë i eksploruar si fytyra stilistike. Edhe mënyra e transformimit të tyre në gur-themelin e vargëzimit krijues artistik do të duhej të kullohej. Hopa! Që ta shohin “poetët” dhe krijuesit e sotëm këtë punë që pi gjak. Jo të gjithë poetët e vërtetë. Vetëm do që  prodhojnë shumë çdo vit...e nuk e dinë se për ta nuk kushton djersë e gjak, veç para.

Nuk dua ta zgjas më tepër se, isha (ishim) jashtë ceremonisë. Të mos i ngarkoj lexuesit e  këtij shkrimi të kësaj faqeje ditore. Dua ta mbyll monologun dedikuar rastit, atëbotë, në vend të reagimit të autorit. Të shkurtohet fjalimi. Nejse more, edhe po e lë këtë farë afere e këtë farë atmosfere, veç për dëshirën dhe interesin e atyre që i donë përfitimet materiale e financiare. Dhe e marrin për lehtësim përtypjen e arrës së kokosit.

Unë po shkoj te katundarët e mi (kështu po bëjnë gjithë bota) se po më zë muzgu dhe mbrëmja kush e di, “s’ka spat”!



(Vota: 2 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora