Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Zeqir Lushaj: Ai vinte nga Bosnja

| E hene, 27.06.2011, 06:58 PM |


AI VINTE NGA BOSNJA

 

- Ngjarje e jetuar –

Tiranë, Gusht 1993

 

Nga Zeqir Lushaj

 

E quajnë Fadil Beshiri. Banon në qytetin e Gostivarit, në rugën Sllobodan Popovski. Eshtë 26 vjeç dhe ka një djalë e një vajzë. Ka fjetur një natë, ”mysafir, pa njoftë pa ditë” në shtëpinë time në Tiranë.Më ka mbetur në mendje ai djalë shqiptar! Më ka lanë tepër mbresë. Pse, do të thoni ju?

Kjo ndodhi,disa ditë para vitit të ri 1995. Po dëgjoja lajmet në televizor, konkretisht diçka për Bosnjën. Bije zilja dhe, u ngrita, e hapa derën. Përballë meje, një djalë i ri në moshë, por shumë i sfilitur në gjendjen e tij fizike e shpirtërore.

- A mund të më pranoni sonte në shtëpinë tuaj, o vëlla, -foli i tejlodhur ai?

- Mirë se të ka pru Zoti o djalë! Futu brënda, si në shtëpinë tënde, - i thash atij me plot zemër.

Hyri. Në korridor, u ndalua përballë meje dhe tha: - A ka ujë kjo shtëpi?

- Sa të duash, ju përgjigja. (Vertetë që m’u ndodh uji në çezmë e në dush me depozitë, sa të duash).

- Ma bëj kabull këtë natë o njeri i mirë se, jam një nevojtar,- tha ai si me dhimbje e njëfarë përulësie, ose më sakt, njëfarë turpi para meje. Ishim në korridor, kur po shkëmbenim këto

fjalë…

Nëse ka ndonjë gjë që mund të them se, e njoh disi më mirë në këtë botë, është pikërisht psikologjia e mysafirit. Dhe sidomos e mysafirit të rrugës!!. Menjëherë, krijova përshtypje

se, kam të bëj me një njeri të mirë, por, momentalisht, një nevojtar. Dhe ai, sikur u fut shumë shpejt në meditimet e mija.Ngriti duart lart, shikoi vetveten dhe m’u drejtua: - Këto çizme, kanë plot 16 ditë, pa u hequr nga këmbët e mia…Aman,! - Vetëm të lahem dhe, asgjë tjetër nuk dua.

- Nga po vjen more djalë, - ju drejtova me buzëqeshje për ta lehtësuar atë sadopak për ato që thoshte?

- Vij nga Bosnja, bre vëlla, vij nga lufta në Sarajevë! Kam kaluar nëpër gjashtë shtete duke ikur natë e ditë, e ja, arrita deri këtu në shtëpinë tënde... Zoti, nëse ka, (dhe unë i besoj),më ka pru në këtë prak!

…U pastrua ngadalë në banjo. Ndërroi rrobat, veshi një palë nga ato të djalit tim, dhe, u ul në divan në guzhinë, që ne,shqiptarët e Shqipërise, e kemi (nga fukaralleku), ende, si dhomë pritje.

- Ma baj hallall sonte! Të voftë para Zotit, - foli ai pasi u qetësua pak, ulur në divan.

U njohëm me njëri-tjetrin, shkurtimisht, kush ishim e cilët ishim dhe, filluan bisedën për hallet e jetës.

- Sa njerëz ke në shtëpi në Gostivar? - e pyeta.

- Për këtë mos më pyet se, vetëm këtë nuk e di dhe vetëm kjo më mundon tash një vit në mes flakëve e tmerrit të Sarajevës...Ne, jemi nga Gostivari por, kishim vite që punonim e

banonim në Bosnje. Na zuri lufta aty. Mbas disa kohe, disa organizata humanitare mundën t’i largojnë andej pleqtë e fëmijtë. I morën dhe dy prindërit e mi, gruan, djalin dhe vajzën

e vogël. Nuk di, asgjë për ta. Nuk di ku i çuan, nuk di a arritën dot në Gostivar…

- Ooo, nuk e di vetëm, a janë të gjallë, - tha Fadili me gjithë shpirt dhe i pikuan lotët?

Duke na folur gjatë për tmerret e Bosnjës, për krimet e pashembullta të serbëve mbi popullin boshnjak, ai herë pas-here thoshte:

- Ju mos u ankoni. Ju jeni rehat. Kini shumë halle e vështirësi, por të gjitha të mirat i kini mbasi, nuk kini luftë.Mos u ankoni. Jeni në shtëpijat tuaja, në vendin tuaj. Oooo, dijani paqës bre vëllazën!!

…Tek dëgjonim lajmet e fundit në TV, ai tha: - Ah sa pak jep televizori, bre vëlla! Aty ku janë tmerret e vërteta nuk i lanë të hyjnë gazetarët. Kam parë me sytë e mi, me dhjetra raste, duke iu prerë kokat njerëzve, duke i nxjerrë fëmijën nga barku grave shtatzanë, duke vdekur nëpër strehime për një pikë ujë...

…Oh, tmerret nuk kallxohen. Ju nuk dini gjë. Ju jeni të lumtur edhe sikur njëherë në ditë po të hani. Ju jeni në paqe…

... Të nesërmen në mëngjes, e përcolla Fadilin, deri tek autobuzi, në oborrin e stadiumit “Dinamo”, dhe, i dhash aq para sa, ç’mund t’i jepja unë. Aq, sa …, për të arritur Fadili,deri në Gostivar.

./. 

 

(Skica është nxjerr nga libri me shkrime publicistike “Dyqani i mendjes”,i autorit Zeqir Lushaj,botuar nga “Kristalina KH”,Tiranë 2009.ISBN: 978-99956-43-08-9)