E premte, 19.04.2024, 09:11 PM (GMT+1)

Kulturë

Fotaq Andrea: Nënë-Madhja jonë Tereza, shenjtorja e dashurisë njerëzore

E diele, 26.06.2011, 04:04 PM


NËNË-MADHJA JONË TEREZA, SHENJTORJA E DASHURISË NJERËZORE

 

Një letër e kahershme drejtuar piktorit të mirënjohur shqiptar Artan Shabani

 

Nga Fotaq Andrea

 

Përshëndetje i dashur Artan,

Strasburg, 14 mars 2004

 

Lajmi yt, që këto ditë do dhurosh në Vatikan, në prani të Ambasadorit dhe mikut tonë Pëllumb Xhufi, pikturën tënde të Nënë Terezës na gëzoi, na ngjalli një ndjenjë ngrohtësie e krenarie, dhe pa e përmbajtur veten, aty për aty, Merita dhe unë ia treguam pikturën mikut tonë Red Radojës, që ndodhej i pranishëm tek ne, këtu në Strasburg, duke i folur për ty e për pikturat e tua, për stilin tënd të ngrohtë e të veçantë, për gjithë ecurinë që ke njohur.

Dhurimi i tablosë nga ana tënde, pikturë që do të përfshihet kështu në Fondin e Veprave të Artit të Vatikanit është shumë më tepër se një gjest simbolik : është një dhurim i fuqishëm shpirtëror i yti dhe i ne të gjithëve, miqve të tu, dashamirësve të tu, i mbarë Shqipërisë, nga gjiri i së cilës doli Nënë-Madhja jonë Terezë, Shenjtorja e Dashurisë Njerëzore. Jemi Artan pranë teje kur do dorëzosh tablonë, me zemër të hovur nga emocioni, me vështrimin mbërthyer te Nëna Jonë, te Nëna e gjithë Botës, që aq bukur ti e ke dhënë të pikturuar me tërë dashurinë dhe ngrohtësinë e saj humane.

 

Tabloja tënde, i dashur mik, të impresionon, përmban gjithë forcën e së vërtetës në krejt portretin e Nënë Terezës. Aty rrezaton misioni i saj hyjnor, si një ikonë e vërtetë Shën-Mërie që duket sikur mban në gjoks, fort të shtrënguar e gjithë përdëllimë një fëmijë, një karthi, një pafajshmëri, një të paushqyer, por në të vërtetë një Krisht, një Krisht të dhimbjes njerëzore, një Krisht që ajo e ngroh dhe e mbron me trupin e saj, me shpirtin e saj.

 

Sepse, në fakt, duke edukuar Dashurinë e vërtetë, duke purifikuar Dashurinë njerëzore, në mesazhin e vetë Krishtit ajo pa tej e më tej, e jo thjesht mëkatarët : Ajo pa, preku, puthi, ngrohu, ushqeu, të varfër e të sëmurë, të paditur e sakatë, shpresëhumbur e vulëhumbur, të verbër të shpirtit endur në dyshim e mashtrim, të dobët e të frigur, keqanë, alkoolikë e ç’nuk tjetër, të cilëve diti t’u japë mrekullisht dritë e shpresë, dëshirë e dashuri për jetën, aq sa dikush që po jepte shpirt në duart e saj, i hapi zemrën e i tha : « Kam jetuar si i varfër, dhe tani po vdes si i pasur ! »

E s’është aspak çudi, që kjo Nënë e mbarë Botës, kjo e Madhërishme Nënë është në radhë të parë Nënë shqiptare, për nga gjaku, mendja e shpirti, paçka se duan të na e rrëmbejnë apo të na e mohojnë. Ne, si gjithnjë, edhe në këtë rast vetëm dhamë, i dhamë Njerëzimit me shpirt, sikurse përgjatë gjithë Historisë sonë mijëravjeçare. Sepse përherë kemi dhënë gjithçka të vyer, të pastër e të pasur, gjithçka që kemi pasur: forcën e mendjes dhe të krahut, forcën e gjakut dhe të shpirtit, madje që nga vetë Kryeperëndia Zeus! Dhe domosdo, për këtë jemi dhe duhet të jemi krenarë, me gjithë përvuajshmërinë tonë, sa epike, aq edhe tragjike. E nëse të tjerë kanë dashur e duan të na mohojnë gjithçka, si përherë, kjo është, fundja, punë e tyre, për të na parë vazhdimisht të denigruar e poshtëruar, të mohuar e asgjësuar. Veçse, s’ka si të mos na vijë keq që këtij kori të huaj antishqiptar i janë bashkuar e i bashkohen edhe ndoca të verbër e të fandaksur nga mendja e nga shpirti,  madje edhe disa palo intelektualë shqipo, për të mos thënë antishqiptarë, që miku ynë Pëllumb Xhufi, ka ditur t’i stigmatizojë me forcën e argumentimit të tij sa historik aq edhe shkencor, në mbrojtje të misionit të shenjtë të Shqiptarizmës që përcaktuan Rilindasit tanë, ashtu sikurse bëjnë tërë njerëzit e ndershëm dhe patriotë, duke ngritur lart Vlerat e nderuara të Kombit tonë.

 

Artan i dashur,

 

Ti me gjestin tënd po jep diçka nga shpirti yt shqiptar për Tempullin e Shenjtë. Por ajo është nga ana tjetër edhe një simbolikë shumë më e fuqishme, sepse brenda saj jemi ne të gjithë, shokët dhe miqtë e tu, mbarë shqiptarët, mbarë Kombi ynë. Të falemi, Artan, me nder për Veprën tënde fisnike, në dy kuptimet e fjalës.

 

Miqësisht,

Fotaq



(Vota: 15 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora