E enjte, 25.04.2024, 11:52 PM (GMT+1)

Kulturë

Feride Papleka: Dhimitër S. Shuteriqi ishte një institucion i tërë krijimtarie

E diele, 26.06.2011, 12:16 PM


Flet mësuesja, shkrimtarja Feride Papleka

 

Dhimitër S. Shuteriqi ishte një institucion i tërë krijimtarie

 

Nga Albert ZHOLI

 

Para ca ditësh në Akademinë e Shkencave u përurua libri monongrafik i shkrimtares Feride Papleka, « Dh. S. Shuteriqi ». Në këtë përurim të organizuar nga kjo Akademi merrnin pjesë akademik, Prof.Doc, bashkëshortja e Dhimitër Shuteriqit, intelektualë, miq dhe të afërm të Prof. Shuteriqit. Në këtë takim e morën fjalën disa intelektualë ku midis të tjerëve theksojmë komentet e bëra (për jetën dhe veprën e Shuteriqit) nga Prof. Doc, Nasho Jorgaqi dhe Prof. Doc, Moikom Zeqo.  Për Telegraf ne zhvilluam këtë bisedë me znj. Feride Papleka.

 

Si ju lindi ideja për këtë monografi ?

Unë nuk e kërkova këtë subjekt, por e takova. Në dukje është një fakt shumë poetik. Sepse ka gjithnjë një histori në të gjitha veprimet tona që dalin nga kuadri i së zakonshmes. Por është nga ato takime që bartin një lloj plagosjeje. Nga ky kënd u nisa, këtu gjurmova, duke ndier përgjegjësinë që puna ime të afrohej sa më shumë me të vërtetën. Ditë dhe netë pune, me lexime, vëzhgime, shënime, skedime. Ja, pra, çdo të thotë një takim i tillë  me një nga ata që të kallin datën me punën e tyre. I tillë ishte Shuteriqi. Një institucion i tërë krijimtarie. Kolos i kulturës shqipe.

 

Le të flasim pak për momentet e fillimit të veprës tuaj…

Fillimisht më është dashur të ndërtoj një vizion në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale. Ta rimendoja vendin e librave në jetën e tij edhe pse ato janë shumë. Në universin e tij nuk mund të hyje lehtësisht, por më ndihmoi disi imazhi që ruaja. Me librat e tij ishte farkëtuar një pjesë e vetëdijes sime që nga tregimet e mahnitshme te « Gurnecka », e deri kur si mësuese e re u shpjegoja nxënësve lashtësinë e shkrimit shqip, me « Shkrimet shqipe », apo letërsinë kombëtare me librin tjetër të tij « Nëpër shekujt letrarë ».  

Shpesh më ka ndodhur të përsiatja në heshtje se figura e Shuteriqit madhohej, duke marrë përmasa të reja, jovetjake. Vepra e tij lëshonte dritë se ishte një punë në dobi të kulturës kombëtare. Ky parim e udhëhoqi në jetë. Në anën tjetër ky ishte sistemi shuteriqian, me shtigje që të çonin te traseja që bashkon veprën dhe horizontin e lexuesit.

 

Në një libër të tillë bibiografik e mundishme është jeta e personazhit…

Për jetën e pata më të lehtë se më ndihmoi fati i lumtur që të dëgjoja fëmijërinë dhe rininë nga goja e tij kur ishte gjallë dhe këto bëjnë pjesë ndër ato rrëfime magjike që të duket sikur i ke lexuar në libra të hershëm, të dashur. Pastaj për periudhat e tjera ishte dokumenti dhe vepra që flisnin si dhe bashkëkohësia. Shihej në to një shkëlqim i  çuditshëm që përndahej në hapësirën e literaturës shqipe.

Leximi është  frut i një historie të shumëfishtë, histori e tekstit, histori e lexuesit, histori  e kritikës, që u përket kohëve te ndryshme. Dhe ai ishte pjesë e pandarë e kësaj strukture të mrekullueshme shekullore që e ka çuar njerëzimin përpara. Një shembull i madh!

 

Si do ta cilësonit veprën e Shuteriqit?

Vepra e Shuteriqit, ashtu si e njerëzve të mëdhenj të kulturave kudo në botë, është shumëpërmasore dhe ka disa motora frymëzimi. Të zbulosh këtë proces krijues, të rrallë, kjo ishte një detyrë për të zgjidhur. Mbase ndër më të vështirat e këtij teksti. Duke shkruar më ndodhte të pandehja se po zbuloja një Shuteriq, i cili megjithë goditjet që merrte, e ruante mençurinë si në studimet e rralla, ashtu edhe në elegancën e prozës së tij prej stilisti të shqipes.

Prandaj e rrethuar nga librat e tij unë jo pak herë e kam pyetur veten: « Çfarë është ky njeri ? Ku e gjeti kohën ? »  « Dhe në mes të zhurmave politike !?»  Por Shuteriqi ka qëndruar përgjithësisht jashtë këtyre trazirave dhe ka vazhduar në heshtje atë punë që e shëndoshte shpirtërisht dhe e qetësonte mendërisht. Problematika themelore e vepres së tij ishte kërkimi i burimeve tona kulturore që nuk lidhej me përditësinë. Ajo ishte pjesë e asaj hapësire të epërme në jetën e një populli që hyn në përjetësi.

Të gjesh një pikë fillestare nga ato që të udhëheqin për ta mbaruar, qoftë një punë krijuese, qoftë një punë studimore, është një investim i madh. Do të isha e lumtur që lëvdatat që më janë thënë nga një numër dashamirësish dhe njohësish të veprës së autorit, të ishin objektive.

 

Çpërbën në krijimtarinë tuaj ky libër ?

Puna me këtë libër ka qenë një përvojë e pasur për mua. « Ajo që mendoj është përherë totaliteti », thotë  Schelling. Ky totalitet që e kam vënë re te Shuteriqi dhe që është vizion i njerëzve të mëdhenj, më nxiste ta mprehja vështrimin. Kishte pak studime kushtuar veprës së tij. Mesa duket jeta e rënduar nga peizazhet politike ka sjellë mangësi.  Sidoqoftë ka gjithnjë mundësi të ngrihet veli dhe të shikohet përherë diçka e veçantë në veprën e tij.

Çdo kujtim i madh të jep forcë. Imagjinata ime ndalet në takimet e lumtura që pata me Shuteriqin kur ishte gjallë. Shpesh mendoj për atë personalitet të kulturës tonë, për atë rrëfimtar të mrekullueshëm, për atë ëndërrues të ngazëlluar e të trishtë dhe ndiej përmallim. Duke e dëgjuar atë njeri të madh, merrje guxim, fitoje optimizëm. Dhe pakuptuar bëheshe i ditur.

Pastaj mund të tregoj se kënaqësia për të imagjinuar, për të plotësuar një zbrazëti, për të ëndërruar, duke iu afruar realitetit, është shumë e madhe kur lidhet me figura që i përkasin të vërtetave historike. Dhe m’u desh të nxitoja. Veprën e Shuteriqit nuk e nxinte një libër. Eshtë një subjekt sui generis për t’u fundosur. Dhe sa herë e kam menduar veten të humbur. Por nuk di ta shpjegoj, më në fund ia dola. Ishte punë që mund ta përqasësh me një aventurë. Ky libër është gatuar  me këtë lumturi dhe me këtë trishtim.

 

Ku e gjete mbështetjen për realizimin e këtij libri të vështirë ?

Pa arritur në fjalët e fundit unë dua të falënderoj Akademinë e Shkencave që mori përsipër botimin e këtij libri.

Kjo punë nuk do të përmbyllej edhe pa ndihmën e vazhdueshme e bujare të zonjës Shuteriqi për të qartësuar disa ngjarje të jetës së Shuteriqit. Duke lexuar dhe sistemuar me kujdes fondin e punës së tij, ajo më bëri të njohura ditare dhe shënime të panjohura më parë prej meje dhe mes tyre letrat e dashurisë, të cilat hedhin dritë mbi disa anë të jetës intime, që mbeten gjithmonë të pathëna.

Mirënjohje të thellë kam edhe për shkrimtarin Nasho Jorgaqi, biografin e shquar të Fan Nolit, që si recensues i librit dha këshilla të çmuara për çdo kapitull dhe sidomos për saktësimin e disa episodeve në panoramën letrare të pasluftës.

Kam rastin të përshëndes edhe bashkëshortin tim, poetin Anton Papleka, për kurajon që më ka dhënë sidomos në momente shumë të vështira të punës sime.

Dhe në fund, së bashku me gjithë ata, lexues të panjohur ose shokë e miq që duke folur për Shuteriqin e kanë pasuruar imazhin tim për figurën e këtij punëtori të madh të kulturës shqiptare, falënderoj ata që janë në këtë sallë për të ndarë momente vlerësimesh, kujtimesh dhe emocionesh.

Kuptohet mirënjohjen dhe nderimin tim më të madh ia drejtoj vetë autorit që më ka frymëzuar përmes veprës së tij.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora