E enjte, 25.04.2024, 11:20 PM (GMT+1)

Mendime

Gëzim Tushi: Martesë apo “çift fasadë”?

E hene, 04.02.2008, 10:05 PM


Martesë apo “çift fasadë”?

Nga Gëzim Tushi - Metropol

Nga sa kam mundur të analizojë shkaqet dhe motivet e divorceve të shumta të vitit që kaloi, duket se pjesa më e madhe e tyre, kanë ndodhur për motive të mosfunksionimit të martesës, të shndërrimit të saj nga një marrëdhënie e zjarrtë, drejt relacioneve të “çiftit fasadë”. Divorcet më të shumta që kanë ndodhur në Shqipëri janë nga që martesat tronditen për shkaqe të brendshme, sidomos nga dhuna e xhelozia, që janë padyshim, dukuritë që ndeshen më dendur në shoqërinë tonë. Këto sëmundje endemike të martesës, tepër të përhapura në shoqërinë shqiptare, bëjnë që shumë çifte të ndërtojë për njëfarë kohe marrëdhënie për dukje të “çiftit fasadë”, e cila pastaj është e destinuar të përfundojë në divorc në rastin më të keq, apo të funksionojë si një marrëdhënie e fosilizuar, pa shpirt, e cila lejon që martesa të konsumohet pa ngjyrë, pa emocion, në një sfond gri, të martesës ordinere.

Në vlerësimin e martesës, rëndësinë e tyre shumë elementë të përmbajtjes dhe formës, të thelbit, por edhe të imazhit. Megjithatë, në tërësinë e martesave që nuk janë të suksesshme, nuk janë vetëm ato që duken, por dhe ato që maskohen. Martesa është relacion thelbësor, që ka në themel marrëdhëniet e sinqerta të çiftit dhe jo dukjen e jashtme. Personalisht më duket se janë po aq pa fat dhe jo të lumtura, jo vetëm martesat që brehen nga konflikti e destruktiviteti, por edhe çiftet që tentojnë të ruajnë dukjen, duke e shfaqur ndryshe nga çfarë është thelbi i relacionit brenda martesës. Në shoqërinë shqiptare tashmë familja është përballë të gjithë sfidave dhe dilemave të saj. Një pjesë prej tyre janë të ndërtuara formalisht, mbi principin e dukjes dhe të hipokrizisë reciproke. Një martesë, e cila ka më shumë natyrën e një bashkëjetese fizike të thjeshtë, por pa magjinë dhe integrimin emocional që sjell martesa e vërtetë, si marrëdhënia njerëzore më e shenjtë. “Çiftet fasadë”, megjithë përpjekjen për të bërë demonstrim social të jashtëm të normalitetit të martesës së tyre, në thelb ajo mbetet një marrëdhënie formale, esencialisht e tronditur, pa bazamentin dhe “çimenton” erotike dhe motivet sociale që e mban gjallë dhe e ushqen një martesë të vërtetë. Hipokrizia është “dinamiti i heshtur” i një martese fasadë, formale, që shkatërron vlerën e brendshme familjes, sigurinë e marrëdhënieve të çiftit. Kjo martesë është e “sëmurë” dhe lëngon çdo ditë nga ethet e hipokrizisë dhe të mungesës së sinqeritetit. Në jetën e “çiftit fasadë” mund të gjenden shumë argumente të natyrës sociale apo formale, por ajo nuk është thellësisht marrëdhënie martesore. Nëse ajo mbahet për motive mëshire apo si një “laborator i ftohtë”, për të bërë çifti eksperimente me veten, për të provuar mbi trupin e martesës dhe shpirtin e bashkëshortëve, efektet e një jete hipokrite, apo të një relacioni që plotëson dëshirat sadiste, mazokiste apo narciste të secilit bashkëshort, kjo do të ishte esenca më e shëmtuar antihumane e “çiftit fasadë”. Martesa të tilla janë realisht “burgje” për ata që i eksperimentojnë. Çifti fasadë qëndron në këmbë dhe “bashkëshortët” qëndrojnë së bashku, jo për afeksion personal dhe ndjenjë dashurie reciproke, por për hatër të opinionit. Respektimi i opinionit publik duke mbajtur një martesë formale, është i pamjaftueshëm për ta bërë martesën të lumtur. Martesa për hir të opinionit dhe bashkëjetesa si rezultat i “terrorizmit” të opinionit social, është pamja më e shëmtuar e motivimit të një “çifti fasadë”. Martesa nuk është e opinionit, por e çiftit që jeton brenda saj. Dy njerëz nuk mund të jetojnë në “fasadën e martesës”, vetëm për të qenë konform me opinionin edhe pse ajo nuk sjell lumturinë e duhur për të qenë ekzistenciale. Një analizë e shkaqeve të shndërrimit të martesës nga marrëdhënie intime esenciale, në fasadë për dukje sociale, duket se kanë ndikim tradhtitë bashkëshortore apo xhelozitë me natyrë të vërtetë, apo si patologji e dyshimeve reciproke. Tronditjet që vijnë nga këto motive janë në shumicën e herës, shkaqet që kanë rritur divorcin në Shqipëri, gati në dimensionin e familjes kaliforniane. Shumica e “çifteve fasadë”, kur prishin familjen dhe shkatërrojnë martesën, sjellin në gjykatë argumente që vërtetojnë se ata kanë patur probleme me xhelozitë e vërteta apo të imagjinuara, të ditës apo retrospektive, të cilat i kanë cenuar esencialisht të gjithë llojet e marrëdhënieve që funksionojnë në një martesë normale. Një martesë me xhelozinë permanente në mes të saj nuk mund të qëndrojë në këmbë, ose mund të ridimensionohet në një ftohtësi të panatyrshme për martesën, që funksionon vetëm si mjet për të mbajtur në këmbë formalisht, për hatër të “arsyeve ektramartesore”, një çift që nuk funksionon dhe nuk realizon dot detyrat, rolet dhe përgjegjësitë e martesës.

Në një martesë fasadë jetohet si në një repart ushtarak, ku secili luan “role të ngurta”, duke qenë vetëm racional më komunikimet dhe marrëdhëniet në çift. Jeta e çiftit që jeton për fasadë është boshe, pa emocione dhe mendime pozitive, as të ditës as të perspektivës. Çifte të tilla janë ata që bëjnë “jetë paralele”, janë të pavarur nga njëri-tjetri, ku secili ka miqësitë dhe hobet e veta, ka mënyrat adekuate të përmbushjes së “kohës së tepërt” që krijon jeta formale pa shpirt e çiftit, duke u dhënë pas shoqërisë, lojërave të fatit, alkoolit, jetës vanitoze, sjelljes asociale, etj. Absolutisht të gjithë çiftet që e ndërtojnë apo e katandisin martesën në “marrëdhënie fasade”, kanë probleme themelore që kanë natyrë ekzistenciale për martesën. Çiftet që kanë të tilla marrëdhënie, janë formalë në bashkëjetesë, e jetojnë atë pa emocionet specifike të martesës, si një marrëdhënie interesante bipolare. Marrëdhënie të ftohta, indiferentizëm shpirtëror, apati sentimentale, fizike dhe seksuale, kjo është tabloja ekzistenciale e martesës dhe e çifteve fasadë.

Nga studimi i rasteve të divorceve dalin të dhëna të bollshme se “çiftet fasadë” në vendin tonë nuk mund të jetojnë gjatë në këto relacione formale. Ndoshta për shkak të temperamentit tonë të sinqertë, e kemi të vështirë të bëjmë “lojë false”, gjëra për dukje. E kemi të vështirë të fshehim, të maskojmë ato që duken. Përgjithësisht, ose me raste tepër të rralla, për të qenë i sinqertë në observimin tim, marrëdhëniet në çiftet që mundohen të mbajnë sa më gjatë, një lidhje martesore formale, janë të qeta dhe formalisht funksionuese. Pavarësisht fasadës, një martesë që është pa shpirt, pa ndjenjë dhe sentiment, vuan nga problemet e brendshme, nga grindjet pa shkak, mëritë, egoizmi, sfidat, ngacmimet dhe rivalitetet për pushtet reciprok.

Nuk mund të mohojmë se një pjesë e “çifteve fasadë”, që kanë bërë divorce këtu, apo jashtë atdheut, janë nga çiftet që kanë krijuar lidhje martesore me partnerë etnikisht të ndryshëm, një fenomen ky i përhapur tashmë që kemi një emigracion kaq të zgjeruar dhe mundësi të pakufizuar për të realizuar edhe martesa me “natyrë multietnike”. Martesat me pjesëtarë të nacionaliteteve të tjera, nuk janë argument për të thënë se ato janë përgjithësisht martesa që sjellin automatikisht çiftin fasadë. Por natyrisht që këto martesa, përveç problemeve që ka një martesë e natyrshme për “t’u lubrifikuar”, kanë edhe probleme që kanë të bëjnë me “diferencat” e kulturave nacionale që lënë gjurmë të thella në marrëdhëniet intime dhe lidhjen martesore. Për fat të keq, shpesh kanë ndodhur tragjedi që e kanë origjinën pikërisht në këtë diferencë kulturore, me konceptet e barazisë gjinore, të roleve dhe kulturës seksuale, që kanë partnerët me të cilët djemtë dhe vajzat tona lidhin martesë. Vështirësitë e komunikimit kulturor, diferenca në traditat kulturore e të sjelljes seksuale, kanë bërë që shumë martesa të tilla të formalizohen dhe të përfundojnë në divorcin fatal…



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora