E enjte, 28.03.2024, 09:45 PM (GMT)

Mendime » Çeliku

Kalosh Çeliku: Amani, e hipni edhe një grua në kalë me shalë

E shtune, 25.06.2011, 07:02 PM


AMANI, E HIPNI EDHE NJË GRUA

           NË KALË ME SHALË

 

Nga: KALOSH ÇELIKU

 

U ngulfata në Shkup edhe këtë verë. Përditë e më shumë po më zihet fryma. Nga të gjitha anët përreth heronj meshkuj, kalorës me kuaj shale. Edhe misionarë fetar. Vetëm, nuk më zë syri asnjë grua me kalë shale: “Për midis Pazarit Shkupit”. Edhe atë, kur e dimë se në të kaluarën s’kemi pasur makina, ose nëpër vendbanimet e thella malore nuset i kemi marrë me kalë shale. E shi sot, në këtë kohë demokratike kur duam të shkojmë në Evropë, politikanët tanë nga të katër anët na mbytën me burra mejdani. Nga ta kthesh kryet, do të shohësh ndonjë hero me kalë, luan ose mëzat me brirë. Ndonjëri, edhe në mes të rrugës e ka shaluar kalin me shpatën në dorë për luftë.

      Dorën në zemër, e kemi pasur lehtë gjatë stinës së dimrit, po çka do të bëjmë tashti në verë, në këtë vapë të madhe kur zjarr na digjet mbi krye. Edhe ne, shqiptarët e kemi Skënderbeun në Çarshi, po ai së paku në kohën e sotshme e ka futur shpatën në brez. E ka ngritur lart dorën, lufton për paqe: ngadalë, o burra! Fatkeqësisht, kur kalorësit e tjerë hipur mbi kuaj shale i kanë ngritur shpatat lart në dorë për luftë matanë Varadrit. Edhe luanët mbi urën “Goce Dellçevi” me bishtat nën shalë. Mëzetërit e patredhur i turren me brirë tinëz pas shpine. Nuk e ka lehtë as me halldupët “shqiptar” që në mes të Shkupit e kanë shpallur si tradhtar. Edhe sot e kësaj dite e kanë vështirë t’ia zënë emrin në gojë, po kur lënë takime thonë: “te Kali”. Ali Ahmeti me shokë do t’ia sjellë në Shkup  edhe një vëlla gjaku, Pjetër Bogdanin. Po, halldupët “shqiptar”, Askushi hedhin gurë e dru mbi këtë veprimtar të shquar të kulturës shqiptare, gjoja se te “Çeta e profetëve” ua paska fyer fenë islame dhe Kuranin.

       Askund, nuk të zë syri ndonjë grua as për farë. Jo, të zë para ish Shtëpisë së mallrave në sheshin “Makedonija”, përpara këmbëve të kuajve të: Goce Dellçevit, Nikolla Karevit dhe Aleksandrit të Madh,  po këto gra janë kalimtare rasti, gjysmëlakuriqe nga nevoja me nga një çantë në krah. Që, hajnat përnatë pasmesnate ua presin nga një dorë ose këmbë. E politika shterpë, turr të nesërmen t’ua kthejmë në vend dorën ose këmbën edhe këtyre “heroinave”. I falemi Zotit, që dikush nuk ua pret kokën. Shkaku, se: vaj hallit atëherë, ku t’ju gjejmë koka në qafë. Vështirë në kohën e sotshme e kemi t’u gjejmë koka burrave, e ku më edhe grave. E kemi lehtë t’u gjejmë këtyre “veprave artistike” ndonjë dorë, këmbë ose bishtin brigjeve të Vardarit, po shumë vështirë mes kësaj varfërie të përditshme materiale e shpirtërore e kemi t’u gjejmë edhe koka.

      Edhe vazhdoj t’i lutem Zotit, liderve tanë politik në pushtet: Nikolla Gruevskit edhe Ali Ahmetit. Amani, ku të doni e gjeni edhe një grua heroinë! Nuk ka rëndësi, e krishterë ose myslimane. E hipni edhe  atë në kalë me shalë! Besomëni, na mbytët në Shkup vetëm me burra, edhe atë të hipur në kuaj me shalë. Ku të doni e gjeni edhe një grua: në Serbi, Bullgari, Greqi, Shqipëri, Rumuni… Vetëm le të jetë së paku grua heroinë. Historinë e popujve të tjerë e njoh shum pak, ose nuk e njoh fare. Gjatë jetës sime kam dëgjuar për një Teutë Ilire, Zhan D’Ark, Safo, Shotë Galica, Ana Ahmatova, Bubulina Laskarina, Fransua Sagan, Virgjinia Vulf, Sulltanë Qafa… Ama, asnjërën nga këto gra heroina deri më sot nuk e pashë me kalë shale në Shkup.

      Edhe një herë e përsëris: ku të doni e merrni një grua heroinë, qoftë e krishterë, qoftë myslimane! Dhe, sillnje me dëshirë ose me dhunë në Shkup! Nuk ka rëndësi, edhe a është hipur mbi kalë, më këmbë te Ura e Gurit ose në koçi. E rëndësishmja mbi të gjitha është, që të jetë grua heroinë. Edhe ne, këtu në Shkup si e gjithë bota përparimtare e demokratike të marrim lirisht frymë edhe në mesin e grave…



(Vota: 28 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora